Foto: REL/Shutterstock
Linja telefonike që synon po ndihmon qytetarët në parandalimin e vetëvrasjeve
Shoqëria Kosovare njihet për paragjykim të punës së psikologut dhe kërkesës së ndihmës profesionale nga ta.
Për vite me radhë në vend ishte raportuar se qytetarët hezitonin të kërkonin këtë ndihmë për shkak të stigmës që mund ta kishin nga komuniteti.
Raporte e analiza kishin identifikuar se trajtimi psikologjik stigmatizohej për shkak të ngatërrimit me trajtimin psikiatrik.
Një grup aktivistësh të shoqërisë civile u mblodhën për të nisur një iniciativë që këshillimi të ndodhte në konfidencialitet dhe të adresonte këtë problem të stigmës.
Një platformë që mundëson thirrje telefonike u lansua ndërsa prapa telefonave qëndrojnë profesionist të cilët ofrojnë këshilla.
Persona të cilët nuk gjenin mbështetje, që ishin pjesë e paragjykimeve për shkak të përkatësisë, grupeve, të dënuar e të burgosur tashmë janë disa prej njerëzve të cilët kishin gjetur dikë të tregonin hallet e tyre dhe të kërkonin ndihmë për atë që ishin duke kaluar.
Psikologët klinikë e vullnetarët të cilët janë pjesë e “Linjës së Jetës” bisedojnë me qytetarë të ndryshëm me halle të shumta e më pas atyre u sugjerohet që të vizitojnë institucionet konkrete për të vazhduar trajtimin.
Stafi janë profesionist të certifikuar por për të siguruar cilësinë ata mbajnë trajnime të rregullta dhe mbikëqyren vazhdimisht nga eprorët e tyre gjatë kohës sa zhvillojnë bisedat telefonike. Bisedat nuk regjistrohen dhe mbahen anonime ndërsa në regjistrat e “Linjës së Jetës” mund të shohësh vetëm orën e saktë në sa është pranuar një telefonatë.
Ata që thërrasin në këtë linjë nuk janë të obliguar të tregojnë identitetin e tyre por në anën tjetër të njëjtëve u mundësohet të vazhdojnë trajtimin psikologjik edhe në institucione të tjera.
Por si nisi “Linja e Jetës”
Në fillim të vitit 2016 në Kosovë tashmë ishte regjistruar edhe një organizatë tjetër përkrah atyre që punonin tash e sa kohë.
QIPS- Qendra për Informim dhe Përmirësim Social qëllimin kryesor e kishte formimin e “Linjës së Jetës” dhe në bazë të kësaj të rrisin ndërgjegjësimin dhe të gjenin zgjidhje për problemet që prekin popullin nga perspektiva sociale.
Ideja e gjithë kësaj linje kishte nisur që nga viti 2016 por që kishte nisur të funksiononte tri vite më vonë më saktësisht në vitin 2019.
Bind Skeja i cili qëndron në krye të kësaj linje, në një bisedë me KALLXO.com ka shpjeguar raste të ndryshme dhe sukseset që kanë numëruar ndër vite nga nisma e tyre.
Modeli fillimisht ishte marrë nga vende më të zhvilluara si Anglia e Holanda ndërsa këta të fundit u kishin mundësuar një grupi të Kosovës që të trajnoheshin për të zhvilluar aftësitë e tyre të bisedës dhe pranimit të telefonatave të personave që tentonin t’i jepnin fund vetes.
“Linja e Jetës” nisi punën me grante të vogla sa për të siguruar pajisjet që nevojiteshin për këtë iniciativë.
“Në vitin 2019 kemi ra në kontakt me Aleancën Evropiane Kundër Depresionit edhe me Linjën 113 të Holandës. Këta na kanë sjellë trajnerët dhe i kanë pagu vetë të gjitha shpenzimet dhe i kanë trajnu vullnetarët e parë të linjës”- tregon gjatë një bisede me KALLXO.com, Bind Skeja.
Telefoni, hapësirat e punës e pajisjet e tjera janë donacione që janë dhënë prej organizatave të ndryshme. Këto pajisje janë mbledhur përgjatë një periudhe prej tre vitesh.
“Puna e thirrjeve është puna më e thjeshtë sepse ndiqet një far programi dhe trajnimi dhe në bazë të njohurive i aplikojnë bisedat. Kemi mbikëqyrësit që janë psikologë klinik të licencuar, në fillim nuk i kemi pasur këta por edhe në atë kohë gjithçka që kemi apliku është mbikëqyrë”- vazhdon rrëfimin Skeja.
“Asnjë thirrje që kemi pranu deri më tani nuk ka përfunduar me vetëvrasje”- tregon Skeja duke shtuar se ka raste kur persona të njëjtë thërrasin disa herë.
“Linja e Jetë” në fillim nisi me katër persona në staf të rregullt dhe 12 vullnetarë ndërsa tani numëron shtatë persona në staf me psikologët klinikë dhe 60 vullnetarë varësisht prej thirrjeve të cilat regjistrohen.
Skeja gjatë bisedës përmend se problemet e atyre që thërrasin janë të llojeve të ndryshme.
“Një send që i bashkon të gjithë personat që kanë mendimin e vetëvrasjes është që nuk gjejnë mbështetje në rrethin e tyre, qoftë nga shoqëria apo familja qoftë prej institucioneve, pra diçka po ju mungon e shohin se nuk po mujnë me dalë nga ajo situatë dhe e mendojnë vetëvrasjen si zgjidhje”- rrëfen Skeja.
Sipas Skejës, nuk ka limit të zgjatjes së telefonatës pra ekipi mund të punoj për disa orë me vetëm një person.
