Mbrojtja: Besarta Kurrë Nuk Është Takuar me Fidan Shabin (TV)

Përfaqësuesi i Besarta Kastratit, e akuzuar bashkë me Arian Llukën për vrasjen e Fidan Shabit nga Peja, në vitin 2012, tha se i ndjeri nuk ka pasur asnjëherë kontakt me klienten e tij.

Në seancën gjyqësore të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Pejë, Nuhi Paçarizi përfaqësuesi i Kastratit, tha se dëshmitë e dëshmitarëve japin një version ku thuhet se Fidan Shabi do të takohej me një femër, por asnjëherë nuk kanë përmendur emri i Besarta Kastratit.

Edhe mbrojtja e Arian Llukës tha se aktakuza bazohet në supozime, ngase sipas avokatit Ferid Gjikolli dëshmitarët nuk janë okularë.

Besarta Kastrati akuzohet për vrasje të rëndë të Fidan Shabit nga Peja, me datën 2 maj 2012.

Sipas aktakuzës ajo e ka thirrur natën kritike viktimën Fidan Shabin në telefon, ka marrë me qira një xhip dhe ka shkuar para banesës se saj në ndërtesën te stacioni i trenit, ku është takuar me Fidan Shabin, të cilin e ka joshur brenda në tavan të banesës, kinse për të bërë marrëdhënie seksuale.

Aktakuza thotë se ajo më pas e ka qëlluar disa herë me revole Shabin dhe pas kësaj vepre te krimit e ka thirrur të akuzuarin tjetër Arian Llukën, më të cilin e kanë mbështjellë viktimën me qese të plastikes dhe e kanë lënë në tavanin e banesës.

Besarta më pas është kthyer në shtëpi të babait të saj Sali Kastratit, thuhet më tutje në aktakuzë.

Ndërkaq Arian Lluka, që në kohën kur është kryer kjo vepër ka qenë i mitur, akuzohet se i ka ndihmuar Besarata Kastratit-Harxhit, për fshehjen e provave dhe shkatërrimin e revoles që dyshohet se është përdorë në këtë vrasje.

Në seancën e së hënës është dëgjuar eksperti mjekoligjor Flamur Blakaj, i cili në pyetjet e Haxhi Millakut, përfaqësuesit të familjes së viktimës, jo gjithmonë ka pasur përgjigje dhe është thirrur vazhdimisht në atë se kufoma ka qenë në mes të stadit të dytë dhe të tretë të kalbëzimit dhe se disa nga gjurmët në lëkurën e viktimës kanë mundur të fshihen.

Ai po ashtu tha se nëse trupi i kufomës është  manipuluar, atëherë gjurmët mund edhe të jenë fshirë.

Millaku në pyetjet e tij kryesisht ka insistuar që të kuptojë nëse viktima është torturuar  para se të vritej, me ç’rast përmendi faktin e tre dhëmbëve prerës të rënë nga nofulla e viktimës.

Eksperti mjekoligjor ka thënë se nuk ka arritur të konstatojë se për çfarë arsye viktimës i kanë rënë dhëmbët. Kjo përgjgie nuk e ka bindur plotësisht avokatin e familjes Shabi.

Rrjedhimisht avokati Millaku e kontestoi raportin e autopsisë së Blakajt dhe kërkoi ekzaminimin e ri nga një ekip tjetër ekspertësh mjekoligjorë, me provat e disponueshme.

Edhe avokati i Besarta Kastratit e ka kontestuar raportin e autopsisë së ekspertit mjekoligjor.

 Po ashtu, edhe gjykatësja Nushe Kukaj- Mekaj, ka kërkuar disa sqarime shtesë nga mjekoligjori Flamur Blakaj, i cili ka bërë përpjekje të japë përgjigjet e veta, duke lexuar raportin, por nuk ka arritur që me saktësi të japë distancën mes tytës së armës dhe viktimës, si dhe pozicionin e viktimës në çastin kur është vrarë.

Avokati Haxhi Millaku, tha se në këtë vrasje përpos dy të akuzuarve janë të implikuar edhe persona tjerë. Ai ka thënë se kjo vepër është shumë më e ndërlikuar dhe e  komplikuar, sesa që duket dhe që po prezantohet në gjykatë.

