Jeta ne Komune - Lutfi Haziri - Komuna Gjilan - Foto Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Lutfi Haziri para problemeve me ujë dhe politizim të arsimit

Mungesa e vazhdueshme e ujit të pijes, kutërbimi i lumit të kontaminuar me ujëra të zeza dhe përfshirja e thellë e drejtorëve të shkollave në politikë janë disa nga problemet kryesore që po e sfidojnë Gjilanin.

Pasi numëron katër mandate të ndryshme në krye të Gjilanit, Lutfi Haziri erdhi në debatin “Jeta në Komunë” për të prezantuar arritjet e tij në qeverisje dhe për t’u sfiduar me hulumtimin në terren e kritikat nga opozita.

Përveç kryetarit Haziri, prezent në studio në debatin e së enjtes ishin edhe asamblistët: Riza Abdyli dhe Isa Agushi nga PDK, Nevzad Isufi dhe Anila Tusha – Kastrati nga Lëvizja Vetëvendosje, Avdyl Aliu nga LDK dhe përmes platformës ZOOM ishte aktivistja e shoqërisë civile, Arjeta Maka.

Haziri u gjend përballë pyetjeve për politizimin e shkollave, dështimit për mbajtjen e premtimit për ndërtimin e dy çerdheve të reja, shpenzimet për dreka zyrtare dhe problemet infrastrukturore.

Gjilani pa ujë e fshatrat pa ujësjellës

Vitin e kaluar Komuna e Gjilanit kishte shpallur gjendje emergjente për mungesë të ujit të pijshëm për shkak të rënies së nivelit të ujit në Liqenin e Përlepnicës.

Gjendja tash është më mirë për shkak të reshjeve të shiut por ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare. 

Në Gjilan janë ende 5 fshatra që nuk kanë rrjet të ujësjellësit por ka edhe fshatra që kanë rrjet të ujësjellësit por nuk kanë ujë të pijshëm.

Banorët e fshatit Livoç i Epërm e kanë të shtrirë rrjetin e ujësjellësit por nuk furnizohen me ujë të pijshëm duke u detyruar që të bëjnë zgjidhje të tjera përmes hapjes së puseve. 

Gypat e ujësjellësit pa ujë në Livoç të Epërm, Foto: KALLXO.com

Edhe banorët e fshatit Pogragjë vuajnë mungesën e ujit të pishëm dhe ndërprerjen me ditë të tëra të furnizimit me ujë të pijshëm.

Përveç që qytetarët e Gjilanit përballen me mungesë të ujit, ata duhet të durojnë edhe kutërbimin e kanalizimit që derdhet nëpër lumenjtë e kësaj komune.

Banorët që jetojnë në fshatin Malishevë, Pogragjë, Bresalc, Uglar, Livoç të Poshtëm e të tjerët që jetojnë përreth lumit Mirusha në rrugën qarkore në Gjilan, vazhdojnë të jetojnë në këto vende ku nuk mund të hapësh dritaren për të marrë ajër të pastër nga kutërbimi i lumenjve.

Kur Lutfi Haziri e kishte marrë mandatin si kryetar i Gjilanit në vitin 2013, ai kishte premtuar që gjatë mandatit të tij do të realizohet projekti për ujëra të zeza.

Por jemi gati në vitin 2020 dhe banorët në qendër të qytetit dhe në fshatrat e Gjilanit ende përballen me kutërbimin e lumenjëve nga derdhja e kanalizimit.

Rreth 80% e Komunës së Gjilanit ka kanalizim, por i njëjti derdhet në lumenj dhe përrocka.

Ankesa për derdhjen e ujërave të zeza në lumenj dhe kutërbimin e tyre kanë banorët e fshatrave Livoç i Poshtëm, Zhegër, Bresalc, Malishevë, Uglarë dhe të tjerë që jetojnë afër lumit Mirusha në Gjilan.

“Jo vetëm Zhegër, edhe Livoçi, edhe Bresalci, Malisheva, Uglari,… Malisheva, Uglari dhe Bresalci janë në gjendje të tmerrshme sepse shtrati i lumit Morava i çon krejt ujërat e zeza atje”, ka thënë Haziri në debatin “Jeta në Komunë”.

