Ilustrimi: BIRN

Masat e reja fiskale për t'u përballur me pasojat e COVID-19

Numri i rasteve të COVID-19 po rritet shpejt në të gjithë botën. Për të parandaluar përhapjen e virusit pandemik, vendet po vendosin masa të pashembullta, siç janë kufizimet për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, dhe po mbyllin pjesë të mëdha të ekonomisë.

Aktiviteti ekonomik ka rënë ndjeshëm në shumë shtete i shoqëruar me pasiguri. COVID-19 do të ndikojë në jetën e shumë njerëzve nëpër botë dhe shtetet në mbarë botën po ndërmarrin veprime të shumanshme për të mbështetur qytetarët e tyre, bizneset dhe sigurimin e shërbimeve publike jetike.

Hartuesit e politikave fiskale po tentojnë të reagojnë shpejt për të siguruar mbështetje për familjet dhe për të përmirësuar fluksin e parave për bizneset me fokus mbajtjen gjallë të kapaciteteve të prodhimit dhe shpërndarjes së të ardhurave përmes buxhetit gjatë gjithë kësaj krize, në mënyrë që ekonomia të jetë e gatshme të rikthehet pasi të ketë kaluar më e keqja e COVID-19.

Për shkak të urgjencës nga goditja e shpejtë nga COVID-19, masat e shteteve janë të natyrës kryesisht të administrimit afatshkurtër të tatimeve dhe jo shumë të natyrës së ndryshimeve përmes masave afatgjata të politikës tatimore, të cilat më vonë do jenë të pashmangshme.

Vetëm pas vënies së COVID-19 nën kontroll do të dihen efektet që do të ketë në ekonomi. Ajo që dihet sot është se shtetet do të duhet t’i rivlerësojnë strategjitë e tyre fiskale afatmesme dhe afatgjata për të arritur një ekuilibër midis stimulimit fiskal dhe konsolidimit fiskal në prespektiven e ardhshme kohore, duke iu përshtatur një realiteti të ri që për fat të keq është akoma i panjohur. Por, është e njohur se politika fiskale do të luan një rol të rëndësishëm në rindërtimin e ekonomive.

OECD, FMN, Banka Botërore dhe institucione të tjera financiare ndërkombëtare do të kenë  rolin kryesor për të ndihmuar shtetet në të gjithë botën.

Ajo që shtetet tani janë të fokusuara është aplikimi sa më i madh i lehtësirave fiskale si një mënyrë për të minimizuar ndikimin negativ ekonomik nga COVID-19. Në këtë kuadër masat më urgjente, shtetet kanë konsideruar (dhe miratuar):

Masa për të përmirësuar fluksin e parave të biznesit, të cilat mund të ndahen në vijim: masat e administrimit tatimor –zgjatja e afatit të pagesave tatimore dhe raportimit; masa e politikës tatimore; masat jo-tatimore; dhe masa mbështetëse të synuara në sektorë të veçantë, të tilla si turizmi, transporti dhe linjat ajrore.

Masa për të përmirësuar fluksin e parave të familjeve, të cilat përfshijnë si më poshtë: masat tatimore; transferimi i parave dhe përfitimet; dhe masat jo-tatimore.

Si dhe kemi masa për të mbështetur konsumin apo investimet, masa për stimulimin e punësimit, si dhe masa për të mbështetur sektorin e shëndetësisë.

Qeveria e Kosovës, fillimisht ka vendos që dorëzimi i pasqyrave financiare të shtyhet deri më 30 Qershor 2020. Përveç kësaj, Qeveria ka miratuar edhe Pakon Fiskale Emergjente dhe planin për zbatimin e kësaj pako.

Masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës janë për tu përshëndetur dhe me siguri do të ndikojnë në zvogëlimin e efekteve negative të COVID-19 në familjet dhe bizneset kosovare.

