Lufta e vajzave dhe grave me ngacmimet seksuale në Kosovë

Në një shoqëri ku djali edukohet që të ‘ngucë’ sa më shumë vajza, sfida me fjalët dhe presionin seksual për gratë është pothuajse e papërballueshme ndërsa për institucionet një temë e re e cila veç sa ka nisur të trajtohet. Brenda një viti në polici janë regjistruar 41 raste ndërsa në gjykatë është përfunduar vetëm një lëndë.

Protestat, marshimet, revoltimi me anë të veprave të artit, thirrjet e aktivisteve janë disa nga format të cilat  përdoren për t’i luftuar ngacmimet seksuale në Kosovë dhe në të gjithë botën. Sipas hulumtimeve nga organizatat jo-qeveritare, një numër i madh i viktimave të ngacmimeve seksuale janë vajzat dhe gratë, dhe se kjo vepër penale haset më së shumti në hapësirat publike.

Sipas Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, ngacmimet seksuale si akte manifestojnë dominimin e njërës palë mbi tjetrën, e që sipas tyre nëse përkthehet në praktikë, i bie dominimi i burrave mbi gratë. Ndërsa Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ngacmimin seksual e sheh  si një prej shqetësimeve dhe problemeve më të mëdha të grave në Kosovë.

“Shumë gra dhe vajza përmes rrjeteve sociale e telefonit na janë drejtuar shpesh herë neve për këshilim. Në bazë të procedurave ligjore, ne gjithmonë i këshillojmë ato që rastin ta raportojnë në Policinë e Kosovës, pasi që është rruga e duhur që t’i ndjekin ligjërisht abuzuesit, duke ditur që tashmë ngacmimi seksual konsiderohet vepër penale”   thotë Erza Kurti nga RrGK.

Në vitin 2019  ka hyrë në fuqi Kodi i ri Penal për veprën penale “Ngacmim Seksual” i cili parasheh dënim me gjobë dhe burgim deri në 3 vite për këdo që ngacmon seksualisht personin tjetër, në veçanti personin i cili është i ndjeshëm për shkak të moshës, sëmundjes, paaftësisë, varësisë, shtatzënisë, paaftësisë së rëndë fizike apo mendore.

Nga të dhënat  e Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2019 janë raportuar 41 raste të ngacmimit seksual ndërsa në vitin 2020 janë raportuar 4 raste. Ndërsa në Gjykatën Themelore në Prishtinë për vitin 2019, vetëm një rast i ngacmimit kishte lëndë në dhe se asnjë rast nuk është dënuar për kryerjen e kësaj vepre  penale.

Ndërsa, sipas Qendrës Kosovare për Studime Gjinore në Kosovë ekziston një praktikë e mos raportimit të rasteve të ngacmimeve seksuale, duke bërë që më shumë të raportohen sulmet seksuale dhe përdhunimet, ndërsa tentativat për sulm seksual raportohen pak, me një mesatare prej më pak se 10 rasteve në vit. Sipas kësaj organizate kjo po ndodh si pasojë e stigmatizimit të viktimave të ngacmimeve seksuale, tendenca e fajësimit edhe nga ana e vetë institucioneve, mosbesimi në institucione, frika nga hakmarrja apo dhe tendenca për t’i injoruar ose zgjidhur vetë me mjete tjera këto raste, po  i zmbrapsin vajzat dhe gratë nga raportimet.

Si formë revolte ndaj ngacmimeve seksuale CatCallsofKosova është nisma e katër aktivisteve të cilat fjalët ngacmuese po i paraqesin si mbishkrime në vendet në të cilat ndodhin ato ngacmime.  Nga evidencat e iniciativës që nga fillimi i këtij aktiviteti me 6 qershor deri më 16 qershor janë raportuar 40 raste të ngacimeve seksuale. Numër ky që rezulton të jetë më i madh se numri i raportimeve në Polici.

Në përgjigjjet për KALLXO.com ato thanë se do të qëndrojnë anonime derisa njerëzit të mësohen me punën e tyre, dhe se kjo inciativë është e planifikuar të zhvillohet vetëm në Prishtinë, por mesazhe ngacumese po marrin nga të gjitha komunat e Kosovës.

“Qëllimi i kësaj nise është vetëdijësimi i popullatës sonë në lidhje me ngacmimet seksuale ndaj vajzave dhe grave të cilat janë gjithnjë e në rritje”shkruan njëra nga aktivistet.

Kjo nismë është filluar duke marrë model CatCallsNYC. Sipas tyre mënyra se si funksionon është është duke i kontaktuar në Instagram, ku i tregojnë eksperiencat e tyre në lidhje me ngacmimet seksuale që i kanë përjetuar në rrugë, e tregojnë edhe vendin/lokacionin  ku i ka ndodhur ngacmimi dhe ato shndrrojnë në mbishkrime me shkumës.