Derdhja e kanalizimit në lum te kazerma e FSK-së në Gjilan, Foto: KALLXO.com

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në debatin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës ka thënë se me miratimin e marrëveshjes financiare me Bankën Botërore, ky problem do të marrë fund.

“Nëse në tetor aprovohet marrëveshja financiare me Bankën Botërore në Kuvendin e Kosovës e që besoj që ka me u ratifiku se nuk ka arsye me u pengu menjëherë fillon implementimi i kolektorëve të ujërave të zeza. Kolektorët e ujërave të zeza është hapja e kanaleve dhe tretmani i ujërave të zeza nëpër fshatra dhe pjesën urbane të qytetit”, ka përfunduar Haziri.

Në muajin korrik, Kuvendi i Kosovës ka miratuar pas disa tentimeve “Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan”.

Në zgjedhjet e vitit 2017, kur Lutfi Haziri kandidonte për të marrë pozitën e të parit të Gjilanit për herë të dytë me radhë, ai kishte premtuar që projekti i lumit Mirusha do të përfundonte në vitin 2018.

Por edhe pse kanë kaluar rreth 2 vjet prej kur Haziri kishte thënë se ky projekt do të përfundonte, qytetarët e Gjilanit ende nuk po ia shohin fundin. Qytetarët që jetojnë afër këtij lumi në rrugën qarkore në Gjilan ende duhet të durojnë erën e rëndë që vjen në këtë lum nga derdhja e kanalizimit.

Megjithatë, Haziri, në debat ka thënë se ai e konsideron të përfunduar projektin e Mirushës.

“Është e kryme për mua, Mirusha është e mbyllur si problem. Është shtri rrjeti i tretmanit të ujërave të zeza, ujërat atmosferik janë nda prej ujërave të zeza, ka mbet aksi te rruga qarkore pa u mbyllë, që është çështje e pronave”, ka deklaruar Haziri.

Projekti i papërfunduar mbi lumin Mirusha, Foto: KALLXO.com

Në vitin 2012 është nënshkru kontrata për rregullimin e shtratit të lumit Mirusha në Gjilan. 

Projekti në total ka kushtuar 3.7 milionë euro, duke llogaritur edhe dy kontratat tjera për rregullim e sheshit. Por, 8 vjet pas nënshkrimit të kontratës së parë, punimet ende nuk kanë përfunduar.

Në projektin për rregullimin e shtratit të lumit Mirusha në Komunën e Gjilanit, Auditori ka gjetur se ka pasur ndryshime mes punëve që janë kontraktuar dhe atyre që janë realizuar në teren.

Si rezultat i vendimit të Kuvendit Komunal punët e shtratit dhe kanalizimit ishin të kontraktuara në vlerë 1,818,730.00 euro ndërsa janë ekzekutuar 538,189.00 euro apo 70% më pak, punët e mbulimit në kanalizim ishin të kontraktuara 389,088.00 euro ndërsa janë realizuar 1,208,033.00 euro, apo 210% me shumë.

Politizimi i shkollave

Në vitin 2013, kur Lutfi Haziri kandidonte përballë Qemajl Mustafës së PDK-së për t’ia marrë postin e të parit të komunës, kishte premtuar që “arsimtarët më të mirë, më të drejtë dhe më profesionistë kanë me qenë drejtorë të shkollave”.

Por KALLXO.com ka gjetur që disa prej drejtorave të shkollave janë anëtarë të LDK-së. Të njëjtit nuk hezitojnë ta pranojnë që janë anëtarë të LDK-së, e as të publikojnë fotografi me kryetarin Haziri apo në përkrahje të LDK-së..

Florim Maloku, Drejtori i Shkollës “Selami Hallaçi” në Gjilan, është kryetar i nëndegës së LDK-së në lagjen “Dardania II”.  Agim Elezi, Drejtori i shkollës “Dëshmorët e Kombit” në Livoç të Poshtëm është anëtar i Kryesisë së LDK-së në këtë fshat.

