Mburrja e Kurtit duke u krahasuar me vitin pandemik dhe vetveten
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar disa të dhëna për përformancën e ekonomisë për vitin 2021. Në një infografik të publikuar, Kurti vetëm për qarkullimin e bizneseve ka treguar periudhën e saktë të vitit për të cilën i referohen të dhënat.
Për qarkullim të bizneseve, Kurti i është referuar gjashtëmujorit të parë, pra periudhës janar – qershor.
Por, Kurti nuk e ka specifikuar periudhën sa i përket të hyrave buxhetore, tatimit në të ardhurat e korporatave, TVSH-së dhe tatimit në pronë.
KALLXO.com i ka analizuar të dhënat financiare të Qeverisë së Kosovës për gjashtëmuorin e parë për t’i krahasuar shifrat me ato që janë publikuar nga kryeministri Kurti. Të dhënat që janë publikuar nga Kurti nuk përkojnë me ato që Qeveria e Kosovës i ka miratuar në raportin e gjashtëmujorit të parë të vitit 2021.
Pas shpërputhjes së numrave, KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Ministria e Financave për periudhën të cilës i referohet kryeministri Kurti në infografikën e publikuar. Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, ka thënë se të dhënat e publikuara i referohen periudhës 14 shkurt 2021 deri më 14 gusht 2021.
Me qëllim të krahasimit, KALLXO.com i ka kërkuar të dhënat financiare për periudhën 14 shkurt – 14 gusht edhe për vitet 2020, 2019, 2018 dhe 2017.
Por, zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, nuk i ka dërguar të dhënat e kërkuara por ka sugjeruar që të dhënat të kërkohen në ëeb-faqe të Ministrisë së Financave në raportet tremujore, gjashtëmujore dhe vjetore të financave.
Krahasimi me vetveten
Njëra prej të dhënave që është publikuar nga Kurti është qarkullimi i bizeneseve për gjashtëmujorin e parë të vitit 2021. Sipas Kurtit, qarkullimi i bizneseve në gjashtë muajt e parë të vitit 2021 është rritur për 30%.
“Ndërsa vetëm në tremujorin e dytë rritja (e qarkullimit të bizneseve) është edhe më impresive dhe kap shifrën prej 46%”, thuhet në infografikën e publikuar nga Kurti.
Të dhënat e publikuara nga Kurti për qarkullimin e bizneseve të publikuara përfshin edhe periudhën e ish-kryeministrit Avdullah Hoti, nga 1 janari deri më 22 mars 2021.
Gjithashtu, rritja e qarkullimit në vitin 2021 është bërë duke u krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2020.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020 kemi pasur tre kryeministra.
Deri më 3 shkurt, kryeministër ka qenë Ramush Haradinaj. Albin Kurti ka qenë kryeministër nga data 3 shkurt deri me datën 3 qershor kur në krye të Qeverisë është zgjedhur Avdullah Hoti.
Krahasimi për rritjen e qarkullimit të bizneseve është bërë me vitin 2020, kur në Kosovë u shpall pandemia e COVID-19. Rasti i parë më COVID-19 ishte paraqitur më 13 mars 2020.
Gjatë periudhës prill- maj 2020, Qeveria kishte vendosur masa të rënda që duke kufizuar lëvizjen e qytetarëve dhe mbyllur një pjesë të bizneseve, me përjashtim të marketeve e barnatoreve. Masa më të lëhtësuara për të parandaluar shpërndarjen e COVID-19 janë aplikuar gjatë gjithë vitit 2020.
Viti 2020, që është marrë si krahasim ishte viti i parë që ishte shënuar rënie e të hyrave në krahasim me vitin paraprak.
KALLXO.com i ka krahasuar të dhënat financiare të gjashtëmujorit të parë të viteve tjera. Të hyrat në gjashtëmujorin e parë (janar- qershor) të vitit 2021, kanë arritur në 982.5 milionë euro. Në periudhën e njëjtë të vitit 2020, të hyrat buxhetore ishin 760.3 milionë euro.
Bazuar në raportin e Ministrisë së Financave në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 kemi një rritje prej 29% krahasuar më periudhën e njëjtë të vitit 2020.
Kurse, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019, të hyrat ishin 853.5 milionë euro apo 93 milionë euro më shumë se në vitin 2020.
Nëse i krahasojmë të hyrat e vitit 2019 me ato të vitit 2021, i bie që në periudhën janar – qershor 2021 ishin 129 milionë euro më shumë në vitin 2019.
