Poster i vendosur në qendër të Prishtinës në ditët kur qeveria e Kosovës i vendosi taksë mallrave nga Serbia e Bosnja. Foto: BIRN

48 orët e Kosovës së pavarur

Rritja e taksës ndaj prodhimeve serbe nga Qeveria e Kosovës tregon nevojën për vendime të pavarura, por po ashtu mund të jetë kamuflim për t’i mbuluar dështimet e politikës së brendshme.

Uniteti shoqëror e politik nuk është diçka që e shquan historinë e afërt politike të Kosovës. Mirëpo, siç duket kosovarët janë bërë tok së bashku dhe po përqafojnë vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për të vendosur 100 për qind rritje të taksës për prodhimet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Vendimi i kësaj jave nga Qeveria e Kosovës është arsyetuar nga kryeministri Haradinaj si referencë e “obstruksioneve të vazhdueshme” ndaj sovranitetit të Kosovës nga Serbia në arenën ndërkombëtare.

Megjithëse justifikimi për këto masa më shumë bazohet në shkeljet e rregullave ekonomike nga Serbia, është nënkuptueshme që masat ekonomike u pasuan nga fushata e Serbisë që shkaktoi dështimin e Kosovës në kërkesën e saj për t’u bërë anëtare e Interpolit.

Në anën tjetër, Bashkimi Europian ka dënuar rritjen e tarifave 100 për qind dhe u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që “menjëherë” ta tërheqin vendimin, duke cilësuar se është në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s.

Për shumë kritikë, ky është një qëndrim dukshëm asimetrik i BE-së ndaj Kosovës në krahasim me Serbinë.

Federika Mogerini, shefja e Politikës së Jashtme dhe Politikave të Sigurisë të BE-së, asnjëherë nuk ka kërkuar nga Serbia që “menjëherë” t’i ndalë politikat agresive ndaj sovranitetit të Kosovës, shtet që njihet nga shumica e vendeve anëtare të vetë BE-së. Madje edhe ish-diplomatë nga vendet anëtare të BE-së e kanë kritikuar reagimin dhe trajtimin e pabarabartë të Kosovës dhe gjuhën e përdorur nga Mogerini.

Derisa Mogerini nuk preferon të komentojë politika obstruksioniste të Serbisë karshi Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, BE-ja bëhet shumë e zëshme kur Kosova merr masa obstruktive.

Nëse marrëdhëniet fqinjësore kanë qenë fokus i BE-së si ndërmjetësuese e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pse politikat e jashtme agresive të Serbisë qenkan të pranueshme, ndërsa veprimet e njëanshme për t’i vënë taksë Serbisë pikërisht si pasojë e këtij agresiviteti të treguar nga Serbia, po gjen këso reagimesh të ashpra nga BE-ja?

Ky pozicionim hipokrit bëhet edhe më i vërejtshëm kur kihet parasysh që vetë CEFTA në mënyrë zyrtare nuk ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Prandaj, pyetja themelore duhet të përsëritet fjalë për fjalë: Çfarë normaliteti mes Kosovës dhe Serbisë ka arritur BE-ja në këto shtatë vite dialog që kanë pasur për qëllim pikërisht normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë?

Politikanët në Prishtinë e kanë kuptuar se të qenit konstruktiv ndaj BE-së nuk është politikë që shpaguhet. Në fakt, konstruktiviteti i tyre u ka shërbyer më shumë për të mbajtur pushtetin e tyre në shtëpi, por nuk ka prodhuar politika të dobishme për vendit gjatë këtyre viteve. Pozita e shtetit është dobësuar ndër vite, ndërsa BE-ja ka përdorur një gjuhë ledhatuese ndaj Serbisë përkundër se ajo ka vazhduar ta minojë ekzistencën e shtetit të Kosovës.

Natyrshëm, ngjarjet e fundit prodhojnë edhe skenarë që i bëjnë përfitues politikanët e Prishtinës. Njëra nga pasojat më të këqija dhe të rrezikshme është që taksa ndaj Serbisë do t’i amnistojë politikanët nga dështimet e vazhdueshme dhe do t’i shërbejë Haradinajt dhe zyrtarëve të tjerë qeveritarë për t’i maskuar dështimet e tyre.

Përveç politikave agresive të Serbisë, zyrtarët kosovarë, sidomos Ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli, duhet të japin përgjegjësi për dështimin e Kosovës sa i përket anëtarësimit në Interpol. Disa ditë para votimit, Pacolli shprehte besim të pashoq se Kosova do të bëhej pjesë e Interpolit. Dikush duhet të tregojë se si është e mundur që numri i votave përkrahëse nuk kaloi shifrën 60, ndërsa Kosova është njohur nga më shumë se 100 shtete.

Qytetarët e Kosovës përveç që duhet t’i japin përkrahje vendimit për ta rritur taksën, duhen njëkohësisht të kërkojnë përgjegjësi për dështimin në Interpol.

Qytetarët nuk duhet të kujtojnë larg në të shkuarën për ta kuptuar se kjo gjendje e krijuar mes liderëve të Kosovës, BE-së dhe Serbisë është pasojë e politikave të dobëta dhe papërpikta të politikanëve të Kosovës.

Në këto 48 orë, një njeri ishte plotësisht i heshtur: Presidenti Hashim Thaçi, i cili nuk ka thënë asnjë fjalë për veprimet e Qeverisë së Kosovës.

Pavarësisht se sa Qeveria e Kosovës është në gjendje t’i qëndrojë trysnisë së BE-së për ta tërhequr taksën, apo mundësisë së keqpërdorimit të kësaj gjendjeje për qëllime të ngushta të akterëve politikë, ky momentum i rrallë është mundësi për një shteti të vogël që të gëzojë sovranitet të plotë në vendimet e saj.

 

Eraldin Fazliu është redaktor në Prishtina Insight