Manhattani i Kontestuar i Prishtinës

Italiani Guy F. Tizolo kishte udhëhequr projektin e ndërtimit të Qendrës Tregtare Botërore në Manhattan të New Yorkut.

Ai kishte qenë drejtues i departamentit për Tregti Botërore që operonte në kuadër të autoriteteve të portit të New Yorkut e New Jerseyt. Nga kjo pozitë kishte udhëhequr planifikuesit, ndërtuesit e arkitektët në ndërtimin e Kullave Binjake në vitin 1973.

Afro 30 vjet pas ndërtimit të kësaj qendre, në shtator të vitit 2001, kullat e projektuara nga ai ishin shembur nga një sulm përgjegjësinë për të cilin e kishte marrë “Al Qaeda”.

Tizolo tash është president nderi i organizatës “World Trade Center Asociations”.  Në faqen zyrtare të kësaj organizate shkruan se qendra tregtare të njohura si WTC ka në shumicën e botës.

Një Word Trade Center po ndërtohet edhe në Prishtinë, pikërisht në zonën e cila është promovuar si Manhattani i saj.

Biznesmeni pejan Ekrem Lluka po ndërton një kompleks 22 katëshe në Lagjen “Lakërishtë” e promovuar nga vetë Komuna si “Manahatani i Prishtinës”.

“Dendësia e madhe e objekteve në atë zonë do të krijojë pakënaqësi tek qytetarët. Luljeta Çeku Sokoli

Zyra për Media e Komunës ka konfirmuar se këtij objekti i është lëshuar leja e ndërtimit.

Nuk dihet se si do ta ndikojë plani i ndryshuar rregullativ urban ndërtesën që Ekrem Lluka ka filluar ta ndërtojë.

Lluka nuk ka dhënë një përgjigje për vlerën e investimeve që do të bëhet në këtë objekt.

Përveç tij, për ndërtim në lagjen “Lakërishtë” kanë marrë leje nga Komuna e Prishtinës edhe kompani tjera si “Hysi Group”, “Olti Trasing”, “Enk Group”, “Lin Projekt”, etj.

Njëra prej tyre “Enk Group” , që udhëhiqet nga afaristi Edmond Kërliu, planifikon të ndërtojë qendrën më të madhe në rajon të njohur si Dyzetëkatëshja e Prishtinës.

Ndërkohë pronari i Olti Trasing fillimisht kishte planifikuar të ndërtonte tri objekte afariste në këtë zonë.

“Nuk e di a do të mund t’i përfundojë dy për shkak të krizës ekonomike në vend dhe jashtë. Për tri nuk bëhet fjalë”, ka thënë Ragip Mustafa.

Kompania e tij planifikon të ndërtojë objekte që kanë diku 16 kate.

Në këtë zonë është paraparë që të ndërtohen objekte të larta me karakter afaristo-banesor.

Përqindja e afarizmit në një objekt është paraparë të jetë 70 për qind kundrejt 30 për qind banim.

Komuna pranon se Plani për “Manhattanin” ishte i parealizueshëm

Kuvendi Komunal i Prishtinës më 12 korrik të këtij viti ka marrë vendim që ndryshojë Planin Rregullativ për lagjen “Lakrishtë” i cili ishte hartuar në vitin 2007.

Njëra prej argumenteve të përmendura në arsyetimin e vendimit është se ndërtimet që janë bërë në zonë kanë ndikuar negativisht në dendësinë e banimit dhe kanë vështirësuar në masë të konsiderueshme distancat e objekteve.

Po ashtu në kuadër të blloqeve është vështirësuar realizimi i destinimeve për sipërfaqe të gjelbëruara.

Ndërkohë hapësira në lagjen “Lakërishtë”, sipas shënimeve të komunës, ka një sipërfaqe prej 52 hektarësh e cila shtrihet nga ura në drejtim të Fushë Kosovës duke u përkufizuar me unazën e Qendrës përbri lagjes “Arbëria”, pastaj me rrugën Garibaldi, rrugën Kosta Novakoviqi, rrugën Robert Dole dhe përmbyllet me bulevardin “Bill Klinton”.

Ish-drejtoresha e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës Luljeta Çeku Sokoli e cila vitin e kaluar pati dhënë dorëheqje nga kjo pozitë ka thënë se ankesat e banorëve të kësaj lagje do të nisin pasi të përfundojë ndërtimi i objekteve.

“Dendësia e madhe e objekteve në atë zonë do të krijojë pakënaqësi tek qytetarët. Kjo do të ndodhë pasi të kryhen objektet”, ka thënë Çeku-Sokoli.

“Lakërishta” do të krijojë pakënaqësi tek qytetarët

“Nëse jepet një leje për ndërtim në një zonë që është promovuar si Manhattani i Prishtinës atëherë Komuna duhet të kërkojë nga investitori dinamikë më të madhe në kryerjen e punimeve.” Bujar Prestreshi

Bujar Prestreshi i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës ka thënë se Komuna e Prishtinës duhet të kërkojë nga investitorët më shumë dinamikë në kryerjen e punimeve.

“Nëse jepet një leje për ndërtim në një zonë që është promovuar si Manhattani i Prishtinës atëherë Komuna duhet të kërkojë nga investitori dinamikë më të madhe në kryerjen e punimeve pasi që nuk duhet të dështojë projekti”, ka thënë Prestreshi.

Zyrtarët komunalë duhet të bëjnë analizë dhe të shikojnë edhe interesin publik nga dhënia e një leje ndërtimi në një zonë përmes të cilës mund të ndikohet në zhvillimin ekonomik.

Kritika ndaj ndërtimeve në këtë lagje kanë dhënë edhe opozitarët në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Aziz Pacolli nga Aleanca Kosova e Re thotë se “Lakërishta” mund të rrezikojë të behet një “Dodonë” e dytë.

“Aty në Dodonë ka pasur ndërtime të larta e pa kriter që kanë rrezikuar banimin. Në atë zonë ka shumë ndërtime të ulëta që nuk u bie dielli fare. Kjo nuk ndodhë në Dardani e Ulpianë ku ndërtimet kanë shkuar në bazë të planeve profesionale. E njëjta gjë, si në Dodonë, po shihet se do të ndodhë edhe në Lakërishte”, ka thënë Pacolli.

Po ashtu edhe Shemsi Veseli nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar se objektet e larta në këtë zonë mund ta kenë të njëjtin efekt duke rrezikuar kështu edhe Qytezën Pejton që është afër lagjes “Lakërishtë”.