Foto: Ilustrim

Memorandumi për energji me Shqipërinë, ‘rehati’ e pasigurtë e Kosovës 

507 megavatë për orë është kapaciteti i prodhimit aktual nga Korporata Energjetike e Kosovës për konsumatorët ndonëse kërkesa për konsum është 750MGh, një diferencë rreth 200 MGh. Për shkak të kësaj, dje dhe sot qytetarët u përballën me reduktime të energjisë. Si ‘shpëtim’ për institucionet përkatës doli të jetë një ‘memorandum bashkëpunimi’ me Shqipërinë e cila i siguroi Kosovës rreth 1200 megavatë për orë.

“KEK falë edhe bashkëpunimit të ndërsjellë me KESH-in, nga sasia e depozituar (mbi 120.000 MW/h) e cila ishte paraparë t’i kthehet Kosovës gjatë sezonit dimërorë ka arritur të sigurojë energji elektrike për orë të caktuara (në kohë të pikut) kur konsumi vendor në Kosovë po shënon ngritje. Më saktësisht, KEK ditën e djeshme dt: 15.08.2022 nga KESH-i ka siguruar sasinë prej 100 MW/h duke filluar nga ora 14:00 deri në orën 24:00, (në total 1100 MW/h), ndërsa për sot dt: 16.08.2022, KEK po ashtu ka siguruar sasinë prej 100 MW/h nga ora 10:00 deri në orën 22:00. (në total 1200 MW/h)”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Për më tepër, KEK ka bërë kërkesë tek KESH-i që bazuar në kapacitetet që kanë në dispozicion kjo gjendje të vazhdojë edhe në ditët në vijim, apo deri sa akterët përgjegjës t’i përmbushin obligimet e tyre sipas licencës.

Ky memorandum i nënshkruar në qershor, në mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive i mundëson vendeve që të shkëmbejnë energji kur njëra apo tjera ka tepricë gjatë prodhimit, për një periudhë dy vjeçare.

KALLXO.com ka siguruar memorandumin në mes dy vendeve. Sipas këtij memorandumi, Kosova dhe Shqipëria zotohen të udhëzojnë Korporatën Energjetike të Kosovës dhe Korporatën Energjetikë të Shqipërisë të bashkëpunojnë në shkëmbimin dhe optimizmin e portofoilios së energjisë elektrikë për të dy vendet dhe tejkalimin sa më të lehtë të krizës energjetike.

Memorandumi i bashkëpunimit thekson se asnjëra palë nuk mund ta zotojë apo detyrojë palën tjetër.

“Gjithashtu të dy TSO-të do të bashkëpunojnë me operatorët përkatës për të mundësuar shkëmbimin e tepricave të energjisë ndërmjet dy vendeve.. Duhet lehtësuar/shtyrë tregtimin e energjisë elektrikë ndërmjet prodhuësëve publik dhe TSO-ven për nevoja të sigurimit të shërbimeve ndihëmsë si për kapacitetin balancues ashtu edhe për energjinë balancuese si dhe humbjet e sistemit… ”, thuhet në memorandum.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Ministrinë e Ekonomisë për sqarime për memorandumin, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur në telefonatat dhe e-mailet e redaksisë deri në publikimin e këtij artikulli.

Në këtë memorandum thuhet se shtetet do të bashkëpunojnë me operatorët për të mundësuar shkëmbimin e tepricave të energjisë ndërmjet dy vendeve.

Kosova kishte paguar mbi 200 milionë euro për import të energjisë elektrike dimrin e kaluar për shkak të krizës energjetike dhe mos prodhimit të sasisë së duhur të energjisë  nga KEK.

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se aktualisht dy blloqe të  termocentralit, ‘Kosova A’ dhe një bllok i termocentralit, ‘Kosova B’ është në prodhim ndërsa TC B2 është në remont i cili pritet të përfundoj më 26 gusht.

Çmimi për import të energjisë elektrike në bursën e Hungarisë sipas Ministrisë Ekonomisë, aktualisht është 430 euro për MGh, ndërsa pritet të rritet në sezonin e dimrit.

Qeveria e Kosovës në shkurt të këtij viti ishte zotuar për subvencion rreth 100 milionë euro për krizën energjetike, por që i njëjti ende nuk është shpërndarë.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka njoftuar se më 19 korrik, Furnizuesi i energjisë elektrike – KESCO, ka dorëzuar kërkesë zyrtare për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave, duke kërkuar dyshim të tarifave të energjisë.

KESCO në kërkesën për ngritje të tarifave të energjisë ka thënë se ende nuk ka pranuar asnjë pagesë/rimbursim apo subvencion nga Qeveria përkundër zotimit.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për përllogaritjet e subvencionimit të energjisë nga Qeveria dhe planin e shpërndarjes së tij, por ende nuk ka pranuar përgjigje.

Të dielën, KEDS kishte paralajmëruar fillimin e reduktimeve të rrymës, 6 orë me rrymë e dy orë pa rrymë, por ende pa u bërë 24 orë, Ministria e Ekonomisë kishte njoftuar se KEK ka arritur një marrëveshje me KESH-in e Shqipërisë për shkëmbimin e rrymës dhe se nuk do të ketë më reduktime.

Nga KEDS kanë thënë se përsëri sot janë rikthyer reduktimet.

Kriza energjetike, pak shpresë për dimër të lehtë