Lista e programeve që nuk u akredituan në UBT

Cikli i fundit për kontrollin e cilësisë në institucionet e arsimit të lartë i la pa akreditim gjithsej 27 programe të kolegjit privat ‘UBT’.

Kjo sipas vendimit fillestar të Këshillit Shtetëror të Cilësisë që në dy mbledhje gjatë muajit janar vendosi për akreditime dhe mos akreditime të programeve në universitete publike dhe private.

Ky vendim mund të hyjë në fuqi vetëm pas përfundimit të procesit të ankimimit.

Nga këto vendime del se të interesuarit për të vijuar studimet në Kolegjin UBT në vitin akademik 2019/20, nuk do të mund të regjistrojnë 5 programe ekzistuese dhe 22 të reja me të cilat kishte aplikuar.

Kjo pasi që Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC), i ka vazhduar akreditimin dhe i ka aprovuar Kolegjit UBT 35 programe dhe i ka tërhequr dhe refuzuar 27 programe të tjera, duke përfshirë nivelet Bachelor dhe Master.

Secili program studimi i nivelit Bachelor duhet të ketë tre ose katër doktorë shkence të fushës së ngushtë, ndërsa në programet Master duhet të jenë një ose dy doktorë shkence për programet Master, si dhe tre profesorë të asocuar për programet e doktoratës. Programet që nuk janë akredituar nga Agjencia e Akreditimit nuk i kanë plotësuar këto kushte.

Programet e akredituara nga KShC-ja në nivelin Bachelor dhe Bachelor i shkencës në këtë kolegj janë: ‘Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor’ në Prishtinë dhe Ferizaj, programi ’Dizajn i integruar’ në Prishtinë, ‘Inxhinieri e Energjisë dhe Menaxhment’ niveli V në Prishtinë, ‘Inxhinieri Ndërtimore (Ndërtimtari) dhe Infrastrukturë’ në Prishtinë, ‘Juridik’ niveli LLB në Prishtinë, ‘Media dhe Komunikim’ në Prishtinë, ‘Menaxhimi i Mekatronikës’ në Prishtinë, ‘Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi’ në Prishtinë, ‘Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri’ në Prishtinë, ‘Shkenca Politike’ në Prishtinë dhe programi ‘Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji’ në Prishtinë.

Në anën tjetër, tetë programet e riakredituara në nivelin Master dhe Master i shkencës në kampusin e UBT-së në Prishtinë janë: Inxhinieri Ndërtimore (Ndërtimtari) dhe Infrastrukturë’, ‘Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor’, ‘E drejta ndërkombëtare dhe Evropiane e Biznesit’, ‘Menaxhimi i Mekatronikës’, ‘Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi’, ‘Politika Publike dhe Menaxhimi’, ‘Shkenca kompjuterike dhe inxhinieri’ dhe ‘Sistemet e Informacionit dhe Menaxhment’.

KALLXO.com ka siguruar listën e degëve, departamenteve dhe programeve të UBT-së të cilat kanë dështuar t’i kalojnë kriteret e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, organ ky i cili akrediton programet studimore.

Mirëpo kjo listë ende nuk është përfundimtare deri në mbylljen e procesit të ankimimit.

Në vitin e ardhshëm akademik të interesuarit nuk do të mund të regjistrohen në nivelin Bachelor dhe Bachelor i shkencës në programet si ‘Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor’ në Prizren, ‘Shkenca kompjuterike dhe inxhinieri’ në kampusin në Prizren, ‘Sistemet e Informacionit’ në Prishtinë, si dhe në ‘Infermieri’ në nivelin Bachelor i shkencës në Prishtinë, për të cilën KShC gjithashtu kërkoi që të sigurohet një raport nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për numrin e studentëve të regjistruar në këtë program, nën dyshimin se kanë tejkaluar kuotën e studentëve sipas sistemit SMIAL ku regjistrohen studentët.

Programit ‘Inxhinieri e Energjisë dhe Menaxhment’ në nivelin Bachelor i shkencës, akreditim do të ketë deri në vitin 2021.

Ndërkaq në nivelin Master, KShC-ja i tërhoqi akreditimin drejtimit ‘Media dhe komunikim’ në Prishtinë, kurse programit ‘Menaxhim i Mekatronikës’ do t’i tërhiqet akreditimi në vitin 2022(nëse nuk ndryshojnë bartësit e programit).

