Me penë, jo me TT

Vrasja e drejtorit të arsimit në Prishtinë nga një arsimtar biologjie në komunën e vetë drejtorit të ndjerë është padyshim ngjarje tragjike.

Megjithatë, në vend se të mbajmë zi për të duke i mbyllur shkollat dhe çerdhet për një ditë, që në fakt nënkupton dënim të fëmijëve duke ua mohuar edhe atë dije që po e marrin në shkollat tona, më përpara duhet ta shfrytëzojmë këtë vrasje si alarm për një reformë rrënjësore që nevojitet në procedurat e punësimit të mësimdhënësve e drejtorëve të shkollave në Kosovë.  

Hulumtimi njëmujor në terren i BIRN’it gjatë muajit shtator, që mund të shihet te shkrimi i Edona Musës “Partizanët e Shkollave” dhe debati i kësaj jave në “Jeta në Kosovë” vërteton ato që shumë nga ne i kemi ditur si anekdota – se menaxhmenti i shkollave nuk emërohet duke pasur për prioritet organizimin e mirë të shkollës. 

Ky hulumtim edhe një herë e konfirmon që drejtorët e shkollave janë transformuar prej njerëzve më të respektuar në shoqëri, pasi e kanë mundësuar mbajtjen e mësimit në kushte shumë të vështira gjatë 90’ave kur shkollat tona dolën në ballë të rezistencës paqësore, në figura që shpërblehen nga kryetari i komunës dhe drejtori i tij i arsimit për të luajtur rolin e mbrojtësit të votave të tyre. Duhet nënvizuar prapë se drejtori i shkollës është njëkohësisht edhe menaxher i qendrës së votimeve gjatë zgjedhjeve të shpeshta në vendin tonë.

Kjo sindromë ka filluar që nga paslufta, kur shumicën e komunave i ka pasur nën kontroll LDK’ja, e është gdhendur edhe më tej në pushtetin e tanishëm kur shumicën e komunave i ka PDK’ja – pa e lënë anash sjelljen krejt identike në këtë aspekt edhe të AAK’së në komunat ku ajo tradicionalisht fiton vota. 

Në këtë kontekst, vrasja e drejtorit komunal në Prishtinë, edhe pse tragjike, nuk është hiç e papritur, vështruar nga mënyra e punësimit të njerëzve në arsim – e sistemit të shpërblimit dhe dënimit të mësimdhënësve me vende pune varësisht prej asaj se cilës parti i takojnë dhe i shërbejnë verbërisht. 

Pra, le të jemi të qartë, tani jemi duke i korrë frytet e po atij sistemi të punësimit të njerëzve të cilin e kemi mbjellur tash e 10 vjet. 

Nuk është e rastësishme që personat të cilët kanë ushtruar dhunë ndaj njëri-tjetrit, njëri me rrahje e tjetri me vrasje (sepse dorasi i drejtorit të ndjerë ka deklaruar që është rrahur në të kaluarën nga të afërmit e drejtorit të shkollës ku kishte aplikuar), janë të dy anëtarë partish kundërshtare. Tash, sindroma që secila nga partitë që vjen në pushtet duhet t’i punësojë njerëzit militantë e lojalë të vet e jo njerëzit që e meritojnë vendin e punës, ka filluar t’ia hajë kryet vetë këtyre partive. 

Në sistemin e arsimit, kjo mënyrë e punësimit nuk realizohet vetëm joformalisht, por po merr përmasa të tilla sa që kjo edhe garantohet e mundësohet me ligj!

Pushtetarët dhe parlamentarët tanë janë kujdesur që edhe formalisht t’ia mundësojnë çdo kryetari të komunës që i fiton votat, t’i zgjedhë edhe drejtorët edhe mësimdhënësit nëpër shkolla. 

Konkretisht, komisioni që e përzgjedh drejtorin e shkollave është i formuar nga dy përfaqësues të drejtoratit të arsimit dhe një përfaqësues i ministrisë përkatëse. Ndërsa komisioni që e përzgjedh mësimdhënësin është i përbërë nga drejtori i shkollës (i parapërzgjedhur nga kryetari) dhe dy përfaqësues të drejtoratit të arsimit. Duke marrë parasysh që drejtori i drejtoratit të arsimit te ne kryesisht ndërrohet e caktohet nga kryetari i komunës çdoherë pas zgjedhjeve, kjo i bie që makina partiake madje edhe ligjërisht, e jep fjalën e fundit për punësimin e ndonjërit prej rreth 23 mijë punëtorëve të punësuar në sistemin e arsimit.

Nuk është se secili prej këtyre punëtorëve punësohet politikisht e pa merita. Por, mjafton që një përqindje e mirë e tyre e gëzojnë atë status, e sidomos në rastin e drejtorëve të shkollave.

Duke punësuar një përqindje të madhe me këso qasje, pushteti vetvetiu ka krijuar pritje dhe përshtypje reale se gjithmonë ekziston një numër i caktuar vendesh pune në arsim që janë të hapura varësisht prej asaj se sa i flaktë tregohesh për parti. E duke marrë parasysh se ka më pak vende pune se sa që ka militantë partish, gjithmonë do të ketë pakënaqësi te ata militantë që përkundër se kanë siguruar vota, nuk ia kanë dalur që të sistemohen dhe të gjejnë punë. 

Debatin e fundit që e kemi zhvilluar për këtë temë në Jeta në Kosovë, e kemi bërë jo pse është vrarë drejtori i arsimit, por se me fillimin e vitit shkollor redaksia jonë është vërshuar nga ankesat e palëve nëpër komuna për punësime të kundërta me meritokracinë. Shumë përfaqësues të partive e drejtorë arsimi, disa para kamere e disa prapa saj, na lusnin t’i kuptojmë se edhe ata vetë janë në hall nga presioni që po u vjen nga partitë e tyre për t’i punësuar njerëzit për të cilët nuk ka vend në administratën tonë edhe ashtu të mbingarkuar me njerëz të pakualifikuar dhe jokompententë. 

