Më 8 Mars Vendoset për Bajrush Xhemajlin

Gjykata Supreme e Kosovës, më 8 mars, do ta shqyrtojë ankesën e kryetarit të Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajli, ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë, me të cilin ai është dënuar me dy vjet e gjysmë burgim.

Seanca gjyqësore ku do të shqyrtohet ankesa e mbrojtjes ndaj aktgjykimit të shkallës së parë mban numrin e regjistrit AP- 134/11.

Njoftimi për këtë seancë tashmë është bërë publik në tabelën e shpalljeve të Gjykatës Supreme. Përveç datës dhe orës 12 kur nis seanca, nuk është bërë publike se kush do të jenë gjyqtarët të cilët do ta shqyrtojnë këtë ankesë.

Kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemajli, është shpallur fajtor nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në fund të nëntorit 2010, për veprën penale të rrezikimit të trafikut publik.
 
Akuza ndaj tij ishte ngritur pas aksidentit të 21 majit të vitit 2009, në të cilin kishte humbur jetën një person, ndërsa ishin lënduar disa të tjerë.

Me aktgjykimin e shkallës së parë, Xhemajli është dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burgim, si dhe i ishte ndaluar të vozisë automjetin për tri vite.

Në këtë vendim të gjykatës, mbrojtja kishte bërë ankesë në Gjykatën Supreme ndërsa kjo e fundit pas më shumë se një viti caktoi shqyrtimin e kësaj ankese.

Vendimi i Gjykatës Supreme rreth ankesës së mbrojtjes pritet të ketë efekt edhe sa i përket pozitës së Xhemajlit si kryetar i komunës.

Nëse vendimi i Gjykatës së Qarkut konfirmohet nga Gjykata Supreme atëherë konform ligjit për vetëqeverisje lokale, Bajrush Xhemajli duhet të shkarkohet nga pozita e kryetarit të Komunës.
Xhemajli, sipas aktakuzës, duke drejtuar veturën zyrtare të markës “Nissan Terrano”, nuk iu është përmbajtur rregullave të komunikacionit.

Me shpejtësi të madhe, përpjetë Veternikut, në dalje të Prishtinës, ai kalon në rrugën që vjen nga drejtimi i kundërt. Fillimisht e godet veturën e markës Volswagen, të cilën e drejtonte Ilir Gashi, i cili lëvizte në shiritin e vet, dhe më pas godet edhe automjetin Mercedes, të cilin po e drejtonte Labinot Rrustemi.

Si pasojë e kësaj, lëndime vdekjeprurëse ka pësuar ngasësi i automjetit Mercedes, Labinot Rrustemi, Driton Bytyçi ka pësuar lëndime të rënda, pasagjerët Ilir Haziri dhe Bardhita Bytyçi po ashtu lëndime të rënda trupore dhe Vezire Bytyçi, lëndime të lehta trupore. Lëndime ka pësuar edhe vetë i pandehuri si dhe janë shkaktuar dëme të mëdha materiale.