Kolegji UBT kishte aplikuar me 35 programe për aprovim të akreditimit, mirëpo të interesuarit mund të bëhen studentë vetëm në 13 programe të reja, ndërsa në 27 programe të tjera që kishte ky kolegj vitin e kaluar, të rinjtë nuk do të mund të regjistrojnë studimet në 5 prej tyre sepse u është tërhequr akreditimi.

Pra programet e reja që u miratuan nga KShC për këtë kolegj janë : ‘E Drejta Civile dhe Pronës’ në nivelin Master nw Prishtinw, ‘Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi’ në nivelin Bachelor i shkencës në Ferizaj, ‘Teknik i Anesteziologjisë’ në nivelin Bachelor i shkencës në Prishtinë, ‘Teknik i Radiologjisë’ në nivelin Bachelor i shkencës në Prishtinë, ‘Shkenca politike’, në nivelin Master në Prishtinë, ‘Inxhinieria e Agrikulturës dhe Mjedisit’ në nivelin Bachelor i shkencës në Prishtinë, ‘Laborant i Biokimisë Mjekësore’ në nivelin Bachelor i shkencës në Prishtinë, ‘Stomatologji’ në nivelin doktor dental(Integruar) në Prishtinë, ‘Farmaci’ në nivelin Master i Farmacisë(Integruar) në Prishtinë, ‘Teknik dentar’ në nivelin Bachelor i shkencës në Prishtinë, ‘Energjia Elektrike dhe Tregu i Energjisë’, në nivelin Master i shkencës në Prishtinë, ‘Juridik, Kriminologji Kompjuterike dhe Forenzikë’ në nivelin Master në Prishtinë dhe ‘E drejta Penale’ në nivelin Master në Prishtinë.

Ndërkaq programet që u refuzuan kryesisht për mungesë të stafit akademik relevant ishin ‘Infermieri’ në nivelin Bachelor i shkencës në Prizren dhe në Ferizaj, ‘Arti dhe Mediat Digjitale’, në nivelin Bachelor në Prishtinë, ’Shkenca të Sportit dhe Menaxhment’, në nivelin Bachelor i shkencës në Prishtinë,’ Dizajn i Integruar’, në nivelin Bachelor në Prizren, ‘Teknologjia dhe Edukimi Profesional’, në nivelin Bachelor i shkencës në Prishtinë, ‘Administrim Biznesi dhe Ekonomi’, në nivelin Doktoratë në Prishtinë, ‘Higjienist Dentar’, në nivelin Bachelor i shkencës në Prishtinë, ‘Shkencat dhe Teknologjia e Ushqimit’, në nivelin Master i shkencës në Prishtinë, ‘Infermieri’, në nivelin Master i shkencës në Prishtinë, ‘Mami’, në nivelin Bachelor i shkencës në Prishtinë, ‘Fiziatri’, Bachelor i shkencës në Prishtinë, ‘Muzika Moderne, Prodhimi Digjital dhe Menaxhimi’, në nivelin Bachelor në Prishtinë, ‘Dizajn i Integruar’, në nivelin Master në Prishtinë, ‘Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri’, në nivelin Bachelor i shkencës në Ferizaj, ‘Inxhinieria e Qëndrueshme e Energjisë dhe Ambienti’, në nivelin Master i shkencës në Prishtinë, ‘Psikologji’, në nivelin Bachelor i shkencës në Prishtinë, ‘Mjekësi e Përgjithshme’, në nivelin doktor medicinal(integruar) në Prishtinë, ‘Gjuhë Angleze’, në nivelin Bachelor në Prishtinë, ‘Dizajn i Integruar’, në nivelin Bachelor në Ferizaj, ‘Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi’, në nivelin Bachelor i shkencës në Prizren, ‘Infermieri’, në nivelin Bachelor i shkencës në Ferizaj.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për zhvillimet që kanë rezultuar nga mbledhja e 61-të e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, vendimet e të cilit ngritën reagime të shumta.

Historia e akreditimeve

Këshilli Shtetëror i Cilësisë në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, muajin e kaluar, kishte vendosur për akreditimin e programeve të reja, riakreditimin dhe tërheqjen e tyre në universitetet publike dhe private, e mes tyre edhe për Kolegjin UBT.