Është e mahnitshme që puna ka ardhur deri aty që drejtorët e arsimit nëpër komuna të Republikës sonë, edhe para kësaj vrasjeje në Prishtinë, t’i ankohen e rrëfehen ekipit tonë hulumtues, se kanë probleme me kryetarët e komunave dhe me degët e partive, sepse s’po munden t’u japin ‘xhevap’ kërkesave të tyre për punësim. Që ironia të jetë më e madhe, këtë presion nuk po e nxisin qendrat e partive politike me seli në kryeqytet, sepse ato i kanë rehatuar militantët e vet nëpër ministri e institucione tjera të larta publike, po ashtu në Prishtinë. 

E pse po bëhet krejt kjo? Për një grusht votash? Po! Po, janë një grusht e nuk janë një thes vota, sepse vota ka secilën herë e më pak. Kjo do të thotë që secilën herë e më shumë duhet të angazhohen më shumë militantë për t’i marrë sa më shumë nga ato pak e më pak vota. E me shumimin e militantëve duhet të shumohen edhe vendet e punës për ta. 

Si rezultat i kësaj, politikanët tanë dhelparakë e dinë më së miri se sa dekurajuese dhe ofenduese duhet të jetë për mësimdhënësit tanë të punojnë në një atmosferë të tillë menaxhimi të shkollave, madje edhe për ata që janë të punësuar me meritë – dhe mu për këtë arsye, mu këta politikanë, me një anë shpërndajnë vende pune e në anën tjetër aplikojnë filozofinë ‘ruana zot prej shkollave tona’. Duke e ditur me kë i kanë mbushur këto shkolla, ata prandaj zgjedhin shpesh që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla private.

Kështu, në një moment, njerëzit filluan edhe të vriten mes veti, ngase oferta e punësimeve shpërblyese është shumë më e vogël se sa kapaciteti edhe ashtu i tejmbushur i sistemit tonë të varfër arsimor. Thjesht, ky akuarium është tepër i vogël për tërë këtë numër piranash lojale, andaj duhet përdorur jo vetëm dhëmbët, bërrylat, por edhe armët e zjarrit. 

Dikur, si armë e dijes dhe shkollës është konsideruar pena- sot, duket se kalemin e ka zëvendësuar TT-ja.

Do të arrihet deri aty që pushtetarët duhet t’i sigurojnë makinës së vet edhe më shumë truproje, sepse militantët e vetë partive të tyre do t’ju shkojnë për të kërkuar llogari për vendet e punës që ata i kanë merituar me këso apo aso shërbime, e që shpesh janë të paligjshme.  

Nuk është me rëndësi edhe nëse dorasi, në rastin konkret në Prishtinë, mund të ketë qenë i pakualifikuar për drejtor shkolle, sepse informatat e para sygjerojnë se motivi i vrasjes ka qenë se dorasi ka menduar se e ‘meritonte’ të ishte drejtor. 

Dhënia e sinjaleve nga partitë që një pjesë e konsiderueshme e mësimdhënësve e drejtorëve do të punësohen varësisht prej sasisë së votave të vjedhura, mjafton si argument për qytetarin e dëshpëruar të bindet se edhe vetë është viktimë e një procesi të tillë të padrejtë, edhe nëse padrejtësia nuk është aplikuar drejtpërdrejtë ndaj tij. Pavarësisht çka kanë thënë dhe thonë partitë në pushtet, kjo është edhe arsyeja pse qytetari i thjeshtë sot e di se kusht për punësim është përshtatshmëria dhe serviliteti politik. 

Duke e ditur këtë, as Ministria e Arsimit, as Asociacioni i Komunave dhe as partitë që kaq deklarativisht po e vajtojnë drejtorin e vrarë të arsimit, e kanë për turp të shfaqen aq naivë thua se nuk dijnë se ku është problem. Janë pikërisht ata që e ushqejnë këtë klientelizëm. 

Sa harxhojnë kohë nëpër ngushëllime, vajtime e mbyllje të shkollave në shenjë proteste – duhet të ulen e ta shfrytëzojnë këtë rast që të bëjnë një zgjidhje të thjeshtë – ta ndërprejnë politizimin e punësimit në shkolla.

Kjo zgjidhje nuk kërkon as këshilltarë të huaj, as buxhet shtesë. Kjo zgjidhje kërkon një shkallë më të lartë civilizimi dhe sinqeriteti ndaj shtetit tonë të cilin po mundohemi ta ndërtojmë.  

Lejoni që vet shkollat, bashkë me përfaqësuesit nga këshillat e prindërve e këshillat e nxënësve, të krijojnë vetë komisione për pranimin, notimin e përzgjedhjen e drejtorëve dhe pranimin e mësimdhënësve. 

Ndoshta as ai sistem nuk do të ishte krejtësisht imun nga ndikimet politike, por gjithsesi ato ndikime do të vinin nga interesa shumë më të ndryshme se sa të tanishmet, që janë puro-partiake dhe motivohen nga komisionet përzgjedhëse të komunave.

Në atë rast, kur përgjegjësia shpërndahet nëpër shkolla, ajo nuk do t’i jetë lënë një njeriu, siç ka qenë drejtori i arsimit në Prishtinë, që të ketë gjithë barrën e përzgjedhjes së drejtorëve e mësimdhënësve në krejt komunën.

Nëse mund ta përbijmë decentralizimin për serbët, pse mos ta përdorim edhe për t’i rregulluar shkollat shqipe.