Arsim Bejtullahu drejtori i shkollës “Abaz Ajeti” në Gjilan është kryetar i nëndegës së LDK-së në lagjen Deremahalla dhe Rashit Sahiti, Drejtori i shkollës “Abdullah Tahiri” në Malishevë është anëtar i LDK-së.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në debatin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës ka deklaruar se të gjithë drejtorët e shkollave i ka të partive politike.

“Jam ithtar me qenë të depolitizum por krejt drejtorët e shkollave i kam të partive politike. Kam kërku që mos me pru politikën në shkollë. Këta që janë pa parti, nëse gjejmë diku vështirë është me gjet nuk konkurrojnë shpesh nëpër shkolla”, ka thënë Haziri.

KALLXO.com kishte kontaktuar edhe drejtorët e shkollave të cilët janë përmendur në emisionin “Jeta në Komunë”.

Drejtori i shkollës “Selami Hallaçi” në Gjilan, Florim Maloku ka thënë se partia nuk ka ndikuar që të jetë drejtor i shkollës.

“Nënkryetar i nëndegës së LDK-së në lagjen Dardania jam që 1 vjet. Jo, nuk ka ndiku partia se unë jam qe 6 vite jam drejtor, nuk ka lidhje kjo me pozicionin tim politik”, është shprehur ai.

Edhe drejtori i shkollës “Dëshmorët e Kombit” në Livoç të Poshtëm, Agim Elezi është shprehur se partia nuk e ka ndihmuar që të bëhet drejtor shkolle, madje ai është dashtë që të ketë pozita më të larta.

“Po, (jam anëtar), tash jam anëtar i Kryesisë të LDK-së në fshat, por aktiv nuk jam fort, edhe pse jam ndër të parët që e kam themelu Forumin Rinor të LDK-së në Gjilan. Jo (nuk më ka ndihmu), unë është dashtë me pas pozita më të larta”, ka thënë Elezi për KALXLO.com.

Drejtori i shkollës “Abaz Ajeti” në Gjilan, Arsim Bejtullahu ka thënë se partinë e ka pasur vetëm pengesë për me u emëru drejtor i kësaj shkolle.

“Jam kryetar i nëndegës së LDK-së në lagjen “Deremallaha”. Partinë e kam pas pengesë me u bo drejtor. Drejtor i shkollës kam qenë qe 4 vjet. Përkatësinë nuk e fshehi por merre sigurt që më ka pengu. Unë nuk jam bo drejtor pse jam i LDK-së”, ka deklaruar Bejtullahu.

Ndërsa drejtori i shkollës “Abdullah Tahiri” në fshatin Malishevë, Rashit Sahiti ka theksuar se të gjithë janë nëpër subjekte politike.

“Krejt jemi dikah nëpër subjekte. Po, jam anëtar i LDK-së. Unë kam qenë drejtor edhe në pushtetet e tjera. Unë qe 20 vjet komplet jam drejtor i shkollës. Së fundmi jam qe 6 vjet drejtor”, ka përfunduar Sahiti.

Dështimi për ndërtimin e dy çerdheve të reja

Kryetari Lutfi Haziri nuk e ka mbajtur as premtimin për ndërtimin e dy çerdheve të reja në vitin e parë të qeverisjes. Çerdhja “Ardhmëria 1” vazhdon të jetë në një objekt me qira që nga viti 2011 kurse në lagjen Arbëria ende nuk ka çerdhe.

Çerdhja “Ardhmëria 1” që nga viti 2011 paguan 21,600 euro qira në vit. Nga viti 2011 deri më tash, Komuna e Gjilanit ka paguar afër 200 mijë euro qira për çerdhen “Ardhmëria 1”.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në debatin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës ka thënë se është për keqardhje që paguhet qira për çerdhen “Ardhmëria 1″.

“Po, është për keqardhje. Ka qenë një gabim i imi që i kam dhënë përparësi ndërtimit të çerdhes në Dardani para Ardhmërisë 1 sepse kam mendu me zgjidhë një problem, por e kam lënë hapur një problem që unë e kam gjetë”, është shprehur Haziri.

