Protestues nga diaspora shqiptare jashtë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 3 prill. Foto: BIRN/Valdet Salihi.

Lot dhe emocione në fillimin e gjyqit ndaj ish-liderëve të UÇK-së në Hagë

Shqiptarët dolën në rrugë për të shprehur zemërimin e tyre teksa filloi gjyqi i heronjve të tyre të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa brenda gjykatës emocionet e të pandehurve ishin të larta. Xhorxhina Bami e BIRN ndoqi zhvillimin e ngjarjeve në Hagë këtë javë.

“U-Ç-K! U-Ç-K!” Brohorimat jehonin nëpër rrugët e Hagës teksa mbështetësit e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre të pandehurve të tjerë bashkë me të thërrisnin akronimin në gjuhën shqipe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Fillimi i gjyqit të katër ish-udhëheqësve guerilë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në fillim të kësaj jave shkaktoi një shpërthim zemërimi nga shqiptarët e Kosovës dhe të afërmit e tyre në diasporë ndërsa ata u mblodhën për të protestuar në Prishtinë dhe jashtë gjykatës së krimeve të luftës në Hagë.

Gjatë gjithë ditës së hapjes së gjyqit të hënën, shqiptarët me plis në kokë ose me bluza me fjalët “Liria ka emër” brohorisnin fort në qytetin holandez ndërsa në gjyqin e Thaçit dhe të bashkëluftëtarëve të tij të kohës së luftës të kthyer në politikanë, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, mbaheshin deklaratat hapëse.

“Heronjtë tanë janë këtu, kështu që këtu do të jemi edhe ne!”, tha për BIRN Tahir Çitaku, një nga protestuesit e parë që u shfaq para gjykatës herët në mëngjes të hënën. Më vonë atë ditë, duke mbajtur një flamur shqiptar, Çitaku shpjegoi se kishte ardhur nga Bazeli në Zvicër për të mbështetur udhëheqësit e UÇK-së të kohës së luftës.

Ndërsa prokurorët lexonin akuzat kundër tyre, duke i akuzuar për një sërë krimesh lufte dhe krime kundër njerëzimit, Çitaku iu tregoi se sa shumë shqiptarë të Kosovës e perceptojnë Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin si çlirimtarë për rolin e tyre në rezistencën ndaj ushtarakëve jugosllavë dhe policisë serbe gjatë konfliktit të viteve 1998-1999. “Shpresojmë që drejtësia të triumfojë”, tha ai.

Ky ishte një mendim që mbështetej nga protestuesit e tjerë në Hagë. “Ne kemi ardhur për t’i thënë gjykatës së Hagës se ata po mbajnë çlirimtarët tanë, të cilët nuk janë fajtorë”, tha Nevaip Zyberi, një tjetër shqiptar etnik që jeton në qytetin zviceran të Bazelit. “Shpresojmë që e vërteta më në fund do të dalë në shesh dhe çlirimtarët tanë do të lirohen”, shtoi ai.

“Është njësoj si atëherë kur ishim nën okupimin serb, njerëzit kanë frikë se po bëhet një padrejtësi, por nuk besoj se kjo gjykatë do të bëjë padrejtësi sepse ata janë ndërkombëtarë”, tha Ramadan Nikaj, një shqiptar i Kosovës i cili erdhi nga Gjermania për t’iu bashkuar protestës.

Një ditë më parë, mijëra njerëz ishin mbledhur në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, nën banderolën “Marshojmë për drejtësi”. Protestuesit mbanin në duar flamurin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë dhe gjithashtu shfaqën sloganin “Liria ka emër”, i cili është vendosur në billborde anembanë Kosovës përpara gjyqit në një fushatë të vazhdueshme mbështetëse për të pandehurit në vendin e tyre.

Thaçi shpreh “pendim dhe dhimbje”

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gjykatë më 4 prill. Foto: Dhomat e Specializuara të Kosovës/Livestream.

Brenda sallës së gjyqit në dy ditët e para të gjyqit, një përzierje emocionesh u shprehën nga të pandehurit ose mund të shiheshin në fytyrat e tyre teksa në gjykatë u transmetuan dy këndvështrime krejtësisht të ndryshme rreth përvojave të tyre të luftës.