“Ne e shohim nëse shteret çdo mundësi dhe e shohim që s’kemi diçka tjetër që mundemi me diskutu ne i japim edhe hapat e radhës. Bashkëpunimi varet nga individi dikush pranon që të shkojë te ndonjë psikolog dikush jo”- tregon ai.
Pra “Linja e Jetës” funksionon si një urë lidhëse mes institucioneve apo psikologëve dhe personave të cilët kanë probleme në jetët e tyre e që zgjidhjen e gjejnë vetëm në vetëvrasje.
Telefonatat pranohen nga ekipi i linjës, qytetarëve u jepen këshillat gjatë bisedave dhe më tutje u ndahen edhe kontaktet e psikologëve apo institucioneve të tjera ku mund të zhvillohen trajtimet e tjera mjekësore e psikologjike.
“Ne i kemi të gjitha kontaktet dhe u sugjerojmë ku me kërku ndihmë në bazë të situatës”- shtoi Skeja.
“Ka raste kur njerëzit nuk ndihen rahat kur na thirrin sepse mendojnë se mbajmë të dhëna të tyre e më pas i dërgojmë në psikiatri apo te ndonjë psikolog por jo nuk e bëjmë këtë. Ne qytetarëve ua japim kontaktet dhe ata më pas u referohen atyre vet”- shpjegohet Skeja.
Që nga viti 2019, “Linja e Jetë” vitin aktual në të cilin jemi ka pranuar numrin më të madh të thirrjeve telefonike të qytetarëve që nuk kanë gjetur mbështetje dhe kanë menduar vetëvrasjen.
Skeja tregon se për shkak të problemeve financiare “Linja e Jetës” ka rrezikun edhe të shuhet por që kërkon me ngulm që kjo nismë të përkrahet nga qeveria dhe nga Ministria e Shëndetësisë.
“Nuk ka mjaftë shërbime dhe nuk ka mjaftë promovim të shërbimeve që ofrohen nga institucionet apo që janë ekzistuese. As psikiatra nuk ka në Kosovë që punojnë nëpër Qendra të Shëndetit Mendor dhe mburren me faktin se sa te fshehtë janë (nuk promovohen) që është mentalitet i mbrapsht sepse do duhej të jetë e kundërta”- tregon tutje Skeja.
Skeja kritikoi edhe buxhetin e ndarë për Ministrinë e Shëndetësisë. Ai thotë se buxhetit për Qendrën e Shëndetit Mendor është rritur vetëm 3 përqind dhe që për të është shumë pak.
“Nuk kanë mbështetje financiare, nuk kanë mënyrë qysh me mujt me mbulu krejt Kosovën dhe nuk bëhet promovim i tyre nga MSH dhe QSHM dhe njerëzit normal pastaj nuk dijnë as ku të kërkojnë ndihmë”- vazhdon tutje Skeja.
Skeja thotë se pavarësisht situatave që krijohet në jetët e njerëzve këshillimi te psikologët është i rëndësishëm sepse pas këshillave psikologu mundet me vlerësu gjendjen dhe me rekomandu me vazhdu trajtim më tutje apo jo.
“Linja e Jetës” nga fillimi pati probleme financiare por që dëshiron të vazhdoj tutje për shkak se qytetarët tashmë kanë krijuar një besim me ta dhe po telefonojnë në vazhdimësi.
Vullnetarët sipas drejtuesit të linjës, nuk paguhen e ndonjëherë ndodhë që edhe stafi kryesor nuk marrin paga për shkak të problemeve.
Skeja thotë se Ministria e Shëndetësisë në kohë të pandemisë nga padijenia se ekziston një linjë e tillë, hapi një tjetër linjë për të pranuar shqetësimet e qytetarëve gjatë kohës kur u ndërmorën masat për karantinë.
“Ministria e ka qel linjën e tyre për shëndet mendor, ka marrë numër tjetër për thirrje, pra ka vepru në një mënyrë që ka hap një shërbim i cili veç ka ekzistu, pra ka mujt me marrë numrin ekzistues dhe me shfrytëzu pa asnjë telashe”- shprehet Skeja.
Kjo sipas tij ka ndodhur për shkak që Ministria e Shëndetësisë nuk ka qenë e njoftuar se tashmë ekziston një linjë e tillë e cila mund të shfrytëzohet nga qytetarët.
“Ndarja e mjeteve financiare për shërbime të shëndetësisë dhe shëndetit mendor. Që 74 ditë jemi pa ministër të Shëndetësisë, buxheti nuk është rritur shumë, me këqyr buxhetin e shëndetësisë është vlera shumë e vogël. Nuk është prioritet kjo për asnjë qeveri jo vetëm për këtë të fundit”- thotë Skeja.
Në fund të bisedës me KALLXO.com, Skeja tregon edhe për rëndësinë që kanë linjat e tilla të cilat merren me jetët e njerëzve.
“Shumë pak pare jemi duke kërku prej pjesës tjetër që hargjon shteti, pra është bajagi e rëndësishme me pas financim për shkak se ne merremi me jetë të njerëzve. Me anë të Linjës së Jetës, promovon shërbimet shëndetësore, ndihmon popullatën me thy stigmatizimin brenda fushës së shëndetit mendor”- përfundon Skeja.
Në anën tjetër në llogarinë e “Linjës së Jetës” në rrjetet sociale vazhdimisht promovohen numrat dhe shërbimet shëndetësore psikologjike të cilat mund të përdoren nga qytetarët që kanë probleme të ndryshme.
KALLXO.com ju sjell disa fotografi nga hapësirat e punës së “Linjës së Jetës”.