Me fjalë Përtej Kufijve

Patrioti i Harwardit

Faton H. Bislimi, Koalicioni për Gjilanin

Faton Bislimi u hyri herët ujërave politikë, në kohën kur bashkëmoshatarët e tij ende luanin lojëra fëmijësh.

Sipas familjarëve, kandidati për kryetar të Gjilanit me Koalicionin për Gjilanin që kur ishte katërmbëdhjetëvjeçar komunikonte nëpërmjet letrave me ambasadorët e shteteve perëndimore në Beograd.

Atëkohë ishte viti 1997, njëri nga vitet më të rënda për kosovarët, ndërsa Bislimi u shkruante ambasadorëve në lidhje me problemet e të rinjve dhe vendit. Katër vjet më pas, kur Kosova tashmë ishte e lirë, Bislimi si tetëmbëdhjetëvjeçar nisi ëndrrën e tij personale amerikane, që e çoi në fillim në Boston për shkollim, e pastaj edhe në Harward, në njërin nga institucionet më të njohura universitare të globit.

Derisa në Boston studioi për shkenca kompjuterike e matematikë, në Harward, gjilanasi magjistroi në lëmin e Administratës Publike dhe Zhvillimit Ndërkombëtar, ndërsa koleg shkolle kishte Vuk Jeremiqin, ministrin e jashtëm serb të viteve 2007-2012.

Ai permendet edhe për ballafaqimin me Jeremiqin në universitetin Harward në debatet që në universitet janë zhvilluar për Kosovën, me faktet dhe mënyrën se si rendiste ato.

Por Bislimi e humbi garën për kryetar të Gjilanit, kur garoi si kandidat i pavarur në vitin 2007, por atëherë fitoi shtatë për qind të votave të gjilanasve që dolën në ato zgjedhje. Përveç ballafaqimeve me Jeremiqin, Bislimi e pati edhe një përballje me kryetarin e Serbisë Boris Tadiq në vitin 2005.

Tadiq, atëherë kishte shkuar në Harward dhe gjatë një bashkëbisedimi e ligjërate me studentët e këtij universiteti, po ankohej për shqiptarët e Kosovës se çfarë po u bëjnë serbëve, duke i paraqitur edhe si kërcënim për rajonin.

Pas fjalëve të Tadiqit, Bislimi duke ngritur dorën për t’i shtruar atij pyetje, pasi ia kishte numëruar të gjitha të këqijat që Serbia ia ka bërë Kosovës, i kishte thënë a do të kërkoni falje për to.

Përgjigjja e Tadiqit ishte “no comment”, raporton gazeta Iliria me bazë në SHBA. 

“Fatoni ka qenë mik me Joseph DioGuardin dhe e ka prezantuar Kosovën si në Pragë, Bruksel, Londër, Romë etj”, tha babai i tij Halit Bislimi, në Emisionin Jeta në Komunë, kur familjarët folën për ata që synojnë kreun e Gjilanit, më 16 tetor.

Për aktivitetet e tija dhe përfaqësimin e Kosovës në shumë vende ai ka marrë mirënjohje të ndryshme, ndërsa së fundi është bërë anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Nderit “Çelësi i Artë”, pjesë e së cilës janë edhe presidenti Bill Clinton, Nobelisti Desmond Tutu dhe veprimtari kundër Holokaustit, Elie Wiesel.

Bislimi aktualisht jeton në Kanada, ndërsa një ditë para se të niste fushata, la gruan dhe dy fëmijët atje, për t’u kthyer në qytetin ku kandidon për kryetar.

Bashkëqytetarëve të tij u tha se do t’u ofrojë një qeverisje tjetër nga kjo që e kanë.

“Unë besoj në një shkollë ndryshe të qeverisjes, e jo në një shkollë që e vendos pushtetarin mbi qytetarin, e cila e vendos shokun mbi shoqërinë dhe e cila vendos partinë mbi parimin”, shpjegoi Bislimi.

Përveç shkencës dhe politikës Fatoni e do edhe muzikën. Si gjimnazist ai ka qenë për katër vjet anëtar i korit të shkollës si dhe ka vijuar mësimet për piano.

Në këtë kohë, derisa ishte në shkollë të mesme ka botuar edhe një libër për matematikën, ndërsa ka marrë plot 12 mirënjohje nga garat shkollore në këtë lëndë.