“Ariani kishte thënë se ai nuk e ka vrarë Fidanin”

Në seancën e së martës lidhur me këtë rast, kanë dëshmuar tre dëshmitarë.

Dëshmitari Labinot Hyseni nga Peja deklaroi se të ndjerin Fidan Shabi e ka njohur mirë, ngase më të ishte edhe në lidhje familjare.

Ai në dëshminë e tij kryesisht është përqendruar në një takim që ka pasur me atëherë të miturin Arian Llukën, Fitim Muhaxherin dhe Korab Belegun, ku sipas tij Korabi e kishte pyetur Arianin për një borxh në mes të tij dhe Fidanit dhe pas shumë insistimeve të Fitimit, Ariani kishte pranuar se ia kishte borxh Fidan Shabit 10 mijë euro.

Sipas Labinot Hysenit, Arian Lluka e kishte pranuar se e kishte gjuajtur një granatë dore në afërsi të ish lokalit të Sali Kastratit dhe se Fidani i kishte bërë roje atij.

Arian Lluka akuzohet edhe për veprën tjetër penale, për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm me shpërthimin e një granate dore me 20 shkurt 2012 afër ish lokalit të Sali Kastrait, duke dëmtuar edhe disa lokale përreth.

Po ashtu, Ariani sipas dëshmitarit Hyseni kishte thënë se ai nuk e ka vrarë Fidanin.

Hyseni ka shtuar se me rastin e arrestimit të Arianit nga policia, Besarta Kastrati është sjellë rreth stacionit të policisë dhe është interesuar për arrestimin e Arianit. Ai tha se këtë ia kishin pohuar ata që e kanë njohur Besartën.

Avokati Millaku ia ka kujtuar dëshmitarit Hyseni deklaratën e tij, ku ka deklaruar se në vrasjen e Fidanit kanë gisht Arian Lluka dhe Besarta Kastrati, për çfarë dëshmitari Hyseni tha se qëndron pranë kësaj deklarate dhe se këtë e bazon në informatat që i ka dëgjuar nga shokët e të ndjerit Fidan Shabi dhe të afërm të tij që e kanë pohuar një gjë të tillë .

Dëshmitari tjetër. Elton Arifaj nga Peja, tha se të ndjerin Fidan Shabi e ka njohur përmes një të afërmi të bashkëshortes së tij.

Arifaj tha se ishte takuar me Shabin në varrimin e të ndjerit Sali Kastrati, ku Fidan Shabi e kishte pyetur se a është Arian Lluka në shtëpinë e Kastratëve dhe nëse po, “a po ma thirrë për një minut, gjë që unë e kam bërë por nuk e di sa a është takuar më të, apo jo”.

Dëshmitari Arifaj më tutje ka thënë se më 1 maj 2012  ka qenë në një piknik me Besarta Kastratin, vëllanë e saj Kastriotin, nënën e tyre dhe Arian Llukën dhe se pas këtij pikniku të gjithë së bashku janë kthyer në shtëpinë e Besarta Kastratit.

Ai më tutje tha se po atë natë në oborrin e Sali Kastratit, babait të Besartës kah ora 3 pas mesnate, është dëgjuar një krismë arme, por nga kamerat e sigurisë nuk kemi parë asgjë jashtë.

I pyetur nga prokurorja se kur ka dëgjuar për zhdukjen e Fidan Shabit, dëshmitari Arifaj ka thënë se ai për ketë ka dëgjuar më 3 apo 4 maj të vitit 2012 dhe atë nga disa shokë të të ndjerit Fidan Shabi.

Dëshmitari është pyetur nga përfaqësuesi i Arian Llukës edhe për rrethanat dhe datat e sulmeve, plagosjes dhe vdekjes së babait të Besarta Kastratit, të ndjerit Sali Kastrati, në të cilat dëshmitari ka dhënë përgjigje të përafërta .

Vlora Mazaraj, dëshmitarja tjetër që dëshmoi të martën para trupit gjykues, kryesisht ka mbetur pranë deklaratave të saja të dhëna në polici dhe prokurori, lidhur me rastin.

Ajo ka deklaruar se deri në rastin e vdekjes se Sali Kastratit, babait të Besarta Kastratit raportet e tyre familjare kanë qenë të mira.

