Me përfundimin e moratoriumit, do të nisin mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi

Në përfundim të moratoriumit njëvjeçar për Kosovën që kërkon anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe Serbinë që bën fushatë që vende të ndryshme të anulojnë njohjen e pavarësisë së  Kosovës, të dyja pritet të rifillojnë përpjekjet e tyre.

Një vit pasi presidenti amerikan Donald Trump mbajti një ceremoni nënshkrimi ku Kosova ra dakord të pezullojë përpjekjet e saj për t’u bashkuar me organizatat ndërkombëtare për 12 muaj dhe Serbia ra dakord të ndalonte përkohësisht përpjekjet e saj për t’i detyruar vendet të anulojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës, afati kohor i rënë dakord ka mbaruar dhe të dy palët pritet të rifillojnë fushatat e tyre.

Deutsche Welle raportoi të enjten se zyrtarë nga Ministria e Jashtme e Kosovës kanë thënë se po bëhen përgatitjet për të aplikuar për t’u bashkuar me disa organizata ndërkombëtare pasi moratoriumi të përfundojë të shtunën, pa zbuluar detaje të tjera.

Ministria e Jashtme e Kosovës tha gjithashtu për Radion Evropa e Lirë në korrik se “ekipet përgjegjëse po bëjnë përgatitje në mënyrë që të jenë gati kur hapen afatet e aplikimit nga organizatat”.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha për mediat të mërkurën se ai beson se udhëheqësit e Kosovës “do të vazhdojnë fushatën e tyre për të hyrë në institucione dhe organizata të ndryshme”.

Vuçiç tha se qeveria e tij “do të bëhet gati dhe do të përgjigjet”.

Vitet e fundit, Serbia ka kundërshtuar me sukses kërkesat e Kosovës për t’u bashkuar me Interpolin dhe organin kulturor të OKB-së, UNESCO.

Serbia gjithashtu ka bërë fushatë për të bindur shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës që të anulojnë njohjet e tyre.

Në mars 2020, Ministria e Jashtme e Serbisë pretendoi se 18 vende kishin tërhequr njohjen ose po ripërcaktonin qëndrimet e tyre në lidhje me Kosovën – kryesisht shtete afrikane dhe të vogla të Paqësorit. Megjithatë, disa nga vendimet për të anuluar njohjen janë kundërshtuar.

Kosova aktualisht thotë se është njohur nga 115 shtete.

Në korrik të këtij viti, agjencia e lajmeve Reuters raportoi se presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan tha se ai dëshiron t’i sugjerojë presidentit amerikan Joe Biden që ata të punojnë së bashku për të rritur numrin e vendeve që e njohin Kosovën.

Në përgjigje, Vuçiç deklaroi: “Nëse dikush vendos të njohë pavarësinë e Kosovës, ne do të fillojmë menjëherë një fushatë për anulimin e njohjes.”

Dusan Janjic nga Forumi për Marrëdhëniet Etnike në Serbi tha për BIRN se ai pret që të dy vendet këtë vjeshtë të rinisin fushatat e tyre të njohjes dhe anulimit të njohjes.

“Ashtu si Kosova, e cila ka filluar përgatitjet për një fushatë njohjeje … Serbia ka filluar përgatitjet për një kundër-fushatë – jo vetëm në deklaratat e kryetarit të parlamentit Ivica Daçiç, ministrit të jashtëm Nikola Selakoviç dhe ambasadorit në SHBA Marko Djuriq, por konkretisht në bisedimet me disa vende. Kjo tani është një temë dhe ne do të shohim se kush është më i fortë në çështjen e pranimit të Kosovës në UNESCO në vjeshtë”, tha Janjiç.

Donika Emini nga Platforma Civikos, një OJQ në Kosovë, ka argumentuar se autoritetet e Prishtinës duhet ta kishin kaluar vitin e moratoriumit duke u përgatitur për të aplikuar për t’u bashkuar me organizatat ndërkombëtare për shkak të dështimeve të tyre të kaluara për të fituar anëtarësimin në UNESCO dhe Interpol.

“Askush nuk e ka penguar Kosovën që të përgatisë aplikimet, koordinimin e brendshëm dhe koordinimin ndërinstitucional për përgatitjen në këtë drejtim, sepse ishte e qartë se që në shtator ky afat përfundonte dhe në shtator ne mund të ishim plotësisht gati thjesht për të nisur procedurat”, tha Emini për Radion Evropa e Lirë.

BIRN kontaktoi qeverinë e Kosovës, por ajo refuzoi të përgjigjej.

Moratoriumi ishte një nga pikat në një marrëveshje që u nënshkrua nën mbikëqyrjen e Trump vitin e kaluar në Shtëpinë e Bardhë midis Serbisë dhe SHBA-së dhe midis Kosovës dhe SHBA-së, edhe pse jo midis dy vendeve.

Trump e përshëndeti marrëveshjen, e cila kryesisht trajtonte çështjet ekonomike, si një progres në politikën e jashtme përpara përpjekjes së tij për t’u rizgjedhur president në vitin 2020. Por një vit më vonë, ka pasur pak lëvizje pozitive për shumicën e çështjeve që u ranë dakord.