Ushqimi : flija, pitet, mishi i pulës dhe peshku

Pija: ujë me akull dhe limon

Sport: Ping Pongu

Muzikë: Zhanri popullor dhe soft rok

Pseudonimi: Faton “Havaja”

“Gurakuqi” kursimtar

Ismajl Kurteshi, Vetëvendosje,

Dashuria e parë e tij për politikën filloi në PDK. Ismajl Kurteshi ishte kryetar i Komunës së Gjilanit në Qeverisjen e Përkohshme që udhëhiqej nga PDK-ja menjëherë pas luftës në Kosovë.

Ata që e njohin, thonë se Kurteshi kursen jashtëzakonisht shumë.

Bashkëshortja e tij, e pranon se burrin e ka dorështrënguar.

“Po është e vërtet se është kursimtar”, thotë Semahate Kurteshi.

14 vjet më pas, Kurteshi është prishur keq me partinë e tij të parë. Rrëfen se është larguar nga PDK-ja për shkak të hajnisë që kjo parti po kryen.

Parulla më e parapëlqyer e aktivistëve të VV-së gjatë protestave është: “Me hajna, me hajna, nuk ka shtet”, ndërsa fjala më e përdorur prej tyre gjatë fushatës është fjala ndershmëri.

Por kryetari aktual i Gjilanit Qemajl Mustafa, gjatë debatit të Jetës në Komunë, të mërkurën e 16 tetorit në Gjilan, e akuzoi Kurteshin pikërisht për pandershmëri, kur tha se ai i ka punësuar familjarët e tij kur ishte në pozita që ia lejonin një mundësi të tillë.

Kurteshi ishte deputet në periudhën e tretë legjislative të Kuvendit të Kosovës në vitet 2007-2010, ndërsa udhëhoqi Drejtorinë komunale të Arsimit nga 2007-ta në 2009-ën.

Kurteshi ka në punë dy djem, njërin në PTK e tjetrin në MPB, ndërsa akuzave të Mustafës iu përgjigj me fjalët se ata janë punësuar për profesionalizmin dhe vlerat që kanë, duke e argumentuar këtë me faktin se familjarët i ka ende të punësuar, edhe pse nuk është në pozitat e mundshme ndikuese, në të cilat më parë ishte.

Kurteshi braktisi PDK-në në vitin 2010, duke bërë të ditur nëpërmjet një letre se nuk dëshiron të identifikohet më tutje, me mënyrën e udhëheqjes së kësaj partie. Ai atëherë mbajti deri në zgjedhjet e këtij viti postin e deputetit, duke u kthyer në të pavarur.

Mustafa gjatë debatit, e akuzoi Kurteshin se nuk ia ka punësuar gruan në Drejtorinë e Arsimit, ndërsa në të njëjtën kohë pa punë nuk i ka lënë tetë të afërm të tij.

“Gjatë kohës sa kam qenë drejtor, të gjitha punësimet janë bërë bazuar në kritere, procedura dhe ligj dhe gruaja e kandidatit Mustafa nuk i ka plotësuar kushtet atëherë dhe e ka ditur, e as nuk pati konkurruar “, tha Kurteshi kur u nxeh debati i Gjilanit.

Kurteshi, përveç marrjes me politikë, ka punuar edhe për 32 vjet në Industrinë e Baterive të Gjilanit, ndërsa është merakli i mbjelljes së pemëve dhe perimeve.

Në bahçen e shtëpisë ai kultivon domate, speca, tranguj, presh, etj dhe për të gjitha këto kujdeset çdo mëngjes.

“Po kemi pemë dhe nganjëherë mbjellim edhe perime dhe ai kujdesët për to. Si të zgjohet në mëngjes menjëherë shkon dhe i shikon”, tha Semahate Kurteshit, gruaja e Ismaj Kurteshit.

Ushqimi i preferuar: tradicionale

Pija e preferuar: çaj rusi dhe të tjerë

Muzikë: Zhanri popullor

Sporti: Tenisi

Pseudonimi: Baca Smajl

Moderatorja

Labinota Demi- Murtezi, Partia e Drejtësisë

Femra e vetme që kandidon për të marrë postin e udhëheqjes së Gjilanit, Labinota Demi-Murtezi garon për Partinë e Drejtësisë.

