LVV: Albin Kurti ka marrë 185 mijë vota i vetëm

Aktivistë të ndryshëm të Lëvizjes Vetëvendosje kanë filluar të shpërndajnë një numër nëpër rrjetet sociale duke pretenduar se këto janë votat e kryetarit të partisë, Albin Kurti.

Këta aktivistë janë duke shpërndarë statuse dhe shkrime me numrin 185 mijë, duke dhënë mesazhin se kaq është numri i votave që ka marrë bartësi i listës së tyre, kandidati për kryeministër, Albin Kurti.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë me rreth 10 mijë vota më shumë se LDK që renditet e dyta, pa përfunduar ende edhe numërimi i votave me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara.

Dy partitë e para, LVV dhe LDK kishin qenë afër arritjes së marrëveshjes së koalicionit parazgjedhor, por që nuk ishin pajtuar në gjënë kryesore, se kush do të jetë kandidati për kryeministër.

Të dy partitë opozitare e deritashme, LVV e LDK kërkonin që kandidatin për kryeministër ta kenë ato.

Kjo edhe kishte qenë pengesa kryesore, ndoshta edhe e vetmja e mos arritjes së një koalicioni parazgjedhor.

Disa orë para përfundimit të afatit të aplikimit për koalicione parazgjedhore, Albin Kurti i kishte shkruar publikisht homologut të tij në LDK, Isa Mustafës duke i’a prezantuar një marrëveshje koalicioni.

Në letrën e tij, Kurti kërkonte hyrjen në garë me një listë të përbashkët mes LVV e LDK, pa një kandidat të zyrtarizuar për kryeministër, por që numri i votave pastaj të jetë determinues se cili do të jetë kryeministri i ardhshëm, në rast të fitores së koalicionit.

Kurti kishte propozuar që Vjosa Osmani ta ketë numrin 1 në listë, ndërsa vet ai, numrin 2.

Kjo ofertë e Kurtit ishte refuzuar pak orë më vonë nga Isa Mustafa por edhe nga eksponentë të tjerë të LDK-së.

Mirëpo, LVV dhe LDK, ndonëse me akuza të herë pas hershme ndaj njëra tjetrës, në vazhdimësi e kanë deklaruar se janë të gatshëm për koalicion qeverisës me njëra tjetrën.

4 ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, Albin Kurti ishte takuar me Isa Mustafën e Vjosa Osmanin, ku pas takimit kishin deklaruar se janë dakorduar të qeverisin së bashku.

Takimet pushuan për më shumë se një jave, derisa dje ishte takimi i parë i grupeve punuese të të dyja partive, për të vazhduar përsëri javën tjetër.

Mirëpo dy ditë më herët, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri përmes një postimi në Facebook ka shkruar se kushdo që ka një votë më shumë do të udhëheq me Qeverinë.

“LDK ka vendosur standardin, cilido që e ka një votë më shumë, ai e udhëheq qeverinë”, kishte shkruar Haziri në Facebook.

Kandidatja për deputete e LVV-së ka qenë njëra nga zyrtaret e partisë që ka dhënë shifrën 185 mijë, pa e specifikuar qartë.

“185K. Thyejmë rekorde”, ka shkruar në Facebook ish deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci.

KALLXO.com ka provuar ta kontaktojë, por komunikimi me të s’ka qenë i mundur.

Për numrin 185 mijë ka shkruar edhe ish deputeti tjetër Arbër Rexhaj.

KQZ ende nuk ka dalë me votat zyrtare as të subjekteve politike e koalicioneve, e as kandidatëve.

Rezultatet zyrtare të kandidatëve veç e veç poashtu nuk janë publikuar ende, por partitë politike mund t’i kenë bërë llogaritjet nga vëzhguesit që i kanë pasë në vendvotime ditën e zgjedhjeve dhe tani në Qendrën e Numërimit të votave.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me zyrën për media të Lëvizjes Vetëvendosje, por komunikimi me ta poashtu ka qenë i pamundur.

Në anën tjetër, në LDK ende nuk kanë folur për numrin e votave të kandidates për tyre për kryeministre, Vjosa Osmani.

Dy partitë janë duke i vazhduar takimet për të arritur marrëveshje për një koalicion të mundshëm.

Vet kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, para disa ditësh ka deklaruar se në rast se nuk arrihet marrëveshja e koalicionit me LDK-në, atëherë vendi mund të shkoj përsëri në zgjedhje.

Në anën tjetër, LDK është shprehur se pas pasur rezultate të certifikuara nga ana e KQZ-së, ata nuk do të vendosin për koalicion, pasi që e kanë përsëritur se duhet numëruar çdo votë.