“Por, pas këtij rasti, marrëdhëniet janë tensionuar, ngase familja Kastrati së bashku me Arian Llukën kanë dyshuar se kam marrëdhënie të mira më Tahir Dacin, më të cilin kjo familje kishin mosmarrëveshje lidhur me një truall në qendër të qytetit”, tha dëshmitarja Mazaraj.

Haxhi Millaku, avokat i palës se dëmtuar, në pyetjet e tija për këtë dëshmitare, kryesisht është interesuar për lidhjet apo raportet e Vlora Mazarajt me Tahir Dacin dhe Sali Kastratin, ku dëshmitarja ka deklaruar se për emrin e Tahir Dacit është interesuar, pas akuzave që familja Kastrati i ka bërë këtij personi.
 
Haxhi Millaku në pyetjet drejtuar dëshmitarëve, ka tentuar të marrë përgjigje edhe për rastin e vrasjes se Sali Kastratit, babait të Besarta Kastratit- Harxhit,  me vrasjen e Fidan Shabit. 

Ndërkaq, Nuhi Paçarizi avokat i së akuzuarës Besarta Kastrati, ka dashur të mësojë nga dëshmitarja diçka më shumë për Arian Llukën, por ajo është përgjigjur se shumë pak di për të.

Dëshmia e kësaj dëshmitareje e ka nxitur prokurorin monitorues të EULEX-it, që ta pyesë dëshmitaren, se a ka biseduar përpara me dikë për dëshminë e sotme para trupit gjykues, gjë që dëshmitarja ka mohuar ta ketë bërë.

Dëshmitarët e Ditës së Tretë

“Arian Lluka e ka gjuajt granatën para dyqanit të Sali Kastratit, kurse Fidan Shabi e ka ruajt deri sa Ariani e ka kryer ketë vepër”, i ka thënë trupit gjykues në ditën e tretë të dëgjimit të dëshmitarëve,  në rastin e Besarta Kastratit dëshmitari Krenar Shala. 

Ndërkaq, daja i Fidanit, Kujtim Muhaxheri, ka deklaruar para trupit gjykues t’i ketë thënë Arian Lluka, pak çaste para se ta arrestojë policia, se “ Fidani nuk është më dhe se nuk guxon me tregu se ku është “

Në ditën e tretë të gjykimit janë dëgjuar dëshmitë e dëshmitarëve Yll Gllogjani, Krenar Shala ,Adnan Berisha dhe Kujtim Muhaxheri.

Dëshmitari i cili hodhi më shumë dritë rreth këtij rasti, Krenar Shala nga Peja, tha para trupit gjykues se ka qenë shok i ngushtë i Fidanit dhe se të mirat e të këqijat i kanë ndarë bashkë.
 
Ai ka shpjeguar se ditën kritike, më një maj të vitit 2012, së bashku me shokët tjerë ka qenë me Fidanin dhe kanë shkuar në shëtitje te Sharra, në grykë të Rugovës.

Më pas dëshmitari Shala ka shpjeguar se Fidani ka pasur disa thirrje telefonike dhe se ka thënë që një femër po e thërriste për t’u takuar diku pas mesnate.

Ai tha se me Fidanin është takuar sërish në mbrëmje në shtëpi të Fidanit dhe se aty kanë qëndruar deri rreth orës 23:10, kur dëshmitari ka dalë nga shtëpia e të ndjerit.

Sipas Shalës, Fidani nuk dukej i shqetësuar.

Dëshmitari: Fidani më tha natës nuk i dihet

“Por para se të ndahemi ai ka kërkuar nga unë një shufër gome, ngase siç ka thëne është natë dhe nuk di se çka mund t’i ndodhë”, rrëfeu Krenar Shala.

Ai ka shtuar se para se të ndahen rreth orës 23.10 Fidani i ka thënë se nëse më ndodh diçka, për ketë fajtor janë Arian Lluka dhe vajza e Sali Kastratit.

Krenar Shala i pyetur se a e njeh Arian Llukën, ka thënë se janë të një lagjeje dhe se Ariani i kishte treguar se e ka burrë të tezes Sali Kastratin.

“Dhe më ka thënë se ia kanë marrë një lokal për reket. Ai e ka ditë se Fidani është trim dhe kanë biseduar me Fidanin dhe me mua si me ia gjuajt një bombë afër dyqanit të Sali Kastratit, për ta frikësuar atë që ia ka marrë dyqanin”, tha Shala.