Në emisionin Jeta në Komunë, kur përballë gjilanasve dhe shikuesve televiziv dolën kandidatët për kryetar nga kjo komunë, Labinota deklaroi se “qytetin e Gjilanit e ka copëtuar decentralizimi, e ka shkatërruar privatizimi dhe e ka njollosur mjaft krimi i organizuar dhe korrupsioni”.

Ajo premtoi se praktikat e tilla do të përfundojnë, nëse asaj dhe PD-së u jepet besimi nga votuesit e kësaj komune.

Labinota ushtroi një varg profesionesh, para se të kapej për politikën. Provoi gazetarinë, recitimin, moderimin… Edhe politikën nuk e nisi me PD-në, por me LDK-në.

Demi-Murtezi, ka moderuar aktivitete partikate të Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë udhëheqjes së presidentit Ibrahim Rugova.

Por në debat Labinota nuk shfaqi cilësitë e saj të moderimit dhe kontrollimit të situatave, aftësi që i karakterizon njerëzit e këtij profesioni, pasi nuk u përfshi fort në zhurmën e replikave me kundërkandidatët.

Gruaja që i ka hyrë garës për të parën e Gjilanit, edhe ka kënduar në festivalin “Kosovarja këndon”. “Në vitin 95’, 96’ ka marrë pjesë në grupin e recitatorëve, por edhe në festivalin “Kosovarja këndon”.

Edhe sot e ka pasion recitimin”, tha Ilir Murtezi, bashkëshorti i Labinota Demit- Murtezit.

Edhe pse nuk ka pasur frikë t’i hyjë garës me tetë kandidatë e tjerë meshkuj, Labinota ka frikë nga macet.

“Fobitë janë të ndryshme, fobia ime është ajo ndaj maceve. Përndryshe nuk kam pse të frikohem, sepse jam në mesin e vendasve të mi dhe qytetarëve të mi të Gjilanit”, pati thënë kandidatja e PD-së në debatin “ Jeta në Komunë”.

Ushqimi i preferuar: flija, pitet dhe picat

Pija e preferuar: shveps tonik

Ëmblësira: tortë me lajthi dhe akullore

Fobia: nga macet

Adhuron: muzikën, recitimin dhe moderimin

Institucionalisti

Lutfi Haziri, LDK

Partia të cilën Lutfi Haziri nuk e braktisi kurrë, LDK-ja veten e quan institucionaliste, ndërsa institucionalist mund të konsiderohet edhe kandidati i saj për kryetar të Gjilanit, pavarësisht nëse subjekti i tij politik është në pozitë, a opozitë.

Kandidati i partisë më të madhe opozitare drejtoi një herë Gjilanin, gjatë viteve 2000-2004, derisa menjëherë pas luftës në qeverinë e përkohshme ishte nënkryetar i komunës. Në vitin 2004 ishte edhe zëvendëskryeministër dhe ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal.

Haziri themeloi dhe drejtoi Asociacionin e Komunave të Kosovës në periudhën 2004-2008.

Kundërshtarët ia varin në qafë si peshë të kryqit, nisjen e procesit të decentralizimit në vitin 2004. Haziri decentralizimin e konsideron të nevojshëm, por jo në mënyrën si devijoi në Kosovë, duke krijuar komuna të reja, thuajse të një etnie.

Pozitat publike të Hazirit nuk përfundojnë me kaq. Ai drejtoi Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nga qershori në tetor 2010, ndërsa ishte shef i Grupit Parlamentar të LDK-së prej 2008-ës deri në 2010-ën.

Por Haziri krye në vete dhe pa pyetur bashkëpartiakët që nga viti 2011 kërkoi që vendit t’i kthehen kufijtë e vitit 1956, kur sipas tij Presheva, Medvegja e Bujanovci ishin pjesë e Kosvës, ndërsa Serbia shtrihej deri në Leposaviq dhe disa fshatra të komunës së Zubin Potokut.

Haziri mendon se kthimi i kufijve të viteve gjshtëdhjetë mund të bëhet me dialog dhe një gjë e tillë do t’u jepte fund problemeve serbo-shqiptare.

Njeriu që hyri në politikë si nëntëmbëdhjetëvjeçar, me flokë të gjatë, imazh prej rokeri e ëndrra të mëdha, thotë se politika ka realizuar ëndrrën më të madhe të tij dhe kosovarëve-pavarësinë.