Gjatë kësaj mbledhje, KShC vazhdoi akreditimin e 22 programeve studimore ekzistuese dhe i tërhoqi 5 të tjera UBT-së, ndërsa në fazën fillestare të vlerësimit të aplikacioneve, UBT-ja kishte marrë dritën e gjelbër për 13 programe të reja, mirëpo iu refuzuan 22 të tjera.

Arsyeja e tërheqjes dhe refuzimit për akreditim të programeve studimore nga KShC-ja kryesisht ishte nga mungesa e doktorantëve të fushës së ngushtë të këtyre programeve.

Por edhe në rast mosakreditimi, Universiteti apo Kolegji mund të aplikojë përsëri për akreditimin e këtyre programeve siç thuhet tutje në Ligjin për Arsimin e Lartë, konkretisht në Nenin 15 ‘Akreditimi dhe vlerësimi i cilësisë’, pika 6, e cila thotë se “nëse një bartës i licencuar i arsimit të lartë nuk arrin të fitojë akreditimin apo riakreditimin institucional, kjo do të rezultojë me një organizim tjetër të akreditimit jo më vonë se pas një viti.”

Sipas udhëzimit administrativ në Nenin 30 tek ‘Deklarimi i stafit akademik për angazhim’ në pikën 1 thuhet se “Institucionet e Arsimit të Lartë duhet të dorëzojnë deklaratat e stafit akademik të angazhuar jo më larg se data 31 tetor.”

Gjatë procesit të verifikimit, KShC ka shqyrtuar dokumentacionin e profesorëve të cilët kishin deklaruar të dhënat e tyre në platformën ‘e-Akreditimi’ sepse në Nenin 30, pika 3 thuhet se “Vetëm stafi akademik i deklaruar dhe aprovuar nga AKA, do të konsiderohet në procesin e akreditimit/riakreditimit për vitin pasues akademik dhe stafi akademik i deklaruar dhe aprovuar nga AKA për programet ekzistuese në kuadër të procesit të monitorimit”.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për zhvillimet që kanë rezultuar nga mbledhja e 61-të e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, vendimet e të cilit ngritën reagime të shumta.

 

Lista e drejtimeve të Universitetit të Prishtinës që nuk akreditohen

Universitetit të Ferizajt i mbyllen mbi 50 për qind të programeve të studimeve

 

Universiteti publik i Gjakovës mbetet pa Fakultetin e Edukimit

 

Programet e studimit që i humbi Universiteti  i Gjilanit

Lista e drejtimeve të Universitetit të Prishtinës që nuk akreditohen

Lista e drejtimeve të Universitetit të Prishtinës që nuk akreditohen

Lista e drejtimeve të Universitetit të Prishtinës që nuk akreditohen

 

Shënim 18/03/2019

GjNK nëpërmjet këtij shënimi i kërkon ndjesë UBT dhe lexuesve për lëshime të cilat kanë ndodhur pa qëllim në publikimin e parë të këtij shkrimi.

Artikulli në fjalë  përmban të dhëna nga monitorimi direkt i Mbledhjeve të Këshillit të Cilësisë ku anëtaret kanë diskutuar për akreditimin e programeve të të gjitha universiteteve.

Gazeta Jeta në Kosovë pas publikimit të lajmit fillestar nga ky monitorim ka pranuar një reagim nga kolegji UBT, gazeta JnK ka kërkuar sqarime për gabimet e mundshme në tekst por nuk ka marrë sqarime.

Gazeta JNK menjëherë ka ndërmarrë veprime për ti ri-vërtetuar të dhënat.

Është vërejtur se ka lëshime teknike në informacione të cilat menjëherë janë përmirësuar.

Si rrjedhojë teksti burimor është edituar si në vijim:

  1. Numri i programeve të akredituara dhe të pa akredituara në paragrafët 1, 3, 4, 11 dhe 17.
  2. Në paragrafin 6 dhe 7 është shtuar programi ‘Inxhinieri Ndërtimore (Ndërtimtari) dhe Infrastrukturë’, ndërsa në paragrafin 9 janë hequr programet ‘Juridik’ në nivelin Bachelor në Prishtinë dhe ‘Sistemet e Informacionit dhe Menaxhment’ në nivelin Master i shkencës në Prishtinë.
  3. Në paragrafin 12 dhe 13 janë përmirësuar emrat e programeve dhe janë precizuar nivelet e tyre.