Manipulimet me çmimet nëpër tenderët për servisim të veturave

Komuna e Gjakovës dhe Komuna e Dragashit kanë nënshkruar kontratë të ngjashme për servisim dhe mirëmbajtje të automjeteve të komunës.

Por edhe pse kontrata është nënshkruar për shërbime të njëjta, kompanitë e shpërblyera me kontratë kanë ofruar çmime me dallim të madh për servisim, riparim, ngjyrosje dhe pjesë rezervë të veturave.

Madje, çmimet e kontraktuara nga këto komuna janë shumë të ndryshëm me çmimet reale në treg. Ka çmime që janë shumë më të ulta se sa çmimet e tregut, por edhe shërbime e pjesë shumë më shtrenjtë se sa çmimi në tregun real.

Bazuar në analizën e çmimeve del që për pjesët që kanë nevojë për ndërrim, operatorët ekonomik kanë ofruar çmime minimale. Kurse, për çmimet e shërbimeve dhe pjesëve që duhet të servisohen rregullisht, çmimet janë shumë të shtrenjta se sa vlera reale në treg.

Një servisim komplet i veturës ku përfshihen: vaji i motorit, filteri i vajit, filteri i naftës/benzinës, filteri i ajrit, filteri i klimës dhe puna e dorës për veturat e Komunës së Gjakovës kryhet në çmim prej 200 deri në 220 euro, varësi të veturës. Kurse, Komuna e Dragashit paguan për të njëjtin shërbim prej 80 deri në 150 euro. Dallimi në çmim i këtij servisimi mes këtyre dy komunave shkon mbi 70 euro.

Të dy komunat paguajnë më shumë për servisim të veturave në krahasim me çmimin e tregut. Gazeta JnK ka hulumtuar edhe tregun për të parë se me cilin çmim kryhet ky servis i veturave dhe ka gjetur se ky çmim sillet nga 50 deri në 85 euro.

Komuna e Gjakovës ka nënshkruar kontratë dy vjeçare për servisim dhe mirëmbajtje të automjeteve për 24 vetura të Komunës dhe 8 vetura të QKMF-së. Kjo kontratë është nënshkruar me kompaninë DPZ “Auto Ford”, më 10 janar 2018 dhe skadon më 10 janar 2020.

Ky tender në total i ka kushtuar Komunës së Gjakovës 42,825.94 euro dhe është i ndarë në dy pjesë, Lot 1 – Servisimi dhe mirëmbajtja e automjeteve të Komunës në shumë prej 31,994.81 euro dhe Lot 2 – Servisimi dhe mirëmbajtja e automjeteve të QKMF-së në shumë prej 10,831.13 euro.

Ndërsa Komuna e Dragashit ka nënshkruar kontratë për servisim të 30 veturave të kësaj komune më 11 tetor të këtij viti me kompaninë “B.I – Bellobrad”. Kjo kontratë skadon në tetor të vitit 2021, me një çmim total prej 40 mijë euro.

Përveç dallimit në çmim sa i përket servisimit, dallim mes këtyre dy kontratave ka edhe te mirëmbajtja dhe pjesët rezervë.

Një litër antifriz është kontraktuar për 10 euro nga Komuna e Gjakovës, kurse për 3 dhe 4 euro nga Komuna e Dragashit. Çmimi i kontraktuar nga Komuna e Dragashit është më afër çmimit të tregut, i cili për një litër antifriz sillet nga 3 deri në 6 euro. Pra çmimi për një litër antifriz është kontraktuar mbi katër euro më shtrenjtë në Komunën e Gjakovës se sa çmimi i tregut.

Kompania DPZ “Auto Ford”, që është shpërblyer me tender nga Komuna e Gjakovës ka ofruar çmime nominale për shumë pjesë të veturës. Duke iu referuar listës me çmime, rrotat e një veture të Komunës së Gjakovës mund të pajisen me fellne të aluminit për 40 centë, pra një fellne kushton 10 centë. Çmimi i njëjtë është ofruar edhe për fellnet metalike, 10 centë një fellne.

Kurse kompania e kontraktuar nga Komuna e Dragashit ka ofruar një çmim prej dhe 2 dhe 20 euro për fellnet e aluminit kurse 20 dhe 50 euro për fellnet metalike.

Çmimet e kontraktuara nga dy komunat janë shumë më të ulëta se sa çmimi i tregut. Një fellne e alumini në treg vendoset me një çmim prej 40 deri në 80 euro, kurse një fellne metalike mund të vendoset prej 10 deri në 30 euro.

Çmim nën atë të tregut është kontraktuar nga Komuna e Gjakovës edhe për vajin e frenave, vaj hidraulikun, gypin e frenave dhe sponën qendrore.

Përderisa të gjitha këto shërbime një veture të Komunës së Gjakovës mund t’i kushtojë 40 centë në total, duke llogaritur secilën në një çmim prej 10 centë, në Dragash çmimi i tyre në total është 24 dhe 29 euro. Kompania “B.I – Bellobrad” është shpallur fituese me këto çmime të ofruara, vaj i frenave – 5 euro, vaj hidrauliku – 2 dhe 7 euro, gyp i frenave – 15 euro dhe spona qendrore – 2 euro.

Secila nga këto pjesë në treg mund të gjenden më shtrenjtë se sa janë ofruar nga kompanitë fituese për Komunën e Gjakovës dhe atë të Dragashit. Një qytetar në treg mund të blej vajin e frenave prej 5 deri në 8 euro, vaj hidraulikun prej 5 deri në 16 euro, gypin e frenave –për 15 euro dhe sponën qendrore prej 8 deri në 18 euro.

Komuna e Gjakovës blen më shtrenjtë kapakun e kantës së ujit se sa kantën e ujit për një veturë të saj. Kjo komunë ka kontraktuar kompaninë e cila ka ofruar çmimin e kantës së ujit prej 1 euro kurse kapakun e kantës së ujit për 9 euro.

E kundërta ka ndodhur te Komuna e Dragashit. Komuna e Dragashit ka kontraktuar çmimin prej 10 euro për kantën e ujit dhe 2 euro për kapakun e kantës së ujit.

Çmimet e ofruara nga këto kompani janë shumë të ulëta në krahasim me gjendjen reale në treg, ku një kantë e ujit mund të blihet për 18 deri në 48 euro kurse kapaku i saj prej 6 deri në 13 euro.

Përveç që ka dallime në çmime mes tenderëve të dy komunave, ka dallime edhe te produktet e njëjta të ofruara nga e njëjta kompani në dy llotet e tenderit të Komunës së Gjakovës.

Në Lotin 1 –  Servisimi dhe mirëmbajtja e automjeteve të Komunës, e cila është fituar nga kompania DPZ “Auto Ford”, goma e verës kushton 60 euro kurse goma e dimrit 70 euro. E njëjta kompani, DPZ “Auto Ford” në Lot 2 – Servisimi dhe mirëmbajtja e automjeteve të QKMF-së ka ofruar goma vere në vlerë 80 euro kurse goma dimri në çmim prej 70 euro.

Komisioni Rregullativ i Prokurimit ka miratuar një rregull për çmimet jo-normalisht të ulëta. Kjo rregullore i jep të drejtë Autoriteteve Kontraktuese që të eliminojnë një Operator Ekonomik që ofron çmime jonormalisht të ulëta: qoftë si tërësi e ofertës apo në pozicione të caktuara të saj. Por, një hulumtim i prezantuar nga disa organizata jo-qeveritare për një tender në Prishtinë thotë se OSHP-ja nuk i ka marrë parasysh çmimet jo-normalisht të ulëta në pozicione.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.