Agim Aliu, Kryetar i Ferizajt

Llogaridhënia e Agim Aliut për qeverisjen në Ferizaj

Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu është në mandatin e tij të dytë në këtë komunë  dhe si rrallë herë ai  fillimisht e kishte humbur pushtetin, për t`u kthyer sërish në qeverisjen e kësaj komune.

Agim Aliu që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kishte fituar Ferizajn, pas balotazhit me kundërkandiatin e tij, Muharrem Svarqa të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Por këta dy rivalë politik u përballën sërish në Debatin “Jeta në Komunë” të Jeta Xharrës, pas tri vitesh në qeverisje të Aliut, për të parë përmbushjen e premtimeve të këtij të fundit dhe telashet e sukseset e Ferizajt gjatë kësaj periudhe kohore.

I pari i Ferizajt u përballë edhe me kritikat e asamblistëve të tjerë të partive politike në Kuvendin Komunal dhe aktivistëve të shoqërisë civile.

Agim Aliu. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ferizaj, si njohur edhe si “qyteti i biznesit” ka problem të çështjeve më esenciale për jetesë, pasi që shumë fshatra e lokalitete tjera përballen me mungesë të ujit, infrastrukturës e punësimit.

Problem me mungesën e ujit të pijshëm kanë fshatrat  Dardani, Sojevë, Bibaj, Rakaj, Greme, Tërrn, Zllatar, Mirosalë, Koshare, për të cilat vende, kryetari Aliu u zotua se do t’ua zgjidh hallin.

Edhe përkundër gjithë zhvillimit që Ferizaj e ka përjetuar që nga koha e pasluftës së fundit në Kosovë, komuna ende nuk ka arritur t’i përfundojë rrugët që do të lehtësonin komunikacionin.

Agim Aliu u arsyetua se tollovitë janë shkaktuar pasi është duke u zhvilluar projekti për “Bashkimin e qytetit”, një simbolikë në emër, për ndërtimin e parkingjeve e nënkalimeve në këtë qytet.

Kritikat e opozitës

Ish-kryetari i Komunës së Ferizajt nga radhët e LDK-së, Muharrem Svarqa në debatin Jeta në Komunë ka kritikuar qeverisjen e Agim Aliut të PDK-së. Svarqa tha se në këtë komunë nuk ka transparencë.

“Qytetarët e komunës së Ferizajt, asnjëherë nuk kanë qenë më të përjashtuar në vendimmarrje sesa gjatë mandatit të kryetarit Aliu”, theksoi ai.

Asamblisti i LDK-së foli edhe rreth projektit “Bashkimi i qytetit”.

“Ato janë vetëm disa nënkalime që për fat të keq në një mënyrë janë shndërruar në gropa kundërmuese të cilat e kanë degraduar zhvillimin afatgjatë të Ferizajt ndoshta për 100 vitet e ardhshme”, tha Svarqa. Kurse, kryetari Agim Aliu theksoi se këto janë spekulime.

“Të vërtetat janë krejtësisht ndryshe. Transparenca është vlerësim i USAID-it dhe është vlerësim që është bërë kohëve të fundit dhe që jemi ndër komunat më transparente në rang të Republikës së Kosovës, jemi komuna e gjashtë”, tha ai.

Edhe asamblisti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dritëro Hyseni në debatin “Jeta në Komunë”, tha se komuna ka parregullsi të shumta, përfshirë në rregulloret për ndërtime.

“Dua me fillu për pjesën që unë jam i bindur se kuvendi Komunal së bashku me qeverisjen kanë pasur shumë parregullsi. Këtë mund ta vërtetojmë edhe përmes raportit të MAPL-së edhe me rregulloret e jashtëligjshme cilat  i ka sjell kjo qeveri në Kuvendin Komunal dhe nëpërmjet aparaturës së votës kanë arritur edhe me i kalu”, tha ai.

“Një ndër to po dua ta cek është edhe Rregullorja për dhënin e pronës së paluajtshme të komunës për ndërtim”, shtoi asamblisti.

Jeta në Komunë, Ferizaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hyseni kritikoi qeverisjen e PDK-së dhe parapraket sa i përket kaosit në trafikun rrugor të Ferizajt.

“Në qytetin e Ferizajt prej kryetarit të parë Adem Salihut e deri të z. Aliu kanë konsideruar që hekurudha është problemi i qytetit. Ka më shumë se një muaj që treni nuk kalon, por përsëri në qytet po vazhdojnë kolonat me orë dhe duhet së paku një ore për ta kaluar qytetin”, theksoi ai.

Kurse, kryetari i komunës, Agim Aliu sa i përket “vendimeve të jashtëligjshme” tha se Ferizaj e ka respektuar qind për qind parimin e ligjshmërisë.