Por për të edhe Haziri si të tjerët u desh të vuaj. Ai ishte pjesë e organizimeve për ushtrime ushtarake në Shqipëri, të drejtuara nga Ministria e Mbrojtjes së qeverisë Bukoshi në ekzil, të papranuar ndërkombëtarisht.

Për këtë u burgos nga tetori i ’98-ës deri në gusht të ’99-ës. Ai mban kujtime të mira nga kontaktet personale me kryetarin historik të Kosovës dhe LDK-së Ibrahim Rugovën, që vdiq në vitin 2006.

Kur flet për media më 2009, Haziri tha se Rugova gjatë një vizite në Gjilan i ka kërkuar atij që ta ketë edhe një djalë.

Atëherë, bashkëshortja e tij dhe Haziri, po prisnin fëmijën e tyre të tretë që ishte vajzë, si dy fëmijët e tyre të parë.

Haziri kujton që Rugova t’i ketë thënë se të duhet edhe një djalë, pasi je nga Karadaku, e njerëzve të tillë u duhen djemtë.

Kandidati i LDK-së për Gjilanin sot e ka djalin e quajtur Lum që ndonjëherë e merr edhe nëpër aktivitetet që zhvillon. Lumi është përmbushje e amanetit të Ibrahim Rugovës, “babait” të tij politik.

Duke mbajtur postin e deputetit, ai synon që edhe një herë “të zbresë” në Gjilan, për ta “rrëzuar qeverisjen aziatike dhe me stupca të PDK-së”, siç e quajti udhëheqjen e komunës nga partia që drejton edhe vendin.

Haziri e do politikën, por i urren kravatat që duhet t’i mbajë me rroba zyrtare, ndërsa bashkëshortja e tij shton se “në shtëpinë tonë më shumë dëgjohet muzikë sesa politikë”.

Gruaja e politikanit me përvojë 23 vjeçare, është këngëtarja Mirvete Berisha.

Në jetën bashkëshortore ai dhe ajo kanë emra përkëdhelës, por edhe shpotitës për njëri-tjetrin.

“Mua më tepër më thërret Mike, ka raste edhe e dashur, por edhe mami. Kur më thërret mami unë ia kthej borxhin dhe i them ku je babi”, tregon Mirvetja.

Sipas Mirvetes, Haziri preferon të hajë rizoto me këmbë të bretkosës, ndërsa më tepër i pëlqen ta servojë, sesa ta përgatisë ushqimin.

Edhe pse ka qenë në haxhillëk, në vendet islame, pija e tij e preferuar është rakia e kumbullës.

Ushqimi: rizoto me mish pule, me krahë bretkose dhe fruta deti

Pija: raki e kumbullës

Sporti: Futboll, ekipi Arsenali Adhurues : i orave dhe rrobave sportive

Pseudonimi: Zijash

Lojtari Politik

Milan Stojanoviq, Iniciativa Qytetare “Za Evropsko Pomoravle”

Milan Stojanoviq, i ka vënë vetes si qëllim një mision të vështirë.

Ai dëshiron t’i bëjë vëllezër serbët e shqiptarët këta dy popuj fqinj me histori të gjatë armiqësie.

Stojanoviq beson se mund të jetohet së bashku. Për këtë iniciativa e tij ka fjalën europiane brenda.

Ai është kandidat i Iniciativës Qytetare për Anamoravën Europiane (Za Evropsko Pomoravle) për kryetar të Gjilanit.

Njeriu që në rini, në kohën e ish-Jugosllavisë luante futboll në klubin gjilanas Crvena Zvezda (Ylli i Kuq), ndoshta ka marrë ndonjëherë duartrokitje për lojën edhe nga bashkëvendasit serbë e shqiptarë, për të pasur sot ide të tilla bashkëjetese.

Përveç futbollit, Stojanoviq ka provuar edhe profesione tjera. Ai është edhe biznesmen, ndërsa aktivitetin e tillë fitmprurës e nisi në fillim me një dyqan në fshatin e tij të lindjes Shillovë.

Dyqani kishte emrin “Tigar”, ndërsa aty shiteshin produkte të plastikës, duke filluar nga opingat, topat e deri te gomat.

Sot Stojanoviq vazhdon të merret me biznes, por nuk shet më opinga. Kohët kanë ndryshuar dhe ai po në fshatin Shillovë ka një restorant.

