Mbi gjysmë milioni euro për ilaçe ilegale

Gjatë viteve 2011 e 2012, pacientët kosovarë që vuajnë nga diabeti (sheqeri), në trupin e tyre kanë injektuar Insulinë të sjellë pa leje importi. Dyshohet për 120 mijë e 481 të tilla.

Ky është ilaç nga lista esenciale e barnave që blihet nga Ministria e Shëndetësisë (MSh). 

Dyshohet se Ministria ka harxhuar 372 mijë e 286 euro për blerjen e tyre, të cilat pa leje importi, konsiderohen ilegale.

Paralelisht nga muaji maj 2011 deri në mars 2013, dyshohet se pa leje importi janë sjellë në Kosovë edhe 10 mijë e 738 copë Albumin Human 20% 50 ml, në vlerë të përgjithshme monetare prej 212 mijë e 612 euro.

Albumin Human është një ndër përbërësit kryesor të proteinave të gjakut që përdoret në trajtimin e djegieve serioze, cirrozës së mëlçisë dhe shokut hemorragjik që fitohet nga gjaku i pastër i donatorëve. Përdorët në Klinikën e Nefrologjisë.

Sjellja e tyre është kryer nga kompania importuese Asgeto Sh.p.k së cilës të enjten, Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale (AKPM) me vendim i ka pezulluar licencën e operimit.

 Ilir Dushi, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencionit Kosovar për Produkte Medicinale (AKPM) nuk ka pranuar të sqarojë situatën e krijuar. 

“Ju lutem drejtojuni zyrës për informim në MSh”, tha Dushi. MSh-ja e konfirmon pezullimin e licencës kompanisë Asgeto Sh.p.k.

“Lëndën do ta marrë në auditim, Auditori i Brendshëm i MSh-së”, thotë Faik Hoti, zyrtar për komunikim me media në MSh. “Mund të priten shpejt vendime edhe nga ana e MSh-ja lidhur me këtë rast”.

Dyshimet se është kryer import pa leje përkatëse të Insulinave dhe ampulave Albumin Human, kundërshtohet nga drejtuesit e kompanisë Asgeto Sh.p.k, duke konfirmuar pezullimin e licencës.

Zyrtarë të kompanisë Asgeto Sh.p.k thonë se kjo është bërë bazuar në një raport të hartuar nga inspektorët e Inspektoratit Farmaceutik për Produkte Medicinale.

 Ata mohojnë se Asgeto Sh.p.k ka kryer import të ilaçeve në mënyrë të parregullt dhe tash kompania është në diskutim për hapat e mëtejshëm juridik.

 “Kemi bërë ankesë në AKPM dhe MSh ndaj vendimit për pezullim të përkohshëm të licencës”, thonë nga kompania Asgeto Sh.p.k. 

“Për cdo seri të importuar kemi certifikatat e cilësisë nga ana e prodhuesit (Sanofi) dhe letrën e konfirmimit”.


Ilir Dushi, kryeshef i AKPM-së

Çfarë gjetën inspektorët për insulina?

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar raportin e hartuar nga Inspektorati Farmaceutik, dorëzuar ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, Kryeshefit të AKPM-së, Ilir Dushi, Kryeinspektores farmaceutike, Remzie Thaqi, e prokurorisë së Shtetit.

Në raportin e hartuar nga inspektori Basri Rexha shkruan se janë gjetur shpërputhje të dhënash në dokumentet e importit të Insulinës të kryer nga kompania Asgeto Sh.p.k. 

Inspektori në raport deklaron se ka parë dhe krahasuar të dhënat nga Departamenti i Licencimit, Departamentit Farmaceutik të MSh-së dhe të dhënave nga Doganat e Kosovës. 

Në raportin e fundit drejtuar institucioneve nga Inspektorati Farmaceutik, shkruan se kompania importuese Asgeto Sh.p.k, gjatë vitit 2011 e 2012, bazuar në dokumentet doganore ka sjellë Insulinë në vlerë prej 910 mijë e 453 euro.

 Për të njëjtën periudhë kohore në dokumentet e pranimit të MSh-së, të dhënat e gjetura nga inspektorët pasqyrojnë pranimin e Insulinave në vlerë prej 1 milion e 282 mijë e 739 euro. 