Dëshmitari Shala, tha se para se të gjuajnë bombën është takuar me të dytë, por nuk ka shkuar me ta dhe se më vonë ka dëgjuar shpërthimin.

I pyetur se a i ka ofruar dikush para për ta kryer këtë vepër, Shala ka thënë se askush nuk i ka ofruar para dhe as që dinte gjë për këtë.

Shala më pas ka dëshmuar se pasi që është informuar se Fidani nuk është kthyer në shtëpi, një ditë më pas, me 3 maj është takuar të xhamia e Gjylfatimit më Arian Llukën të cilin e ka pyetur se a di diçka për Fidanin, ndërsa sipas tij Ariani është shtirë se nuk di asgjë.

 Kur prokuroja ia kujtoj se çka ka deklaruar Shala në polici vjet, atëherë Krenar Shala tha se është e vërtetë që kam thënë se Ariani ishte shumë i ftohtë dhe se i kishte vjedhur para edhe babait të vet. Shala tha se aty ka pasur përshtypje se Ariani donte ta likuidonte edhe atë.

Vlen për të cekur se pas dëshmisë se këtij dëshmitari, i cili ishte temperament dhe emocional, pala mbrojtëse e Arian Llukës ka kërkuar që të konstatohet se sjellja e dëshmitarit gjatë dëshmisë se tij ishte shumë temperamente, e përshkruar me arrogancë, agresivitet dhe padëgjueshmëri, gjë që trupi gjykues e evidentoi si kërkesë të mbrojtjes.

Në cilësinë e dëshmitarit të mërkurën u paraqit edhe Kujtim Muhaxheri, daja i Fidan Shabit, i cili tha se ditën kritike ka punuar nga ora 03:00 deri në ora 07:00 të mëngjesit me nipin e tij, Fidanin dhe se ai i ka thënë se po e thërret një femër nga Prishtina në telefon, e cila i ka kërkuar që të takohen në ora 24:00, ngase nuk guxon të dalë më herët se i ka vëllezërit e vështirë.

 Më pas Muhaxheri ka shtuar se edhe tre katër ditë më parë Fidani u ka treguar edhe shokëve të tjerë për mesazhet që i ka marrë nga kjo femër.

“Unë i kam thënë të jetë i kujdesshëm se mund të jetë ndonjë kurth i përgatitur nga dikush, ngase Fidani e kishte vëllanë në burg”, tha daja i të ndjerit.

Sipas tij të nesërmen në mëngjes në ora tre, kur është dashur të dalin  në punë, Fidani nuk ka dalë.

“E kam thirr motrën, nënën e Fidanit dhe e kam pyet se a është Fidani në shtëpi. Më ka thënë se jo, por ma ka kujtuar se mos ka dalë me një femër”, tha ai.

Ai më pas ka shpjeguar se si ka shkuar në polici për ta paraqitur rastin më 2 maj diku kah ora 17:00, por atje i kishin thënë se para 24 orëve të zhdukjes nuk mund të nisë procedura për kërkim.

Telefoni i Fidanit ka cingëruar…

Muhaxheri më pas ka shtuar se e ka thirrur në vazhdimësi Fidanin në numrat e telefonit dhe njëri prej numrave ka cingëruar gjithnjë, por nuk e ka hapur kush. Ndërsa sipas tij, tjetri nuk ka cingëruar fare, ngase ishte i mbyllur.

“Kam shkuar prapë në polici dhe u kam thënë se mund ta gjejnë, pasi telefoni po cingëron”, tha Muxheri duke shtuar se ata i kishin thënë: “ti po do me na mësu neve”.

Ai tha se ishte takuar me Arian Llukën dhe e ka pyetur për disa shkrime në Facebook me Fidanin, për do topa e do kutia. Ai më ka thënë se është fjala për bombën që e kanë gjuajtur te ish dyqani i Sali Kastratit, ku Ariani e ka hedhur bombën, e Fidani ka bërë roje.

I kam thënë se do ta çoj në mal e do të mbaj derisa të më tregojë se ku gjendet Fidani. Pas këtij kërcënimi Ariani më ka thënë se “Fidani nuk është më dhe se nuk guxon me tregu se ku është”.