Si për ta vëretetuar se vërtet beson në jetë të përbashkët mes dy popujve, banorët e këtij fshati thonë se shqiptarët sa herë hyjnë në restorantin e kandidatit për kryetar të Gjilanit, nuk paguajnë për ato që hanë e pinë, pasi një urdhër i tillë është i vetë Stojanoviqit.

Ai e ka një vizion që shqiptarët e serbët t’i pajtojë nëpërmjet fesë katolike.

Stojanoviqin banorët e Shillovës e quajnë “serb vikendi”, duke e konsideruar të tillë për arsyen se kandidati për kryetar të Gjilanit, sipas tyre vjen në Kosovë vetëm për politikë e biznes, ndërsa jeton më gjatë dhe ka familjen në Bujanovc.

Stojanoviq e ka edhe një dashuri të madhe, një pasion që nuk e ndërron me asgjë-peshkimin.

Kolegët e tij tregojnë se ai shkon në Maqedoni, Greqi, Gazivodë vetëm për të peshkuar.

Hobi: Peshkimi

Misioni: Pajtimi i shqiptarëve me serbët

Sporti: Futobolli, ish lojtar i ekipit Zvezda – Gjilan

Pseudonimi: Mishka

Politikani “Bananamen”

Qemajl F. Mustafa, PDK

“Bananameni”, një personazh stripash, i vizatuar nga John Geering, në vitin 1980, është një djalë krejt i zakonshëm, por ndërron karakter, bëhet i fuqishëm, e vihet në shërbim të së mirës, sapo ha një banane.

Edhe kryetari dhe kandidati për kryetar të Gjilanit Qemajl Mustafa ua ka parë hajrin bananeve, sigurisht jo vetëm duke i ngrënë, por edhe duke i tregtuar ato.

Ai para se t’i hynte politikës kishte në partneritet biznesi ndërmarrjen “Frutta Viva” që importonte dhe shiste banane. Bananet vinin nga jashtë vendit të papjekura plotësisht dhe piqeshin artificialisht në impiantet e Mustafës, për t’u transferuar pastaj në treg.

Bashkëshortja e kryetarit të Gjilanit thotë se biznesi u ka sjellë më shumë përfitime se politika.

Kur Mustafa i përziu të dyja veprimtaritë, duke qenë në të njëjtën kohë kryetar komune dhe pronar biznesi, u gjobit nga Agjencia Kundër Korrupsion me 700 euro për konflikt interesi.

Shqetësimi për konflikt interesi, nuk ishte i vetmi, me të cilin Mustafa u përball gjatë mandatit të tij aktual. Një kallëzim tjetër penal u ngrit kundër tij me dyshimin për shpërdorim të detyrës zyrtare, me rastin e organizimit të eskursionit drejt Shqipërisë të nxënësve nga shkollat e mesme të Gjilanit. Por më 23 maj 2013, Prokuroria Themelore në Gjilan hodhi poshtë pretendimin e policisë ndaj Qemajl Mustafës për këto dyshime.

Qemajl Mustafa shpëtoi pa dënim edhe nga një hetim tjetër që nisi ndaj tij më 13 janar 2013, në lidhje me dyshimet për përfshirjen në disa tenderë të Ministrisë së Transportit dhe Postës e Telekomunikacionit që udhëhiqej nga Fatmir Limaj. Me Mustafën në këtë rast po hetohej edhe Hatixhe Daku, udhëheqëse e Departamentit të Prokurorimit në Komunën e Gjilanit.

Pas dy vjet e gjysmë hetimesh nga Eulex-i sa është afati ligjor i ngritjes së aktakuzës, ose pushimit të dyshimeve, misioni europian ndërpreu hetimet.

Hetimet kishin filluar pas ankesës tani më të të ndjerit Mehmet Shkodra, që ishte pronar i firmës për transportin e udhëtarëve “InterEvropa”.

Mustafa e ka vështirë të qëndrojë gjatë në zyrë dhe të vishet me kostum, pasi e do shumë natyrën dhe veshjet sportive.

“Shumë e do ecjen. Edhe kur ka qenë i ri ka pas dëshirë të ecë”, tregon bashkëshortja e tij Perihane Mustafa.

Kryetari i Gjilanit që dhjetë vjet është i anëtarësuar në organizatën “Vullnetarët e Mëngjesit” me të cilët del në natyrë dhe bëjnë një ritual.