Kurse të dhënat e Departamentit të Licencimit tregojnë se leje për import të Insulinave përgjatë të njëjtës kohë, janë dhënë 1 milion e 117 mijë e 683 euro. Diferenca është 372 mijë e 286 euro.

Inspektorët kanë bërë edhe llogaritjen në sasi të Insulinave bazuar në dokumentet doganore, pranimeve të realizuara nga MSh-ja dhe lejeve të importit.

Nga muaji maj 2011 deri në fund të vitit 2012, sipas të gjeturave të inspektorëve, të dhënat doganore tregojnë se kompania Asgeto Sh.p.k ka sjellë 294 mijë e 645 Insulina.

Të dhënat e MSh-së tregojnë se janë pranuar 415 mijë e 126 Insulina, kurse leje për import janë dhënë për 361 mijë e 710 Insulina. Diferenca është 120 mijë e 481 Insulina të cilat dyshohet se janë pa leje importi.

Sasia e 8 serive të produktit që është importuar pa leje importi është 10 mijë e 738 copë e cila kap vlerën e përgjithshme prej 212 mijë e 612 euro. Inspektorati Farmaceutik

Inspektorati: Mbi 10 mijë Albumin Human pa leje importi

Në raportin e inspektimit të Inspektoratit Farmaceutik për Produkte Medicinale lidhur me importin e produktit Albumin Human 20% 50ml, drejtuar institucioneve me 18 mars 2013, përshkruhen në hollësi dyshimet e gjetura.

Inspektimi për importin e kryer nga kompania Asgeto Sh.pk.k të këtij produkti medicinal është kryer për periudhën nga 20 maji 2011 deri 1 mars 2013. 

Në raportin e siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë shkruan se në përgjithësi janë importuar 14 seri, 6 prej të cilave kanë pasur leje importi, kurse 8 të tjera janë importuar dhe vënë në qarkullim pa leje importi.

“Sasia e 8 serive të produktit që është importuar pa leje importi është 10 mijë e 738 copë. 

“Kjo sasi kap vlerën e përgjithshme prej 212 mijë e 612 euro”, shkruan në raportin e inspektimit. 

Tetë seritë pa leje importi dhe gjashtë të tjerat me leje importi, janë blerë nga MSh-ja. 

Në raport shkruan se gjatë vitit 2011, MSh-ja ka pranuar pa leje importi, 200 copë Albumin Human në vlerë 3 mijë e 960 euro. Në vitin 2012, MSh-ja ka pranuar 9 mijë e 738 copë në vlerë 192 mijë e 811 euro e për dy muajte  parë të vitit 2013 ka pranuar 1 mijë copë në vlerë 19 mijë e 800 euro.

Foto: asgeto.com

Raportet e Asgeto-s me të dhëna të tjera 

Drejtues të kompanisë Asgeto Sh.p.k kundërshtojnë të gjeturat e Inspektoratit Farmaceutik.

Të kontaktuar para se AKPM-ja të marrë vendimin për pezullimin e licencës së veprimtarisë, ata thanë se janë ftuar nga institucionet përkatëse si AKPM-ja e Ministria e Shëndetësisë për të dhënë shpjegime lidhur me raportin e Inspektoratit.

Zyrtarë të kompanisë paraqesin listën e hyrjeve dhe daljeve sasiore të produktit Insulinë Human dhe Albumin Human për vitin 2011 dhe 2012. 

Të dhënat janë të bazuara sipas faturave dhe lejeve të importit nga AKPM-ja, të proceduara përmes doganave të Kosovës.

“Të njëjtat seri/sasi korrespondojnë me sasitë/seritë e pranuara nga Ministria e Shëndetësisë”, thonë nga kompania Asgeto Sh.p.k. Ata nuk japin shifra financiare të produkteve të sjella për llogari të MSh-së me arsyetimin e ndryshimit të çmimit në treg.

“Vlera në euro ndryshon sepse kemi të bëjmë me produkt që ndodhet edhe në bursë. Si ndryshon bursa, ndryshon edhe çmimi”.

Bazuar në raportet e kompanisë Asgeto Sh.p.k, dërguar Gazetës Jeta në Kosovë, gjatë vitit 2011, MSh-ja ka pranuar 153 mijë e 500 copë Insulinë. Kurse për vitin 2012 është 246 mijë e 877 copë. 

