“Më të vegjëlit e shoqërisë” - pse duhet të jenë të informuar për të drejtat e tyre?

Fëmijët në Kosovë përbëjnë mbi 24% të popullsisë së përgjithshme, andaj është shumë e rëndësishme që ata të jenë të informuar për të drejtat e tyre. Kjo për shkak se konsiderohet si një nga format që fëmijët të kuptojnë se si duhet të trajtohen dhe si duhet t’i trajtojnë të tjerët.

Me termin fëmijë kuptohet çdo qenie njerëzore nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të rasteve kur mosha madhore arrihet më përpara, në përputhje me legjislacionin të cilit ai i nënshtrohet.

Njohuritë e fëmijëve dhe të rinjve për të drejtat e tyre po ashtu do të siguronin një mjedis më të mirë për ta, përfshirë këtu mirëkuptimin, tolerancën, respektin dhe të tjera.

Në Kushtetutën e Kosovës, në nenin 50 theksohet se “fëmijët gëzojnë të drejtën e mbrojtjes dhe të kujdesit të domosdoshëm për mirëqenien e tyre”.

Përveç Kushtetutës, në Kosovë në vitin 2020, ka hyrë në fuqi Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, si një nga ligjet që ndihmon në garantimin e të drejtave të fëmijëve.

Cilat janë të drejtat e garantuara me ligj?

Qëllimi i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës është që të mbrojë fëmijën nga të gjitha format e dhunës fizike dhe mendore, abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit, neglizhimit apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës.

Ligji po ashtu garanton dhe siguron përgjegjësitë e prindërve, familjes, organit të kujdestarisë, shoqërisë dhe të shtetit në kujdesin, mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijës bazuar në interesin më të mirë të fëmijës si dhe përcaktimin e parimeve bazë ku mbështeten politikat kombëtare për mbrojtjen e fëmijës, mekanizmat efikase dhe autoritetet përgjegjëse në nivel qendror e lokal, si dhe kompetencat e tyre për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës.

Pse është e rëndësishme njohuria për të drejtat e fëmijëve?

Njohuria për të drejtat e fëmijëve konsiderohet si shumë e rëndësishme dhe si një formë e edukimit të brezit më të ri në vend.

Sipas Adriana Nuhiu-Ibrahimit nga Gjilani, prind i dy fëmijëve, fëmijët duhet të informohen për të drejtat e tyre edhe nga vet prindërit. Sipas saj, fëmijët mësojnë edhe nga njëri-tjetri për mënyrën e sjelljes dhe të drejtat e tyre.

Perderisa Institucioni i Avokatit të Popullit po ashtu thekson se adresimi, bashkërendimi i punës dhe ndërmarrja e veprimeve përkatëse janë obligime ligjore të institucioneve kosovare për të siguruar që të drejtat e fëmijëve të respektohen, mbrohen dhe zbatohen.

 “Çdo e drejtë, për çdo fëmijë”

Fëmijët kanë të drejtat e njëjta si të rritur dhe disa të drejta të tjera të veçanta që i mbrojnë ata.

Po ashtu, ekzistojnë disa arsye se pse të drejtat e fëmijëve mbrohen edhe nga një Konventë e veçantë. Sipas Konventës për të Drejtat e Fëmijës janë disa arsye pse janë të rëndësishme të drejtat e fëmijëve:

Fëmijët janë individë – Fëmijët nuk janë as pronë e prindërve, as e shtetit, as nuk janë thjesht njerëz në zhvillim; ata kanë status të barabartë si anëtarë të familjes.

Fëmijët e fillojnë jetën si qenie krejtësisht të varura – Fëmijët duhet të mbështeten tek të rriturit për edukimin dhe udhëzimin që u nevojitet për t’u rritur drejt pavarësisë. Një edukim i tillë gjendet në mënyrë ideale nga të rriturit në familjet e fëmijëve, por kur kujdestarët kryesorë të të rriturve nuk mund të plotësojnë nevojat e fëmijëve, i takon shtetit si bartës kryesor i detyrës që të gjejë një alternativë në interesin më të mirë të fëmijës.

Veprimet ose mosveprimet e qeverisë ndikojnë tek fëmijët më fort se çdo grup tjetër në shoqëri – Praktikisht çdo fushë e politikës së qeverisë – nga arsimi te shëndeti publik – prek fëmijët në një farë mase. Politikë bërja dritëshkurtër që nuk merr parasysh fëmijët ka një ndikim negativ në të ardhmen e të gjithë anëtarëve të shoqërisë.

