Lufta me propagandë e lajme të rreme 

Me fillimin e bombardimeve të Rusisë në Ukrainë ka filluar edhe prodhimi dhe publikimi i lajmeve të rreme. Lajmet e rreme për luftimet në Ukrainë janë prodhuar e shpërndarë në gjithë botën, duke përfshirë edhe Kosovën.

Krypometri si pjesë e rrjetit ndërkombëtare të verifikuesve të fakeve (IFCN) është duke monitoruar mediat që publikojnë lajme në gjuhën shqipe për luftën në Ukrainë.

Që nga data 24 shkurt kur presidentit rus, Vladimir Putin vendosi me e sulmu Ukrainën, janë publikuar lajme të rrema nga portalet që publikojnë në gjuhën shqipe.

Pjesa më e madhe e lajmeve ka të bëjë me publikimin e videove dhe fotografive të vjetra dhe që nuk tregojnë realitetin aktual në Ukrainë. Pjesa më e madhe e videove dhe fotove të publikuara nga portalet në Kosovë lehtësisht mund të verifikohen nëse të njëjtat janë gjatë luftimeve në Ukrainë apo janë fotografi të bëra vite me parë.

Por, kishte edhe lajme që nuk u dihej burimi dhe as media që e ka publikuar dhe që duket propagandë ruse, siç është lajmi i publikuar për gjoja vrasjen e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Edhe lufta në Ukrainë e ka ri dëshmuar edhe njëherë praktikën e portaleve për publikimin e lajmeve “Copy” – “Past”. Pjesa më madhe e lajmeve të rreme janë ri publikuar në shumë media në gjuhen shqipe, anise verifikimi i vërtetësisë së tyre ka qenë relativisht i lehtë.

Fotografi të rreme

Një ditë pasi nisi lufta, protali “Periskopi” publikoi një lajm të rremë  me titull “Ukraina ia ‘ngrin’ në hava avionin ushtarak Rusisë: E bën shkrumb”. Protali në fjalë, iu referohet mediave nga Ukraina, por pa i cituar ato. “Sipas mediave ukrainase, avioni rus është qëlluar nga ushtria e Ukrainës”, thuhet në lajmin e “Periskopit”.

Gjithashtu, fotografia me të cilën është përshkruar lajmi ishte e vjetër me një kërkim të thjeshtë në ‘Google’ dëshmohet se fotografia qarkullon nëpër rrjet që nga viti 2017, e nuk ka të bëjë fare me konfliktin në Ukrainë.

Fotografia është e përdorur në vitin 2017 nga një medium francez, duke shkruar për konfliktin Jemen – Arabia Saudite, ndërsa po ashtu e njëjta fotografi është përdorur edhe në vitin 2018 nga një medium nga Irani.

Gjatë ditës së njëjtë, më 25 shkurt, disa media publikuan një video të rreme për të përshkruar luftimet në Ukrainë me titull “Situatë dramatike në Donbas të Ukrainës, Rusia nis operacionin ushtarak”.

Ky lajm është publikuar nga portalet ‘Gazeta Plisi’, ‘Vatra’ apo ‘KosovaLive’ duke thënë se avionët që shfaqen në video janë të Rusisë dhe kanë qenë duke fluturuar në rajonin e Dunbasit në Ukrainë.

Në fakt videoja nuk ka të bëjë me luftën në Ukrainë, por që është e publikuar në rrjetet sociale dhe në internet në maj të vitit 2020. E njëjta video është shpërndarë kinse është e luftës në Ukrainë.

Po të njëjtën ditë, disa media raportuan se Turqia ka bllokuar anijet luftarake ruse në Detin e Zi duke pretenduar se shteti turk është rreshtuar përkrah Ukrainës në luftë.

Lajmin për këtë u publikua në Rtklive, Kosova Post, Zhurnal MK, Indeksonline, Aktuale MK, Albanian Post. I njëjti lajm nuk është publikuar nga asnjë media ndërkombëtare të cilat janë duke i përcjell luftimet në Ukrainë përmes gazetarëve që janë dërgu në zonën e luftës.

Për më tepër në të njëjtën ditë kishte një deklarim për gazetën tutke “Hurriyet” të ministrit të Jashtëm turk,  Mevlüt Çavusoglu i cili kishte thënë se Turqia nuk mund t’i bllokonte anijet luftarake të Rusisë duke u thirrë në Konventën e Montreux që i lejon anijet të kthehen në bazën e tyre.

Çavusoglu tha se Turqia është e kufizuar në aftësinë e saj për ta bërë një gjë të tillë. Disa ditë më vonë, presidenti i Ukrainës e kishte falënderuar Turqinë për mbylljen e kanaleve, mirëpo lajmi nuk është konfirmuar nga Turqia. Ndërsa, portalet e Turqisë raportuar se “nuk ka vendim për mbyllje të kanaleve”.

Disa fotografi të vjetra u përdorën për të prodhuar një lajm të rremë.

