
Listat zgjedhore, partitë politike larg premtimeve për barazi gjinore 50/50
Partitë politike në Kosovë nuk kanë sjellë risi sa i përket barazisë gjinore në listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Listat zgjedhore të subjekteve politike të publikuara më 11.12.2024, edhe në këto zgjedhje janë të dominuara nga burrat.
Të gjitha subjektet politike janë kujdesur për respektimin e kuotës 30 për qind për përfaqësim të grave, por në këto lista gratë nuk janë të përfaqësuara barabartë 50/50 sipas Ligjit për Barazi Gjinore.
Partia më e madhe në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje nga 110 kandidatë ka 41 gra kandidate për deputete, që i bie 37 për qind.
Partia Demokratike e Kosovës ka 38 gra në listën e kandidatëve për deputetë që bie 34 për qind.
Njëjtë sa PDK-ja, i ka edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e cila këto zgjedhje ka kandiduar 38 gra për deputete, apo 34 për qind të listës.
Kurse koalicioni ‘AAK-Nisma-Konservatorët dhe E-30’, kanë 36 gra të propozuara si kandidate për deputete apo 32 për qind.
Edhe koalicioni ‘Lista për familjen’ e ka respektuar kuotën gjinore me 31 për qind të grave apo 23 gra kandidate prej 72 kandidatëve sa ka propozuar gjithsej.
Listat e partive politike nuk janë certifikuara ende nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Pak gra në ‘top 10-shen’ e partive
10 numrat e parë në listat e subjekteve politike konsiderohen si ‘me të rëndësishmit e partisë’.
Edhe në këto ‘top 10-she’ të partive politike gratë janë të nënpërfaqësuara krahasuar me burrat.
Vetëm 4 prej 10 numrave të parë në listë të LVV-së u takojnë grave – Donika Gërvallës, Albulena Haxhiut, Mimoza Kusari- Lilës dhe Shqipe Mehmeti- Selimi.
Në PDK prej 10 numrave të parë veç tri u janë dhënë grave. Vlora Çitaku me numër 3, Eliza Hoxha me numër 6 dhe Sala Jashari me numër 9, janë tri deputetet në ‘top 10-en’ e partisë.
Edhe LDK-ja ka vepruar njëjtë. Doarsa Kica- Xhelili, Hykmete Bajrami dhe Jehona Lushaku- Sadriu janë tri gratë në ‘top 10-shen’ e LDK-së.
As koalicioni ‘AAK-Nisma-Konservatorët dhe E-30’ nuk kanë sjell risi në ketë aspekt. Prej 10 numrave të parë, numrin 3, 6 dhe 9 e kanë nda sipas renditjes për Time Kadrijaj, Albana Bytyçi e Xhevahire Izmaku.
Njëjtë ka vepru edhe ‘Lista për familjen’ duke i rezervuar këta numra për Gyltene Dërgutin, Festina Kurteshin dhe Xheneta Sali- Venhari.
Ndërsa, dy parti nga komuniteti boshnjak kryesohen nga kandidate gra.
Emilja Rexhepi i prin listës së Partisë së re Demokratike dhe Duda Balje po ashtu është numri një i partisë Bashkimi Socialdemokrat.
“Përbërja gjinore e listave vetëm përmbushje e kuotës”
Instituti “Demokraci për Zhvillim” (D4D) përmes një reagimi ka thënë se përfaqësimi jo i barabartë i burrave dhe grave në listat zgjedhore të katër subjekteve kryesore për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, tregon se është përmbushur vetëm kushti minimal ligjor për përfshirjen e grave.
Sipas D4D- së, përderisa gratë nuk përfaqësohen me 50%, angazhimi për barazi gjinore mbetet ende i dobët.
“Subjektet politike mos të qëndrojnë vetëm në minimum të kërkuar, që reflekton mungesë vullneti për të përfaqësuar gjysmën e popullsisë. Vlerësimi dhe promovimi i grave në pozita udhëheqëse duhet të jetë prioritet, përtej plotësimit të një standardi minimal”- thuhet në reagim.