Muhaxheri tregon se ka dalë nga makina ku ishin ata, për ta mbërthyer për fyti, ngase e kishte humbur kontrollin, pastaj ka parë policinë të cilët e kanë parandaluar dhe të cilët e kanë marrë Arianin duke thënë se ai tash është i tyre.

Ai, thotë më pas se Labinot Hyseni që ishte me ta në makinë, i ka thënë Arianit se tërë atë çka po thua është duke e incizuar në telefon dhe këtë incizim do t’ia japë policisë, por sot e atë ditë nuk e di fatin e atij incizimi, por Labinoti i ka thënë se e ka pasur për ta frikësuar Arianin .

 Ndërkaq, taksisti Adnan Berisha, i cili natën kritike e ka çuar me makinë Fidanin nga qendra e qytetit deri te varrezat e vjetra ” Kakariqi”, i ka thënë trupit gjykues se është e saktë që aty para Hotel Dukagjinit e kam marrë këtë djalë, emrin e të cilit e ka mësuar më vonë dhe e ka dërguar me makinë deri në krye të varrezave Kakariqi. Taksisti ka treguar t’ia ketë dhënë Fidan Shabit një vizitkartë, ku Shabi mund ta thërriste për t’u kthyer në shtëpi.

Taksisti: Fidani ishte i shqetësuar

I pyetur se a ishte i shqetësuar Fidani gjatë rrugës, taksisti Berisha ka thënë se po. I njëjti është pyetur se a është e saktë ajo që ka deklaruar në polici se i ka dërguar më parë një pako cigare Besarta Harxhit në banesën e saj në stacion e ternit.

Ai ka thënë se nga baza më kane thirrur për ta dërguar një pako cigare dhe aty ka dalë një femër e i ka marrë cigaret dhe e ka paguar shërbimin. Nuk e kam ditë se si quhet dhe cila është ajo. I pyetur se a ka vërejtur dikë se i ka përcjell gjatë kohës sa e kishte Fidanin në makinë, Berisha ka mohuar të ketë parë dikë që gjatë rrugës e ka përcjellë.

Edhe në dëshminë e Yll Gllogjanit, shok i shkollës i Arian Llukës, është thënë se Fidan Shabi ka pasur kontakte me telefon me një femër, dy javë para se të zhdukej. Për këtë dëshmitari tha se më ka folur Fidani. Yll Glogjani ka njohur edhe tash të ndjerin Shabi. 

Ai ka përfolur edhe bisedat me një shok tjetër të tyre, Atdhe Shalën, të cilit i ka thënë Fidani se nëse atij nuk i del gjumi, le të shkojë e të takohet me atë femër.

 Në dëshmitë e dëshmitarëve të sotëm para trupit gjykues, pala e akuzuar nuk pati shumë vërejtje, me përjashtim të dëshmisë se Krenar Shalës, të cilën tentuan ta kontestojnë të akuzuarit.

Trupi gjykues për shkak të rrethanave me dëshmitarët të cilët sot nuk u paraqiten në seancën gjyqësore, ka marrë vendim që të njëjtit të sillen para trupit gjykues më anë të policisë.

Babai i Besartës, Sali Kastrati ishte plagosur për vdekje te shtëpia e tij, më 15 mars 2012.

Ndërsa ishte sulmuar edhe disa herë më herët.

Familja e tij insiston se ai ishte nën presionin e grupeve kriminale të lidhura me politikën që kërkonin haraç prej tij.

Pas një muaji në spital, biznesmeni i njohur si Sali Dukati vdiq në komë, në moshën 63 vjeçare.

Disa ditë më vonë, pas disa telefonatave që kishte marrë i ndjeri Fidan Shabi nga Peja, kishte dalë nga shtëpia dhe më nuk ishte kthyer.

Te akuzuarit në fjalë në gjykatë nuk e pranuan fajësinë, ndërsa gjatë fazës se hetimit dhe ne polici kishin pranuar se janë kryes të kësaj vepre.

Besarta Kastrati kishte pohuar se vrasja e Fidan Shabit nuk kishte të bënte me sulmet ndaj babait të saj, por se e kishte vrarë, sepse i ndjeri e kishte dhunuar më parë.

Seanca e ardhshme është shtyrë për 30 shtator, e pritet të vijojë edhe më një e dy tetor.