Mediat në Kosovë si ‘Shqip.com’, ‘Sinjali’, ‘GazetaBlic’ apo ‘Shqiptarepress’, kanë publikuar fotografi të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky të vitit 2019 dhe të 2021, duke pretenduar se janë fotografi gjatë fazës së fillimit të luftës në mes të Ukrainës dhe Rusisë.

“Presidenti i Ukrainës, Zelensky vesh uniformën ushtarake – ai po shihet si inspirim për ushtarët ukrainas”, shkruante GazetaBlic dhe Shqiptarepress.

KALLXO.com i verifikoi fotografitë e publikuara dhe të njëjtat ishin publikuar gjatë vitit 2019, kur Zelensky pasi kishte marrë detyrën si president, kishte vizituar trupat e ushtrisë ukrainase në rajonin e Donbasit, në Ukrainën Lindore.

Anise ushtarët rus ende nuk kishin arritur në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, disa media në Kosovë u publikuan disa fotografi të vjetra për të thënë se qendra e kryeqytetit ukrainas ishte shkatërruar nga luftimet.

Fotografia, e cila ishte shkrepur gjashtë vite më parë, në vitin 2014, kur populli i Ukrainës protestonte kundër presidentit Viktor Janukoviq., ishte shpërndarë pa asnjë verifikim duke pretenduar se gjendja në Kiev ishte shkaktuar nga lufta Rusi-Ukrainë.

Këtë fotografi e publikuan portalet si Gazeta Prishtina, Lipjan City, 02 Press, Gazeta Neutral, Desk.al dhe Gazeta Stop.

Lajmi i rremë për vrasjen e Presidentit 

Dy ditë pasi nisi lufta në Ukrainë, u publikua një lajm i rremë për, kinse, vrasjen e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Media online “Pika Press” kishte publikuar një mbishkrim “Vritet presidenti i Ukrainës- Video”. Në këtë lajm është shpërndarë fotografinë e mediumit ‘Telegrafi’, duke aluduar se lajmi është bërë nga ky medium. Por, Telegrafi nuk e ka publikuar një lajm të tillë.

Lajmi ishte i rremë dhe presidenti ukrainas nuk ishte vrarë.

Lajme të rreme u publikuan edhe në një rast tjetër duke u përdorur disa fotografi të vjetra të disa fëmijëve.

Fotografia ku shihen dy fëmijë ishte publikuar nga  media kosovare “Insajderi.org”, në faqen e saj në Facebook dhe në Instagram me mbishkrimin “Vëlla e motër përshëndesin ushtarët ukrainas që po i mbrojnë nga rusët”.

Por kjo fotografi nuk është nga sulmet e fundit ruse në Ukrainë por qarkullon nëpër media të paktën që nga viti 2016.

Kjo fotografi është realizuar nga fotografi Dmitry Muravsky dhe e njëjta është publikuar edhe nga Ministria ukrainase e Mbrojtjes më 22 mars të vitit 2016 dhe deri tani ka marrë 799 reagime, 24 komente dhe është shpërndarë 504 në Facebook.

Video-lojarët proklamohen si video nga luftimet në Ukrainë 

Mediat online në vend publikuan edhe një lajm të rrejshëm mbi luftën në Ukrainë. Pamje nga video-lojëra u prezantuan si luftim i vërtetë.

Mediat si gazeta Express, gazeta Metro, Fakteplus, Fakti Editor ranë prehje e një të pavërtetë që ishte publikuar nga ministria e Mbrojtjes e Ukrainës në “Twitter”. Lajmi u përshkrua me tituj si: ‘Spektakël në ajër: MiG-29 ukrainas shkatërron aeroplanin rus’.

Mirëpo kjo video në të cilën shihet përplasja e dy aeroplanëve nuk është nga lufta Ukrainë- Rusi. Kjo video është pjesë e lojërave Digital Combat Simulator World, në të cilën luhen loja nga digjitale nga fushëbetejat.

Kjo video nuk është larguar nga llogaria e ministrisë së Mbrojtjes, por Twitter tashmë është duke treguar se video e publikuar është dhënë jashtë kontekstin dhe se e njëjta është marrë nga video lojërat.

Lajm i rremë me video të vjetër ishte publikuar edhe të dielën më 27 shkurt, tre ditë pasi kishte nis lufta mes Ukrainës dhe Rusisë.

Postimi u bë me mbishkrimin “Lajmi i fundit: Çmendet Vladimir Putini, lëshon 2 mijë raketa në drejtim të Ukrainës brenda një minuti”, dhe u publikua nga “Gazeta Infokus”, “Prishtina News”, “Gazeta Shekulli” dhe “Gazeta Neëborn” dhe është shikuar 238,512 mijë herë në Facebook.

Kjo video, e cila është publikuar si lajm i fundit, duke iu referuar sulmeve të Rusisë në Ukrainë, qarkullon në internet së paku që nga viti 2020. Video e njëjtë është publikuar dy herë në Youtube në vitin 2020.

