Mbrohen “Të Tjerët” Në Rastin Muja (TV)

Mbrojtësi Rexhep Hasani, avokati i të akuzuarit Avni Ademaj, tha se vendimi për ndarjen e truallit për shkollën “Gulistan” është marrë nga asambleja komunale, atëherëë kur Avni Ademaj, nuk ka qenë fare në strukturat vendimmarrëse.

Më tutje, Hasani shtoi se kontratën me “Gulistanin” e ka përgatitur shërbimi profesional i komunës, të cilën e ka nënshkruar kryetari Muja në njërën anë dhe drejtori i qendrës edukative “Gulistan” në anën tjetër. Sipas Hasanit, kryetari Muja në çdo fazë të gjykimit e ka mohuar përfshirjen e Ademajt në këtë rast.

Nga trupi gjykues Hasani kërkoi që  në  mungesë të  provave, siç tha ai, klienti i tij të shpallet i pafajshëm.

Fjalën përmbyllëse e dha edhe mbrojtja e Minir Krasniqit, i cili në këtë gjykim po përfaqësohet nga dy avokatë.

Fillimisht foli avokati Pjetër Përgjokaj, i cili para trupit gjykues u mundua të argumentojë për çdo pikë pafajësinë e klientit të tij Minir Krasniqit.

Në fund ai kërkoi që klienti i tij të  lirohet nga akuza, për shkak  të  provave të  pamjaftueshme, siç tha ai.

“Në fjalën përfundimtare që e kemi dhënë gjatë shqyrtimit të sotshëm kemi prezantuar provat në të cilat ne e bazojmë tezën e mbrojtjes për pafajësinë e të akuzumit, të cilin e mbrojmë. Mendoj se ato prova të cilat i kemi theksuar dhe të cilat i kemi analizuar gjatë fjalës përfundimtare, janë prova që shkojnë në favor të të akuzumit dhe po mendojmë se i akuzumi Minir, duhet me u liru nga akuza”, tha avokati Pjetër Përgjokaj.

Në seancën e radhës që do të mbahet më 25 shkurt, fjalën përfundimtare do ta vazhdojë mbrojtësi tjetër i Minir Krasniqit, avokati Bashkim Nevzati dhe të akuzuarit personalisht.