2020-ta dëshmoi se kontrata sociale e Kosovës ka nevojë për rimendim

Gjendja ekonomike e krijuar si pasojë e  pandemisë e ka shpërfaqur paaftësinë e shtetit për të përkrahur më drejt ata që kanë më së shumti nevojë, ndërsa  masat e ndërmarra nga Qeveria Hoti përkeqësuan edhe më tej  pabarazinë sociale.   

Politika sociale e Kosovës që nga fillimi është dizajnuar të ofrojë vetëm një mbrojtje minimale për qytetarët të cilët nuk mund të sigurojnë  mirëqenie bazike brenda tregut të lirë apo familjes.

Ky nivel i ulët i mbrojtjes jepet përmes transfereve sociale për familjet e varfra, personat me aftësi të përhershme të kufizuara, të moshuarit dhe fëmijët me aftësi të kufizuara, të braktisur ose të adoptuar –  të gjitha të ndërlidhura me pragun zyrtar të varfërisë që matet bazuar në koston e konsumit minimal të ushqimit.

Gjithashtu kjo mbrojtje përfshin edhe kompensimin e pushimit të lehonisë për nënat e punësuara si dhe një  infrastrukturë tejet të vogël publike për kujdesin ndaj fëmijëve parashkollorë, e cila përsëri shënjestëron “kategoritë e rrezikuara”. Shërbimet tjera sociale, si për shembull puna sociale e fokusuar në këshillim ose monitorim të fëmijëve në rastet e dhunës familjare ose viktima të trafikimit njerëzor, janë margjinale.

Përtej kësaj mbrojtje të ngushtë publike, shteti pret që qytetarët ta sigurojnë mirëqenien e tyre përmes të ardhurave nga punësimi në treg, kursimeve pensionale dhe  sigurimeve shëndetësore private, si dhe shërbimeve në sektorin privat ose sektorin e tretë (organizata joqeveritare).

Kjo politikë është lansuar gjatë administrimit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), nën ndikimin e madh të organizatave tjera ndërkombëtare, si Banka Botërore (BB) dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), të cilat edhe vetë ishin të ndikuara nga paradigma ideologjike radikale pro-treut të lirë. 

Natyrisht që disa  shtresa të politikës sociale (që zakonisht kanë krijuar përfitime për grupet e afërta me partitë në pushtet, të tilla si kompensimet për veteranët e luftës dhe mësuesit e sistemit paralel të arsimit shqip të Kosovës gjatë viteve 1990) u shtuan pas pavarësisë së Kosovës, mirëpo bazat e sistemit mbeten të njëjta.

Kjo strukturë gjatë 20 viteve të fundit ka prodhuar një nga shoqëritë më të pabarabarta në Evropë për sa i përket të ardhurave. Koeficienti apo Indeksi Gini në Kosovë, i cili mat pabarazinë në të ardhura, ka qenë deri në 43 përqind, dukshëm mbi mesataren e BE-së që qëndron rreth 30 përqind.

Përfitimet për më të pasurit

Edhe masat e ndërmarra për trajtimin e ndikimit ekonomik të pandemisë së koronavirusit kanë qenë në masë të madhe vazhdimësi e kësaj politike – ato i kanë kontribuar përkeqësimit të pabarazisë sociale.

Gati katër muaj e gjysmë pasi u dërgua në Parlament, Ligji i  Rimëkëmbjes Ekonomike përfundimisht hyri në fuqi  më 5 Dhjetor 2020.Masat e dala prej tij  u dhanë mundësinë qytetarëve t’i tërheqin 10 përqind të kursimeve të tyre pensionale nga Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës dhe krijuan dy fonde për të siguruar mbështetje financiare për bizneset dhe për punëtorët të cilët i kanë humbur vendet e tyre të punës për shkak të pandemisë. Bizneseve iu  dhanë po ashtu edhe garanci publike për të siguruar qasje më të lehtë në kredi dhe lehëtsira tjera në taksa.

Sipas ligjit të ri, tërheqjet nga të gjithë individët me kursime nën 9,999 euro do të rimbursohen nga Qeveria duke filluar nga viti 2023 e tutje. Bazuar në të dhënat e Trustit, kjo do të thotë se 91 përqind e të gjithë kontribuesve do të rimbursohen nëse tërheqin kursimet e tyre, ndërsa vetëm nëntë përqind kanë më shumë se 10,000 euro kursime totale dhe kështu nuk kualifikohen për kompensim.

Sidoqoftë, gati 63 përqind e të gjithë kontribuuesve kanë më pak se 2,000 euro kursime që do të thotë se ata mund të tërheqin vetëm deri në 200 euro në total. Kjo do të thotë gjithashtu se individët që përfitojnë më shumë nga tërheqjet që do rifinancohen nga qeveria – ata që janë në gjendje të tërheqin  midis 200 euro dhe 999 euro – përbëjnë rreth 28 përqind të të gjithë kontribuuesve.

