Mbi 61% e të dënuarve për terrorizëm nuk u aftësuan në burgjet e Kosovës

Kushtetuta dhe ligjet në Kosovë promovojnë një sistem sipas të cilit personat e dënuar të cilët e vuajnë burgun, do të duhej të ndiqnin programe të cilat i bëjnë të aftë për të filluar një jetë të re.

Ky sistem do të duhej të garantonte që të burgosurit të mund të ndiqnin shkollim dhe aftësim profesional gjatë kohës kur ata qëndrojnë në vuajtje të dënimit. 

Nga viti 2014, në burgjet e vendit u mbajtën një numër i madh i të dënuarve për terrorizëm. Për të njëjtit në atë kohë u premtua se do të ndiqnin programe të risocializimit dhe ri-integrimti, të cilat do të mund të garantonin që në momentin kur ata të lirohen, të jenë të gatshëm të nisin një jetë të re. 

Të dhënat e siguruara nga Shërbimi Korrektues i Kosovës tregojnë se 61% e të dënuarve janë liruar nga burgu pa qënë pjesë e programeve të aftësimit profesional. 

Në statistika tregohet se vetëm 28 të dënuar për vepra të terrorizmit kanë ndjekur kurse brenda burgjeve ndërsa 44 të tjerë nuk kanë ndjekur asnjë program.

“Kjo tregon se programi brenda burgjeve ka pasur mangësi të mëdha, që prej mënyrës se qysh është dizajnuar në fillim e deri te mënyra se qysh janë matur rezultatet përfundimtare”, thotë Kreshnik Gashi, ekspert i fushës. 

Sipas Gashit, procesi do të duhej të kishte një qasje më serioze, e cila do t’i motivonte të dënuarit që të ndiqnin programet e aftësimit profesional.

“Do të duhej që gjykata në momentin e shqiptimit të dënimit të caktonte edhe obligimin që të dënuarit të aftësoheshin profesionalisht dhe kjo të mbikqyrej tutje”, thotë Gashi.

Këshilltari i ministrit të Brendëshëm, Ferdinand Nikolla thotë se qasja tek këto programe ka qenë e vështirë pasi disa nga të dënuarit nuk kanë pranuar të përfshihen në programet e ShKK-së 

Ka njerëz të caktuar të përfshirë edhe këta që janë në burgje, të cilët thonë që unë nuk du mu marrë me ty hiç, e kryej dënimin 5 vjet do të rri në burg, nuk du me mësu as elektricist as ujësjellës as kurrgjë. Nuk mundesh me ua imponu duhet me pas shumë kujdes është kompleks sepse secila prej tyre është natyrë individuale”, thotë Nikolla.

Nikolla shton tutje se në strategjinë e re kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, pritet që të rishikohen edhe programet e reja të aftësimit. 

Sfidat e Shërbimit Sprovues, i cili funksionon në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës, i pranon edhe ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së këtij shërbimi, Metije Ademi. 

“Sfidat kryesore të Shërbimi Sprovues janë programet rehabilituese dhe numri i kufizuar i zyrtarëve sprovues për tu marrë me këtë kategori”, thotë Ademi për KALLXO.com. 

Ajo tutje shton edhe se përveç programeve në të cilat nuk marrin pjesë të dënuarit për terrorizëm, problem ka edhe në specializimin e stafit të Shërbimit Sprovues për të trajtuar fenomene të tilla. 

“Veprat e kësaj natyre kërkojnë qasje profesionale dhe shkathtësi për të ofruar ndihmë dhe mbështetje në largimin e tyre nga këto vepra dhe risocializim të plotë në shoqëri”, vazhdoi Ademi për KALLXO.com. 

Problemet e ngjashme i përmendi edhe Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ndërsa shtoi se Shërbimi Sprovues i Kosovës nuk është mbështetur si duhet. 

“Problemi i asaj se çka i ofrohet të burgosurve në këtë kategori është ndoshta i ngjashëm me të burgosurit në përgjithësi. Ky shërbim (Shërbimi Sprovues i Kosovës) është mjaft i pa mbështetur nga ana e institucioneve, në të kaluarën nuk ka qenë institucion që është trajtuar në mënyrën e duhur dhe kjo ka ndikuar që në shumë fusha të ketë edhe recidivizëm mbase edhe fenomeni që po e trajtojmë mundet me u ballafaqu me sfida të njëjta”, thotë Vrajolli tutje.

Nga të dhënat që ka pranuar KALLXO.com, nga Shërbimi Korrektues i Kosovës rezulton se ka të dënuar dhe të liruar që janë dënuar për terrorizëm që kanë qenë pjesë e trajnimeve të ndryshme profesionale gjatë vuajtjes së dënimit. 

Në anën tjetër janë 28 persona të dënuar për vepra që ndërlidhen me terrorizëm disa prej tyre edhe që janë liruar gjatë viteve të fundit të cilët kanë marrë pjesë në trajnime të ndryshme apo edhe në zhvllim të kapaciteteve profesionale të tyre. 

Shërbimi Korrektues i Kosovës brenda burgjeve ku vuajnë dënimin të dënuarit për vepra të ndryshme penale edhe ata për terrorizëm aplikojnë edhe mundësine e aftësimit profesional përmes veprimtarive të ndryshme sic janë, dega e pemtarisë, e agro- punëtorisë, dega e blegtorisë, dega e mirëmbajtjes dhe ambientit, ndërsa të burgosurit mund të ndjekin edhe programet që kanë të bëjnë me teknologjinë dhe informacionin, instalimin e ujit dhe kanalizimit, axhustator, saldues, zdrukthtari si dhe ndërtimtari. 

KALLXO.com disa herë ka raportuar për sfidat që kanë hasur institucionet në Kosovë për rehabilitim dhe ri-integrim të personave që kanë qenë pjesë e konfliktit në Siri e Irak dhe të njëjtit janë rikthyer në Kosovë. 

Kosovarët që janë rikthyer nga viti 2019 e tutje, të gjithë janë pjesë e programeve që aplikohen nga institucione të ndryshme në Kosovë. 

Ata që janë rikthyer para vitit 2019 janë kategoria që nuk hyn në programet e institucioneve të Kosovës për ri-integrim apo risocializim. 

Ditë më parë, Departamenti i Shtetit ka publikuar raportin e vlerësimit të luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit nga disa shtete të ndryshme të botës. 

Në këtë raport Kosova renditet si vend që është duke i luftuar këto dukuri por theksohen edhe problemet me të cilat po ballafaqohen. 

Edhe në këtë dokument është theksuar mungesa e fondeve dhe kapaciteteve të institucioneve të Kosovës për të luftuar fenomenet si ekstremizmi i dhunshëm dhe terrorizmi. 

Më shumë se 400 kosovarë kanë marrë pjesë në zonat e luftës në Siri e Irak. 

Dhjetëra prej tyre janë rikthyer në Kosovë, disa me vetëdëshirë e disa të tjerë në mënyrë të organizuar nga shteti në vitin 2019 dhe në mes të këtij viti. 

Shumë prej tyre ende janë duke u përballur me ligjin për shkak të pjesmarrjes në konfliktet në Siri e Irak e që është e sanksionuar me ligj.