Me Altoparlant: Çfarë Shisni?

Loja e katër aktorëve, për të cilët kjo shfaqje është debutuese, është e mbushur me lëvizje intensive trupore, përqendrim dhe recitim.

Ato janë thelbi i shfaqjes së vendosur në vendin ku vite më parë shtypeshin gazetat ditore të vendit, në të cilin tani kanë mbetur vetëm gjurmë të asaj kohe. Aty Bekim Lumi sjell “Dilerat”. E përbashkëta e të dy kohëve është se nga aty tregohet rrëfim.

Shfaqja e krijuar mbi tekstin “Në vetminë e fushave të pambukut” të autorit francez Bernard-Marie Koltes vjen para publikut kosovar, siç e quan regjisori, në formën e një kreacioni eksperimental – laboratorik, përmes të cilit trajtohet komunikimi ndërmjet “tregtarit” dhe “blerësit”.

Ata, përmes monologëve e dialogut metaforik e poetik, afrohen e largohen mes vete, herë me shmangie, e herë me përballje të ashpër. Shprehja dramatike vjen te publiku përmes përdorimit të vazhdueshëm të elementeve, të cilat sa kalojnë tek njëri, vijnë tek tjetri. Tepsi të mëdha të rrumbullakëta sillen në duart e katër personazheve të pashme e tërheqëse të djemve, me zërat e tyre të fuqishëm mashkullorë, madje të shoqëruar ndonjëherë edhe me altoparlant. 

“Ato nuk duken dialogje skenike, por janë filozofike të një thellësie që për regjisorët kanë qenë shumë vështirë të interpretueshme. Eqrem Basha

Katër djemtë, bashkë me regjisorin, kanë punuar 14 muaj pa ndalur, nga 5 orë në ditë, për të luajtur tekstin e Koltes. Regjisori thotë se ky tekst, nga viti 2006 kur e kishte përkthyer shkrimtari Eqrem Basha, e kishte ngacmuar, se gjithmonë kishte një rezervë artistike nëse do të jetë në gjendje ta nënshtronte estetikisht.

Shkrimtari Basha thotë se shfaqja “Dilerat” është një interpretim interesant i një prej veprave më të veçanta të fundit të shekullit të kaluar.

Sipas tij, “Në vetminë e fushave të pambukut” është një tekst filozofik me një forcë poetike të dialogut. “Ato nuk duken dialogje skenike, por janë filozofike të një thellësie që për regjisorët kanë qenë shumë vështirë të interpretueshme”, thotë Basha, për të cilin Koltes gjithmonë ka provokuar vëmendjen e atyre që e duan teatrin ndryshe nga ai klasik.

Vepra e Koltesit, shton Basha, “është sjellë në mënyrë origjinale, në një formë të koreo-dramës me katër aktorë, ndonëse në fakt teksti origjinal ka dy aktorë”. 

“Nuk është lehtë i interpretueshëm dhe i kapshëm, por që regjisori Lumi e ka sjellë në mënyrë shumë interesante”, thotë Basha.

Pa këta 14 muaj, regjisori thotë se s’do të mund ta kishte këtë rezultat, sepse për të koha punon për artin krijues.

“Unë mendoj që në një proces krijues, sidomos laboratori dhe eksperimenti, kërkojnë një kohë më të gjatë pune. Në natyrën e teatrit eksperimental është gjurmimi, kërkimi dhe në fund krijimi”, thotë Lumi.

Ai shprehet se procesi kreativ në një teatër laboratorik nuk i ngjan “Fast Foodeve” ose shfaqjeve të cilat bëhen për 2 muaj që, para se të jenë art i vërtetë, më tepër i përmbushin egot e regjisorëve për të marrë një honorar, sesa për të bërë një gjë të vlefshme në rrafshin artistik.

Gjithçka që shihet në shfaqje është realizuar nga mbështetja prej 2500 eurove nga ambasada franceze dhe vullneti. 

“Nuk është lehtë i interpretueshëm dhe i kapshëm, por që regjisori Lumi e ka sjellë në mënyrë shumë interesante. Eqrem Basha

Njëri nga aktorët e shfaqjes, Bujar Ahmeti, thotë se ndonëse një proces i gjatë e i lodhshëm, provat për shfaqjen i ishin bërë përditshmëri. Ai tregon se kishin punuar për më shumë se një vit në orët e vona, Para premierës punohej ndonjëherë deri në dhjetë orë.