Pikëpamjet e fëmijëve duhet të dëgjohen dhe të merren parasysh në procesin politik- Fëmijët në përgjithësi nuk votojnë dhe tradicionalisht nuk marrin pjesë në proceset politike. Pa vëmendje të veçantë ndaj opinioneve të fëmijëve – siç shprehen në shtëpi dhe në shkolla, në komunitetet lokale dhe madje edhe në qeveri – pikëpamjet e fëmijëve nuk dëgjohen për shumë çështje të rëndësishme që i prekin ata tani ose do t’i prekin ata në të ardhmen.

Shkolla, si burim i informimit për të drejtat e fëmijëve

Shkolla është burimi kryesor ku fëmijët mësojnë dhe njihen pothuajse për herë të parë me të drejtat e tyre.

Nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit thonë se fëmijët edukohen për të drejtat e tyre në të gjitha nivelet arsimore, nëpërmjet procesit të rregullt arsimor dhe aktivitetet jashtë mësimore, si trajnimet, ligjëratat, nga ekspertë, projekteve vetëdijësuese si debate, fushata, ekspozita e shfaqje teatrale.

Sa i përket kurrikulës, të drejtat e njeriut/ fëmijës trajtohen kryesisht në fushën kurrikulare “Shoqëria e mjedisi”, mirëpo kjo temë trajtohet edhe me qasje ndërkurrikulare edhe te fushat tjera kurrikulare e veçanërisht te çështjet ndërkurrikulare si: Edukimi për qytetari demokratike; Edukimi për paqe; Edukimi për media.

“Mësimi për të drejtat e fëmijëve trajtohet kryesisht në lëndën “Shoqëria dhe Mjedisi” (nga kl.1-5) dhe lëndën Edukata qytetare (kl.6-12 ), por edhe te lëndë tjera si: Historia, Sociologjia, Filozofia dhe Logjika.  Kjo temë trajtohet edhe me qasje ndërlëndore, pra edhe te lëndët dhe fushat tjera kurrikulare si te Gjuha amtare/Shqipe, Arti figurativ, Biologjia, etj”, thotë Ministria.

Ministria e Arsimit ka shtuar se në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, janë në procedurë të aprovimit të Udhëzimit Administrativ për edukimin për mbrojtje të fëmijës.

Me gjithë masat e marra, sipas Këshillit të Prindërve të Kosovës, të drejtave të fëmijëve duhe t’u kushtohet rëndësi më e madhe, përtej asaj që mësohet në shkollë. Sipas tyre nuk mjafton ajo që fëmijët mësojnë në shkollë për të drejtat e tyre. Mësimi për të drejtat e  fëmijëve duhet t’i kushtohet kujdes më i madh  që t’u shpjegohet sa më mirë dhe qartë që ata t’i kuptojnë më mirë. Gjithashtu, njësitë mësimore për të drejtat e njeriut duhet të jenë më praktike dhe për disa vite të shpjegohen”.

Të drejtat që shkelen më së shumti

Bazuar në Anketën e Treguesve të Shumëfishtë 2020 (MICS) për Kosovën, gjetjet kryesore theksojnë:

  • Vetëm 14% e fëmijëve në gjithë Kosovën vijojnë arsimin në moshë të hershme;
  • Vetëm 6% e baballarëve janë angazhuar me fëmijët e tyre, në katër ose më shumë aktivitete, që promovojnë të mësuarit dhe përgatitjen për shkollim
  • 11% e fëmijëve janë të angazhuar në punë;
  • 2 në 3 ekonomi familjare kanë praktikuar ndonjë formë të disiplinimit të dhunshëm (dhunë psikologjike, ose edhe dhunë fizike gjatë muajit të fundit;

Në vitin 2020 ka pasur një rritje të lehtë sa i përket fëmijëve që e kanë lënë shkollën krahasuar me vitin akademik 2018-2019, por një gjë ka mbetur e njëjtë, numri më i madh i fëmijëve që braktisin shkollën janë djemtë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës për vitin shkollor 2019/20, publikon te dhënat se 1,089 nxënës e braktisën shkollën. Prej tyre janë 833 djem dhe 256 vajza.

KALLXO.com më 15 maj kishte raportuar se pothuajse 30,000 nxënës në arsimin fillor dhe të mesëm nuk arritën të jenë pjesë e programit të mësimit në distancë të lansuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, MASHTI në prill të vitit 2020 dhe sipas ekspertëve të arsimit, kjo kishte ndodhur për shkak që vetëm 54 përqind e familjeve në Kosovë posedojnë një pajisje kompjuteri në shtëpinë e tyre.

Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit ‘’PROtectChild’’ nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC) që zbatohet bashkarishtë me Save the Children në Kosovë, dhe financohet nga Qeveria Suedeze. Përgjegjësia për përmbajtjen qëndron tek zhvilluesi i saj.