Pra, nëse për krahasim e marrim vitin 2019, kur nuk kishte pandemi dhe kufizim të lëvizjes, atëherë kemi një rritje të të hyrave prej 15% në gjashtë mujorin e parë të vitit 2021 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.
Nëse merren për krahasim vitet e kaluara shihet që kemi një rritje më të madhe të të hyrave në vitin 2021.
Shembull, në periudhën janar – qershor 2018 kemi pasur një rritje prej 6% të hyrave krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Rritje të të hyrave kishte edhe viteve të kaluara. Në vitin 2016 ishte shënuar një prej rritje më të mëdha të të hyrave prej 14%, kryesisht për shkak të rritjes së bazës së TVSH-së nga 16 në 18%.
Për dallim nga kryeministri Kurti, ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka publikuar të dhënat ekonomike duke i krahasuar me ato të vitit 2019.
As ministri nuk ka treguar nëse krahasimi është bërë për gjashtëmujorin e parë apo ndonjë periudhë tjetër.
“Më poshtë janë shifrat edhe për krahasimin me vitin 2019 që ka qenë njëri ndër vitet më të forta për sa i përket aktivitetit ekonomik: Aktiviteti ekonomik 2021/2019: 17% rritje; Tatimi në korporata 2021/2019: 23% rritje; Të hyra nga TVSH 2021/2019: 23% rritje; Tatimi në pronë 2021/2019: 49% rritje”.
Ai ka shkruar se duke marrë parasysh performancën në korrik dhe në pjesën e parë të gushtit, pritjet janë që në tremujorin e tretë të këtij viti të shënohen shifra edhe më të larta.
Rritja e të hyrave nga Qeveria Hoti
KALLXO.com i ka analizuar edhe të hyrat e realizuara në periudhën janar – mars. Në tremujorin e parë të vitit 2020, të hyrat ishin 397.2 milionë euro. Në periudhën e njëjtë të vitit 2021, të hyrat ishin 454.91 milionë euro apo 14.5% më shumë.
Në pjesën më të madhe të tremujorit të parë të vitit 2021, përkatësisht deri më 22 mars kryeministër ka qenë Avdullah Hoti. Më 22 mars është votuar Qeveria Kurti II.
Në vitin 2020, deri më 3 shkurt kryeministër ka qenë Ramush Haradinaj, kurse nga data 2 shkurt me Qeverinë ka udhëhequr Albin Kurti. Qeveria Kurti I ishte shkarkuar më 25 mars 2020, por transferimi i pushtetit nuk ishte bërë deri më 2 qershor kur Kuvendi e kishte votuar Qeverinë në krye me Avdullah Hotin.
Të hyrat nga tatimi në pronë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 kanë qenë 19.32 milionë euro. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020 kur të hyrat ishin 8.86 milionë euro kemi një rritje prej 118%. Por, të hyrat nga tatimi në pronë në vitin 2019, pra kur nuk kishte pandemi, kanë qenë 13 milionë euro. Nëse i krahasojmë të hyrat nga tatimi në pronë të vitit 2021 dhe ato të vitit 2019, del që kemi një rritje prej 47%.
Pasi kishte filluar përhapja e COVID-19, ministri i atëhershëm i Financave, Besnik Bislimi, më 13 mars 2020 kishte marrë vendim për shtyrjen e pagesave të tatimit në pronë. Shtyrja e afatit ishte bërë për lëshimin e faturave të tatimit në pronë, afati për ankesë ishte shtyrë për dy muaj, deri më 31 maj, afati për pagesën e këstit të parë të detyrimeve gjithashtu ishte shtyrë për dy muaj, nga 30 prilli në 30 qershor, si dhe ishte pezulluar llogaritja e gjobave, deri më 31 dhjetor 2020.
Kurse, të hyrat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar – TVSH në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 kanë arritur në 460 milionë euro apo rritje prej 36% krahasuar me të hyrat e periudhës së njëjtë të vitit të kaluar. Të hyrat nga TVSH-ja në vitin 2019 kanë qenë 375 milionë euro. Të hyrat nga TVSH-ja në vitin 2021 janë për 18.4% më të larta se ato të vitit 2019.
Të hyrat nga tatimi në të ardhurat e korporatave në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 kanë qenë 60.6 milionë euro, kurse në vitin 2020 janë mbledhur 41.9 milionë euro. Kemi një rritje të të hyrave nga kjo kategori në vitin 2021 për 45%. Në vitin 2019, të hyrat nga të ardhurat e korporatave kanë qenë 49.2 milionë euro. Në vitin 2021 kemi një rritje të të hyrave prej 17.7%.