Mehmet Ballazhi përballë premtimeve që dha për qytetarët e Hanit të Elezit

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit nga radhët e PDK-së, në debatin “Jeta në Komunë” foli për të arriturat dhe sfidat me të cilat është ballafaquar gjatë mandatit të tij qeverisës.

tre minutëshin e parë të debatit “Jeta në Komunë” që është e dedikuar për punët me të cilat kryetarët krenohen, i pari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi përmendi disa nga objektivat kryesore mbi të cilat është fokusuar gjatë mandatit të tij.

“Në objektivat e qeverisjes sime kanë qenë arsimi, shëndetësia dhe zhvillimi ekonomik, si tri shtylla për zhvillimin e komunës sonë”– ka thënë kryetari Ballazhi.

Kryetari me në detaje foli për projektet e tij duke veçuar: krijimin e grupit qeverisëse gjithëpërfshirës, investimet në rrjetin e ujësjellësit, projektin për mbrojtjen e lumit Lepenc si dhe shtimin e kapaciteteve humane në stafin shëndetësor.

“Formimi i ekipit qeverisës duke përfshirë barazinë gjinore dhe përfshirjen gjeografike, profesionale dhe politike, ekzekutimi vullnetar i kontratave kolektive 2017-2020, prej 170 mijë euro, konsolidimi i këshillave lokal, investime në ujësjellës dhe rrugë në Dincë, krijimi i hapësirave të gjelbra dhe kreative, projekte për mbrojtjen nga përmbytjet në lumin Lepenc, shtimi i stafit shëndetësor në bashkëpunimi me Islamic Relif dhe pajisje të ultra zërit”- ka thënë kryetari Mehmet Ballazhi.

Kryetari nuk la pa përmendur edhe investimet në infrastrukturën shkollore që u bën nga komuna si dhe projektet tjera me të cilat thotë së janë mbështetur organizatat jo-qeveritare dhe kategori te bizneseve.

“Investime në infrastrukturën shkollore, banjo, shkallë emergjente, lyrje e klasave, tabela të mençura dhe digjitalizimi i shkollave, ndërtimi i fazës së dytë të qëndresë së kulturës dhe funksionalizimi i bibliotekës, rritja e bursave nga 30 në 50 për studentë, për herë të parë kemi bërë një festival folklorik mbarëkombëtar në Hanin e Elezit dhe mbështetje për OJQ-të dhe kategoritë e dala nga lufta, dhe mbështetje të bizneseve të tjera”– ka përmendur kryetari Ballazhi.

Ndërsa, opozita e komunë së Hanit të Elezit u tregua e zëshme dhe kritike ndaj kryetarit për qeverisjen e tij. Akuza nga asamblisti Zaim Bela i AAK-së kishte edhe për largimin e një mjeku që sipas tij ka ndodhur në kohën kur ka filluar mandatit i kryetarit Ballazhi.

Kryetari ju përgjigj kësaj akuze duke e quajtur si të pavërtete pasi që personi në fjale ka qenë drejtor i Qendrës së Mjekësisë Familjare dhe i ka përfunduar mandati si ushtrues detyre.

“Nuk kam largu asnjë mjek, ai ka qenë drejtor i QKMF-së ka qenë me mandat si ushtrues detyre, i ka kaluar afati i mandatit të ushtruesit të detyrës dhe është bërë një ushtrues tjetër detyre”– ka deklaruar kryetari Ballazhi.

Ndërsa, gjatë mandatit të kryetarit Mehmet Ballazhi, u punësua si edukatore edhe motra e kryetarit në çerdhen “Ardhmëria”.

Kryetari lidhur më këtë punësim tha se nuk ka pasur ndonjë ndikim dhe nuk ka shkelje ligjore në rekrutimin e saj.

Nuk e kam punësu unë, as drejtori jem nuk e ka punësu, e ka punësu konkursi, sepse unë bazohem në shkeljet ligjore dhe nuk e di nëse ka pas ndonjë ankesë”– tha kryetari.

Hapësirë për diskutim gjeti edhe dëmtimi i palestrës sportive në shkollën “Izet Thaqi” nga reshjet e shiut dhe breshërit që kanë qenë në maj të vitit 2024 e cila ende vazhdon të jetë në gjendje jo të mirë.

