“Made in Kanagjegji”

Vetëm pak ditë më parë, në Kosovë u “festua” me pompozitet 8 marsi, dita ndërkombëtare e gruas. U festua me të njëjtin intensitet që festohen edhe festa të tjera të njohura vonë si 14 shkurti, dita e të dashuruarve ose edhe festa të mëhershme të sforcuara si të tilla në kohën e socializmit si 1 maji, dita e punëtorëve.

U festua pothuaj pa asnjë dallim nga dy festat e mësipërme.

Lule, dhurata, tek-tuk ndonjë tryezë debati për të drejtat e grave, fjalë miradije e premtime pafund nga zyrtarët institucionalë dhe padyshim dreka e darka, mbledhi grash të cilat festojnë me njëra- tjetrën derisa e çojnë në stratosferë atmosferën “made in kanagjegji” të festës së tyre.

Asnjë protestë për të qenë.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se kremtja e ditës së grave u “prish” nga një miniprotestë e grave të Krushës së vogël, të cilat tentuan ta takojnë kryeministrin e vendit, i cili aso kohe në Kuvendin e Kosovës jepte e merrte me deputetët e opozitës për t’ua mbushur mendjen që jashtë agjendës së përcaktuar nga Kryesia e Kuvendit të raportonte për bisedimet e fundit me Daçiqin.

Thaçi i luste deputetët e opozitës që për hir “të transparencës” me publikun t’u raportonte të zgjedhurve të popullit për rrjedhën e bisedimeve me homologun e tij serb Ivica Daçiq, ndërkaq një deputete e opozitës i sugjeroi Thaçit të shkonte në zyrën e tij e të takonte gratë e Krushës së vogël, të cilat po e prisnin të qanin hallet me të.

Përpos këtij “incidenti” jofestues pjesa tjetër e 8 marsit ishte festë e vërtetë!

Gratë kosovare festonin, ndërkohë që përpos përkujtimit të ditës së tyre, duhej para së gjithash të protestonin. Të protestonin për shumëçka e për pothuaj gjithçka.

Atmosfera festive e 8 marsit të këtij viti ashtu si dhe e viteve të tjerë, të përkujtonte atmosferën festive që mbërthen Prishtinën më 1 maj, në ditën e punëtorëve. Këta të fundit, në çdo 1 maj, në vend që të protestojnë për mungesën e vendeve të punës dhe për të drejtat e tyre, festojnë a thua të gjitha punët i kanë në rregull…

Të njëjtën gjë bënë edhe gratë në 8 mars të këtij viti. Ato festuan…Dhe mirë bënë. Festa nuk është as mëkat, as e jashtëligjshme. Festa është fasada dhe fytyra e haresë dhe gëzimit të atyre që janë pjesë e saj.

Natyrisht që gratë e Kosovës janë plot hare dhe gëzim…Jeta e tyre është jetë përrallash dhe telenovelash…Të tjerë duhet të protestojnë për të drejtat e tyre, të tjerë duhet  t’ua sigurojnë ato.

8 marsi është dita e tyre dhe ato do të festojnë. Së paku një herë në vit!

Edhe një herë, të mos keqkuptohemi: asgjë të keqe nuk ka të festosh. Përkundrazi! Por, a i kemi punët aq mirë ne gratë e Kosovës? A ka mjaftuar miratimi i një ligji për barazinë gjinore që të na i zgjidhë hallet e problemet?

Barazia dhe të drejtat me letër për shumicën e grave të Kosovës kanë mbetur po aty: në letër. Realiteti është tjetër gjë. Sa mijëra gra ka që përpëliten në margjinat e shoqërisë e cila në thelbin e saj është shoqëri maskiliste? Sa gra as nuk protestuan e as nuk festuan më 8 mars?

Natyrisht që shumica e tyre. Festueset ishin vetëm fasada e kësaj dite. Me veshjet shkëlqimtare, frizurat e rregulluara për merak dhe buqetat e luleve ato nuk mundin të mbulojnë realitetin e hidhur që bulon vetëm pak kilometra larg tyre.

Statistikat zyrtare tregojnë se trendi i dhunës në familje (asaj të drejtuar ndaj grave) është në rritje. Duke pasur parasysh se një pjesë e mirë e kësaj dhune nuk denoncohet, por mbahet në heshtje sipas parimit “janë punët tona, mos t’i marr vesh kurrkush tjetër…”, shifrat natyrisht janë alarmante.