Po ashtu ai ka deklaruar se tashmë është gjetur edhe financuesi i çerdhes në lagjen Arbëria në Gjilan dhe se ndërtimi i saj do të fillojë në vitin e ardhshëm.

“Kam pasë ambicie dhe besoj që vitin e ardhshëm kam me ndërtu çerdhen “Ardhmëria 1” sepse në Arbëri është zgjedhur problemi, Komisioni Europian do ta financojë çerdhen e re të Arbërisë”, ka përfuduar Haziri.

Vonesa në ndërtimin e stadiumit 

Qyteti i Gjilanit e ka derbin më të zjarrtë në futboll, mes Dritës dhe Gjilanit, që janë kampioni dhe nënkamioni aktual i Kosovës, por stadiumi modern i premtuar ende nuk është finalizuar.

Në vitin 2017, në “Debat Pernime”, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri kishte premtuar se pas tri viteve (2020) do të bëhet me stadiumin më të mirë në Kosovë.

Por Haziri, në debatin “Jeta në Komunë” të së enjtes përballë Jeta Xharrës ka thënë se ndërtimi i stadiumit të Gjilanit është vonuar për një vjet. Ai ka treguar se tashmë projekti i stadiumit do të kalojë nën menaxhimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

“Stadiumi është vonu për një vjet. Prej kësaj vjeshte e menaxhon Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ne e kemi bërë prerjen e punimeve. Për shkak të përmbushjes së kritereve teknike dhe kërkesës së UEFA-s, MKRS do ta menaxhojë nga kjo vjeshtë e tutje”, është shprehur Haziri.

Kontrata për rikonstruktimin e stadiumit të Gjilanit është nënshkruar në tetor të vitit 2017, në vlerë prej 3.1 milionë euro.

Stadiumi i Gjilanit, Foto: KALLXO.com

Në muajin maj të këtij viti është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi mes Hazirit dhe Vlora Dumoshit, ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për rikonstriktimin e stadiumit të Gjilanit sipas kategorisë katërt të UEFA-s dhe FIFA-s, me kosto 4.6 milionë euro.

I pari i Gjilanit është pyetur në “Jeta në Komunë” edhe për projektin e ndërtimit të sallës sportive në fshatin Zhegër, i cili është dashur të përfundonte në vitin 2019 por ende nuk kanë përfunduar.

Edhe për Palestrën sportive në Zhegër, Haziri ka thënë se ka kaluar në menaxhim të MKRS-së.

Tashmë janë bërë më shumë se 3 vjet dhe janë shpenzuar mbi 1.2 milion euro për ndërtimin e kësaj palestre, por punimeve ende nuk po iu shihet fundi.

Në bazë të buxhetit të Kosovës për këtë projeket pritet të ndahen para deri në vitin 2022.

Ndërtimi i palestrës sportive në fshatin Zhegër me vlerë prej 1 milion e 108 mijë e 857 euro është nënshkruar me 12.07.2017. Tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët ka qenë 978 mijë e 777 euro. Dy tendera të përgjegjshëm mirëpo ka fituar oferta që ka kushtuar 130 mijë euro më shumë.

Përveç kontratës e cila është nënshkruar në vitin 2017, në dhjetor të vitit 2018 është nënshkruar përsëri një aneks-kontratë rreth 100 mijë euro për ndërtimin e kësaj palestre.

Në bazë të buxhetit të Kosovës të vitit 2020, palestra sportive në Zhegër të Gjilanit pritet t’i kushtojë shtetit të Kosovës 965 mijë e 49 euro. Për këtë projekt, 200 mijë euro janë bartur nga buxheti paraprak, këtë vit s’janë ndarë fonde të reja, 400 mijë euro janë paraparë të ndahen për vitin 2021 dhe për vitin 2022, 100 mijë euro.

Indikatorët e performancës për Gjilanin

Komuna e Gjilanit është e 13-ta me përformancën më të mirë komunale. Performanca e Komunës së Gjilanit për vitin 2019 është vlerësuar me 66.84% në raportin e Ministrisë së Pushtetit Lokal. 

