Lubonja Shkakton “Tërmet” në Kosovë

Në një shkrim të publikuar në edicionin e muajit maj të revistës Sudosteuropa Lubonja u fokusua në reagimet e klasës politike shqiptare ndaj shfajësimit të ish-kryeministrit dhe ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Ramush Haradinaj nga Tribunali i Hagës.

Lubonja shkroi se lirimin e Haradinajt elitat politike në Shqipëri e Kosovë e festuan si lirimin e një heroi, pavarësisht informatave “të mjaftueshme, në mos për të qenë të bindur, për dyshime serioze se akuzat e Hagës ndaj Haradinajt janë të vërteta”. 

Haradianj u shfajësua nga Tribunali i Hagës nga të gjitha krimet e luftës me të cilat ngarkohej, në nëntor të vitit 2012, pas një rigjykimi nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.

Prokurorët dyshonin se Haradinaj së bashku me dy të bashkëpandehur tjerë torturuan dhe vranë serbë dhe shqiptarë në një vendmbajtje të UÇK-së në Jabllanicë në vitin 1998, pasi të ndaluarit i konsideronin bashkëpunëtorë të forcave serbe.

Gjykata erdhi në përfundimin se prokuroria nuk vërtetoi asnjë pikë të akuzës, as atë se të pandehurit i takonin një ndërmarrjeje të bashkuar kriminale me qëllimin për të vendosur kontroll në kampet e ndalimit të Kosovës Perëndimore.

Sipas Lubonjës reagimi ndaj shfajësimit të Haradinajt në Shqipëri dhe Kosovë shfaqi hipokrizinë e elitave politike dhe kulturore të këtyre dy vendeve që sipas tij përdorin ideologjinë nacionaliste për shpëlarjen e trurit të njerëzve.

 “Si në kohërat komuniste shqiptarët ushqehen me idenë se nuk janë askush si individë përballë interesit nacional dhe duhet të sakrifikojnë gjithçka për atdheun, duke mbyllur njërin sy ndaj çfarëdo krimi që kryhet në emër të tij”, shkroi Lubonja.

Sipas Lubonjës kjo shpërlarje truri krijon një formë të skizofrenisë, derisa shqiptarët lartësojnë heronjtë që sakrifikojnë veten për kombin, ndërsa kritikojnë batakçinjtë që vjedhin, ose vrasin ata, ndërsa të dy palët janë të njëjtë.

Pretendimet e Lubonjës kanë zemëruar anëtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të drejtuar nga Haradinaj.

Zëdhënësi i Aleancës Ernest Luma nëpër rrjetet sociale e quajti Lubonjën “një bir bushtre”.

 “Mbiemri i Lubonjës tingëllon serbisht”, shkroi Luma, duke e quajtur shkrimtarin shqiptar “ një serb që flet shqip”.

Ministresha e Integrimeve Europiane Vlora Çitaku tha që është ‘tronditur dhe habitur”, nga shkrimi i Lubonjës.

Ministri i Kulturës Memli Krasniqi shkrimin e Lubonjës e quajti të turpshëm, ndërsa akuzoi atë për “komente të sëmura rreth çlirimtarëve të Kosovës”.