Aeroporti i Prishtinës - Foto: Aeroporti

LIMAK dhe Autoriteti i Aviacionit Civil përplasen për tarifën e shitjes së karburanteve në Aeroport

Një vendim i Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), i cili e obligon Aeroportin e Prishtinës që mos të aplikojë më tarifa ndaj kompanisë “Ex-Fis” për furnzim me karburante dhe njëkohësisht kërkon që të hapet tregu edhe për operatorët e tjerë, ka bërë që LIMAK të dërgojë çështjen në Gjykatë.

Një prej pikave kryesore të vendimit të drejtorit të AAC-së Bujar Ejupi që është marrë me 19 janar është kontrata që ka Aeroporti (LKIA) me kompaninë “Ex-Fis” që është lidhur pas një tenderi ndërkombëtar. Në bazë të kësaj kontrate, kompania “Ex-Fis” obligohet t’ia paguajë Aeroportit tarifën prej 0.12 euro.

Në vendimin e Ejupit thuhet se Aeroporti nuk duhet të aplikojë tarifa që nuk janë të miratuara nga AAC.

“Obligohet organi menaxhues LKIA që mos aplikojë tarifa ndaj ofruesit të shërbimeve në tokë, subjektit afarist “Ex-Fis” dhe ofruesve të tjerë, të cilat nuk janë të përcaktuara sipas Marrëveshjes për Partneritet Publiko-Privat dhe në të njëjtën kohë nuk janë të aprovuara nga AAC”, thuhet në vendimin e AAC-së.

“Aeroporti Ndërkombëtar Limak Kosovo” (LKIA) nuk është pajtuar me vendimin e Ejupit. Zëdhënësja e LIMAK, Valentina Gara për KALLXO.com ka thënë se kontesti rreth vendimit të AAC-së “është në gjykatë”.

Vendimi i drejtorit të AAC-së, Bujar Ejupi e ka obliguar “Aeroportin Ndërkombëtar Limak Kosovo” (LKIA) që të publikojë listën e infrastrukturës së centralizuar, të aprovuar nga AAC, me çmimet dhe kushtet e përdorimit të saj.

Në vendimin e Ejupit thuhet se nëse Aeroporti (LKIA) vendos të aplikojë tarifë ndaj ofruesve të shërbimeve në tokë, atëherë këtë mund ta bëjë vetëm në përputhje me kërkesat e specifikuara në Rregullore, rrjedhimisht të aplikojë pranë AAC-së për aprovim të tarifës së tillë.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Aeroporti (LKIA) për tarifën që e aplikon ndaj “Ex-Fis”. Ata kanë thënë për KALLXO.com se kjo tarifë mbulon përdorimin e depos, pajisjeve të LIMAK-ut, të drejtën e hyrjes dhe shërbimet e ofruara për furnizuesin “Ex-Fis” nga LIMAK. Sipas tyre, kjo tarifë nuk është në kompetencat e AAC-së, por rregullohet me Marrëveshjen PPP.

Kontesti rreth tarifës për kompaninë e karburantit

Duke iu referuar vendimit për qasjen në shërbimet në tokë, LIMAK ka thënë se AAC i ka injoruar përgjigjet e tyre.

“Përgjigjet dhe informacionet që ne i siguruam AAC-së u bazuan në fakte, në dispozitat dhe anekset e Marrëveshjes së Partneritetit Publik Privat (Marrëveshja e PPP) e datës 12 gusht 2010, e hyrë midis Qeverisë së Republikës së Kosovës (Grantor) dhe LKIA”, theksohet në përgjigjen e LIMAK.

LIMAK ka treguar se kontrata për sigurimin e shërbimeve të karburantit të aeroplanëve iu dha kompanisë “Ex-Fis” përmes një procesi konkurrues në një tender ku morën pjesë 7 ofertues, 4 vendorë dhe 3 ndërkombëtarë. 

“Oferta e “Ex-Fis” përfshinte tarifën prej 0.12 cent / EUR. I gjithë procesi ishte transparent, dhe Grantori (Republika e Kosovës) u mbajt i informuar përmes Njësisë PPP për kushtet e kontratës që LKIA nënshkroi me “Ex-Fis” me përfundimin e procesit konkurrues, përfshirë tarifën e përmendur”, theksohet në përgjigjet e LIMAK duke shtuar se tenderi u organizua nga LIMAK në koordinim me Njësinë për Partneritet Publiko-Privat të Ministrisë së Financave. 