“Për me ardhë më konkretisht tek publiku është dashtë me gjetë forma të ndryshme, me lëvizje e poetikë, sepse teksti ka qenë shumë i vështirë”, shprehet Ahmeti, në përfundim të studimeve në fakultetin e arteve.

Punën me Lumin e sheh si një shans. “Regjisori aktorin e qet në pah. Regjia e profesorit varet nga aktori dhe nuk bën asgjë në skenë pa e bërë aktori…nuk e fshehë me muzikë”, thotë ai.

Ahmeti është qendra e personazheve në pjesën e fundit të shfaqjes ku katër aktorët sillen në skenë si robotë. Për të kjo skenë, ndonëse më e vështira, është më e dëshirueshme. “Në atë pjesë, unë e kam fjalën barrë kryesore dhe gjatë gjithë kohës diafragma është në funksion dhe trupi i ngurtësuar në mënyrën e vet. Çdo lëvizje është në kundërshtim me fjalën, sepse fjala është dinamike, ndërsa lëvizjet jo”, thotë ai.

Çfarë…

Dialogët në këtë shfaqje janë sa të thjeshtë e kërcënues, aq edhe filozofik e të thellë. “…Sepse nëse këtu jam më kaherë se ju, e me gjasë këtu, kam me mbetë ma gjatë se ju…”

Tregtari pyetet se çfarë ka për të shitur (se këtë ai askujt nuk ia ka treguar, kudo në botë) e ndërkohë aktorët shprehen se më shumë i frikësohen miqësisë, se tradhtisë, më shumë qëllimeve të këqija, sesa veprave të këtilla…   

“Jo se kam qëllu atë që ndoshta ju po e lypni, e këtë as nuk po ngutem me e mësu, sepse dëshira e blerësit është gjaja më e pikëllueshme në botë, e na e kshyrim si të ish fshehtësi e vogël, që çdo gja tjetër veçse me u gjetë, por të cilën na nuk ngutemi me e gjetë.”

“Kur t’i kemi rrafshue kodrat brenda nesh, do t’largohemi prej shoqi-shoit n’baraspeshë, nëpër atë fijen e hollë të drejtë të gjatësisë sonë gjeografike, të kënaqun, midis njerëzve e kafshëve që janë të pakënaqun pse janë njerëz e të pakënaqun se janë kafshë, por mos lypni prej meje me e gjetë dëshirën tuej…”

“Unë nuk shëtis nëpër vende e kohë të caktueme, unë thjesht ec, jo me naj udhë, por tuj bredhë prej një pike te tjetra, për shkak të punëve private që kryhen në ato pika…” 

Teatrin Laborator “Loja”, nga i cili del kjo shfaqje e ka themeluar regjisori Lumi në vitin 2009. 

“Unë nuk shëtis nëpër vende e kohë të caktueme, unë thjesht ec, jo me naj udhë, por tuj bredhë prej një pike te tjetra, për shkak të punëve private që kryhen në ato pika…

Shfaqja tjetër e punuar nga ky teatër është “Këmisha e Gjakut” e po të njëjtit regjisor, e cila ishte shfaqur në muajt shtator e tetor të vitit 2010 në ambientet e Muzeut Etnologjik, në një hapësirë të kufizuar prej vetëm 20 vendesh.

Dramaturgu Arian Krasniqi thotë se projekti është “dëshmia më e mirë për nevojën që nismat e teatrove të pavarura të kenë më shumë vëmendje dhe mbështetje dhe se skena jonë teatrore duhet të zhvillohet edhe në hapësira tjera, alternative, jashtë mureve dhe skenave klasike të godinave teatrore”.

Sipas regjisorit Lumi, pikërisht kufizimit që i krijojnë skenat e teatrove tradicionale, burokracia, problemet e natyrës teknike, që shpeshherë kthehen në kufizim për punën krijuese, e kanë bërë që të punojë nëpër hapësira alternative.

“Teatri alternativ krijon edhe forma të reja, shprehje të reja dhe ta pushtosh një hapësirë si shtypshkronja Rilindja është guxim krijues, sepse duhet të kesh parasysh parametrat e akustikës, hapësirës që duhet ta pushtosh pa skenografi, vetëm me trupat e aktorëve dhe lojën e tyre”.

Shfaqja “Dilerat” jepet çdo të martë, të mërkurë dhe të enjte në orën 20:30 në shtypshkronjën Rilindja.