“Palestra ka qenë në gjendje shumë të mirë, mirëpo në kohën që u bë ajo stuhia diku në maj, breshëri i madh që ra, d.m.th prej asaj i është dëmtu pjesa lartë e mbulesës dhe ka krisje, sa herë që bije shi ose borë tash nuk kemi mundësi me e shfrytëzu sallën”– tha drejtori shkollës “Izet Thaqi”.

Drejtori i Arsimit premtoi së palestra sportive do të rregullohet sa më shpjetë që është e mundur në pjesët e dëmtuara, mirëpo kostoja për ndërrimin e gjithë çatisë tha së është e pamundur pasi ka një kosto shumë të lartë.

“Ka me u ndreqë sa ma shpejtë që është e mundur, në bazë të konsultimeve me arkitekt dhe inxhinerë vetëm çatia merr një kosto prej 70 mijë euro dhe tani nuk i kemi, nuk është sanuar për shumë arsye, arsyeja kryesore është së vazhdimisht na kanë ardh kontratat kolektive dhe kanë marrë mjete prej drejtorive”– tha drejtori i arsimit Hisni Luri.

Ku e kapi në “rrenë” Krypometri Mehmet Ballazhin e Hanit të Elezit

“Çështja e ujit është bërë vërtetë e tepërt me u diskutu dhe ne kemi plane për zgjidhje, prandaj ne mendojmë që brenda këtij mandati katër vjeçar të udhëheqjes tonë, çështja e ujit do të përfundoj gjithsesi”– kështu pati premtuar kryetari Ballazhi më 10.10.2021 në debatin ‘Jeta në Komunë’.

Derisa premtimi ishte se problemi me ujin do zgjidhet gjithsesi, komunën e Hanit të Elezit e gjen pothuajse fundi i mandatit të kryetari Mehmet Ballazhi pa e zgjidhur komplet këtë çështje.

Ekipi i “Jeta në Komunë” pas verifikimeve që ka realizuar në terren ka parë se në disa vendbanime të Hanit të Elezit ende ka probleme me ujin e pijshëm.

Ndërsa tani pasi kanë kaluar tri vite mandat fjalë tjera jep kryetari Ballazhi duke thënë së shkak i mos zgjidhjes së problemit me ujin e pijshëm ka qenë mungesa e buxhetit komunal.

“Është në mungesë të buxhetit e para, e dyta është menaxhimi, ne veç sa kemi fillu është viti i parë që Hani i Elezit është stabilizuar me ujë, është problem i gjatë i kahershëm”- ka thënë kryetari Mehmet Ballazhi.

Problemi me ujin e pijes nuk kaloi lehtë pa u diskutuar edhe nga asamblistët e opozitës, Sherif Berisha nga VV-ja tha se uji nuk është i pijshëm dhe se nuk është investuar sa duhet gjatë mandatit të kryetarit Ballazhi.

“Nuk kemi ujë, d.m.th nuk është investu për tri vitet e kryetarit Ballazhi më shumë së 70 mijë euro, gjatë qeverisjes që kemi pas me kryetarin që ka qenë më herët janë mbi 1 milion euro që janë investuar, kështu që ujë nuk kemi dhe uji është i pa pijshëm edhe qytetarët e dinë”- tha asamblisti Berisha.

Kryetari Ballazhi, gjithashtu premtoi së në dy vjeçarin e parë të mandatit të tij do të investoj në rregullimin e pishinës në fshatin Gorancë, madje këtë investim e kishte konsideruar si një çështje të vogël që do ta kryente patjetër.

“Nëse është konkretisht te fshati Gorancë, pishina do të jetë një diçka shumë e vogël, zgjidhja e kësaj çështje do bëhet brenda dy vjeçarit të parë”- kishte premtuar kryetari Ballazhi në debat më 10.10.2024.

Kryetari Ballazhi derisa po shkon drejtë fundit të mandatit, duket mos të ketë qenë çështje shumë e vogël rregullim i pishinës në Gorancë, sepse komuna nuk ka kryer asnjë investim në këtë pishinë.

