Borys Todurov. Foto kortezi e Borys Todurov.
Lufta për jetë: Një doktor ukrainas në një mision bamirës në Kosovë
Në vitin 2005, kardiologu ukrainas Borys Todurov kreu operacione urgjente në zemër te fëmijët nga Kosova e pasluftës. Pushtimi i Ukrainës ka bërë që pacientët e tij, tashmë të rritur, të kthejnë kokën pas me mirënjohje.
Borys Todurov sapo ka përfunduar një operacion në klinikën kryesore publike të kardiologjisë në Kiev, pavarësisht kërcënimit të vazhdueshëm të ndërprerjeve të energjisë.
Ashtu si shumë spitale të tjera në të gjithë Ukrainën, klinikat e kryeqytetit janë munduar shumë të vazhdojnë punën mes sulmeve ruse në sistemin elektrik të vendit.
“Na mungojnë pajisjet, veçanërisht ilaçet thelbësore, sepse fabrikat e ilaçeve janë bombarduar. Por ne po luftojmë për çdo jetë”, tha ai në një intervistë në Zoom për BIRN pak minuta pasi sapo përfundoi një operacion.
Todurov, i cili është kreu i Institutit të Zemrës në Kiev, tha se sistemi shëndetësor ukrainas po përballet me rreziqe të mëdha.
“Është një moment kritik. Ne po bëjmë disa operacione urgjente në Kherson, por shumë shpesh na duhet t’i lëvizim pacientët për shkak të bombardimeve ruse”, tha ai. “Disa nga spitalet janë shkatërruar dhe nuk ka mbetur asnjë derë apo dritare.”
Që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, klinika e Todurovit ka kryer zakonisht deri në 12 operacione në ditë. Kur sulmet ndaj sistemit energjetik u intensifikuan gjatë dhjetorit dhe janarit, punonjësit e klinikës u desh të shkonin në pikat e karburantit për të marrë karburant për gjeneratorët e saj.
Kur forcat ruse qëllojnë raketa, personeli mjekësor duhet të nxitojë që të çojë dhjetëra pacientë në strehën kundër bombave. “Ne përpiqemi të shpëtojmë jetë nga sëmundjet dhe nga bombat”, tha Todurov. “Të vritesh në spital është shumë më e dhimbshme sesa të vritesh kudo tjetër.”
Todurovit i është dashur të durojë pjesën e tij të vuajtjes. Ai derdhi lot ndërsa fliste për qytetin e tij të lindjes, qytetin jugor të Mariupolit, i cili u rrethua, shkatërrua dhe më pas u pushtua nga forcat ruse. “Kam humbur anëtarë të familjes, miq dhe të afërm të tjerë. Është shumë e dhimbshme”, tha ai.
“Shpirtërisht, momenti më i vështirë ishte të shihje se si po shkatërrohej Mariupoli, vendi ku linda dhe u rrita. Ishte një dhimbje e madhe”, kujton Todurov.
“Atyre po u mbaronte koha”
Todurov tha se që kur filloi pushtimi në shkallë të plotë, ai ka marrë mesazhe mbështetjeje nga ish-pacientë nga jashtë Ukrainës. Gjatë viteve, ai ka qenë i përfshirë në disa misione mjekësore humanitare, duke përfshirë vizita në Irak në 2002 dhe Kosovë në 2005.
Një nga pacientet që ka operuar në Kosovë, Elvira Ademi, i ka shkruar së fundmi në një mesazh në Facebook: “Doktor, do të të jem mirënjohëse përgjithmonë që më shpëtove jetën.”
Kur Tudorov udhëtoi për në Kosovë në vitin 2005, vendi ishte ende në fazën e rindërtimit të pasluftës dhe shumë njerëz ende nuk kishin pasaporta. “Atëherë ishte një kohë e vështirë. Mora një leje speciale në atë kohë nga misioni i OKB-së, UNMIK, dhe hyra i shoqëruar nga trupat e KFOR-it (forca e NATO-s në Kosovë)”, shpjegoi ai.
Atij i kishin thënë mjekët për gjendjen e rëndë në spitalet e Kosovës pas luftës dhe një kardiolog vendas ndihmoi në identifikimin e disa rasteve që kishin nevojë për ndërhyrje. Tudorov vendosi të merrte tre fëmijë për t’i operuar në Kiev, dy shqiptarë dhe një serb.