Mustafa, ndryshe nga pamja zyrtare dhe paraqitjet mediale që e shfaqin kryesisht të tensionuar e të tendosur, është një adhurues i ahengjeve dhe dasmave, nga ata njerëz që konsiderohen ndreqës të atmosferës.

“Ai është merakli i dasmave e ahengjeve dhe shpesh shkojmë. Kohëve të fundit për shkak të angazhimeve nuk po mundemi të jemi të pranishëm në këto festa”, thotë Perihane Mustafa.

Ata që e njohin nga afër tregojnë se Mustafa mban mend shumë numra telefoni, ndërsa më shumë ka dëshirë të shkruajë mesazhe telefonike, sesa të flasë në telefon.

Gjatë debatit të Jetës në Komunë për Gjilanin, Mustafa haptas e pranoi se ka punësuar vetë gruan e tij në Drejtorinë Komunale të Arsimit. Këtë tha se e bëri ngase gruan e ka intelektuale dhe në emër të punësimit të sa më shumë grave.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm 11 për qind të grave me moshë pune (15-64) janë të punësuara në Kosovë.

Mustafa akuzoi direkt kundërkandidatët e tij Ismajl Kurteshin nga LVV-ja dhe Lutfi Hazirin nga LDK-ja për mospunësim të bashkëshortes së tij.

Haziri drejtoi komunën e Gjilanit në vitet 2000-2004, ndërsa Kurteshi drejtorinë gjilanase të arsimit në periudhën 2007-2009.

Mustafa përveç ballafaqimit pa shumë pasoja me kallëzime penale e kundërkandidatë në debat, u përball edhe me vetë kolegët e tij partiakë.

Në këto zgjedhje PDK-ja kishte propozuar që Zenun Pajaziti të jetë kryetar i Degës në Gjilan që pas përzgjedhjes dha dorëheqje. E kjo përzgjedhje bëri që Mustafa të jetë i pakënaqur me mënyrën se si po trajtohet nga qendra e subjetit të tij politik.

Në vitin 2005, Mustafa u zgjodh kryetar i degës së PDK-së në Gjilan ndërsa në vitin 2007 ai kandidoi për herë të parë për postin e kryetarit të komunës. Tash ai po merr pjesë në garë për herë të tretë.

Qemajl Mustafa është fëmija i parë nga tetë fëmijët e prindërve Fehmi e Safete Mustafa dhe baba i dy binjakëve.

Ushqimi: tradicional dhe sallata të ndryshme

Pija: kafe expresso

Muzika: qytetare dhe folklorike

Pasioni: ecja në natyrë

Romeo-Moratti

Rexhep Kadriu, AAK-LDD

Rexhep Kadriu që garon për koalicionin AAK-LDD në Gjilan, në moshën pesëvjeçare kishte rënë në lumin e fshatit të tij të lindjes Përlepnicë, por ishte nxjerrë pas 500 metrash të ecjes me rrjedhën e lumit, nga një njeri, duke dalë gjallë nga ky rrezik për vdekje.

Familjarët e tij besojnë se shpëtoi ngase ishte shumë i shkathët.

“Këtë ndodhi e kanë treguar edhe familjarët e Rexhes. Thonë që ka qenë fëmijë i shkathët dhe është e vërtet se ka rënë në lum”, thotë Shemsie Kadriu, bashkëshortja e tij.

“Çapkënllëqe” të tilla, Rexhep Kadriu bëri edhe kur u rrit. Bashkëshortja e tij mend se puthjen e parë me tash kandidatin e AAK-LDD-së e shkëmbeu në shpellën e Gadimes, te gurët e dashurisë të quajtur Romeo e Xhulieta, kristalet që rriten në drejtim të njëra-tjetrës dhe pas mijëra vjetësh do të bashkohen.

Para se t’i hynte politikës, Rexhep Kadriu bëri hapa biznesi që nga vitet 1996-1997 kur përfundoi studimet për Ndërtimtari e Arkitekturë. Qytetarët e Gjilanit, e njohin si një njeri që u ndihmon skamnorëve. Këtë e thotë edhe gruaja e tij.

“U bën shumë mirë njerëzve. Shpeshherë ka ndodhur që më ka thirrë në telefon dhe më ka thënë se vjen një person dhe duhet t’i japësh kaq para”, thotë bashkëshortja e tij znj. Shemsie.

Në AAK është përfshirë si aktivist, për t’u bërë kryetar dege dhe kandidat koalicioni.