Përgjigja e komunës lidhur me këtë projekt ishte se nuk kanë mund të ndërhyjnë për shkak të buxhetit të ulët të komunës dhe borxheve që kanë trashëguar, ndërsa parashihet të intervenohet në këtë mandat qeverisës.

“Nuk është realizuar, sepse duke pas parasysh buxhetin e ulët për komunën e Hanit të Elezit, shlyerjen e  mbi 220 mijë euro borxhe të trashëguara, si dhe duke u fokusuar në investime prioritet e kemi shtyrë realizmin e pishinës në fshatin Gorancë duke vendosur në shqyrtim realizimin e tij brenda këtij mandati qeverisës”- thuhet në përgjigjen e komunës.

Ndërsa premtimin për rritjen e numrit të bursave për studentët e mbajti kryetari Ballazhi.

Në vitin 2024 komuna e Hanit të Elezit, ndau 40 bursa për studentë, ndërsa në vitin 2025 është paraparë se 50 studentë do jenë përfitues të bursave komunale sipas përgjigjes së komunës.

Në vazhdën e premtimeve të kryetari Ballazhi, ishte edhe rregullimi i shtrati të lumit Lepenc dhe rregullimi i hapësirave përreth lumit të cilat do të shfrytëzoheshin si shëtitore për qytetarët e kësaj komunë.

Pas verifikimit në terren nga ekipi “Jeta në Komunë” më 08.10.2024 është parë se gjendja e lumit Lepenc, vazhdon të jetë e njëjta pa një rregullim të shtratit siç u premtua nga kryetari.

Ndërsa, komuna në përgjigjen e saj për KALLXO.com ka thënë se është investuar në hapësirat përreth lumit dhe me fondin e IAP-së në shumë prej 730 mijë euro do të përfundohet projekti për shtratin e lumit.

“Përreth lumit Lepenc janë bërë investime në ambiente dhe hapësira publike. Momentalisht është duke u implementuar projekti dy vjeçar i përfituar përmes IAP Fondeve për projektin ‘Një sistem inteligjent për zbulimin e hershëm të përmbytjeve dhe monitorimin e mbetjeve në pellegun e lumit Lepenc’ me shumë afro 730 mijë euro”- është përgjigja e komunë së Hanit të Elezit.

Kryetari Ballazhi premtoi edhe zhvendosjen e matësit të ajrit që ndodhet aktualisht në shkollën “Ilaz Thaqi”, për në qendër të qytetit me arsyetimin se ndotja e madhe e ajrit është në qendër dhe jo në pjesën ku ndodhet matësi i ajrit.

Mirëpo, zhvendosja e matësit të ajrit nuk ka ndodhur ende për shkak se pas konsultimeve që janë zhvilluar me Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, komuna është njoftuar së pajisjet janë shumë të kushtueshme dhe tani komuna është duke punuar në këtë drejtim për të gjetur zgjidhje për zhvendosje.

“Ne e kemi bërë një kërkesë në IHMK-së, ata kanë thënë është një problem për shkak të pajisjeve që janë shumë të kushtueshme dhe aty duhet të kemi kujdes, ne jemi ende në vitin e tretë të qeverisjes dhe jemi duke bërë hulumtime dhe mundësi të zhvendosjes”- tha kryetari.

Kryetari premtoi se drejtoritë komunale në Hanin e Elezit do udhëhiqen 50% nga gratë dhe 50% nga burrat. Ky premtim u realizua nga kryetari Ballazhi, nga nëntë drejtori sa ka komuna, pesë drejtori i janë besuar grave për udhëheqje.

Publikimin e listave të uzurpatorëve të pronave komunale, kryetari u zotua se do ta publikoj në momentin e parë të mundshëm, por në faqen zyrtare të komunës ende nuk e gjejmë listën e uzurpatorëve.

Ndërsa komuna për këtë tha së lista e uzurpatorëve nuk është publikuar ende, por janë liruar disa hapësira publike të uzurpuara.

Gjenda e projekteve “pas shiritit” të Mehmet Ballazhit

Promovimi i projekteve komunale të cilat më pas promovohen edhe në rrjetet sociale nga komunarët si rezultate të suksesshme, jo gjithherë janë të tilla pasi kalon pakë kohë nga përurimi i tyre.

