Faton Fetahu - Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

A i duhet Kosovës një president nga grupacioni politik nga i cili vije edhe kryeministri?

Më 14 shkurt 2021, u mbajtën zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, zgjedhje këto, të organizuara për të tetën herë më radhë, ndërsa, në dy javët e para të muajit mars pritet cerifikimi i rezultatit zgjedhor nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kështu, edhe i hapet rrugë zbatimit të rezultatit zgjedhor, duke filluar nga procesi i themelimit të institucioneve kushtetuese si konstituimi i Kuvendit, zgjedhja e Presidentit dhe në fund zgjedhja e Qeverisë.

Bazuar në rezultatin zgjedhor, Partia Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar bindshëm shumicën relative (rreth 48 %), dhe nuk ishte larg fitores së shumicës absolute të votave. Por, gjithsesi shumë larg fitores që do t’i siguronte shumicën e kualifikuar në Kuvend, e nevojshme për të zgjedhur presidentin (80 deputetë).

Projektit politik të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, që njëri të udhëheq me qeverinë si Kryeministër, e tjetri të zgjedhet President, qytetarët e Kosovës nuk i besuan. Shumica e tyre vendosi që këtij projekti t’ia besoj drejtimin e qeverisë, por jo edhe drejtimin e Zyrës së Presidentit.

Kushtetuta jonë duke qenë liberal-demokratike, i jep përparësi zgjedhjes së presidentit përmes një procesi që konsiston në kompromisin dhe konsensusin politik për të pamundësuar koncentimin e pushtetit politik në duart e një individi, a një subjekti të vetëm politik.

Cila është pozita e presidentit në rendin kushtetues kosovar?

Përkundër mekanizmit zgjedhor tipik parlamentar, ajo që e dallon Presidentin e Republikës Kosovës nga presidenti tipik parlamentar janë kompetencat e tij. Kushtetuta, i ka dhënë disa kompetenca presidentit, të cilat ai i ushtron në bashkëpunim me kryeministrin, çka e bën presidentin të ketë bashkëveprim të vazhdueshëm zyrtar me kryeministrin.

Pra, Presidenti i Republikës së Kosovës, ka disa kompetenca që janë jo tipike për një president parlamentar, kompetenca këto që e bëjnë një president të fortë. Fakti që Presidenti i Kosovës, ka disa autorizime kushtetuese më të gjëra se presidentët tipik parlamentar, e vëreteton edhe procesi i hartimit të Kushtetutës së Kosovës, në të cilin, ka ekzistuar marrëveshje për ndarjen e autorizimeve kushtetuese në mes të presidentit dhe kryeministrit.

Një aspekt tjetër që është i rëndësishëm për pozitën e presidentit dhe raportit të tij me rendin kushtetues është edhe mënyra e ushtrimit të kompetencave. Duke qenë një element që ndikon në përcaktimin e rolit të presidentit, duhet theksuar se Kushtetuta e Kosovës e obligon presidentin që gjatë ushtrimit të kompetencave të tij të jetë përfaqësues i unitetit të popullit si dhe të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve.

Ndërkaq, Kushtetuta nuk ka paraparë ndonjë kufizim të veçantë për ushtrimin e kompetencave të presidentit. Mirëpo, tashmë janë krijuar edhe praktikat e mjaftueshme në lidhje me diskrecionin e treguar në ushtrimin e kompetencave.

Siç e theksuam më sipër, sistemi kushtetues i Kosovës, ka përcaktuar një president i cili ka kompetenca jo tipike, siç i kanë presidentët e vendeve parlamentare. Njëra ndër kompetencat e shumta, që e dallon Presidentin e Republikës së Kosovës, nga presidentët tipik parlamentar, është fakti që ai udhëheq politikën e jashtme të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, një kompetencë e rëndësishme e Presidentit të Republikës së Kosovës, e cila mund cilësohet si një dimension përcaktues i rolit të tij në sistemin kushtetues, është edhe kompetenca për garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve.

