Qyteti bregdetar i Durrësit. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Lufta në Ukrainë godet shpresën për ringjallje të turizmit në Durrës

Në vijën bregdetare të plazhit të madh, nga Ura e Dajlanit deri në vendin e quajtur “Plepat”, njësitë akomoduese, hotelet, restorantet e shtëpitë pritëse, kanë ditë që kanë nisur nga puna për përgatitjet për sezonin e plazhit.

Njëkohësisht ndërmarrja lokale e pastrimit ka filluar punën për të pastruar vijën bregdetare nga leshterikët që ka lënë pas dimri, por pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe vijimi i luftës atje, i ka bërë drejtues të bizneseve të turizmin skeptikë për të ardhmen.

“Jemi çdo moment gjithë sy e vesh për të mësuar të rejat e fundit nga lufta në Ukrainë, sepse kemi pasur më shumë se 25% të pushuesve nga Ukraina vitet e fundit”, thotë Bashkim Saqe, pronar i hotel “Klebrido” në zonën e plazhit, për BIRN.

Ai thotë se biznesi ku shërben e gjithë familja në zonën e njohur si “Pista Kosova’, veç pushuesve nga Kosova dhe Maqedonia, ka pritur vitet e fundit qindra ukrainas, polakë dhe rusë. Por edhe pse ka bërë gati hotelin Saqe thotë se ende nuk ka asnjë pronotim.

Pushuesit nga Ukraina dhe vendet e tjera në lindje të Europës ishin sipas kryetarit të Shoqatës së Hoteleri-Turizmit Eduart Xhepa, një pjesë e rëndësishme e aktivitetit në këtë zonë dhe sipas tij mungesa e tyre këtë vit do të ketë pasoja. Xhepa thotë se biznesi druhet edhe nga rënia e numrit të turistëve prej vendeve të tjera rreth Ukrainës.

“Situata është tejet e paqartë. Pronotimet janë të zbehta deri më tani. Ukrainasit do të mungojnë dhe ata zënë një për qindje të konsiderueshme, pasur nga bjellorusët, çekët dhe të ardhurit nga Polonia, të cilët shpresojmë që mos t’i humbin për shkak të ndonjë përshkallëzimi të mundshëm të konflikti, apo krizës në tërësi”, tha Xhepa për BIRN.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia filloi më 24 shkurt dhe sipas Zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në Kombet e Bashkuara ka shkaktuar deri sëfundmi mbi 1600 viktima ndër civilë dhe 4.3 milion refugjatë, që në shumicë janë vendosur në Poloninë fqinje.

Turizëm i minutës së fundit

Operatorët thonë se lufta i ka ulur pritshmëritë e tyre për të marrë veten nga problemet të mëhershme të shkaktuara prej tërmetit të fund vitit 2019 dhe pandemisë nga COVID-19.

Në Hotel-Vila Misiri, famija që mban në këmbë aktivitetin prej vitesh i ka bërë të gjitha përgatitjet me riorganizimin e stafit, rregullimet në njësinë akomoduese duke bërë investime të reja, por për shkak të luftës situata për drejtuesit nuk është optimiste.

“U bënë vite që pushuesit nga Ukraina i kishim çdo sezon në hotel, madje ata qëndrojnë jo më pak se një javë dhe rikthehen edhe dy herë brenda të njëjtit sezon, por këtë vit nuk kemi më shpresa për ta dhe urojmë që të kemi pushuesit e tjerë të vendeve të lindjes”, thotë Genti Misiri, i cili kujdeset për pjesën e prenotimeve pranë hotelit familjar.

Për të dhe të tjerë administratorë të njësive akomoduese në Durrës, rregulli me prenotimet është prishur që pas tërmetit dhe pandemisë. “Dy vitet e fundit kemi pasur prenotime të ditëve të fundit, pasi situatat që po kalojnë e bëjnë të vështirë parashikimin për pushime, ndaj dhe ne atë shpresojmë pasi aktualisht nuk kemi”, thotë Genti.

Edhe për Dhomën e Turizmit dhe Industrisë në Durrës, lufta në Ukrainë ka bllokuar një pjesë të tregut të turizmit, ku pas polakëve, ukrainasit janë të dytët, ndaj dhe efektet do të ndihen.

“Nga vizitorët e huaj në vendin tonë gjatë vitit të kaluar, 60% e tyre erdhën në Durrës dhe ukrainasit mbajtën peshë kryesore”, thotë Alban Isteri, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës.

Isteri thotë se tashmë e gjithë industria e turizmit i ka shpresat te pronotimet e ditës të fundit, por ai nuk shikon mundësi të rritje të numrit të pushuesve krahasuar me vitin e kaluar.

“Ndonëse i vonë sezoni turistik i vitit të kaluar zuri 80% të kapaciteteve akomoduese që ka Durrësi dhe duke shpresuar se mungesën e pushuesve nga Ukraina do ta zënë pushues nga vende të tjera, të mund të qëndrojmë në të njëjtin nivel si vjet, pasi do të jemi larg 2019-tës”, thotë Isteri, duke iu referuar vitit të fundit pa krizë.

Alban Isteri thotë se situata prek pesë mijë biznese në qytet, që nga më komplekset turistike, hotelet, restorantet, dyqanet dhe një sërë aktivitetesh të tjera të lidhura me sezonin turistik.

Sytë nga tregu i brendshëm

Lufta po ashtu ka shkaktuar rritje të çmimeve të gazit dhe naftës dhe një sërë produktesh të tjera, që sipas operatorëve turistikë do të kenë ndikim në sezonin e këtij viti.

“Është lënda e parë për gatim për restorantet. Çmimi i gazit po rritet nga dita në ditë, ndaj kjo është një tjetër kosto që do të shtohet në këtë sezon”, thotë Eduart Xhepa.

Por rritja e çmimit të karburanteve shoqëruar me rritjet e shportës së ushqimeve, ka sjellë edhe rënie të ardhurave te shqiptarët dhe operatorët turistikë shpresojnë se oferta e tyre më e lirë mund t’i mbaj këta pushues të mundshëm brenda vendit.

“Shqiptarët ndryshe nga dy vitet e kaluara që nuk udhëtuan për shkak të frikës nga pandemia, mendojë se këtë vit për shkak të krizës ekonomike do të pushojnë në vend dhe shpresojmë që Durrësi të jetë destinacioni i tyre”, thotë Xhepa.

Numri i njerëzve që vizitojnë qytetin në fundjava është rritur gjatë marsit, por kjo duket se është shumë pak për njësitë akomoduese.

“Fundjava, veçanërisht kur dhe e hëna është pushim për shkak të festave shton vizitorët në Durrës, por nuk ka ndikim të madh në të ardhura, sepse konsumojnë një kafe në breg të detit dhe maksimumi një drekë familjare”, thotë pronari i një kompleksi në qytet pa pranuar të identifikohet.

Për kreun e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës krizat e njëpasnjëshme e kanë bërë të detyrueshme ndryshimin e strukturës së turizmit të qytetit.

“Flasim për një qytet dhe një qark që ka potenciale për të ofruar turizëm gjatë gjithë vitit. Turizmi kulturor, historik, ai kulinar, sëbashku me atë kodrinor e malor, duhet të njohin zhvillim dhe nuk do ta lënë Durrësin destinacion vetëm të turizmit detar”, tha ai.