Megjithatë, Kosova duhet sa ma shpejtë që është e mundur të zgjeroj spektrin e lehtësirave fiskale jo vetëm të karakterit të administrimit të tatimeve por të ndërmerren edhe masa të reja të politikës fiskale ashtuqë në lehtësira të përkohshme të përfshihen edhe elementet tjera bazike subjektive dhe objektive të tatimeve.

Niveli i lehtësirave të përkohshme në ngarkesën fiskale duhet të jetë i sinkronizuar me nivelin e humbjeve që do të shkaktohen në biznese nga COVID-19.

Ndër masat lehtësuese tatimore që do të duhej të aplikoheshin janë;

Punëdhënësit që përdorin një grant të dhënë për të mbështetur ruajtjen e vendit të punës të përjashtohen nga pagesa e kontributeve mbi pagat neto të mbështetura.

Tatimpaguesit me aktivitete afariste që kanë pushuar aktivitetet, janë të paafta ose të penguara në mënyrë të konsiderueshme nga COVID-19, të lirohen plotësisht nga pagesa e detyrimeve të tyre tatimore në prill, maj dhe qershor 2020.

Ulja e normës tatimore te Tatimi në të Ardhura të Korporatave nga 10% në 5% për të gjitha subjektet tatimore për muajin prill, maj dhe qershor.

Heqja e normave tatimore prej 4% dhe 8% te tatimi në të ardhura personale dhe aplikimi vetëm i normës tatimore prej 10%, pra vetëm për ata të cilët realizojnë të ardhura personale në shumën mbi 5,400 euro në vit për muajin prill, maj, qershor dhe korrik të vitit 2020. Kjo masë do bënte të mundur në mënyrë direkte rritjen e aftësisë blerëse të një pjesë të madhe të qytetarëve që realizojnë të ardhura më pak se 5,400 euro në vit.

– Lirimi nga dogana, akciza kufitare dhe TVSH-ja kufitare e çdo produkti apo malli që është në funksion direkt apo indirekt në lehtësimin e dëmeve të shkaktuara nga pandemia deri me 30 Qershor të vitit 2020.

Masat e lartpërmendura do mundësojnë që t’i jepet stimulues kapaciteteve gjeneruese të afarizmit dhe shpërndarjes së të ardhurave përmes buxhetit të shtetit.

Zgjerimi i lehtësirave fiskale përmes së cilave do të prekeshin tatimet ekzistuese, respektivisht çdo elementet subjektiv dhe objektiv i tatimeve si baza tatimore, normat tatimore, subjektet tatimore duhet të bëhet përmes ligjeve nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe asesi me vendime të Qeverisë apo akte tjera nënligjore nga ana e ndonjë ministrie. Asnjë dispozitë dhe më saktë asnjë shkronjë e ligjeve ekzistuese tatimore nuk mund të ndryshohet apo plotësohet përveç se me ligj nga ana e Kuvendit.

Parimi i përcaktueshmëria së tatimeve me ligj është i vjetër me shekuj dhe buron nga Magna Carta Libertatum e vitit 1215 (Karta e Madhe mbi Liritë). Duke qenë se tatimet janë obligime të përgjithshme për të gjithë qytetarët e shtetit dhe paguhen në interes të përgjithshëm edhe caktimi, ndryshimi dhe plotësimi duhet të bëhet nga organi përfaqësues i popullit – Kuvendit me ligje.

Parimi fundamental i së drejtës tatimore nullum tributum sine lege i cili thotë se shteti nuk mund të caktoj apo ndryshoj tatime nëse nuk i parasheh me ligj respektohet me përpikëri në të gjitha shtetet pa dallim për të evituar arbitraritetin e organeve ekzekutive në caktimin dhe menaxhimin e të ardhurave publike.

Autori është Profesor i Rregullt në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, bashkëpunëtor i përhershëm në Byronë Ndërkombëtare të Dokumentacionit Fiskal- Amsterdam, dhe anëtar i rregullt në Asociacionin Europian të profesorëve të së Drejtës Tatimore -Amsterdam.