Luan Gola

Internisti i partisë së “sëmurë” 

Nga viti 2000 deri në 2007, Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK, kishte udhëhequr me komunën e Gjakovës. Por, pushtetin më 2007 ia rrëmbeu Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. 

LDK-ja po kërkon rikthimin e pushtetit në Gjakovë, duke kandiduar Luan Golën për kryetar të qytetit. 

Gola është lindur më 22 qershor 1962 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe të mesme (Gjimnazin “Hajdar Dushi”) ka përfunduar në Gjakovë, ndërsa studimet në  Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. 

Pas përfundimit të fakultetit të mjekësisë, Luan Gola ka regjistruar studimet postdiplomike në Zagreb, ku është duke doktoruar aktualisht. Gjithashtu është anëtar i diabetologëve të Europës në Holandë. 

I njohur me profesionin e Internistit, mjekut të sëmundjeve të brendshme, e konkretisht si diabetolog, Luan Gola i është bashkuar subjektit politik  LDK, për t’u bërë kryetar i degës së LDK-së në Gjakovë në vitin 2011.

Zgjedhja e tij si kryetar i LDK-së, kishte përçarë disa anëtarë të këtij subjekti, të cilët në krye me kundërkandidatin për kryetar të degës së  LDK-së në Gjakovë, kishin lëshuar partinë më të madhe opozitare, për të mos qenë pjesë e këtij subjekti. 

Përveç degës së LDK-së që ka kandiduar Luan Golën, në Gjakovë ekziston edhe një degë tjetër që veten konsideron si LDK legale në Gjakovë. 

Ndarja e kësaj dege ndodhi në kohën kur kryetar i LDK-së ishte bërë Isa Mustafa, të cilin nuk e njohin si kryetar, dega që konsideron veten legale në Gjakovë, në krye me Fetah Bakija dhe anëtarët Haxhi Kamberin, e Arben Sylejmanin, që konsiderohen si përkrahës të Fatmir Sejdiut. 

Profesionin e tij të Internistit, Luan Gola e kryen në Institutin për Mjekësi të Punës në Gjakovë. 

Në këtë institut, Luan Gola kishte qenë ushtrues detyre i drejtorit në vitet 2010-2011, ku edhe sot vazhdon të jetë, pjesë e këtij instituti. 

Familjarët e Luan Golës përshkruajnë atë si një familjar të mirë, punëtor dhe të përkushtuar në familje. Arsyeja e kapjes së tij në politikë sipas bashkëshortes së tij është kontributi i Luanit që do ta bëjë për komunën e Gjakovës dhe shëndetësinë. Ajo vazhdon ta përshkruajë atë si njeri të sinqertë dhe të gatshëm për Gjakovën, e cila edhe shprehet optimiste për bashkëshortin e saj.

Ndër premtimet kryesore të kandidatit Luan Gola, janë transparenca financiare, llogaridhënia komunale, regjistrimi i pronave komunale; bujqësia , subvencionimi i pemëtarisë dhe vreshtarisë si dhe ndryshimi i gjendjes shëndetësore në komunën e Gjakovës.