Sipas LIMAK, një nga kërkesat e tenderit, përveç krijimit të infrastrukturës, garantimit të vazhdimësisë së biznesit, ishte edhe një tarifë për përdorimin e depos, pajisjeve të LKIA dhe të drejtës së hyrjes dhe shërbimeve të ofruara furnizuesit të karburantit nga LKIA. 

KALLXO.com ka pyetur edhe kompaninë “Ex-Fis” në lidhje me vendimin e AAC-së.

“Ju bëjmë me dije që të gjitha pyetjet e dërguara në adresën tonë t’i orientoni te Koncesionari i ANP “Adem Jashari” i cili është bartës i të gjithë aktivitetit për të cilin keni shprehur interes dhe mund të ju ofroj përgjigje zyrtare”, thuhet në përgjigjen e “Ex-Fis” për KALLXO.com.

Në vendimin e AAC-së janë cituar arsyetimet që ka dhënë LIMAK për moszbatim të Rregullores që parasheh qasjen e shërbimeve në tokë duke përfshirë tarifat që aplikojnë për operatorët që i furnizojnë me kaburante.

Në këtë vendim thuhet se LIMAK-u e ka arsyetuar moszbatimin e rregullores meqë e njëjta është në kundërshtim me Marrëveshjen për Partneritet Publiko-Privat në Aeroportin e Prishtinës, e cila përcakton që tarifat për shërbimet në tokë janë fikse.

“AAC respekton në plotëni Marrëveshjen për PPP, mirëpo konsideron që nuk mund të caktohet një tarifë shtesë jashtë kontratës së PPP-së, e cila në të njëjtën kohë nuk është e aprovuar nga AAC, në cilësinë e rregullatorit ekonomik”, thuhet në vendimin e AAC-së.

Në bazë të Marrëveshjes për Partneritet Publiko-Privat (Marrëveshja PPP), LIMAK aplikon tarifën prej 0,2 euro ndaj operatorit që ofron shërbime për furnizim me karburante. Kësaj tarife të përcaktuar në Marrëveshjen PPP i është referuar edhe vendimi i AAC-së.

Madje, në vendimin e Ejupit potencohet se AAC nuk ka qenë e njoftuar për tarifën prej 0,12 euro të cilën e aplikon LIMAK ndaj “Ex-Fis”.

“Nga këto takime dhe kontratës së dorëzuar në AAC në mes LKIA dhe “Ex-Fis” më 27 korrik 2020, është kuptuar që tarifa që aplikon LKIA ndaj “Ex-Fis” është 0,12 euro, për të cilën tarifë AAC nuk ka qenë e informuar paraprakisht dhe nuk është aprovuar nga AAC”, theksohet në vendim.

Tarifa që mund të rrisë çmimin e aviobiletave 

Kjo tarifë, sipas vendimit të drejtorit të AAC- së Bujar Ejupi, mund të ndikojë edhe në çmimin e biletave.

“Aplikimi i tarifave të paaprovuara nga AAC, mund të ndikojë në rritje të kostove për kompanitë ajrore, respektivisht rritje të çmimit të biletave të udhëtarëve dhe në të njëjtën kohë mund ta vendosë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” në një pozitë jokonkurruese me aeroportet e rajonit”, vazhdon vendimi i AAC-së.

Për aplikimin e kësaj tarife, AAC thotë se ka kërkuar më 27 korrik 2020 nga Komiteti për Partneritet Publiko-Privat që të sqarojë qëllimin e kësaj tarife. Sipas AAC-së, ata nuk kanë pranuar ndonjë përgjigje prej këtij Komiteti.

Në vendimin e Ejupit thuhet se Aeroporti është i obliguar të garantojë qasje të barabartë edhe për ofertuesit tjerë potencial për furnizim me karburante.

“Përderisa LKIA nuk ka aplikuar për kufizim të numrit të furnizuesve të aprovuar për shërbime në tokë, siç përcaktohet në Rregullore, LKIA është e obliguar t’ju garantojë qasje të barabartë me kushte të njëjta të gjithë ofruesve potencial të shërbimeve në tokë në ANP “Adem Jashari”, theksohet në vendim.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të AAC-së dhe edhe drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së, Bujar Ejupi, për të kërkuar komente në lidhje me padinë por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikim të artikullit.

Nga Ministria e Financave, e cila është kryesuese e Komitetit për Partneritet Publiko-Privat kanë thënë për KALLXO.com se ky Komitet nuk është konsultuar kur është marrë vendimi për qasje në shërbimet në tokë nga AAC.