Hulumtimet e RrGK tregojnë që ngacmimet seksuale që ndodhin në vendin e punës rrallë raportohen tek institucionet përgjegjëse. Në hulumtimin e vitit 2019, mbi diskriminimin në baza gjinore në vendin e punës, shumica e të anketuarave të cilat kishin pësuar ngacmim seksual, 41% prej tyre ia kishin treguar këtë një shoku ose shoqeje , 28% një të njohuri, kolegut, dhe 21%  pjesëtarit të familjes. Ndërsa në hulumtimin e vitit 2016  thuhet që një numër i vogël i njerëzve i paraqesin rastet e tilla në polici. Vetëm 4.1% e të gjithë respondentëve kanë deklaruar që i kanë raportuar rastet e ngacmimit seksual te autoritetet përkatëse ose njihnin dikë që kishte vepruar kështu. Po ashtu, në hulumtimin e vitit 2016, RrGK-ja gjeti se vetëm 4% e të gjithë personave që kishin pësuar ngacmim seksual e kishin raportuar rastin tek autoritetet. Sipas RrGK-së kjo gjetje është shqetësuese sepse lë të kuptohet që rastet e nën-raportuara të ngacmimit seksual në vendin e punës mund të jenë të përhapura.

Përpos ngacmimeve ndaj vajzave dhe grave sipas RrGK-së, edhe djemtë e burrat mund të jenë pre e ngacmimeve seksuale, sidomos kur ata ose ato  janë pjesë e komunitetit LGBTQI.

Liridona Sjarina nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, tha se  ngacmimi seksual si fenomen dhe akt, ndodhë më shumë për shkak të statusit shoqëror që gjinitë zënë në shoqëri dhe stereotipet që i përcjellin ato, duke i lënë gratë ende nën stereotipin seksist si “objekte seksi” dhe burrat, në pjesën dërrmuese heteroseksual, si të privilegjuar dhe të prirur për t’i ngacmuar vajzat dhe gratë. Ndërsa për ngacmimet ndaj personave nga LGBTQ tha që përpos që diskriminohen në forma të ndryshme dhe stigmatizohen, ata ngacmohen edhe seksualisht.

Hulumtimi i RrGK, nxjerr në pah se ngacmimet seksuale në rrugë janë më të  të shpeshta, dhe se forma më e zakonshme e ngacmimit seksual e raportuar nga respondentët është kur dikush ka bërë komente, shaka, apo gjeste të padëshiruara seksuale, me ta apo lidhur me ta, duke përfshirë edhe gjatë kohës së ecjes në rrugë. Duke u bazuar në hulumtimin e organizatës, rreth një e treta e kosovarëve me (31.6%) kanë thënë se kanë rënë pre e ngacmimeve seksuale.  Një përqindje e madhe e grave (47.4%), sesa ajo e burrave (15.4%) e kanë përjetuar këtë ngacmim.

Lidhur me këtë  RrGK thekson se fakti që nuk janë të shumta rastet të cilat janë raportuar apo dokumentuar nga institucionet e bën të vështirë vlerësimin e reagimit institucional dhe se kjo vjen edhe si pasojë e mos dijenisë së përfaqësuesve të institucioneve mbi ngacmimin seksual si tërësi.

“Kjo e pengon aftësinë e tyre për t’iu përgjigjur me efektivitet rasteve të ngacmimit seksual. Ata kanë prirjen ta keqkuptojnë ngacmimin seksual si përdhunim apo sulm seksual, ndërkohë që format “më pak të rënda” janë ose të panjohura, ose konsiderohen si të parëndësishme” thotë Erza Kurti, koordinatore e projekteve në RrGK.

Artpolis- Qendra për Art dhe Komunitet, e cila shpesh ngrit zërin kundër ngacmimeve seksuale me anë të artit, tha se gratë vazhdojnë të jenë të ngacmuara në forma të ndryshme, nuk ndihen të lira e as të sigurta që të raportojnë këto raste. Sipas Diellza Bezera nga Artopolis, ngacmimet seksuale ndodhin duke filluar nga hapësirat private dhe publike, në shkolla, universitete dhe në punë.

Në  paragrafin 3 të nenit 183 të Kodit Penal, thuhet se dënim i veçantë parashihet për kryerësin e veprës penale, nga personi i cili është mësues, për personat si udhëheqës fetar, profesionist i kujdesit shëndetësor, person të cilit i është besuar rritja ose kujdesi i personit të tillë apo në ndonjë mënyrë tjetër ka pozitë të autoritetit mbi atë person. Dhe se kryerësi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në tre vjet.