Video e parë ka një gjatësi prej 18 sekondave, njëjtë sa ajo e publikuar nga mediat online në Kosovë, kurse tjetra është 42 sekonda.

Një krypometër nga KALLXO.com u publikua edhe më datën 1 mars pasi disa media publikuan disa fotografi të vjetra për të përshkruar luftën mes Ukrainës dhe Rusisë.

“Gratë dhe vajzat e Ukrainës rrokin armët, mbrojnë vendin e tyre”, thuhet në mbishkrimin e një albumi prej 7 fotografive, të publikuara më 26 shkurt nga mediat si Klan Kosova, TopTvKosova, E vërteta, Kavaja.net, JOQ Maqedonia, Kronika.com, Teleneës.al, Drenica Online, N’frekuencë – ATV.

Fotot e publikuara nëpër rrjetet sociale të mediave online janë realizuar në periudha të ndryshme nga viti 2016 deri 2021 dhe nuk janë shkrepur gjatë kohës kur ka nisur sulmi rus në Ukrainë.

Një publikim me fotografi rreme është shpërndarë në rrjetin social Facebook të faqes “In Doks” që operon në kuadër të portalit informativ “Insajderi.org”.

Fotografia është montazhë që tregon shpërthim bërthamor, si ilustrim. Ajo është përdorur në internet së paku që nga viti 2018 dhe nuk është foto reale, por fotomontazh.

Kievi në flakë | Video dramatike tregon momentin kur qielli i natës u ndez me një top të madh zjarri, thuhet në mbishkrimin e fotografisë të publikuar nga “In Doks” ditë më parë.

Grafika: KALLXO.com

Në koment është bashkëngjitur edhe lajmi, i cili i referohet një video në Twitter për sulmet në Ukrainë.

Rrena për ftesën për të luftuar 

Më 2 mars qarkulloi edhe një lajm tjetër i rremë. Portali ‘Kosovapost’ kishte publikuar një lajm duke shkruar se Shqipëria u ka bërë thirrje shtetasve të saj, që të luftojnë në Ukrainë.

Bazuar në një postim në rrjetin social ‘Facebook’ të Ambasadës së Ukrainës në Shqipëri duke publikuar lajmin me titull “Pas Danimarkës, edhe Shqipëria iu bën thirrje shtetasëve të saj të luftojnë në Ukrainë”.

Pas verifikimit, del që, postimi i Ambasadës ukrainase thotë se “vullnetarët që dëshirojnë të bashkohen me Legjionin Ndërkombëtar i Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës, ju lutem dërgoni një në e-mail në adresën e mëposhtme.”

Titulli i këtij shkrimi është i rremë, sepse asnjë institucion i Shqipërisë nuk ka bërë thirrje për qytetarët e saj t’i bashkohen luftës në Ukrainë.

Një fotografi e bërë montazh sikur ballina e revistës së njohur “Time” u publikua pas fillimit të luftës në Ukrainë. E njëta, u bë lajm në disa media në Kosovë por edhe në Shqipëri.

Mediat që e publikuan fotografinë e cila e krahasonte presidentin rus, Vladimir Putin me diktatorin, Adolf Hitler është publikuar në portalet Revista Kosovarja, Top-Channel, Gazetashqiptare.al, Infobox.al.

Pasi kjo fotografi u shpërnda nëpër rrjete sociale, krijuesi i saj, dizajneri grafik, Patrick Mulder në Twitter e mohoi që kjo fotografi është bërë për ballinën e revistës prestigjioze “Time”.

Edhe një tjetër lajm i rremë është publikuar në mediat në Shqipëri. Këtë herë për atë se Italia ka dërguar mbi 1 mijë ushtarë në Ukrainë.

Top Channel kishte publikuar më 27 shkurt një artikull me titullin “Italia mbyll hapësirën ajrore për Rusinë! I dërgon Ukrainës mitralozë, municione, raketa dhe mbi 1 mijë ushtarë”.

Brenda artikullit është përmendur mbyllja e hapësirës ajrore me Rusinë pas luftës në Ukrainë. Top Channel ka cituar mediat vendase për këtë informacion si dhe ka shkruar se Italia ka vënë në  dispozicion 1,350 ushtarë dhe sipas tyre, të gjithë janë pjesë e njësive speciale.

Sipas faqes zyrtare në Twitter të presidencës së Italisë në këtë datë është njoftuar vetëm për mbylljen e hapësirës ajrore me Rusinë dhe jo për dërgim të ushtarëve.

Kurse sipas një njoftimi të Qeverisë së Italisë më 28 shkurt, masat që ka ndërmarrë kjo Qeveri për situatën në Ukrainë janë përfshirë ndihma me pajisje ushtarake, por askund nuk është përmendur dërgimi i forcave ushtarake në Ukrainë.