“Komiteti PPP nuk është konsultuar nga AAC lidhur me vendimin e të cilit i referoheni. AAC është agjenci e pavarur dhe si e tillë i raporton Kuvendit të Kosovës”, thuhet në përgjigjen Ermal Lubishtanit, shef i kabinetit dhe këshilltar politik në Ministrinë e Financave.

Vendimit i AAC-së thirret dhe e citon paragrafin 3 të nenit 8 të Rragullores për qasjen në tregun e shërbimeve në tokë. Ky nen është shtuar në vitin 2019 me plotësim-ndryshimin e kësaj Rregullore që është bërë me nënshkrim të Eset Berishës, ish-drejtori i AAC-së, i shkarkuar nga Qeveria Kurti. Berisha para se të emërohej në pozitën e drejtorit ka qenë këshilltar i ministrit të Infrastruktrës, Pal Lekaj.

Në paragrafin 3 të nenit 8, që i është shtuar kësaj Rregullore thuhet se nëse organi menaxhues i aeroportit vendos një tarifë për përdorimin e infrastrukturës së centralizuar, kjo tarifë duhet të aprovohet nga AAC-ja dhe më pas mund të publikohet me çmimet dhe kushtet për përdorimin e saj, në mënyrë që përdorimi i kësaj infrastrukture të jetë transparente dhe jodiskriminuese. 

Shërbimet në tokë sipas Marrëveshjes PPP

Marrëveshja për Partneritet Publiko-Privat mes Kosovës dhe LIMAK-ut është nënshkruar më 12 gusht të vitit 2010.

Departamenti Qendror për Partneritet Publiko-Privat ka thënë për KALLXO.com se tarifat ndaj ofruesve të shërbimeve në tokë hyjnë te tarifat ndihmëse dhe rregullohen në përputhje me kushtet e Marrëveshjes PPP.

Kështu sipas Marrëveshjes PPP, e cila shtrihet në 211 faqe, Partneri Privat, pajtohet të sigurojë së paku një agjent të shërbimit në tokë, i cili duhet të jetë i kualifikuar dhe i aftë të sigurojë shërbime në tokë për ndonjë dhe për të gjitha fluturimet që arrijnë dhe largohen nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës (ANP) duhet të jetë në dispozicion të sigurojë shërbimet në tokë në ANP.

Kurse me “Tarifat dhe Pagesat Ndihmëse” nënkuptohen ato tarifa dhe pagesa ndihmëse të përcaktuara në Pjesën B të Shtojcës 11 (Marrëveshja PPP – fq.131) dhe çdo tarifë, pagesë ose taksë tjetër e vendosur që të jetë tarifë ose pagesë ndihmëse, si të tilla tarifat dhe pagesat mund të modifikohen sipas dispozitave të kësaj Marrëveshje.

“… të gjitha pagesat, tarifat dhe taksat tjera që përcaktohen të jenë Pagesa dhe Tarifa Ndihmëse, në përputhje me këtë Marrëveshje apo çfarëdo direktive administrative, dekret, rregullore apo ligj të aplikueshëm”, thuhet në përgjigjen e Departamentit Qendror për PPP.

Sipas shpjegimeve të Departamentit Qendror për Partneritet Publiko-Privat, tarifa e karburantit të aviacionit rregullohet në përputhje me kushtet e Marrëveshjes PPP, pjesës “Pagesat dhe Tarifat Ndihmëse”, të cilat bashkë me detyrimet rregullohen sipas Marrëveshjes PPP dhe i nënshtrohen miratimit nga Dhënësi, respektivisht Komitetit për PPP.

“Përveç siç është përkufizuar në Pjesët A dhe B të Shtojcës 11, nuk ka tarifa, detyrime, apo taksa apo pagesa tjera që mblidhen apo të lejuara që të mblidhen lidhur me ANP-në apo trafikun relevant ajror në ditën e kësaj marrëveshjeje nga apo në emër të Dhënësit apo ndonjë Autoriteti Relevant dhe pjesët A dhe B të Shtojcës 11 definojnë një listë komplete dhe të saktë të të gjitha tarifave, detyrimeve, taksave, apo pagesa tjera që mblidhen apo janë të autorizuara që të mblidhen lidhur me ANP-në apo trafikun relevant ajror nga Dhënësi apo ndonjë Autoritet Relevant nën Kornizën Ekzistuese Ligjore”, thuhet në nenin 12.2 (Dhënësi) të Marrëveshjes PPP, të cilën e ka cituar Departamenti Qendror për Partneritet Publiko-Privat.