“Për aq kohë sa gratë dhe vajzat në Kosovë ende përpiqen të ushtrojnë të drejtat e tyre të plota njerëzore, por gjithmonë duke u përballur me sfidat dhe kufizimet e shoqerisë ku ne jetojmë, besoj që kemi ende shumë punë në  luftimin e pabarazive të tilla”, tha Bezera, menaxhere e projekteve në Qendrën për Art dhe Komunitet.

Artpolis ka realizuar performancën artistike si “Mos Hesht” ku përmes artit dhe lëvizjeve trupore të aktoreve transmetohet mesazhi vetdijësues tek shoqëria kosovare për ngacmimet në rrugë.

Sipas CatCallsofKosova njerëzit flasin për ngacmimet seksuale por jo gjithmonë i citojnë çka kanë thënë ngacmuesit, si fjalët denigruese për gratë dhe vajzat dhe shpesh herë edhe kërcënime. Ato theksuan se  nismat si kjo e mbishkrimeve janë të nevojshme për t’i vizualizur fjalët konkrete me të cilat ngacmohen vajzat dhe gratë në Kosovë për çdo ditë dhe se është e nevojshme që edhe ngacmuesit t’ i shohin të shkruara fjalët me të cilat i ngacmojnë gratë, ndërsa  ato ta shohin që kanë mbështetje.

Në përgjigjet e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore thuhet se ngacmimet janë  pasojë e mendësisë  patriarkale, e cila  vendosë rregulla dhe norma mbi atë se si duhet të sillen edhe të vishen vajzat dhe gratë në hapësirat publike, e në anën tjetër edhe siguria në rrugë është më e vogël, që ndikon në ngacmimin seksual në rrugë. Dhe, se këto ngacmime  në formën e thirrjeve të natyrës seksuale, shikimet apo presionet e ndryshme të kësaj natyre në rrugë nuk përceptohen edhe aq si ngacmime seksuale, duke i shndërruar  këto në forma normale të manifestimit të seksualitetit të burrave dhe djemve, duke ia cenuar integritetin një vajze apo gruaje.

Duke u bazuar në përgjigjet e organizatave, protestat, performancat, kampanjat, work-shopet,fushtatat, ekspozitat e artit  kanë ndihmuar që njerëzit të vetëdijësohen në lidhje me këtë vepër penale. Por, një formë tjetër e cila kishte ndihmuar në zhdukjen e ngacmimeve seksuale është përfshirja e lëndës Edukimi Seksual në kurrikulën shkollore.

Qendra Kosovare për Studime Gjinore në lidhje me këtë tha se mungesa e edukimit të drejtë seksual është një nga problemet kyçe nga të cilat lëngon sistemi  edukativo-arsimor dhe që po prodhon kriza të vazhdueshme në ngritjen tonë intelektuale dhe prezencën e ngacmimeve seksuale. Sipas saj, futja e lëndës së edukimit seksual, do t’i kontribuonte edukimit të gjeneratave të reja e cila do të ndikonte edhe në rënien e ngacmimit seksual pasiqë paralelisht me reformat e tjera në sistemin edukativo-arsimor do t’i krijonte kushtet për edukim të mirëfilltë.

Ndërsa, për këtë çështje Rrjeti i Grave të Kosovës tha se futja e kësaj lënde në shkolla do të ndikonte që gjeneratat e reja të jenë më të vëmendshëm ndaj shkeljeve të të drejtave që u bëhen grupeve të ndryshme të margjinalizuara në Kosovë dhe do t’i bënte të kuptojnë dallimet dhe diskriminimet në baza gjinore në të gjitha fushat shoqërore.

Sipas Artpolisit, edukimi seksual ende nënvlerësohet si pjesë jetike e zhvillimit normal të jetës dhe se inkuadrimi i kësaj lënde do të mundësonte njëherazi edhe në mbrojtjen e shëndetit fizik edhe në mirëqenien e integritetit mendor.

”Sistemi i drejtësisë nuk është marrë seriozisht me këtë formë të diskriminimit gjinor gjë që bënë në njërën anë mungesën e informacioneve praktike për viktimat se si duhet adresuar apo raportuar ky fenomen dhe në anën tjetër nuk ka ndonjë iniciativë nga institucionet për të krijuar task forca apo mekanizma përmes së cilave evidentimi dhe ofrimi i provave do të bëhej më lehtë i mundshëm” thuhet në përgjigjjet e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore.

Sipas nenit 183 paragrafi 2, ngacmimi seksual nënkupton cilëndo formë të sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale ose fizike të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit apo që cenon dinjitetin e personit, dhe krijon një mjedis i cili është objektivisht frikësues, armiqësor, degradues ose poshtërues.

 

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e medieve dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE-së,  K2.0, CEL apo QKSGJ.