Të katër burrat dëgjuan me mosbesim prokurorinë teksa renditi krimin që ata akuzohen se kanë kryer, duke treguar indiferencë ndaj akuzave dhe duke mbajtur qëndrimet e politikanëve të ashpër, seriozë dhe të nivelit të lartë.

Një nga momentet që shkaktoi tronditje në publikun në Kosovë ishte kur prokurori Alex Whiting i tha gjykatës të hënën se Thaçi “ka ardhur disa herë në fshehtësi për të dhënë intervista” gjatë fazës së hetimit të rastit, ndërsa ishte ende president.

Ndërsa ata që dëgjonin ishin gjithë sy e veshë, Thaçi qëndroi i qetë, sikur pretendimi të mos ndikonte në rastin e tij.

Whiting vazhdoi duke pretenduar se Thaçi kishte bërë disa deklarata të rreme gjatë hetimit të rastit, kur ai “mohoi shumë për rolin e tij dhe rolin e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së në luftë”. Thaçi vazhdoi të ruante qetësinë.

Në ditën e dytë, të pandehurit mund të dallohej që përjetonin emocione të ndryshme, ndërsa avokatët e tyre parashtruan çështjen për mbrojtjen.

Në një rast, avokati i Thaçit tregoi një klip nga një dokumentar i BBC-së mbi luftën në Kosovë, ku një ish-komandant i UÇK-së me emrin e luftës Remi shpjegoi se si komandantët e nivelit lokal të “zonave operacionale” të UÇK-së i thanë Thaçit që të mos nënshkruante Marrëveshjen e Paqes të Rambujesë me presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviç në 1999.

Avokati mbrojtës Gregory Kehoe po pretendonte se komandantët e zonave operative kishin kontrollin mbi UÇK-në dhe jo Shtabi i Përgjithshëm, duke argumentuar se Thaçi dhe të tjerët nuk kishin kontroll mbi luftëtarët që mund të kenë kryer ose jo krime.

“Nuk do t’i përdorim të gjitha raketat tona kundërajrore ndaj serbëve. Nëse firmos, do ta ruajmë njërën për të rrëzuar avionin tënd”, pretendohet se i tha Remi Thaçit në dokumentar. Videoklipi ka bërë që të pandehurit të shpërthejnë në të qeshura.

Rreth një orë më vonë, një tjetër nga të pandehurit, Krasniqi, nuk mundi t’i përmbajë më emocionet dhe filloi të derdhte lot kur Kehoe po fliste për mizoritë e kryera nga forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe dhe gjithashtu shfaqte video të zhvendosjes së shqiptarëve të Kosovës.

Thaci më pas mbajti një fjalim shumë emocionues dhe prekës në gjykatë, duke thënë se ndjen “pendim dhe dhimbje për të gjitha viktimat e kësaj lufte, pa paragjykime”.

Ai gjithashtu i tha gjykatës se “viktimat nuk gjejnë drejtësi kur të pafajshmit ndiqen penalisht”, dhe shpjegoi se Kosova nuk do të ekzistonte rezistencën e armatosur dhe atë paqësore kundër regjimit represiv jugosllav.

Në Kosovë, shpesh diskutohet ironia e gjykimit të Thaçit në një gjykatë për të cilën ai dikur kishte lobuar që të ngrihej. Të martën në sallën e gjyqit, ish-presidenti kërkoi të nënvizonte se si ai beson se Dhomat e Specializuara do ta lirojnë atë nga akuzat.

Duke shpjeguar se ishte që ai që kërkoi fillimisht një hetim ndërkombëtar për akuzat në një raport të Këshillit të Evropës të vitit 2010 se luftëtarët e UÇK-së ishin të përfshirë në trafikim organesh, Thaçi argumentoi se një “re e zezë mbi Kosovën” u hoq kur hetimi zbuloi se nuk kishte prova për të akuzuar ndonjë luftëtar të Kosovës për marrjen e organeve të të burgosurve për t’i shitur ato më pas.

“Bota tani e di se nuk ka pasur trafik organesh”, tha Thaçi, duke shtuar se ai beson se do të lirohet edhe nga akuzat për krime lufte. “Pres të lirohem nga akuzat”, deklaroi ai.