21 mijë qytetarë të Hanit të Elezit, ndoqën pamjet nga droni në të cilën kryetari Mehmet Ballazhi, promovonte ndërtimin e parkut ‘Isa Berisha’, mirëpo një vit pas përurimit të parkut gjendja ka ndryshuar rrënjësisht nga ajo që është publikuar në Facebook.

Në hyrje të parkut janë parë shportat e mbeturinave të dëmtuara, ulëset e shkatërruara si dhe pushimoret tjera në park të dëmtuara, gjë që tregon mungesën e mbikëqyrjes së këtij parku.

Ndërsa kryetari thotë së kanë kërkuar disa herë nga qytetarët të krijohet një vetëdije për mirëmbajtjen e parqeve dhe se është intervenuar disa herë pasi janë dëmtuar.

“Ne kemi lobuar që të krijohet një vetëdije për mirëmbajtjen e këtij parku, unë besoj që nuk do të ishte faji i kryetarit ndoshta për mirëmbajtje të parkut edhe pse i kemi rregulluar disa herë”- tha kryetari Ballazhi.

Hapësirë tjetër për promovim në Facebook kryetari Mehmet Ballazhi i dha edhe parkut tjetër afër lumit Lepenc, mirëpo gjendja e këtij parku pasi është vizituar në terren nga ekipet e “Jeta në Komunë” del të jetë ndryshe nga ajo çka u pa në fotografitë e kryetarit. Një pjesë e madhe e hapësirave ku janë të vendosura lodrat për fëmijë në këtë park ishte e dëmtuar.

Kryetari Ballazhi duket se në mandatin e tij provoi të trajtoj me prioritet krijimin e hapësirave të gjelbra, mirëpo pasi i realizoi këto projekte shihet të ketë munguar vullneti për t’i mirëmbajtur këto parqe.

Parku i radhës i investuar nga komuna është parku në fshatin Gorancë, mirëpo një vit pas përurimit gjendja dallon shumë nga ajo që është prezantuar në Facebook nga kryetari.

Disa lodra për fëmijë në parkun e fshatit Gorancë ishin jashtë funksionit për shkak se ishin dëmtuar, ndërsa në park janë parë edhe ulëse që kanë fillu të dëmtohen e barishte të shumta që kanë dalë në pjesën ku janë të vendosura lodrat.

Rëndësi kryetari i kushtoi edhe investimeve infrastrukturore në komunën e Hanit të Elezit.

Rruga për në fshatin Paldenicë ishte asfaltuar në vitin 2023 dhe pas verifikimeve që janë bërë në këtë rrugë nga ekipi i “Jeta në Komunë” është parë një gjendje e rëndë e rrugës, plasaritja e asfaltit dhe gropat e krijuara, tregojnë për një cilësi të dobët të punës.

Madje edhe pas intervenimeve që janë bërë në këtë rrugë gjendja nuk ka ndryshuar shumë. Në këtë aks rrugor mungon gjithashtu edhe trotuari dhe si shkak i kësaj skajet e rrugës janë dëmtuar.

Për gjendje e krijuar në këtë rrugë mori përgjegjësinë dhe fol drejtori i Urbanizmit Nexhmedin Daci.

“Kjo ka ndodhë për shkak së ajo rrugë është dashtë më pas mure mbrojtëse realisht, por buxheti ka qenë i tillë në atë rrugë edhe e kemi garancionin, projektin nuk e kemi bërë ne, është financuar nga Ministria e Infrastrukturës”.

Performanca e komunës së Hanit të Elezit

Vlerësimin që e bën Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në raportin e performancës për komuna, Hani i Elezit del të jetë jo mirë në fusha të caktuara në bazë të vlerësimit.

Kriteri për punësim të personave me nevoja të veçanta në institucionet komunale nga komuna e Hanit të Elezit nuk është përmbushur dhe si shkak i kësaj vlerësimi nga MAPL-ja në këtë fushë është 0 pikë.