Sa i përket produktit farmaceutik Albumin Human, dokumentet e prezantuara nga kompania Asgeto Sh.p.k, shfaqin të dhëna sipas të cilave MSh-ja për vitin 2012 ka blerë 16 mijë e 936 copë.   

Kurse për vitin 2011, MSh-ja ka pranuar 12 mijë e 500 copë. 

Inspektorati është duke hetuar edhe lidhur me disa seri Albumin Human që dyshohet se janë futur në Kosovë pa leje importi. Faik Hoti

Suspendohet inspektori 

Zyrtarë të MSh-së kanë konfirmuar për Gazetën jeta në Kosovë se përveç rastit të Insulinave, hetimet kanë nisur edhe për mënyrën e  importit të produktit medicinal, Albumun Human. 

“Inspektorati është duke hetuar edhe lidhur me disa seri Albumin Human që dyshohet se janë futur në Kosovë pa leje importi”, thotë Faik Hoti, zyrtar i lartë për media në MSh.

Paralelisht me hetimet në lidhje me këto dy raste, edhe inspektori Basri Rexha që është marrë me inspektimin e këtyre rasteve, të martën, me 19 mars, është suspenduar nga puna.

Rexha konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë suspendimin nga detyra, por nuk pranoi të japë shpjegime për arsyen marrjes së kësaj mase ndaj tij.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar propozimin për pezullim nga vendi i punës të inspektorit Basri Rexha nënshkruar nga Kryeinspektorja e Inspektoratit Farmaceutik për Produkte Medicinale, Remzie Thaqi. 

Në arsyetimin e saj, Thaqi thotë se inspektori Rexha e ka kërcënuar dhe ofenduar dy herë, duke shkelur normat etike të Kodit të Shërbyesit Civil. 

“Andaj propozojmë që të pezullohet nga vendi i punës për shkelje të rëndë”, shkruan në propozimin e Remzie Thaqit, drejtuar Ilir Dushit, Kryeshef Ekzekutiv i AKPM-së. 

Të njëjtën ditë, Dushi ka marr vendim që inspektori Basri Rexha të pezullohet me pagesë nga puna në afat prej tre muajsh, në pritje të një hetimi. 

Ne kemi punë me Asgeto-n, nuk na interesojnë punët e kompanive ndërmjet vete. Ilir Dushi

“…Pezullim i cili është propozuar nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë”, shkruan në vendimin e Kryeshefit Ekzekutiv të AKPM-së të siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë. 

Inspektimet e zgjeruara të importit të Insulinës, të pasuara tash edhe me hetimet për importin e Albumin Humana, kanë nisur pas rastit kur muaj më parë u gjet se 2 mijë Insulina kanë hyrë me banderola të Serbisë. 

Me 11 shkurt 2012,  Dushi  pati thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se “lejen e importit, kompania Asgeto Sh.p.k e ka marrë për një numër tjetër serik (të Insulinës), e ata pa njoftuar  kanë sjellë produkt  me tjetër numër serik”.

“Për ne kanë kryer një lloj vepre të kundërligjshme për të cilën do të ndëshkohen”, kishte thënë Dushi. “Ne kemi punë me ‘Asgeto-n’, nuk na interesojnë punët e kompanive ndërmjet vete”, kishte thënë Dushi. 

Në deklaratën e deponuar nga  kompania Asgeto Sh.p.k në Ministrinë e Shëndetësisë e në AKPM, ata e kishin mohuar se kanë lidhje me insulinat e importuara me banderolë të Serbisë. 

“…Kjo nuk ka të bëjë fare me importin e të njëjtit produkt që ne e kemi importuar përmes AKPM-së sipas lejeve përkatëse të importit të lëshuar nga vetë AKPM”, shkruan në deklaratën e “Asgeto-s”.

Kompania Sanofi me depon qendrore në Budapest (Hungari) që është shpërndarës kryesor për të gjitha vendet e Evropës Juglindore të këtij ilaçi që prodhohet në Frankfurt (Gjermani) kishte konfirmuar gabimin për institucionet e Kosovës.

“Për shkak të ngutisë për furnizim dhe kohës së shkurtër për të përmbushur kërkesën e MSH-së, kemi dërguar një numër të vogël të pakove (2 mijë) që ishin të dedikuara për tregun e Serbisë e me banderola  të Serbisë”, shkruante në deklaratën e kompanisë “Sanofi”.