Marrëveshje për “Pikat e Kalimit”

Pas bisedimeve treditëshe, në Bruksel është arritur marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Me marrëveshjen e arritur, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët marrin përsipër të krijojnë kalime të përbashkëta, të integruara, të vetme dhe të sigurta, gradualisht, sa më shpejt që është e mundshme në praktikë.

Por në komunikatën e lëshuar sonte lidhur me marrëveshjen, nga Bashkimi Evropian, pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë quhen “pika të kalimit” (Crossing Points), duke i ikur emërtimit “kufi”. Ndërkohë shkurtesa e marrëveshjes ka mbetur me shkurtesën IBM  (nga anglishtja: Integrimi i Menaxhuar i Kufirit).

“Duke e marrë parasysh faktin se palëve do t’iu kërkohet që gradualisht të harmonizojnë legjislacionin me atë të BE-së, palët arritën marrëveshje për konceptin e BE-së për menaxhimin e integruar të pikëkalimeve (IBM)”, thuhet në komunikatën për media.

“Kjo do të thotë që të palët gradualisht do të krijojnë kalime të përbashkëta, të integruara, të vetme dhe të sigurta tek të gjitha pikëkalimet e përbashkëta. EULEX do të jetë aty në bazë të mandatit të vet. Koncepti IMB do të implementohet gradualisht sa më shpejt që është e mundshme në praktikë”, thuhet më tutje në njoftim.

Takimi i tetë i dialogut të paraparë me Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është mbajtur nën ndërmjetësimin e BE-s më 30 nëntor, 1 dhe 2 dhjetor në Bruksel.

Sipas BE-së, palët kanë pasur diskutime substanciale në çështjen e bashkëpunimit rajonal efektiv dhe inkluziv, për çka është arritur një progres i mirë. Palët do t’i kthehen kësaj çështjeje në takimin radhës.
 
Shefja e delegacionit kosovar në bisedime, zëvendësministrja Edita Tahiri, ka thënë se pas bisedimeve treditëshe, në Bruksel është arritur marrëveshja në parim për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Tahiri deklaroi për RTK-në se kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet nga që të dy palët, por edhe nga ana e lehtësuesit në këto bisedime, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian. 

Më herët në mbrëmje, shefi i ekipit negociator të Beogradit, Borko Stefanoviq i tha TV B92 se bisedimet ende vazhdojnë, se janë të vështira dhe se kurrfarë zgjidhje ende nuk është arritur. “Në këtë moment ende nuk është arritur, por po punohet mundimshëm për gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes së pranueshme për të dy palët”, ka thënë ai.