Mëditjet që morën ministri Faton Peci, zv.ministrat dhe stafet e tyre për gjashtë muaj

Mbi 3 mijë e 700 euro kanë marrë mëditje për udhëtime jashtë vendit për gjashtë muaj, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, zëvendësministrat dhe stafi i tyre.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, për periudhën janar – qershor 2022, përveç pagës bazë, ka marrë mëditje në vlerë prej 1 mijë e 427 euro e 50 centë nga udhëtimet zyrtare jashtë vendit.

KALLXO.com ka siguruar listën e mëditjeve të ministrit, zëvendësministrave dhe stafit të tyre. Edhe një pjesë e stafit të ministrit Peci, kanë qenë përfitues të mëditjeve nga udhëtimet zyrtare jashtë vendit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2022.

Nga të dhënat shihet se pas ministrit Peci, më së shumti nga stafi i tij mëditje ka marrë truproja i ministrit.

Këshilltari politik i ministrit, Arian Bugari,  ka marrë 512 euro e 65 centë mëditje; këshilltari politik, Enis Osmani, ka marrë 354 euro e 60 centë; këshilltarja tjetër politike Dzenita Sabani ka marrë 261 euro mëditje; truproja e ministrit, Behar Syla, ka përfituar 605 euro e 90 centë dhe asistentja e administrative e ministrit, Bleona Krasniqi ka marrë 261 euro. Totali i mëditjeve nga udhëtimet zyrtare jashtë vendit të ministrit dhe stafit të tij janë 3 mijë e 422 euro e 65 centë.

Nga stafi i ministrit Peci nuk kanë marrë asnjë centë mëditje për udhëtimet zyrtare, ish-shefi i Kabinetit, Avni Olluri; shefi aktual i Kabinetit, Hysen Muzliukaj; këshilltari politik, Albert Behrami; këshilltarja politike, Flutur Mustafa; shoferi i ministrit, Besnik Syla dhe asistetja ekzekutive e ministrit, Verona Menxhiqi.

Mbi 16 mijë euro shpenzime për gjashtë muaj

Ministri me stafin e tij, përveç mëditjeve nga udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, kanë bërë shpenzime edhe për akomodim gjatë këtyre vizitave zyrtare jashtë vendit, për bileta, shpenzime të telefonisë mobile, derivate, reprezentacion dhe dreka zyrtare. Shpenzimet totale për ministrin dhe stafin e tij për periudhën janar – qershor 2022 janë 16 mijë e 873 euro e 47 centë apo rreth 2,812 euro në muaj.

Ministri Faton Peci nuk ka pasur shpenzime të telefonisë mobile. Peci ka shpenzuar 1 mijë e 741 euro e 51 centë në akomodim gjatë udhëtimeve zyrtare jashtë vendit; për bileta ka shpenzuar 469 euro e 65 centë; shpenzime të tjera të udhëtimeve zyrtare jashtë vendit 49 euro e 5 centë; derivate në vlerë 2 mijë e 195 euro e 25 centë; reprezentacion 1 mijë e 63 euro dhe dreka zyrtare 745 euro e 50 centë.

Shpenzimet totale të ish-shefit të Kabinetit të ministrit, Avni Olluri, janë në vlerë 391 euro e 60 centë. Olluri ka shpenzuar 120 euro telefoni mobile dhe 271 euro e 60 centë reprezentacion.

Shefi aktual i Kabinetit të ministrit, Hysen Muzliukaj, ka shpenzime totale në vlerë 152 euro e 60 centë, prej tyre 150 euro telefoni mobile dhe 2 euro e 60 centë reprezentacion. Albert Behrami, këshilltar i ministrit në shpenzimet totale për gjashtë muaj i figurojnë 536 euro e 60 centë. Sipas listës së siguruar nga KALLXO, Behrami ka shpenzuar 180 euro telefoni mobile ndërsa 356 euro e 60 centë reprezentacion.

Këshilltarja e ministrit, Flutur Mustafa, në total ka shpenzuar 517 euro e 20 centë nga to 180 euro telefoni mobile dhe 337 euro e 20 centë reprezentacion.

Arian Bugari, këshilltar i ministrit, ka shpenzuar në total 2 mijë e 285 euro e 29 centë. Bugari për akomodim gjatë udhëtimeve zyrtare ka shpenzuar 367 euro e 36 centë; për bileta 822 euro e 43 centë; shpenzime të tjera gjatë udhëtimeve zyrtare 49 euro e 25 centë; 180 euro shpenzime të telefonisë mobile dhe 353 euro e 60 centë për reprezentacion.

