Menaxhimi i kontratave të prokurimit - problem i vazhdueshëm

Njëra prej mënyrave se si është keqpërdorur paraja publike në Kosovë është përmes tenderëve nëpër institucione të ndryshme publike.

Ndonjëherë është menduar mirë skema e keqpërdorimit e në disa raste emërimi i personave jokompetentë si menaxher kontratash, ka bërë që punët të mos kryhen në kohë ose të kryhen shkel e shko.

Shumë prej këtyre shkeljeve janë konfirmuar edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit në raportet që ky institucion harton për disa institucione publike në vend.

Në komuna, kryetari i komunës vendos se kush duhet të jetë menaxher i një kontrate.

“Në secilin autoritet kontraktues, zyrtari kryesor administrativ është personi kryesor që e përcakton se kush duhet të jetë menaxher i kontratës, ai i cili duhet të jetë në baza ditore i angazhuar për të parë ekzekutimin e kontratave dhe normalisht përcaktohet me ligj edhe një mbikëqyrës të menaxherit të kontratës, një person i dytë”, ka thënë Sami Uka, anëtar i bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Sipas tij, personat që vendosen në krye të kontratave duhet të jenë njerëz profesionistë që i njohin sektorët, varësisht se për çfarë është kontrata.

Sami Uka, anëtar i bordit të Komisionit Rregullativ të i Prokurimit Publik (KRPP)

“Nëse komuna nuk e ka një inxhinier mund ta marrë atë nga një institucion tjetër, apo edhe mund ta kontraktojë një person profesional i cili ka aftësi me menaxhu një kontratë të tillë”, thotë ai.

Uka thotë se roli i KRPP-së është vetëm organ rregullativ dhe rol monitorues, por jo edhe vendimmarrës.

Agon Hysaj, hulumtues dhe njohës i prokurimit nga organizata joqeveritare “Demokraci Plus”, ka thënë se KRPP nuk ka kapacitete për të bërë monitorim të plotë të prokurimit nëpër institucione. Kjo, sipas tij, për shkak të stafit të vogël.

“Ligji nuk e specifikon çfarë monitorimi duhet të bëjë KRPP-ja, por nuk ka kapacitete ky institucion për shkak të stafit. Me sa e di unë janë 10 persona në departamentin e monitorimit ndërsa është numri shumë i lartë i kontratave që e bën të pamundur vetë KRPP-ja me i monitoru”, thotë Hysaj.

Ai ka thënë se në terren shpesh hasin në mangësi të menaxhimit të kontratave të prokurimit publik.

Agon Hysaj, Demokraci Plus

“Janë disa arsye. Kompanitë kanë synim me përfitu sa më shumë dhe ato janë një hap gjithnjë e më përpara se institucionet. Mbikëqyrja dhe monitorimi po bëhen vetëm formalisht, sa me i plotësu disa pika aty në planin e kontratës”, thotë ai.

Sipas Hysajt, deri më tani nuk është dënuar asnjë menaxher i kontratës.

“Duke i pa të gjitha këto shkelje, të evidentuara si nga Auditori si nga ne shoqëria civile, ku ka dështime, mund të themi spektakolare në menaxhim të kontratave, ku ka dalë bari e u prishë rruga, të gjitha ato janë që dikush s’i ka shikuar se si po bëhet puna”, thotë ai.

Krejt këto, sipas tij, bëhen për qëllime të ndryshme andaj edhe duhet të hetohen.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë se problem me të cilin ballafaqohet në ekzekutivin lokal është mosndëshkimi i  keqpërdorimeve.

“Logjika se si po e ndërtojmë sistemin, ku secili keqpërdorim që ka ndodh, organet e hetuesisë nuk kanë arrit me dënua e pastaj, ligjvënësi mundohet t’i parandalojë të gjitha të metat. Për ne, sot sistemi është problem, sepse të parandalon me angazhu një ekspert”, thotë Kastrati.

Sipas kryetarit të Kamenicës, problem janë pagat. Ai thotë se janë të ulta pagat për shumë profesionistë, për të cilët tregu privat ofron më shumë.

“Nëse trashësia e asfaltit ose mungon shahti, dikush duhet me marrë përgjegjësi”, thotë Kastrati.

Sistemi ankimor, mbetet një prej problemeve që përcjell sistemin e prokurimit publik.

Qëndron Kastrati, kryetar i Komunës së Kamenicës

“Duhet me pasë një sistem ankimor efikas, që është profesional e që është i ndershëm i cili e ndan drejtësinë mirë. Pika më e dobët e prokurimit publik është sistemi ankimor, pikërisht në këto pesë vitet e fundit”, ka thënë Uka nga KRPP.

Ai tha se kjo pritet të ndryshohet me ndryshimet e fundit në legjislacion.

“Janë evituar dobësitë, është hequr dyshkallëshmëria dhe është propozuar që bordi i OSHP-së t’i ketë nëntë anëtarë”, thotë ai.