Edhe papunësia është në shifra alarmante, gratë janë më të margjinalizuarat në këtë pikë. Pas një moshe, pavarësisht arsimimit adekuat e kanë të vështirë të gjejnë një punë. Askush nuk i do në punë nënat me fëmijë, rrezik potencial që të mos i “përkushtohen” punës e karrierës për shkak të fëmijëve dhe familjes.

Dorën në zemër, nuk mund të themi se kjo ndodh në institucionet shtetërore (aty punësimi funksionon më shumë me të njofshëm se me merita, një temë tjetër kjo për t’u diskutuar), por ndodh në firmat dhe kompanitë private. Aty ndodh edhe diskriminimi më i madh i gruas.

Diskriminimi vazhdon me ligjin e punës të cilit shumica e privatëve i ikin si dreqit për të mos u paguar punëtoreve të tyre ta zëmë për disa muaj një shumë modeste për të përballuar shpenzimet gjatë pushimit të lehonisë…

Diskriminues është edhe mentaliteti i shoqërisë i cili ndoshta publikisht nuk e konsideron më femrën rob me flokë të gjata e mend të shkurtra, por gjithsesi vijon ta shtypë në mënyra nga më të ndryshmet: direkt ose indirekt. Dhe, nëse, vajza e motra nuk është më “plehu që hiqet nga shtëpia”, vazhdon të mbetet e hequr nga trashëgimia e familjes.

Diskriminuese është shoqëria dhe janë institucionet edhe për kategorinë më të ndjeshme të grave të margjinalizuara: gratë e përdhunuara gjatë luftës së Kosovës.

Ende nuk ka shifra zyrtare për këtë kategori, por megjithatë është një shifër që qarkullon prej vitesh dhe mendohet të jetë e përafërt: rreth 20 mijë sosh.

Për to lufta nuk ka mbaruar. Ato jetojnë ende nën koracën dhe trysninë e luftës. Ato janë shkelur e përbaltur dy herë: një herë pa fajin e tyre nga fatkeqësia që u ka ndodhur në luftë dhe herën e dytë po pa fajin e tyre nga shoqëria, nga heshtja e saj…

Ato jetojnë me traumat e tyre, duke mos qenë më as vetvetja. Lufta ua mori të gjitha. Paqja nuk ua solli së paku dinjitetin.

Pak flasin, edhe po folën ndonjëherë në publik, dalin me fytyra të mbuluara, sikur duan të mbulojnë turpin që s’e kanë bërë. Shoqëria i ka braktisur, për më keq se kaq, i paragjykon.

Institucionet i kanë braktisur gjithashtu.

Në fund të vitit 2011 Kuvendi i Kosovës miratoi një ligj për të drejtat e viktimave të luftës, nga i cili gratë e dhunuara në luftë u përjashtuan. Shteti dhe institucionet e tyre i përjashtuan.

Ani pse me status të gjykatës së Hagës dhunimet seksuale të luftës kategorizohen si krime kundër njerëzimit…

Pas inicimit të amendamentimit të ligjit pikërisht për këtë kategori, komisioni për buxhet dhe financa i kuvendit sugjeroi që kategoria e grave të dhunuara gjatë luftës të mos cilësohej si viktima të luftës…

… Për arsye se, sipas tyre kishte implikime buxhetore …

Në një shtet ku buxheti vidhet e rripet çdo ditë në qindra e mijëra mënyra malinjioze, disa deputetë të “përgjegjshëm”, mes tyre edhe gra, gjetën kohën dhe mënyrën që të ruajnë buxhetin, pikërisht te kategoria më e margjinalizuar dhe më e nëpërkëmbur… te ato gra që nuk kanë gojë e fuqi të flasin as për atë që u ka ndodhur…

Shumë mirë për shtetin, akoma më mirë për ata deputetë dhe shumë keq për gratë e dhunuara, votuese potenciale të tyre…

Mendohet se gratë e dhunuara duhet të flasin me gojën e shtetit dhe të institucioneve.

Por, vetëm mendohet ama…

Ashtu sikurse edhe barazia gjinore mendohet si e tillë apo kamuflohet bukur me atë 30% e famshëm, në thelb diskriminues të grave në pushtet…

E shihni sesa arsye kemi pasur ne gratë që të festojmë më 8 mars?