Gjithashtu, në aspektin e dimensioneve dhe rolit që ka presidenti në sistemin kushtetues të Kosovës, vlen të përmendet edhe roli kushtetues që ka ai në themelimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, e veçanërisht qeverisë. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i vitit 2014, nr.KO103/14, ka përcaktuar rolin e Presidentit të Republikës së Kosovës, në krijimin e qeverisë. Sipas këtij aktgjykimi, në raundin e dytë, zgjedhja e qeverisë është në diskrecion të plotë të presidentit. Kjo nënkupton njëherit edhe fuqizim të rolit të presidentit në sistemin kushtetues të Kosovës.

Sa më sipër, duhet theksuar që sipas Kushtetutës por edhe interpretimeve të Gjykatës Kushtetuese, janë disa kritere dhe veçori që e karakterizojnë rolin e Presidentit të Republikës së Kosovës, si: mënyra e zgjedhjes dhe standardet e krijuara në këtë aspekt nga Gjykata Kushtetuese, kompetencat e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe mënyra e ushtrimit të tyre si dhe standardet e krijuara nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës për pozitën e presidentit në kuadër të sistemit kushtetues.

Pra, arsyeja se pse mënyra e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, është një veçori, që karakterizon rolin e tij në kuadër të sistemit kushtetues të Kosovës, ka të bëjë më shumë me standardet që ka krijuar Gjykata Kushtetuese në kuadër të procedurës së zgjedhjes së presidentit, çka nënkupton që një formulë e tillë mundëson zgjedhjen e një presidenti konsensual, që përfaqëson unitetin e popullit.

Siç e thamë edhe më sipër, kompetencat e presidentit dhe ushtrimi i tyre janë një dimension përcaktues i rolit që ka Presidenti i Republikës së Kosovës në kuadër të sistemit kushtetues, sidomos ato kompetenca, të cilat janë të karakterit ekzekutiv. Po ashtu numri i madh i kompetencave (30 sosh) është një indikator i rëndësishëm që përcakton rolin e presidentit në sistemin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Ndikim në përcaktimin e rolit të tij, në sistemin kushtetues kanë pasur edhe disa vendime të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të cilat kanë trajtuar çështje të caktuara përkitazi me presidentin. Këtu duhet të përmendet me theks të veçantë rasti i ish Presidentit Fatmir Sejdiu (viti 2010), ku Gjykata Kushtetuese krijoi standardin që një president që përfaqëson unitetin e popullit, patjetër duhet të mos ushtrojë asnjë funksion në parti politike.

Një rast tjetër që sqaron pozicionin kushtetues të presidentit, si dhe ushtrimin e kompetencave të tij dhe sidomos kompetencën e përfaqësimit të unitetit të popullit është edhe rasti i parashtruar nga ish Presidentja Jahjaga, për kontroll të amendamenteve kushtetuese në vitin 2012. Përmes këtij rasti Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, definoi rëndësinë e përfaqësimit të unitetit të popullit nga Presidenti i Republikës së Kosovës si dhe përcaktoj rëndësinë që ka ushtrimi i kompetencave nga ana e tij.

Po ashtu, edhe një rast tjetër u regjistrua vitin e kaluar, kur u bë vlerësimi i kushtetutshmërisë së Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, me të cilin u nominua z. Avdullah Hoti për Kryeministër. Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin e saj, i dha të drejtë Presidentit në veprimet e tij, në kuadër të ushtrimit të kompetencave kushtetuese duke balancuar detyrimin e tij për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë, përfshirë edhe të drejtën e Kuvendit për zgjedhur Qeverinë.

Siç vërehet, Presidenti i Republikës së Kosovës, ka një rol e pozitë të veçantë në sistemin kushtetues kosovar, dhe ushtrimi i këtij funksioni nga një titullar që propozohet dhe zgjedhet nga i njëjti grupacion politik parlamentar nga del edhe Kryeministri, do ta degradonte institucionin më të lartë kushtetues ose anasjelltas, dhe do të humbte besimin e publikut se institucioni i presidentit, përfaqëson unitetin e popullit apo siguron dhe garanton funksionimin demokratik të institucioneve.

Një president i tillë, do të ishte shumë i dëmshëm për demokracinë tonë kushtetuese dhe parlamentare.

Rasti ‘Pacolli’ dhe zgjedhja e Presidentit të ri ( I )

 

Faton FETAHU

Autori është njohës i të drejtës kushtetuese dhe parlamentare, me përvojë solide në këshilldhënie juridike