Këshilltari tjetër i ministrit, Enis Osmani, ka shpenzuar gjithsej 725 euro e 2 centë. Osmani përveç mëditjes për udhëtime zyrtare jashtë vendit, ka shpenzuar 96 euro e 52 centë për akomodim; 27 euro e 70 centë për shpenzime të tjera gjatë udhëtimeve zyrtare, 180 euro shpenzime të telefonisë mobile dhe 66 euro e 20 centë reprezentacion.

Dzenita Sabani, këshilltare e ministrit, në total ka shpenzuar 1 mijë e 188 euro e 50 centë. Sabani përveç mëditjeve ka shpenzuar 328 euro e 32 centë për akomodim gjatë udhëtimeve zyrtare; 91 euro e 78 centë në shpenzime të tjera gjatë udhëtimeve zyrtare; 180 euro shpenzime të telefonisë mobile dhe 327 euro e 40 centë reprezentacion.

Në shpenzimet e stafit të ministrit hyjnë edhe ato të shoferit dhe të truprojës së ministrit Beci. Shoferi i ministrit, Besnik Syla, për 6 muaj ka shpenzuar 120 euro në telefoni mobile. Ndërsa truproja i ministrit, Behar Syla, në total ka shpenzuar 1 mijë e 994 euro e 10 centë. Ai përveç mëditjes nga udhëtimet zyrtare jashtë vendit, ka shpenzuar 507 euro e 34 centë në akomodim; 760 euro e 86 centë në shpenzime tjera gjatë udhëtimeve zyrtare dhe 120 euro në telefoni mobile.

Asistentja ekzekutive e ministrit, Verona Menxhiqi, për 6 muaj ka shpenzuar 120 euro në telefoni mobile dhe Bleona Krasniqi asistente e ministrit në total ka shpenzuar 1 mijë e 151 euro e 10 centë, nga to përveç mëditjeve për UZJV ka shpenzuar 328 euro e 32 centë për akomodim gjatë UZJV, 320 euro bileta, 121 euro e 78 centë për shpenzime të tjera të UZJV dhe 120 euro telefoni mobile.

Mëditjet e zëvendësministrave dhe stafit të tyre

Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, përveç pagës bazë, për gjashtë muajt e parë të vitit 2022 ka marrë 343 euro e 80 centë mëditje për udhëtimet zyrtare jashtë vendit. Ndërsa asistenti i tij, Armend Musaj dhe shoferi Mirlind Imeri nuk kanë marrë asnjë centë mëditje për udhëtime jashtë vendit.

Ndërkaq, për kategoritë e tjera, akomodim gjatë udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, shpenzime të tjera të udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, derivate, reprezentacion zëvendësministri Demelezi në total ka shpenzuar 2 mijë e 339 euro e 92 centë. Prej tyre, 75 euro për akomodim; 31 euro e 41 centë për shpenzime të tjera në udhëtime zyrtare jashtë vendit; 1 mijë e 485 euro për derivate dhe 400 euro e 70 centë në reprezentacion.

Ndërkaq, asistenti i zëvendësministrit Armend Musaj dhe shoferi i zëvendësministrit Mirlind Imeri, për telefoni mobile për periudhën 6 mujore kanë shpenzuar 120 euro.

Për mëditje nga udhëtimet zyrtare jashtë vendit nuk ka pasur asnjë mëditje për zëvendësministrin Thomir Dimic dhe për asistentin dhe shoferin e ministrit.

Sipas të dhënave të siguruara nga KALLXO.com, del se zëvendësministri Dimic ka shpenzuar 612 euro e 4 centë për derivate dhe 195 euro e 70 centë për reprezentacion.

Kurse asistenti i zëvendësministrit Stefan Milosevic dhe shoferi i tij Goran Dimic, kanë shpenzuar nga 120 euro për gjashtë muaj në telefoni mobile.

KALLXO.com ka siguruar listën e mëditjeve të kabinetit të kreut të ekzekutivit, Albin Kurti, zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministres së tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi.

Afër 15 mijë euro kanë marrë mëditje për udhëtime jashtë vendit për gjashtë muaj, stafi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrave, Besnik Bislimi dhe Emilija Rexhepi.

Mëditjet që morën stafi i Kurtit dhe zv.kryeministrave për gjashtë muaj