Ujërat e Zeza

"Lufta politike" në Kuvend lë të pa ratifikuar projektin për ujëra të zeza në Gjilan

Politikanë lokalë të partive të ndryshme nga Gjilani e deri te përfaqësues të lartë ndërkombëtarë në Kosovë kanë kritikuar ashpër deputetët e Kuvendit të Kosovës për dështimin e tyre për të ratifikuar disa marrëveshje ndërkombëtare, duke përfshirë një marrëveshje që do të sillte investim të madh në Gjilan.

Mungesa e kuorumit në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës ka bërë që të mos mund të shqyrtohen pesë projektligje që kanë të bëjnë me marrëveshje ndërkombëtare, ndër to edhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e zhvillimit të ujërave të zeza në Gjilan.

Rreth 80% e ujërave të zeza në Gjilan derdhen nëpër lumenj e përroska. Ndërsa, me jetësimin e kësaj marrëveshje, Gjilani do të kishte mundësinë të fillonte të eliminonte këtë problem.

Por në seancën e së enjtes nuk u arrit të sigurohej numri i mjaftueshëm i votave për, prej 2/3 të deputetëve të pranishëm, për shkak se grupet parlamentare në opozitë nuk i dhanë mbështetje atyre edhe pse ishin të pranishëm në sallë.

Kështu, për pesë marrëveshjet ndërkombëtare, ndër to edhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e zhvillimit të ujërave të zeza në Gjilan, do të vendosë Kryesia e Kuvendit.

Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) që monitoron punën e legjislativit, ka thënë për KALLXO.com se arsyeja pse nuk u vendosen në diskutim dhe miratim ato marrëveshje ishte mungesa e konsensusit mes grupeve parlamentare që të ketë shmangie nga rregullorja e punës.

“Tash i mbetet Kryesisë që në mbledhjen e radhës të vendos për datën e seancës së radhës ku do shqyrtohen dhe miratohen këto marrëveshje që mund të jetë të enjten e ardhshme kur zakonisht nisin punimet plenare por nuk përjashtohet mundësia që të thirret edhe seancë e jashtëzakonshme më herët, qoftë nga Kryeministri ose nga 40 deputetë dhe të shqyrtohen ato”, ka deklaruar Haxhiu për KALLXO.com.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, mos miratimin e marrëveshjes për ujërat e zeza nga deputetët e Kuvendit të Kosovës e ka konsideruar si fyerjen më të madhe që i është bërë qytetarëve të Gjilanit.

“Kjo është fyerja më e madhe që i është bërë qytetarëve të Gjilanit. Refuzimi i këtyre projekteve që janë jetike për Gjilanin nga cilado parti dhe cilido deputet, nuk e meriton respektin dhe besimin qytetar”, ka thënë Ismajli për KALLXO.com.

“Lufta politike”

Në seancën e së enjtes, për shkak të mungesës në kuorum ato marrëveshje as nuk janë vënë në diskutim, pra as nuk ka nisur dhe nuk ka përfunduar procesi i shqyrtimit dhe miratimit të tyre.

“Kjo për shkak se kishte mungesë kuorumi në votim (sepse një pjesë e deputetëve nuk kanë marrë pjesë në votim pavarësisht prezencës fizike në sallë) që të bëhet shmangia nga rregullorja e punës (e cila kërkon 2/3 e deputetëve të pranishëm në sallë) gjegjësisht neni 15.7 dhe 56.1, meqë shqyrtimi dhe procedimi i tyre në Kuvend është bërë në afat të shkurtuar ndryshe prej asaj që parasheh Rregullorja e punës gjegjësisht nenet që i përmenda më lartë”, ka thënë Agnesë Haxhiu nga KDI.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Lirije Kajtazi tha se të enjten ka qenë një mundësi e mirë që të ratifikohet huaja për projektin e ujërave të zeza në Gjilan por që deputetët për inate politike nuk e votuan.

“Mirëpo  siç e patë një shans shumë i mirë që kjo hua e marrë nga BERZh t’i ofrohet si zgjidhje e Komunës ndërkohë që deputetët e partive tjera me inate politike nuk votuan për”, tha ajo.

Sipas Kajtazit, më së shumti nga kjo janë dëmtuar qytetarët e Gjilanit.

“Unë mendoj që e ka dëmtu qytetarin gjilanas që është më e rënda ndërkohë që lufta politike mundet me u zhvillu në drejtime të tjera po jo duke i goditur qytetarët aq më tepër ata janë gënjyer në mënyrë sistematike”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

Deputetja e LDK-së nga Gjilani, Lirije Kajtazi ka thënë se këto investime ndërkombëtare do të jetësohen gjithsesi në Kosovë.

“Unë mendoj që Kosova është në një pozitë ku për fat të mirë mundet që partneritetet e ndërtuara me vite me ndërkombëtarët gjithsesi do të gjejnë shprehje se fundi i fundit qysh thuhet në popull dikush veç mundet me u korit përkohësisht përndryshe janë investime ndërkombëtare të cilat gjithsesi do të jetësohen në Kosovë. Unë shpresoj që kjo punë ka me u kry”, ka përfunduar Kajtazi.

E nga ana tjetër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Demi – Murtezi ka deklaruar se ky dështim iu adresua deputetëve të LVV-së se “kinse nuk i kanë votuar projektet e Anamoravës.