Me 31 mars 2013, Kadriu është zgjedhur kryetar i degës së AAK-LDD në Gjilan. Këtë detyrë më parë e ka ushtruar Ahmet Isufi, i cili ka propozuar Kadriun për postin e të parit të degës AAK-LDD në Gjilan.

Rexhep Kadriu që vitet 96-97 pas përfundimit të fakultetit për Ndërtimtari dhe Arkitekturë i është futur biznesit. Dashuria e tij e parë ka qenë biznesi ndërsa në AAK ka hyrë fillimisht si aktivist duke kaluar më pas kryetar dege dhe kandidatë për të parin e komunës së Gjilanit.

Shoqëria e tij thotë se ngjan si ish-presidenti i Klubit të Futbollit Inter, Massimo Moratti, ndërsa tregojnë se i pëlqejnë shumë çokollatat me lajthi dhe gjithmonë mbanë në xhep orbit të kaltër.

Ushqimi: tradicional

Pija: ekspreso e shkurtë

Ëmbëlsira: Çokollata me lajthi

Pasion: natyrën dhe veturat

I ikuri nga Vatra

Sejdullah Kadriu, Lëvizja Vatra

Kandidati për kryetar nga Lëvizja Vatra, Sejdullah Kadriu, vetë është i larguar nga vatra, edhe pse tërë jetën punoi që në vatrën e tij të ketë liri dhe jetë më të mirë.

I lindur në fshatin Ramabuq të komunës së Bujanovcit dhe me veprimtari jetësore të përqendruar atje, Kadriu tash jeton në Gjilan, ndërsa konkurron për kreun e komunës.

Ndryshe nga bashkëvendasit e tij të tri komunave me shqiptarë në jug të Serbisë, shumë prej të cilëve kanë shkuar edhe më larg, Kadriu është vendosur fare pranë vatrës, vendlindjes së tij.

Bujanovci e Gjilani në hartë ndodhen përbalë njëri-tjetrit, me kufirin Kosovë-Serbi në mes, në një distancë ajrore prej pak më shumë se njëzet kilometrash, rruga automobilistike që i bie rrotull është më e gjatë.

Edhe pse kandidon për Gjilanin, Kadriu nuk e ka harruar vendin prej nga vjen. Në Emisionin Jeta në Komunë, kur u ballafaquan kandidatët e Gjilanit, ai propozoi që Anamorava të jetë ndryshe.

“Do të insistojmë që Bashkimi Europian dhe faktorët relevantë ta pranojnë Anamoravën si regjion i veçantë ku do të përfshiheshin Dardana, Gjilani, Vitia, Bujanovci, Presheva, Kumanova dhe Likova”, tha Kadriu.

Njeriu që shpërndau trakte antijugosllave ditën e fejesës, për t’i hutuar ndjekësit e tij, ka një histori të gjatë vuajtje e qëndrese për gjërat në të cilat besonte.

Sejdullah Kadriu karrierën politike e nisi në vitin 1978, kur vepronte në ilegalitet, në Bujanovc.

Ai u burgos në vitin 1983, për të qëndruar deri në vitin 1989 në burgun e Nishit.

“Gjashtë vjet burg i ka mbajtur, dy javë para martesës e kanë marrë në burg. Katër vjet ka qenë shumë keq me shëndet. Gjithçka kam parë në trupin e tij, shumë probleme të mëdha. Ndërsa tash është mirë”, tha Hajrie Kadriu bashkëshortja e kandidatit të Vatrës për Gjilanin.

Ajo shkoi edhe më tutje duke përshkruar të keqen. Tha se nga torturat Sejdullah Kadriu mbeti i palëvizshëm për gjashtë vjet. Për t’u ngritur përsëri në këmbë.

Sejdullah Kadriu ishte pjesë e luftës së Kosovës dhe asaj të UÇPMB-së.

Hobi i tij është kënga, ndërsa më të dashurat i ka këngët çame.

“Sa herë ka kënduar këngët çame në burg, ai e ka pësuar”, thotë bashkëshortja e tij Hajria.

Familjarët e Sejdullah Kadriut e tregojnë edhe një histori interesante. Thonë se Sejdullahu në burg e ka ndërtuar një çifteli, me material të pazakonshëm. Me gazetë, brumë dhe tela, për ta mbajtur shpirtin gjallë.

