Makinat e Mentalitetit

Tek hyrja e kinemasë të presin me buzëqeshje e dy-tri fjalë anglisht, në rast se pandehin se jeni të huaj. 

Relativisht pak njerëz janë mbledhur për të shikuar filmin e parë që shfaqet gjatë Javës së Filmit Turk. 

Kjo ngjarje është qartësisht më pak e bujshme në krahasim me “ofensivën” turke të kohës së fundit në biznesin kosovar dhe në kulturën e vendit, përmes serialeve të lira në televizionet kombëtare. Ambasadorja turke “fajësoi” futbollin dhe Ditën e Prishtinës për këtë pjesëmarrje të pakët. 

Filmi “Makinat e Revolucionit” doli se të jetë realizim i shkëlqyeshëm, lojë e mirë e aktorëve tipikë turq dhe një tregim frymëzues. 

Viti 1961 e gjen Turqinë të dobësuar nga aspekti ekonomik. Ushtria kishte marrë përsipër administratën dhe kreu i shtetit besonte se Turqia mund të dilte nga kriza ekonomike vetëm pas pavarësimit ekonomik. 

Me këtë besim, atij i vjen në mend ideja e prodhimit të makinave. 

Mirëpo Turqia nuk ishte në gjendje të prodhojë makinat e veta. Nuk ishte e përgatitur për ndryshime të tilla. Prandaj duhej së pari të ndryshonte mentaliteti. Duhej të dëshmohej suksesi. 

Ishte e vështirë të gjeje dikë që nuk ishte skeptik ndaj kësaj ëndrre. Një ekip i vogël i inxhinierëve të hekurudhave e ndajnë këtë vizion me kreun e shtetit. Ata besojnë se mund të prodhojnë makinën 100 për qind origjinale brenda 4 muajsh. Koha është e shkurtër, pengesat e  mëdha dhe burimet e kufizuara. 

Ishte kjo një betejë për nderin. Një luftë për krenarinë. 

Filmi përshkruan historinë e ekipit të inxhinierëve idealistë në krye me Gunduzin, që punojnë për të realizuar këtë vizion. Inxhinier Gunduzi, me përvojë, udhëheq ekipin drejt pakësimit të ditëve, drejt suksesit të prodhimit të makinës. 

Ai ka besim të ngurtë, i përballon presionit të kundërshtarëve dhe me karakterin e tij të fortë i inkurajon çdo ditë punëtorët për t’i përballuar dështimeve që u dalin në rrugë. 

Ndërsa inxhinierët planifikojnë prodhimin e makinës, tregimi zhvillohet edhe në familjet e tyre. Filmi portretizon me shumë delikatesë familjen turke dhe rolin e gruas në të. Janë dy gra të inxhinierëve që i takojnë klasës së lartë të shoqërisë, elegante, të arsimuara, por në të njëjtën kohë të përkushtuara ndaj burrave të tyre. Ato përfaqësojnë përkushtimin e gruas së Lindjes, që është e dashur, e butë dhe që nuk pushon së dashuri burrin e saj edhe në ditë të vështira. 

Ky mentalitet dhe botë e Turqisë dhe qytezës Eskisehir të viteve të 60-ta vihet në pah në vazhdimësi. Në temperamentin e inxhinierëve, në humorin e tyre dhe gjatë punës. 

Paramendimi i makinës vjen nga nevoja. Familja turke përbëhej nga 5-6 anëtarë së paku, andaj ishte e nevojshme më shumë hapësirë brenda makinës. Nga ky planifikim përshtaten përmasat e makinës. 

E në familjet turke mbretëronte dyshimi ndaj këtij projekti, madje ishin të mllefosur që po harxhoheshin paratë e tyre, për këso “ëndrra të parealizueshme”. 

Iu kanë mbetur vetëm 50 ditë. Inxhinierët janë në panik. Ata djersiten. Vazhdojnë. Kanë krenarinë që nuk duhej t’u lëkundej. Ia qëllojnë. Gëzohen… 

Vështirësitë shtohen, buxheti u shkurtohet për 1/3 dhe u kërkohet të prodhojnë edhe një makinë të dytë. Ata duhet ta prodhojnë edhe këtë makinë. “Ta shpikin” nëse është nevoja. Ata duhet ta mbrojnë nderin. 

Në përcjellje të melodisë turke me piano e violinë, atëherë kur skenat dramatizohen, shikuesi do të jetë në çdo moment i zhytur në ngjarje.  

Me një fund të paparashikueshëm, të lezetshëm e të bukur, filmi tregon historinë e Turqisë në luftën për realizimin e ëndrrës së një Pashai dhe një ekipi inxhinierësh për të prodhuar makina 100 për qind turke.