Foto: Facebook/Policia e Shtetit

Lluksi qeveritar: Dy, ministri do paguajnë 1.2 milion euro për qiranë në biznesin privat

Dy ministri të Qeverisë së Kosovës do paguajnë mbi 1 milion e 200 mijë euro për qiranë e objekteve të tyre në njërën nga zonat e shtrenjta të kryeqytetit.

Ministria e Bujqësisë së bashku me atë të kulturës do paguajnë mbi 100 mijë euro në kontot e kompanisë “Ramiz Sadiku” Sh.P.K., për shfrytëzimin me qëra të objekteve të kësaj kompanie private.

Për disa javë pritet që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporti dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të transferohen në objektet e kompanisë “Ramiza Radiku” në Prishtinë.

Shuma e lartë që Ministritë duhet të paguajnë për qiranë dhe përzgjedhja e objektit ku do të vendosen Ministritë është përcjellë me reagime jo vetëm nga punëtorët e ministrive, por dhe shoqëria civile.

As Ministria e Administratës Publike, e as ajo e Kulturës dhe e Bujqësisë nuk kanë treguar procedurat e ndjekura për përzgjedhjen e objekteve ku do të vendosen ministritë.

MAP përgjegjësitë për përzgjedhjen dhe negocimin ua hedhë dy Ministrive, e këto të fundit pohojnë se i gjithë procesi është udhëhequr nga MAP.

 Ikja nga përgjegjësia

Arton Berisha, sekretar i Përgjithshëm i MPA-it në një përgjigje për Kallxo.com ka thënë se MAP nuk ka zhvilluar procedura për vendosje në objekte pasi që procedurat e përzgjedhjes së një ndërtese me qira i zhvillon vet institucioni dhe kontrata nënshkruhet nga vet institucioni, në këtë rast, MKRS dhe MBPZHR.

“Kjo është e rregulluar me Ligjin e prokurimit neni 3 paragrafi 6. Ne vetëm ju kemi ndihmuar në aspektin profesional dhe teknik me anëtarë në komisione të përzgjedhjes”, ka potencuar sekretari Berisha.

Por, në një përgjigje për Kallxo.com MKRS thekson se MAP-i është përgjegjës për menaxhimin e ndërtesave publike dhe akomodimin e stafit të ministrive dhe agjencive tjera qeveritare, rrjedhimisht, andaj MKRS, nuk ka pasur kompetencë të zhvillojë asnjë procedurë për këtë çështje.

MKRS shton se Qeveria pasi e ka aprovuar kërkesën e Presidencës për vendosje në objektin e MKRS-së, ka autorizuar Ministrinë përgjegjëse për Administratë Publike për akomodimin e MKRS-së në një lokacion tjetër.

“Ata (MAP) kanë zhvilluar më pas gjitha procedurat, kur kanë kërkuar ndonjë informacion lidhur me aspektet teknike të këtij procesi atëherë ne jemi përgjigjur, do të thotë se MKRS nuk ka pasur kompetencë në këtë proces”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së

Ndërkaq në MBPZHR pohojnë se qysh në shkurt të këtij viti kanë pranuar kërkesën e parë për lirimin e objektit dhe që nga fillimi i muajit mars është formuar ekipi profesional nën udhëheqjen e ekspertëve të MAP-it për të gjetur një objekt me qira, i cili plotëson kriteret minimale për punë dhe ka një çmim të arsyeshëm sipas tregut.

“Ky ekip për 5 muaj me radhë ka punuar në gjetjen e objekteve dhe ka propozuar objektin më të lirë me çmim dhe më funksional për mbarëvajtje të punës së stafit të MBPZHR-së. Pas negocimit të çmimit nga ekspertët e përcaktuar në këtë ekip, është vendosur për objektin specifik tek ish objektet e ‘Ramiz Sadikut’, ku çmimi për metër katror është 18 euro bruto (11 euro neto)”, thuhet në përgjigjen e MBPZHR.

Kurse, zyrtarë të kompanisë “Ramiz Sadiku” Sh.P.K., nuk kanë dashur të flasim për këtë çëshje. Përmes postës elektronike zyrtarë të kompanisë kanë sugjeruar që për qiranë dhe proceduarve tjera të kontaktohen qiraxhinjtë e kësaj ndërmarrje.

“Ne kemi kontrata me disa kompani të ndryshme, vendore e ndërkombëtare, të cilat shfytezojnë hapësirat tona afariste me qira sipas çmimeve të tregut. Sipas rregullit, ju mund t’i kontaktoni qiramarrësit për pyetjet tuaja”, thuhen në përgjigjen e Kompanisë “Ramiz Sadiku” SHPK, për Kallxo.com.

Adresa dhe objekte e reja të dy Ministrive, të Kulturës dhe Bujqësisë

Ministria e Kulturës (MKRS) është paraparë të vendoset në njërin prej anekseve të ndërtesave të ndërmarrjes “Ramiz Sadiku”, dhe do të ketë në shfrytëzim rreth 2,500 meta katrorë me një vlerë prej 45 mijë euro bruto (me taksa) në muaj. Në këtë objek pritete të vendosen edhe punëtorët e Departamentit të Sportit dhe nëse ka vend edhe ata që janë të vendosur në objektin që shfrytëzohet nga MKRS të ‘Qafa” në Prishtinë.

Ndërkaq, Ministria e Bujqësisë (MBPZHR) ka marrë në shfrytëzim 3,180 metra katrorë me qira nga “Ramiz Sadiku” SHPK, në vlerë prej 18 euro bruto në muaj. Duke llogaritur metrat katror dhe çmimin për metër katror i bie që MBPZHR do të paguaj 57,240.00 euro bruto në muaj për qiranë. Në këtë objekt sipas MBPZHR-së do të vendosen edhe punëtorët e Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë e cila funksionon në kuadër të kësaj ministrie.

Të dytë Ministritë do të paguajnë 102,240.00 euro në muaj për shfrytëzimin e objekteve të “Ramiz Sadikut”. Ndërkaq qiraja vjetore do të arrijë në 1,226.880 euro.

Kallxo.com ka hulumtuar tregun e ndërtimeve në kryeqytet për të parë koston e ndërtimit të objekteve shumëkatëshe.

Sipas kompanive të kontaktuara nga Kallxo.com kostoja për ndërtimin e një ndërtese (të gashtshme për shfrytëzim) në kryeqytet pa llogaritur çmimin tokës, arrin në afërsisht 360 euro për metër katrorë.

Duke llogaritur hapësirën e objektit të MKRS prej 2,500 metra katrorë dhe asaj të Bujqësisë prej 3,180 dhe shumëzuar me shumë prej 360 euro, i bie se për dy vite e gjysmë sa do të paguajnë për qiranë, dy ministritë do të kishin mundur të ndërtonin një objekt në përmasat e 6,816 metrave katrorë.