“Të dashur familjarë e bashkëvendës. Projekti që trajton ujërat e zeza në Anamoravë ende nuk është hedhur në votim, dhe ne si deputetë të zonës do ta trajtojmë me kujdes e sinqeritet. Populli thotë “Dielli nuk mbulohet me shoshë”, dhe ne po themi, as dështimet me shpifje.
Për nevojat esenciale të qytetarëve, ne jemi gjithmonë në ballë të përgjegjësive me ndershmëri e përgjegjësi të lartë”, ka shkruar Demi – Murtezi në Facebook.

Asamblisti i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e LDK-së, Gentrit Murseli ka kritikuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që vijnë nga Gjilani dhe që nuk e votuan marrëveshjen ndërkombëtare për projektin e ujërave të zeza në Gjilan.

“Me plasë bre!!! Dështon shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për hua ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e ujërave të zeza në Gjilan.
Pse ? Sepse as deputetët e Gjilanit nuk kishin guxim të vepronin ndryshe nga subjektet e tyre politike që qytetin tonë e shohin vetëm si hambar të votave. Ani kur e dëgjon atë fjali të famshme në fjalimet e tyre të kota “Do të jemi zëri i Gjilanit”, ose kur i dëgjon duke i kritikuar deputetët e më hershëm… MARRE! Zgjedhjet vijnë përsëri”, ka shkruar Murseli në Facebook.

Edhe asamblisti nga LVV në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Nevzad Isufi ka thënë për KALLXO.com se qe një kohë të gjatë është parë jo-seriozitet i madh te deputetët.

“Sa i përket mos votimit nga deputetët do të thosha se opinioni ka një kohë të gjatë që sheh jo seriozitet të madh nga deputetët, jo pak nga të cilët nuk janë në nivelin e përgjegjësisë që u takon si përfaqësues të popullit, por në radhë të parë përgjegjësia është e pozitës, i cila sa herë të do të shtyj një çështje, duke u thirre në numrat e shumicës, do të shkurtoj e anashkaloj edhe procedurat e parapara si në rastin konkret. Kështu këto praktika jo korrekte po kopjohen edhe në nivelet komunale”, ka deklaruar Isufi.

Isufi ka deklaruar më tej ka potencuar se për fat të keq shumë çështje të shtruara në Kuvend përgjithësisht nuk trajtohen  për nga rëndësia e tyre, por parësore konsiderohet kush po e shtron atë për t’u pozicionuar pastaj “për” ose ” kundër”.

“Për Gjilanin ky është një projekt jetik, sepse ndër vite dy lumenj të Gjilanit, si Mirusha dhe lumi Stanishori nuk janë më lumenj, por janë shtretër të ujërave të zeza që ndotin ambientin dhe që rrjedhin përgjatë tri fshatrave Malishevë, Uglarë e Pogragjë, duke ua nxirë jetën atyre. Kjo, sidomos gjatë verës ndjehet shumë si në qytet ashtu edhe në fshatrat e përmendura”, ka shtuar Isufi.

Të zhgënjyer me mos miratimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare është shprehur edhe kryetarja e Zyrës së BE-së në Kosovës, Natalyia Apostolova dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt.

“E zhgënjyer nga dështimi në mbledhjen e sotme të Kuvendit për të ratifikuar disa marrëveshje ndërkombëtare, përfshirë pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së, “Fiscalis 2020 & Customs 2020″, duke privuar sistemin e tatimeve dhe Doganën e Kosovës nga modernizimi i punës së tyre dhe shkëmbimin e njohurive me kolegët në BE dhe më gjerë”, ka shkruar Apostolova në Twitter.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt ka thënë se “i zhgënjyer” është term shumë diplomatik për t’u thënë për mos ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“I zhgënjyer është shumë term diplomatik! A do ta shohim së shpejti punën parlamentare? Kjo ka të bëjë me paketat e ndihmës për këtë vend dhe janë njerëz”, ka shkruar në Twitter ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt.

Pesë marrëveshjet ndërkombëtare të cilat mbetet të shqyrtohen në mbledhjet e ardhshme të Kuvendit të Kosovës janë: Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për financim mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin e fuqizimit të sektorit financiar, Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e zhvillimit të ujërave të zeza në Gjilan, Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për financimin e projektit për kadastër të patundshmërisë dhe infrastrukturë gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”, si dhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.

Agnesë Haxhiu nga KDI ka thënë për KALLXO.com se mungesa e kuorumit në votim ka qenë një prej sfidave kryesore edhe gjatë legjislaturës së VI-të, për shkak të mungesë së numrave nga ana e shumicës parlamentare të asaj kohe që përbehej nga koalicioni PAN dhe mospjesëmarrjes në votim të opozitës së atëhershme që përbëhej nga VV dhe LDK.

“Nga seanca e djeshme duket që edhe në këtë legjislaturë do ta kemi problemin e njëjtë marrë parasysh faktin që prapë kemi një shumicë minimale prej 61 deputetëve, që gjithmonë do të krijojë mundësinë që të bllokohet procesi i votimit në seanca nëse shumicës i mungojnë numrat e opozita nuk merr pjesë në votim pavarësisht prezencës fizike”, ka thënë Haxhiu.

Ajo më tej ka shtuar se për t’u ratifikuar këto pesë marrëveshje ndërkombëtare financiare duhen votat e 2/3 të të gjithë deputetëve prandaj është i domosdoshëm konsensusi mes grupeve parlamentare.

“Këto fonde rrezikojnë të humbasin nëse Kuvendi nuk i miraton deri në afatin që parashihet me këto marrëveshje”, ka përfunduar Haxhiu.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.