Fjalimi i Selimit ishte më i ndjerë, duke shpjeguar pengesat e përditshme me të cilat përballeshin shqiptarët etnikë nën regjimin serb.

“Shqiptarët po largoheshin nga puna, nuk kishte më policë shqiptarë, nuk kishte mjekë shqiptarë, as postierë… Të rinjtë shqiptarë nuk mund të luanin as futboll në stadium dhe salla sportive, i vetmi televizion në gjuhën shqipe u mbyll dhe të gjitha gazetat u mbyllën”, tha Selimi në gjykatë.

Fjalimi i Krasniqit në gjykatë nxori në pah atë që ai e përshkroi si absurditet të akuzave kundër tij. Ai argumentoi se nuk mund të kishte përndjekur kundërshtarët politikë të UÇK-së nga Lidhja Demokratike e Kosovës, partia LDK, siç pretendon aktakuza, sepse ai kishte qenë vetë anëtar i partisë dhe kishte të afërm dhe miq në radhët e saj.

“Është absurde që po akuzohem për persekutim të anëtarëve të LDK-së. Unë vetë kam qenë anëtar i LDK-së. Familjarët e mi, bashkëluftëtarët e mi kanë qenë anëtarë të LDK-së”, tha Krasniqi në gjykatë të mërkurën, duke shtuar se “vetëm një mendje e çoroditur mund të mendojë se unë jam pjesë e persekutimit të vetes, të familjarëve të mi”.

“Askush nuk është mbi ligjin”

Mbështetës të të pandheurve në protestë në Hagë, ndërsa prokurorët po mbanin deklaratat e tyre hapëse më 3 prill. Foto: BIRN/Valdet Salihi.

Si figura të larta të UÇK-së gjatë luftës, të pandehurit akuzohen për krime, duke përfshirë përndjekje, arrestim dhe burgosje të paligjshme, trajtim mizor, torturë dhe vrasje mes të paktën marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në Kosovë dhe Shqipërinë fqinje.

Gjatë ditëve të hapjes së gjykimit, prokuroria përsëriti këmbënguljen e Dhomave të Specializuara se po gjykohen katër të pandehurit, jo vetë UÇK-ja.

“Ky nuk është një gjyq ndaj UÇK-së”, tha Whiting në gjykatë. “Askush nuk është mbi ligjin edhe gjatë luftës… ky rast është për viktimat dhe familjet e tyre që pritën 20 vjet për drejtësi”, shtoi ai.

Megjithatë, shumë shqiptarë të Kosovës besojnë se edhe pse Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, gjykata është e njëanshme etnike dhe denigron luftën e drejtë të UÇK-së për liri.

Ky ishte një qëndrim që u shpreh sërish nga protestuesit në Hagë. Bajram Lushaku, një shqiptar me banim në Frankfurt të Gjermanisë, tha se “për mua, kjo gjykatë është thjesht politike, është kundër UÇK-së dhe kundër popullit të Kosovës”.

Lushaku argumentoi se “në vend që të sillnin këtu kriminelët nga Beogradi që kryen masakra të tmerrshme në Kosovë, ata sollën çlirimtarët tanë”.

Por ndërsa qindra mbështetës të të pandehurve bënë që prania e tyre në Hagë të ndihej, të afërmit e viktimave dhe të mbijetuarit e krimeve të pretenduara nuk u panë përreth gjykatës.

Megjithatë, avokati i caktuar për të përfaqësuar viktimat në gjykatë, ishte aty për t’u dhënë atyre një zë. Në deklaratën e tij hyrëse në gjykatë të hënën, avokati i viktimave Simon Laws i tha gjykatës se viktimat vinin nga prejardhje të ndryshme etnike, por ishin “të bashkuar në atë që u ndodhi atyre”.

Ai gjithashtu vuri në dukje diçka që katër liderët guerilë të kohës së luftës dhe ata kundër të cilëve dyshohet se kanë kryer krime kishin të përbashkët: “asnjëri prej tyre nuk do ta kishte menduar se mund të takoheshin një ditë në sallën e gjyqit”.