Adem Demaçi, librat e të cilit kandidati i Vatrës i ka nga më të preferuarit, thotë se një herë gjatë vuajtjes së dënimit prej 29 vjetësh burg në total, derisa dridhej në qeli, kishte hequr tulin e majës së bukës, për ta vendosur koren rrethore në kokë për t’u ngrohur.

Nga ajo përvojë, Demaçi thotë se ka zbuluar një fjalë të re shqipe-fjalën “bukëqeleshe”, njësoj si Sejdullak Kadriu çiftelinë e tij të veçantë.

Në burg Kadriu qëndroi me Bajrush Xhemajlin e Shemsi Veselin, sot zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Ushqimi: tradicional dhe kifle

Pija: makiato, mbi 20 sosh në ditë

Librat: Koleksioni i Adem Demacit

Muzika: Çame – Kënga Barbarosa

Sporti: Futbolli

”Gilangjia”

Ylli Isufi, Kandidat i Pavarur

Ylli Isufi, kandidati i pavarur që synon karrigen e kryetarit të Gjilanit, dëshiron që këtë qytet t’ua kthejë banorëve të tij, që ai të jetë vetëm i “gilangjive”, si tha vetë në Emisionin Jeta në Komunë.

Ai iu drejtua bashkëqytetarëve me fjalët se jeton këtu e bashkë me ta, e di si frymojnë, ndërsa nëse fiton nuk do t’i qeverisë nga Prishtina, siç tha që bëjnë rivalët e tij të lidhur me parti politike.

Për këtë edhe kandidon si i pavarur, që të mos ketë mbështetje nga subjektet politike, megjithëse ka vetëm tridhjetë vjet.

Isufi që në vitin 2008 diplomoi në Fakultetin e Shkencave Kriminalistike të AAB-së, ndërsa sivjet kreu studimet pas-diplomike në degën e Studimeve Europiane, synon që përveçse ta qeverisë Gjilanin, të përmirësojë edhe padrejtësitë historike.

Në debatin e 16 tetorit për Gjilanin Isufi shkoi larg kur tha se do t’i kthejë 700 vendbanimet e vjedhura nga pushtuesi, duke e pasur fjalën për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, në dimrin e vitit 1877 dhe verën e vitit vijues.

Në atë kohë kur Perandoria Osmane ishte në shthurje e sipër, forcat serbe të mbështetura nga Rusia, zbrazën një hapësirë të madhe banimi nga popullata joserbe. Shumica e të dëbuarve ishin shqiptarë.

Kur u kthye në realitetin e tashëm komunal, Isufi nuk pati përgjigje në pyetjet konkrete, por foli kundër keqpërdorimeve të qeverisjes aktuale që sikur të mos ishin, do ta lejonin zhvillimin.

Nga një ish-zyrtar për dokumente në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ai është shndërruar në politikan.

Ai nuk pranoi që gazetarët e Jetës në Komunë t’i xhirojnë ambientet familjare të tij, me arsyetimin se nuk dëshiron t’i dëshpërojë bashkëvendësit me pamjet nga shtëpia e tij, e standardit të lartë.

Ofroi që e ëma e tij të flasë për të nga ndonjë ambiente tjetër, nga shtëpia e motrës së saj, për ta ruajtur “shëndetin” e “gillangjive”.

I pyetur nga Jeta Xharra gjatë debatit: çfarë shtëpie ke që nuk na le të xhirojmë?, Isufi tha se shtëpia e tij është katërkatëshe, duke treguar edhe me gishtërinj katet e saj.

Por ai u kujdes që nëna e tij të jetë në qendër të vëmendjes në publik, fare pranë moderatores.

Shoqëria e tij Yllin e përshkruan si një djalë qejfli, që i frikësohet dhe e nderon shumë nënën e tij Qamile Isufin. Madje tregojnë se derisa është duke qëndruar në kafene dhe merr telefonatë nga nëna e tij, Ylli lë shoqërinë dhe shkon menjëherë tek ajo.

Në jetën e përditshme ai ka dëshirë të duket bukur dhe të kujdeset për rroba. Miqtë e tij tregojnë se ai akoma i ruan me fanatizëm rrobat që i kishte veshur për mbrëmjen e maturës.

Ushqimi: pitet, flijat

Pija: makiato e madhe e rëndë

Sporti: Futbolli

Futbollisti: Xherdan Shaqiri

Pseudonimi: Ylli i Madh dhe Komandanti