Shumica e punëtorëve brenda këtij grupi ka të ngjarë të jenë të punësuar në sektorin publik, ose në Organizata të Shoqërisë Civile, apo edhe në kompani private më të mëdha dhe më fitimprurëse. Kjo do të thotë që mbështetja financiare e ofruar përmes qasjes në fondin e kursimeve pensionale – e parashikuar si lehtësim në gjendjen e krijuar nga  COVID-19 – kryesisht mbështeti  ata të cilët tashmë veç janë gjetur më mirë në tregun e punësimit.

Kjo pako rimëkëmbjeje gjithashtu ofroi 200 milionë euro mbështetje financiare për bizneset, por pa specifikuar kriteret për shpërndarjen e fondit. Nëse fondi shpërndahet në të njëjtën mënyrë sikurse ato 60 milionë euro të ndara në fund të shtatorit, që do të thotë bazuar në numrin e të punësuarve,  përsëri do të përfitojnë punëdhënësit privatë më të mëdhenj dhe më të pasur që mund të mos jenë prekur njësoj nga pasojat e pandemisë. I njëjti rezultat deri diku mund të dalë edhe nga masa për garancitë publike në lidhje me qasjen në kredi.

Një fond tjetër prej 30 milionë eurosh është ndarë për të siguruar mbështetje financiare për punëtorët që kanë humbur punën për shkak të pandemisë. Tri rroga mujore deri në 300 euro u vunë në dispozicion për punëtorët të cilët mund ta dokumentojnë se kanë humbur vendet e tyre të punës midis 29 shkurtit dhe 30 dhjetorit.

Nuk ka pasur statistika zyrtare mbi numrin e humbjeve të vendeve të punës si rezultat i pandemisë, mirëpo vlera e fondit (30 milionë euro pjesëtuar për tri rroga mujore prej 300 eurosh) sugjeron se autoritetet besojnë se rreth 33,000 njerëz i kanë humbur vendet e punës. Vlera e pagesës  paraqet mbrojtje shumë më të mirë të të ardhurave krahasuar me pagën minimale zyrtare (170 euro, e cila nuk është përditësuar që nga viti 2011), veçanërisht duke marrë parasysh inflacionin.

Sidoqoftë, as kjo dhe as ndonjë masë tjetër e përshkruar në ligj nuk i mbulon punëtorët në ekonominë, shpesh të pasigurt, informale, e cila, sipas Bankës Botërore, arrin në 35 përqind të punëtorëve të përgjithshëm në Kosovë.

Punëtorët në ekonominë informale e kanë të vështirë  të kualifikohen për Skemën e Ndihmës Sociale jashtëzakonisht të targetuar – ku kriteret e pa përditësuara përkundër ndryshimit të gjendjes në Kosovë kanë çuar në përjashtimin e mijëra familjeve nga mbrotja prej varfërisë gjatë dekadës së fundit – e pra nuk kualifikohen as në masën e përkohshme të mbrojtjes së papunëssisë dhe masat tjera të dala nga pakoja e rimëkëmbjes.

Ky ndëshkim i punëtorëve në sektorin informal është plotësisht i padrejtë, pasi informaliteti është shpesh pasojë e politikës zyrtare. Rreth 85 përqind e buxhetit kombëtar  financohet nga taksat e konsumit dhe tatimi në shërbime publike. Kështu, shteti nuk ka pasur interesim të angazhohet për të siguruar të drejta më cilësore në tregun e punës për shkak se buxheti  nuk varet nga tatimi i drejtpërdrejtë i të ardhurave dhe nga kontributet e punëtorëve krahasuar me vendet e tjera.

Në të njëjtën kohë, punëtorët nuk kanë lëvërdi  racionale për të insistuar në formalitet për shkak të mungesës së sigurimeve publike (p.sh. pensionet minimale, pushimet mjekësore, mbrojtja e papunësisë etj.), ndërkohë që bizneset mund ta shfrytëzojnë vakumin që krijohet  nga sundimi i dobët i ligjit.

Marrë parasysh të gjitha këto, pakoja e rimëkëmbjes i ka ndëshkuar familjet e varura nga punësimi i pasigurt. Këtyre familjeve i është dashur ta marrin mbi supet veta krizën duke huazuar para ose duke zvogëluar shpenzimet (përfshirë në investime të rëndësishme personale siç është arsimi), gjë që do të ndikojë në kushtet e tyre në të ardhmen si dhe në mobilitetin social.