Lidhur me ketë çështje kanë reaguar edhe nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK).
Sipas kësaj organizate përfaqësimi i grave nuk e kalon përqindjen prej 37%, andaj sipas tyre, kjo është larg standardit të barazisë gjinore, dhe tregon shumë qartë se është përmbushur vetëm kushti minimal ligjor për përfshirjen e grave.
“Kjo kuotë minimale nuk reflekton barazinë gjinore që do të duhej të kërkohej me Ligjin për Barazi Gjinore, i cili do të përcaktonte pjesëmarrje të barabartë 50% për të dy gjinitë. Për më tepër, praktika ka treguar se nga ky numër në lista zgjedhore, jo të gjitha gratë kandidate arrijnë të zgjidhen deputete”- thuhet në reagim.
Larg premtimeve për barazinë gjinore 50/50
Liderët e partive politike në Kosovë jo rrallë herë kanë folur për rëndësinë e barazisë gjinore në shoqëri e institucione, madje disa prej tyre edhe kanë premtuar 50 për qind gra në pozita udhëheqëse.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Grave për LVV-në më 15.09.2024, pati thënë se krenohet me përparimin që Kosova ka pasur kur vjen puna te Parlamenti e Qeveria.
Ai pati theksuar se “Kosova ka presidente grua, dy zëvendëskryeministre gra, pesë ministre gra dhe 40% të deputetëve të Grupit Parlamentar të LVV janë gra, e që u zgjodhën pa kuotë, secila prej tyre”.
Por pati thënë se, kjo nuk mjafton të kërkohet për më shumë gra në parlament apo më shumë gra ministre.
Madje barazia gjinore ka qenë një nga parimet e bashkëpunimit mes tij dhe presidentes Vjosa Osmani në kuadër të marrëveshjes në garën zgjedhore të vitit 2021, nga e cila Kurti doli fitues.
E kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se rrugëtimi i kësaj partie nuk mund të jetë i suksesshëm pa gra që prijnë në secilin drejtim.
Ai gjatë fjalimit në Konventën Programore të Gruas Demokratike të Kosovës më 24.09.2024 shtoi se formula e tyre është 50% me 50% përfshirje e grave dhe burrave.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në Konferencën Hapëse të Javës së Gruas 2024 të NDI, ka folur për ketë çështje.
Ai ka thënë se gjatë tri viteve të fundit kanë rritur pjesëmarrjen e gruas në të gjitha nivelet partiake.
“LDK do të jetë shembull i barazisë”- ka deklaruar Abdixhiku më 19.03.2024.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se gruaja në këtë subjekt politik ka pasur dhe do të ketë gjithmonë vend meritor.
“Unë personalisht dhe AAK, gjithmonë kemi pasur kujdes në raport me rolin e gruas në parti, në shoqëri dhe në institucione. Përfaqësimin e gruas e konsiderojmë të domosdoshëm për të siguruar funksionim normal të demokracisë dhe kjo bëhet përmes partive politike. Gruaja në Aleanca ka pasur, ka dhe do ta ketë vendin meritor dhe respektin maksimal”- shkroi Haradinaj.
Neni për kuotat gjinore në Kushtetuese
Në mesin e shtatë kërkesave që po shqyrtohen në Gjykatën Kushtetuese është edhe një nen i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Neni 28 i këtij Ligji ka të bëjë me kuotat gjinore dhe thotë se “në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku tridhjetë (30 %) për qind janë meshkuj dhe së paku tridhjetë (30 %) për qind janë femra; me nga një kandidat të secilës gjini përfshirë së paku njëherë në secilin grup prej tre kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë”.
Ky nen ishte dërguar në Gjykatë Kushtetuese nga Avokati i Popullit më 17.01.2024, duke kërkuar që përfaqësimi gjinor të jetë minimumi 50%.