Fushat me performancën më të lartë në Gjilan janë transparenca komunale dhe transporti publik me 90% derisa më e ulëta qëndron tek hapësirat publike me 25.5%.

Sa i përket ofrimit të shërbimeve administrative, Komuna e Gjilanit është renditur e 13-ta me 82.45%.

Në fushën e dytë e cila është matur nga Ministria e Pushtetit Lokal, për transparencë komunale, Komuna e Gjilanit është renditur e 16-ta me 90%.

16 komuna të Kosovës kanë treguar performancë në mes 90-100% në fushën e transparencës, prej të cilave: Vushtrria (100%), Kaçaniku (100%), Drenasi (100%), Peja (99.89%), Rahoveci (98.95%), Lipjan (98.75%) dhe Ferizaj (98.13%) etj.

Tek kjo fushë synohet të arrihen rezultate në sigurimin e qasjes në të dhëna komunale, pjesëmarrjen në mbledhjet e kuvendeve, rritjes së standardeve të informacionit përmes ueb-faqeve, transparencën buxhetore dhe prokurimin publik.

Indikatorët e performancës për Komunën e Gjilanit, Foto: KALLXO.com

Gjilani ka dalë si komuna e tetë për përgjegjshmëri komunale me 77.2%. Performancën më të lartë në indikatorët e kësaj fushe e ka arritur Komuna e Lipjanit dhe Kaçanikut. Ndryshe nga to, më ulët qëndrojnë komunat: Mitrovicë Veriore, Shtërpcë, Zubin Potok dhe Novobërdë.

Në fushën që mbulon përfaqësimin e grupeve të ndryshme në punësim komunal, si dhe shërbimet sociale të grupeve me nevojë, Komuna e Gjilanit është renditur në vendin e 21-të me 58.16%.

Performanca e Komunës së Gjilanit në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit është vlerësuar të jetë nën 50%. Ministria e Pushtetit Lokal e ka renditur Gjilanin në vendin e 28-të me 48.5%.

“Në kuadër të kësaj fushe maten aktivitetet komunale kulturore, rinore dhe sportive, si një nga kompetencat vetanake të komunave. Fusha mbulon edhe shërbimet e ofruara nga komunat që kanë të bëjnë me kulturën, rininë dhe sportin, përfshirë hapësirat sportive”, theksohet në raportin e Ministrisë.

“Dieta buxhetore” në drekat zyrtare

Në vitin 2018 e gjithë Komuna e Gjilanit kishte shpenzuar 26 mijë euro për dreka zyrtare përderisa vetëm Zyra e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka shpenzuar 20 mijë euro. Sipas llogaritjes del që në vitin 2018, janë shpenzuar 1,668 euro në muaj për dreka zyrtare nga Zyra e Kryetarit.

Këto të dhëna i janë prezantuar të parit të Komunës së Gjilanit në debatin “Jeta në Komunë”. Por Haziri ka thënë se ai është munduar t’i ulë shpenzimet pasi të njëjtat i ka gjetur në shifrën 130 mijë euro.

“Është dietë buxhetore. Unë i kam trashëgu 130 mijë euro, unë jam mundu me i minimizu të gjitha shpenzimet. Mundet me qenë edhe shënimi i festave edhe dita e shkollave”, ka deklaruar Haziri përballë Jeta Xharrës.

Zyra e Lutfi Hazirit në vitin 2018 ka shpenzuar 3,400 euro telefon e në vitin 2019 ka shpenzuar 2,881 euro. Në vitin 2018 i bie që Zyra e Kryetarit i ka shpenzuar 283 euro për telefon në muaj.

Kurse për reprezentacion, kryetari Haziri në vitin 2018 ka shpenzuar 20,021 euro, në vitin 2019 i ka shpenzuar 13,411 euro kurse për vitin 2020 deri në shtator i ka shpenzuar 8,093 euro.

Automjeti i Kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri për vitin 2018, ka shpenzuar 2394.47 litra (199.5 litra në muaj), ndërsa për 2019, 1978.41 litra (164.8 litra në muaj).