“E kuptova se atyre po u mbaronte koha dhe se jeta e tyre ishte në rrezik”, tha ai se e kuptoi disa momente pasi ekzaminoi fëmijët. “Vendosëm të ndërhyjmë shpejt. Ata vuanin nga probleme serioze në zemër.”
Dy javë më vonë, fëmijët mbërritën për trajtim në klinikën e kardiologjisë që Todurov drejton në Kiev me shpenzimet e mbuluara nga institucioni ukrainas.
Fillimisht, kujton ai, prindërit e fëmijëve e shihnin njëri-tjetrin si armiq të kohës së luftës.
“Më kujtohet kur i sollëm në klinikë. Nënat nuk donin të flisnin me njëra-tjetrën. Ishte diçka e pamundur për to”, shpjegoi ai.
Disa ditë më vonë ai pa se gjërat kishin filluar të ndryshonin: “Fëmijët kishin mësuar disa fjalë në gjuhën e njëri-tjetrit.”
Më pas ai vuri re se marrëdhënia ishte shkrirë ndjeshëm.
“Kur operuam vajzën e parë, vajzën shqiptare, nëna serbe e ndihmoi dhe u kujdes për nënën e saj gjatë gjithë kohës dhe nuk kishte më hezitim”, tha ai.
“Pashë sesi ajo i vuri dorën në kokë dhe i tha të mos qante. Kur bëmë operacionin e tretë, ata komunikuan si miq të ngushtë.”
Pas trajtimit, i cili zgjati për më shumë se tre javë, Tudorov tha se ai dhe stafi i tij i shoqëruan deri në aeroport dhe menduan se mes tyre ishte krijuar një “lloj ure”.
“Pashë sesi gratë dhe fëmijët u përqafuan me njëri-tjetrin në aeroport. Shumë nga stafi ynë mjekësor thanë: ‘Ne bëmë atë që misioni i OKB-së dhe NATO-s nuk mund ta bënte deri atëherë.”
“Ne duhet të ruajmë paqen”
Elvira Ademi, një shqiptare nga Kosova e cila tani jeton në Gjermani, ishte një nga pacientët fëmijë të Todurovit në vitin 2005.
“Isha fëmijë, por kam ende kujtime të gjalla nga ajo kohë, pavarësisht faktit se nuk i kuptoja shumë nga gjërat që po më ndodhnin”, tha ajo për BIRN.
“Ndërsa rritesha dhe nëna ime më tregoi për ato momente, teksa priste vdekjen time, e kuptova më mirë historinë tonë”, shtoi ajo.
Ademi, e cila në atë kohë pesë vjeçe, kujton se si nënat dhe fëmijët që ishin vendosur në të njëjtën dhomë në fillim nuk i flisnin njëri-tjetrit për shkak të ndarjes etnike.
“Ishte një periudhë kur pasojat e luftës ishin ende të freskëta. Nëna ime më tregoi se sa e vështirë ishte të komunikonte, jo për shkak të gjuhës, sepse nëna ime fliste serbisht, por për shkak të humnerës së madhe që kishte lënë lufta”, tha ajo.
“Më pas ne fëmijët filluam të luanim me njëri-tjetrin dhe gjetëm një mënyrë për të komunikuar përmes lodrave tona, lojës sonë. Më pas mbaj mend që nënat tona filluan të flisnin.”
Ademi shprehu shpresën se Kosova dhe vendet e tjera do t’i ndihmojnë fëmijët ukrainas që po vuajnë për shkak të luftës.
“Nëna ime shumë shpesh flet për atë udhëtim të vështirë dhe gjithashtu për mënyrën se si doktori Todurov ma shpëtoi jetën”, tha ajo.
Todurov tha se donte të bënte diçka për fëmijët e Kosovës pasi ishin prekur emocionalisht nga lufta e vitit 1999. Ai u shpreh se “secili prej nesh duhet të bëjë diçka” për të ruajtur paqen.
“Të rriturit flasin në gjuhë të ndryshme, por fëmijët qajnë me të njëjtin zë”, tha ai. “Ne duhet të ruajmë paqen për hir të fëmijëve.”