Ai shtoi se ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët për tollovinë në trafik për shkak të projekteve që po bëhen në qendër.

“Në 2021-n shumica e këtyre projekteve përfundojnë dhe do të kemi funksionalitet të qendrës”, u zotua Aliu.

Përpos Aliut dhe Svarqës, në debat morën pjesë edhe Dritëro Hyseni – Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Amir Rexhepi – Aleanca Kosova e Re (AKR), Ali Halimi – Nisma Socialdemokrate (NISMA).

Gjithashtu pjesëmarrës ka qenë edhe aktivisti i shoqërisë civile nga organizata INPO, Qëndrim Arifi.

Premtimet Agim Aliu në llupën e “Krypometrit”

Në debatin Jeta në Komunë, Agim Aliu u përballë edhe me krypometragjinjtë të cilat ia kanë kanë matur premtimet që ai i pati dhënë më 2017-n.

Kryetari i Ferizajt kishte premtuar ndarjen e fondeve shtesë për hapjen e puseve të reja për tu siguruar qytetarëve ujë të pijshëm.

Këtë premtimi, Krypometri e ka vlerësuar me “Hetimet Vazhdojnë”, pasi komuna ka nënshkruar marrëveshje për hapjen e 60 puseve.

Megjithëkëtë, ai pati premtuar ujë edhe për fshatrat Greme dhe Rakaj, por ato vazhdojnë të mos kenë ujë.

Përveç tyre, ujë të pijes nuk kanë edhe fshatrat Dardani, Bibaj, Tërrn, Zllatar, Mirosalë.

Agim Aliu e ka mbajtur premtimin për emërimin e tri drejtoreshave gra në komunë, por nuk e ka themeluar Drejtorinë për Barazi Gjinore, ashtu siç kishte premtuar.

Për përmbushjen e këtij premtimi, Aliu në Debatin “Jeta në Komunë”, tha se i duhet ndërrimi i statutit në komunë dhe përkrahje e asamblistëve, gjë të cilën ia ofruan asamblistët e pranishëm në debat.

Krypometri do të vazhdojë të masë gjithashtu, nëse Aliu do të përmbushë realizimin e projektit “Bashkimi i Qytetit”, për të cilin tha se do të përfundoj më 2021.

Në anën tjetër, kryetari i komunës së Ferizajt e ka mbajtur fjalën për themelimin e Fondit të Punësimit, që e kishte premtuar në vitin 2017.

Ndërkaq, parkingjet nëntokësore të ndërtuara në kuadër të “Bashkimi i Qytetit” ende nuk janë funksionalizuar. Krypometri ka gjetur se parkingjet menaxhohen nga “Ambienti” dhe janë me pagesë. Por, se ka edhe parkingje pa pagesë në Ferizaj.

Indikatorët e performancës për Ferizajn

Komuna e Ferizajt këtë vit është vlerësuar e teta në raportin e performances nga Ministria e Pushtetit Lokal.

Në disa fusha Ferizaj është vlerësuar me pikë negative.

Kjo komunë është renditur në vendin e 28-të pasi kanë pak shtigje të bicikletave, trotuareve dhe ndriçimit në rrugë.

Raportet gjithashtu që vitin e kaluar komuna ka shpenzuar  vetëm 71 për qind të buxhetit për investime.

Ndërkaq, Për Kulturë, Rini dhe Sport, Ferizaji është i radhitur si komuna e  29-të. Ndryshe nga këto, Ferizaji e zë vendin e parë në fushën e barazisë në punësim, shërbime sociale dhe familjare.

I pari I komunës, Agim Aliu në Debatin “Jeta në Komunë” foli edhe për tenderin e vitin e kaluar për “Administrimin e profilit të kryetarit të Komunës në rrjete sociale” me vlerë prej 750 euro në muaj në kohëzgjatje  prej 2 vitesh, duke thënë që kontrata ka qenë e ligjshme.

KALLXO.com kishte raportuar se përfitues i kësaj kontrate ka qenë kompania “Shëndet Aliu B.I” nga Ferizaji me pronar Shëndet Aliun. Ndërsa, ky i fundit është djali i vëllait të drejtorit të Urbanizmit, Lulzim Aliu.

Në debatin “Jeta në Komunë”, Agim Aliu është përballur edhe me pamjet e dy shkollave të Ferizajt që kanë problem të shumta, si vjetërsia dhe mungesa e higjienës si dhe të QKMF-së.

Si storie suksese, në këtë debat u prezantuan personazhet Arta Ramadani, trajneren e klubit të sukseshëm të volebollit për vajza, si dhe Kemajl Zariqi, shpikësi i ngrohtoreve shtëpiake.