Marrja në Pyetje Që Shqetësoi Gazetarët

Hedhja e dyshimit nga ana e policisë mbi gazetarin Visar Duriqi, pas publikimit të shkrimit “Zëvëndësguvernatorin e Kosovës e shantazhojnë me një video porno”, publikuar në  portalin e Gazetës Express, ka nxitur reagimin e gazetarëve dhe anëtarëve të shoqërisë civile.

Avokati Arianit Koci që mbron Duriqin në këtë rast, pohoi se prokurorja ka marrë në pyetje gazetarin nën dyshimin për kryerje të veprës penale: fotografim dhe incizim i paautorizuar.

Të panevojshme dhe të çuditshme e ka quajtur ish kryeredaktori i Zërit, Astrit Gashi, marrjen në pyetje të Duriqit në orët e vona të mbrëmjes së ditës së enjte.

“Veprimtaria e gazetarit është krejtësisht publike, ai i transmeton ato informata që i posedon, dhe si e tillë duket pak si e pamundur që të jetë diçka e dyshimtë aty”, tha Gashi.

Ai mendon se është krejtësisht çështje e redaksisë, të vendosë se si do të bëjë me një shkrim – ta botojë ose jo.

“Nuk është çështje e interpretimit tim, ose e policisë, ose e dikujt tjetër”, tha Gashi.

Vehbi Kajtazi, gazetar në Kohën Ditore, e vlerëson si shqetësues reagimin e menjëhershëm të autoriteteve policore.

“Shqetësues e shoh faktin se si mund të thirret një gazetar në orën 23 të natës dhe të provohet të merret në pyetje pa vendim gjykate, ose urdhër nga prokurori”, tha Kajtazi.

Nisja e hetimeve ndaj gazetarit Duriqi shihet si qesharake nga Kajtazi.

“Prokuroria nxjerr vendim për hetimin e gazetarit për vepër penale të incizimit ose filmimit të paautorizuar. Në të njëjtën kohë, zëvendësguvernatori Ismajli deklaron se nuk është ai në video. Nëse nuk është ai, kënd e paska incizuar gazetari në mënyrë të paligjshme. Pra, kemi të bëjmë me situata qesharake”, tha Kajtazi.

Sipas tij, në vend të hetimit të autorit të artikullit, autoritetet duhet të hetojnë se kush është duke e shantazhuar zvëvendësguvernatorin.

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës ende nuk ka reaguar. Liridona Lluka-Gashi tha se gjatë ditës AGPK-ja do të reagojë nëpërnjet një komunikate për media.

Fisnik Korenica, drejtor ekzekutiv i Grupit për Studime Juridike dhe Politike, e sheh si të panevojshëm veprimin e Policisë së Kosovës për intervistimet e gazetarëve.

Sipas tij Policia e Kosovës nuk duhet të kufizojë lirinë e medias për të raportuar, pasi kjo sipas tij përben një imazh të keq për Kosovën në arendën ndërkombëtare.

“Policia e Kosovës nuk duhet të shfrytëzojë taktikat e tilla të frikësimit të gazetarëve, sepse liria e shprehjes dhe e mediave është e garantuar me kushtetutë. Policia duhet ta ketë të qartë që nuk janë gazetarët ata me të cilët duhet të merret, por është korrupsioni dhe krimi i organizuar ai i cili e ka kapluar shoqërinë tonë”, tha Korenica.

Marrja në pyetje

Artikulli në fjalë bashkë me një fotografi të videos ky fytyrat e personazheve ishin bërë të padukshme, është publikuar të enjten në orën 18 e 14 minuta, ndërsa sipas Visar Duriqit policia e intervistuan atë në orën 23:00.

Në shkrimin “Zëvëndësguvernatorin e Kosovës e shantazhojnë me një video porno”, ishte publikuar edhe deklarata e zëvendësguvernatorit dhënë Gazetës Express.

“Nuk jam unë në atë video. Videoja u është dërguar edhe familjarëve të mi të ngushtë, por kjo që po ndodh është shantazh ndaj meje”, citon gazeta zëvendësguvernatorin.

