Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq. Foto: Facebook/Aleksandar Vuçiq.

Lufta në Ukrainë po i detyron miqtë ballkanikë të Rusisë t’i ndryshojnë pozicionet e tyre

Ndonëse tingëllon shumë i trishtuar, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë, thotë se ka biseduar me Vladimir Putinin, porse nuk është përpjekur të ndikojë tek ai për luftën në Ukrainë. “Unë jam një djalë i vogël… Më duhet të kujdesem për çështje të vogla për vendin tim të vogël”.

Lufta ka dërguar valë tronditëse në Ballkan, por për liderët e serbëve përgjithësisht pro-rusë, ajo e ka ngritur artin politik të shmangies së peytjeve të vështira në stade të reja.

Tri javë më parë Beogradi u stolis me flamuj gjermanë në përgatitje për një vizitë të kancelarit Olaf Scholz. Pastaj Sergei Lavrov, ministri i jashtëm i Rusisë, njoftoi se edhe ai do të shkonte për ta vizituar mikun e vetëm të mbetur të Rusisë në Evropë, përveç Bjellorusisë. Vuçiq u tha diplomatëve perëndimorë se e kishte ftuar vetë. Më pas, vizita e Lavrov u ndërpre kur tre fqinjë të NATO-s refuzuan lejen e Lavrov për të fluturuar mbi territorin e tyre. Vuçiq u ankua se, në pamundësi për t’i bërë asgjë Rusisë, ata, duke nënkuptuar vendet perëndimore, po e “nxjerrin dufin e tyre” në dëm të Serbisë.

Trupat serbe trajnohen nga ato amerikane dhe ushtrohen si me NATO-n ashtu edhe me Rusinë. Serbia varet nga gazi rus, por bën shumë më tepër tregti me Gjermaninë dhe Kinën. Duke i rezistuar presionit perëndimor, Serbia ka refuzuar ta vendosë ndonjë sanksion ndaj Rusisë; por në muajin prill pajisjet ushtarake perëndimore të destinuara për në Ukrainë u raportuan se po kalonin nëpër territorin e saj. Në Kombet e Bashkuara Serbia rreshtohet me vendet perëndimore në votat që e dënojnë Rusinë. Megjithatë, në muajin maj, Serbia nënshkroi një marrëveshje trevjeçare me Moskën për gaz të lirë.

Maxim Samorukov, një analist rus tani në mërgim në Beograd, thotë se Serbia mund t’ia hedhë paqtë nga e gjithë kjo sepse Rusia “nuk dëshiron t’i japë Serbisë një kamxhik në publik” pasi do të dukej keq duke qenë se Serbia “ka qenë një tifoz aq i madh i Rusisë”. 

Për vite me radhë mediat serbe, të cilat kryesisht e mbështesin qeverinë, kanë qenë të mbushura me propagandë të pafiltruar ruse. Kjo nuk ka ndryshuar që nga fillimi i luftës. Sipas një sondazhi, 60% e serbëve e fajësojnë Amerikën për luftën, dhe vetëm 26% e fajësojnë Rusinë. Në Beograd, fanellat e Putinit janë në shitje së bashku me kapele bejsbolli me logon Z të Rusisë në kohën e luftës.

Vuçiq është në një pozitë të vështirë. Ai e dënon pushtimin rus dhe thotë se e mbështet integritetin territorial të Ukrainës po aq sa “e do” atë të Serbisë. Vendet perëndimore janë hipokrite për mbështetjen e integritetit territorial të Ukrainës, lë të kuptohet ai, në të njëjtën kohë se shumica e njohin pavarësinë e Kosovës, të cilën Serbia e konsideron si të sajën. Kur Putin i njohu dy pjesët e shkëputura të Ukrainës lindore, duke e përmendur “precedentin” e Kosovës, shumë nga mediat serbe kaluan shkurtimisht tek të denoncuarit si një goditjeje me thikë pas shpine.

Sipas analistit Vuk Vuksanoviç, Vuçiq dëshiron ta “shënojë kilometrazhin e brendshëm” duke u treguar votuesve rusofilë se është ai që ushqen partneritetin me Moskën, ndërsa në të njëjtën kohë “ai po e shantazhon vazhdimisht Perëndimin, duke thënë “Shiko, unë jam i vetmi që është i arsyeshëm, dhe unë jam i rrethuar nga agjentë rusë, andaj kërkoj mbështetjen tënde!’”

Rusia prej vitesh ka punuar në thellimin e lidhjeve me serbët ortodoksë të rajonit, shumë prej të cilëve e pëlqejnë Rusinë për arsye historike, edhe nëse zgjedhin të punojnë, studiojnë dhe pushojnë në vendet perëndimore. Zemërimi për bombardimin e Serbisë nga NATO në vitin 1999 luan një rol të madh. Nuk ka asnjë provë se politikat ruse në Ballkan kanë ndryshuar, por politikanë të tjerë në rajon gjithashtu po i përshtatin politikat e tyre për t’iu përshtatur realiteteve në ndryshim.

Vitin e kaluar Milorad Dodik, lideri i serbëve në Bosnje, i filloi procedurat për t’i rimarrë kompetencat që entiteti i tij ia kishte dhënë shtetit boshnjak. Kjo provokoi krizën më të rëndë në këtë vend që nga përfundimi i luftës në vitin 1995. Më 6 qershor ato plane u pezulluan për gjashtë muaj. “Ne jemi realistë,” thotë z. Dodik. “Ne jemi shumë të vegjël për ta acaruar ndonjë lider të pasionuar nga Perëndimi.” Tetorin e kaluar ai ishte mburrur se nëse do të kishte ndonjë përpjekje ushtarake për t’i penguar planet e tij, ai do të priste ndihmë nga “miqtë” e tij, të interpretuar gjerësisht si Rusia.

Edhe në Mal të Zi tabloja ka ndryshuar. Në prill u formua një qeveri e re, tashmë e pambështetur nga partitë që konsiderohen gjerësisht “pro-ruse”. Por Slaven Radunoviq, një udhëheqës i njërit prej tyre, mohon që partia e tij të ketë ndonjë gjë të tillë, duke thënë se, pavarësisht nga simpatitë e përhapura historike për Rusinë dhe turistët e saj me shpenzime të larta, shumë prej të cilëve ende vijnë pavarësisht sanksioneve, kjo është një ofendim i përdorur nga kundërshtarët e partisë së tij në një përpjekje për të siguruar mbështetjen perëndimore.

Ndërkohë, mijëra rusë kanë gjetur strehë në Serbi. Sipas statistikave zyrtare, ka 6,465 rusë atje, por mund të ketë shumë më tepër. Rusët ndihen të mirëpritur. Samorukov vlerëson mundësinë për ta hapur një llogari bankare, për shembull, edhe nëse duhet të dëgjojë leksione të lodhshme nga shoferët e taksive “se si Putin është një udhëheqës i madh”./The Economist

Përktheu: Nuhi Shala