Kryetari, Mehmet Ballazhi mungesën e punësimeve të personave me nevoja të veçanta në komunë e lidh me mungesën e kuadrove të përgatitur nga këto kategori.

“Ne s’kemi edhe vend për rekrutim, nëse kërkohet një vend ta zëmë profesional ata që janë me nevoja të veçanta sigurisht që nuk kanë pas përputhshmëri profesionale ose ndonjë diplomë të caktuar që është kërkuar sipas kritereve apo ligjit”- tha kryetari.

Hani i Elezit është vlerësuar me zero pikë edhe në kriterin për regjistrimin e pronave në emër të dy gjinive.

Ndërsa vetëm 5% është përmbushur kriteri i vijueshmërisë së fëmijëve në çerdhe.

Mungesa e qasjes infrastrukturore, sfidë për personat me aftësi të kufizuar në Han të Elezit

Kryetari mungesën e punësimeve të personave me aftësi të kufizuara e arsyetoi në mungesë të përgatitjes profesionale.

Mirëpo edhe nëse do t’i përmbushnin kriteret profesionale për punësim në komunën e Hanit të Elezit, personat e këtyre kategorive, do ta kishin të vështirë të punonin në hapësirat e komunës si shkak i mungesës së qasjes për persona me aftësi të kufizuar në pjesë të caktuara.

Për këto vështirësi foli Nerxhivane Berisha nga Handikos e cila tregoi sfidat me të cilat ballafaqohet ajo dhe familjarët e saj sapo të dalin në rrugë e deri të objekti i komunës dhe objektet e tjera që kanë mungesë të tillë të qasjes.

“Në komunën tonë ne hasim në problem, zakonisht me pjerrina, në komunë në katin e parë është rrafsh ka qasje, ndërsa në katin e dytë ku është Zyra e kryetarit dhe Kuvendi komunal unë nuk kam mundësi me shku sepse nuk ka ashensor”– ka thënë Nerxhivane Berisha.

Ndërsa kryetari për këtë tha së projekti i parë që është hartu ka qenë vendosja e ashensorit në komunë dhe kërkoi nga drejtoresha e Administratës të japë më shumë detaje për gjendjen.

Drejtoreshës e Administratës, Natyra Kalisi njoftoi së procedurat e vlerësimit kanë përfunduar dhe pritet që brenda një muaji të përfundojnë punimet për vendosjen e liftit në komunë.

“Procedura e vlerësimit ka përfunduar, tani është lidhja e kontratës dhe mandej fillojnë punimet, realizimi i punës sipas kontratës është 30 ditë”– ka njoftuar drejtoresha Kalisi.

Nerxhivanja foli gjithashtu edhe për mungesën e qasjes në hapësirat e shkollave fillore në Hanin e Elezit e për të cilat tha se kryetari ka premtuar zgjidhje.

“Nxënësit e shkollës fillore nuk kanë qasje për katet tjera, kati i parë po, ndërsa katet tjera, shpresoj se ka premtu kryetari që shumë shpejt ka me u bë një lift në shkollën fillore”– tha Berisha.

Përdoruesja e karrocës, Nerxhivane Berisha ka ankesa edhe për pjerrinat që janë të vendosura te Qendra e Mjekësisë Familjare në qytet, pasi thotë se pjerrinat janë shumë të larta dhe e ka të pa mundur të ngjitet vetë.

Ndërsa, trotuaret janë shqetësimi tjetër i Nerxhivanes, sepse sipas saj janë të larta dhe pa ndihmën e dy personave nuk mund t`i kalojë e vetme.

“Trotuaret janë të larta, është një pjerrinë, por prapë edhe ajo pjerrinë është e lartë dhe pa i pas unë dy veta, veç me nanën që e kam përcjellëse unë nuk muj me zbrit prej trotuarit”– tha Berisha.

Kryetari për tek Qendra e Mjekësisë Familjare tha se ka qasje dhe janë të ndërtuara sipas standardeve pjerrinat në këtë objekt.

“Ka qasje dhe janë rregullu sipas standardëve, s’po dua me hi në atë debat për Nerxhivanen, por ka qasje Nerxhivanja sidomos në ambulancë”– tha kryetari Ballazhi.