Disa ditë më herët Gazeta Express, kishte publikuar një artikull për keqpërdorimin e kredit kartelës së zëvendësguvernatorit, ku ai siç thotë gazeta, pretendonte se kartela e tij po keqpërdorej për të blerë video pornografike online.

Sipas Brahim Sadrisë, zyrtar për informim, gazetari nuk është thirrur në orën 23, por ai është thirrur në orën 21, ndërsa intervistimi është dashur të bëhej në orën 23.

Policia ka reaguar edhe me një komunikatë për media lidhur me rastin e gazetarit Visar Duriqi.

Në reagim thuhet që policia e ka iniciuar rastin dhe e ka intervistuar Duriqin pas nje ankese që është bërë, por  nuk ka treguar se nga kush është bërë ankesa.

“Gjatë kryerjes së detyrave policore, policia ka autorizim të ushtrojë kontroll të arsyeshëm mbi njerëzit në kuadër të kompetencave dhe autorizimeve të saj, së këndejmi ka rastisur që i përfshirë në rastin në fjalë të jetë gazetari i përmendur në shkrim, i cili në stacionin policor brenda suazave ligjore me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ftuar për sqarim, pas denoncimit që është bërë ndaj tij nga ana e ankuesit më datë 21.11.2013 në orën 20:40”, thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës.

Sipas kësaj, del se policia vetëm 20 minuta pas denoncimit ka thirrur menjëherë Duriqin, ndaj të cilit është bërë ankesa.

Të premten me urdhër të prokurores Fatmire Cacaj, gazetari Duriqi është marrë në pyetje.

Me gazetarin në intervistim ka shkuar edhe avokati i tij Arianit Koci.

Avokati Koci pohoi se Duriqi është marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit për fotografim dhe incizim të paautorizuar.

“Sipas urdhrit të prokurorit, gazetari Duriqi sot është thirrur në cilësinë e të dyshuarit për kinse kryerjen e veprës penale fotografim dhe incizim i paautorizuar. Mendoj se ky është një absurd juridik dhe të gjithë e dinë se Duriqi nuk e ka fotografuar dhe nuk e ka incizuar personin e dëmtuar, prandaj për mua është e pakuptueshme “, i tha Koci Zërit.

Gazeta Jeta në Kosovë provoi të kontaktojë me prokuroren Cacaj dhe zëvendësguvernatorin Ismajli, por ata ende nuk kanë dhënë një përgjigje lidhur me këtë rast.

Kryeredaktori i Expres-it tregon arsyet e botimit të artikullit

Leonard Kerquki, kryeredaktor i Gazetës Express, në një reagim në emër të redaksisë, shpjegoi se pse është marrë vendimi për publikimin e artikullit.

Kerquki shkroi se Gazeta Express ka raportuar mbrëmë për një rast shantazhi ndaj zëvendësguvernatorit Lulzim Ismajli, rast të cilin i njëjti e ka paraqitur në polici.

“Bëhet fjalë për një video pornografike të hedhur në sajte të dedikuara me përmbajtje të tilla, e ku shihej një çift duke bërë seks. Videoja titullohej ‘Lulzim Ismajli’”, shkroi Kerquki.

“Duke qenë se bëhej fjalë për një rast shantazhi ndaj një zyrtari të lartë shtetëror, i zgjedhur nga Parlamenti i Kosovës, ne vendosëm të shkruajmë për të. I telefonuam z. Ismajlit dhe ai na konfirmoi se ndihet i shantazhuar dhe se rastin e ka lajmëruar në polici”, tregoi Kerquki. 

“Në këtë situatë ne vendosëm ta publikojmë shkrimin. Por, nuk publikuam foto të z. Ismajli në shenjë respekti, sigurisht videon jo se jo dhe mbi të gjitha në asnjë rrethanë dhe në asnjë rresht të shkrimit nuk thamë apo nuk aluduam se videoja mund të jetë e vërtetë”, shtoi kryeredaktori i Gazetës Express.