 Ka rëndësi se kush është në krye të qeverisë

Pandemia gjithashtu ka treguar se ka rëndësi se cili koalicion udhëheq me qeverinë. Përkundër vonesave me Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike, ndërhyrjet e para emergjente në ekonomi u ndërmorën më shpejt, përmbanin kritere të specifikuara më mirë, dhe mbrritën  shumë më tepër te popullata më pak e sigurt financiarisht  – duke i rritur pagesat për mbrojtjen e varfërisë dhe duke krijuar skema të reja.

Për shembull, në fund të majit, qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se më shumë se 116,000 punëtorë ishin kompensuar me paga minimale (deri në dy muaj) dhe 44,000 të tjerë pritej të kompensoheshin. Vetëm kjo masë duhet të ketë arritur të paktën 60 përqind të të punësuarve në sektorin privat.

Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje gjithashtu publikoi një raport të hollësishëm në maj për shpenzimet e saj, gjë që fatkeqësisht nuk është vazhduar nga qeveria e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) që nga qershori me gjithë dimensionet e krizës dhe madhësinë e ndërhyrjes së qeverisë.

Edhe më dekurajuese ishin shqetësimet e deputetëve që i ngritën në seancat e Kuvendit në lidhje me korrupsionin e mundshëm përmes masave të rimëkëmbjes ekonomike, lehtësirave përmes taksave dhe subvencioneve të energjisë. Nëse këto shqetësime dalin të vërteta, kjo vetëm se do ta shtojë mosbesimin e publikut ndaj institucioneve.

Siç tregojnë të dhënat nga Trusti, edhe 9 përqind e kontribuuesve me mbi 10,000 euro kursime përgjithësisht kanë aplikuar për tërheqje të kursimeve – edhe pse nuk do të kompensohen nga qeveria -ndoshta jo vetëm për shkak të nevojave të ngutshme në kohë pandemie, por edhe për shkak të mosbesimit të madh ndaj veprimeve të qeverisë.

Rinegocimi i kontratës sociale

Pandemia vuri  në pah shumë dimensione të  pabarazisë sociale. Së pari, mësuam se shumica e njerëzve kanë kursime pensioni shumë të pakta, kryesisht për shkak të punësimit të paqëndrueshëm dhe të pasigurt. Por gjithashtu kemi mësuar shumë më tepër rreth thellësisë së përjashtimit social – më shumë se 60,000 aplikime u pranuan në muajin maj kur masat emergjente instaluan pagesën prej  130 eurosh për familjet pa të ardhura të tjera nga puna ose nga transferet sociale.

Sigurimi i ndihmës financiare përkundër urgjencës që krijoji gjendja gjithashtu u bë përmes një  procesi të ngadaltë. Nëse, për shembull, Kosova do ta kishte pasur qysh më herët sigurimin e mbrotjes nga papunësia, do të kishte pasur kapacitetet e nevojshme institucionale për të siguruar mbështetje më të shpejtë.

Viti 2020 tregoi që Kosova ka nevojë për një rinegocim të kontratës së saj sociale, në drejtim të një politike më ambicioze që mbështet njëkohësisht rritjen e punësimit, përfshirjen sociale dhe solidaritetin.

Siç dëshmuan disa nga masat emergjente – p.sh. masa që lejoi kompensimin nga qeveria të dy pagave mujore plus kontributet për të punësuarit e rinj në tregun privat – politikat e këtilla mund të kenë efekt  të menjëhershëm pasi mbi 5,000 aplikime u pranuan  vetëm deri në muajin maj. Qeveria duhet të vazhdojë me përdorimin e këtyre politikave pas pandemisë.

Këtë pranverë, mijëra njerëz gjithashtu u regjistruan si të papunë për herë të parë (përsëri për shkak të interesit për të marrë pjesë në mbrojtje emergjente), duke ua mundësuar  politikëbërësve të punojnë me shifra më reale të papunësisë. Nëse mbrojtja në punë dhe mbështetja e punësimit vazhdojnë të forcohen, shumë më tepër qytetarë të Kosovës do të jenë të interesuar për t’u aktivizuar në të ardhmen, dhe nuk do shfaqen thjesht  si “ekonomikisht joaktivë” në regjistra zyrtarë.

Mjerisht, e vërteta e vitit 2020 tregoi se shumica e forcave politike qëndrojnë prapa status quo-së në politikën sociale, e cila prodhon dhe ruan nivele të larta të pabarazisë, përjashtimit social dhe varësisë nga receptat e gatshme të policisë ideologjike –  Bankës Botërore dhe FMN-së.

(Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht dhe publikuar në Prishtina Insight).

Artan Mustafa, PhD, është studiues i politikave sociale. Botimet e tij mund të ndiqen përmes ResearchGate.