Limaj me Shokë të Pafajshëm për Kleçkën (TV)

Fatmir Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij janë shpallur të pafajshëm të martën nga akuzat për krime lufte në rastin Kleçka. Kjo është hera e dytë që Limaj dhe ata që ai komandonte fitojnë pafajësinë në gjykatë.

Gjykata tha se nuk ka arritur të provojë se të pandehurit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkoheshin.

Lidhur me dëshmitë e Dëshmitarit X [Agim Zogajt] kryetari i trupit gjykues në arsyetim tha: “Dëshmitë e Agim Zogajt janë jokonsistente, kontradiktore dhe bien në kundërshtim me dëshmitë tjera”.

Gjykata shpjegoi se bindjen e ka krijuar edhe nga fakti se dëshmia e Zogajt lidhur me një rast, ndryshonte komplet nga dëshmitë që ajo posedon dhe ka tanimë.

Zogaj në dëshminë e tij kishte thënë se Arben Krasniqi ishte prezent në vrasjen e një serbi, ndërsa nga dëshmitë që u proceduan në seancë, doli se Arben Krasniqi në atë kohë e kishte të pamundur të merrte pjesë në vrasje, pasi që ishte duke u shëruar, pas plagosjes. 

Arben Krasniqi ishte njëri nga dhjetë të akuzuarit e rastit Kleçka.

Kryetari i trupit gjykues Malcolm Simmons po ashtu shtoi se “disa nga dëshmitë e Zogajt shihen se janë fabrikim i qartë … e gjithë dëshmia e tij është e pabesueshme”.

Trupi gjykues tha se ka arritur në konstatimet se në vitin 1999 ka pasur një qendër paraburgimi në Kleçkë, ku janë mbajtur njerëz, se gjashtë serbë janë vrarë në kohë të ndryshme dhe Arben Avdyli zyrtarisht është i zhdukur.

Fatmir Limaj së bashku me të akuzuarit e tjerë ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë “dhunuar integritetin trupor dhe shëndetin e një numri të papërcaktuar të civilëve serbë dhe shqiptarë dhe të burgosurve ushtarakë serbë, të paraburgosur në qendrën e paraburgimit në fshatin Kleçkë, komuna e Lipjanit.

Këta civilë serbë dhe shqiptarë dhe të burgosur ushtarakë serbë, sipas aktakuzës janë mbajtur në kushte çnjerëzore (të lidhur me zinxhirë, në ndërtesa të papërshtatshme me ftohtësi ekstreme, mungesa sanitare dhe ushqimi, duke iu nënshtruar edhe rrahjeve të shpeshta)”.

Akuzat për kryerjen e këtyre veprave përfshinin periudhën nga janari 1999 deri në mesin e qershorit të të njëjtit vit.

Limaj dhe të tjerët janë liruar nga të gjitha akuzat me të cilat ngarkoheshin, pasi gjykata i konsideroi të pabesueshme dëshmitë e Dëshmitarit X.

Pas aktgjykimit lirues ka reaguar edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës nga EULEX-i, Jonathan Ratel.

Ai tha se prokuroria e pranon aktgjykimin dhe se Gjykata e ka dhënë vendimin e saj në këtë ndjekje shumë të vështirë dhe të gjatë.

“Ne e dinim që nga fillimi se kjo do të jetë një ndjekje e vështirë…Ne do ta shqyrtojmë aktgjykimin me kujdes dhe do t’i marrim parasysh të drejtat tona për tu ankuar. Në fund do të doja të konstatoj se ky rast nuk ishte asnjëherë një ndjekje e UÇK-së, ajo ishte një ndjekje e individëve të caktuar”, tha Ratel.

Në pranverën e vitit 2012 Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarët e tij u liruan nga akuzat për krime të luftës kundër popullatës civile dhe të burgosurve të luftës për rastin e njëjtë.

Në atë kohë Gjykata e Qarkut në Prishtinë nuk kishte gjetur prova se të pandehurit ishin fajtorë, duke i shpallur edhe atëherë si prova të papranueshme dëshmitë e Dëshmitarit X, të njohur si Agim Zogaj.

Në nëntorin e 2012-ës, Gjykata Supreme e Kosovës pranoi ankesën e Prokurorisë Speciale nëpërmjet Prokurorit të Shtetit, kundër aktgjykimit lirues për Fatmir Limajn dhe tre bashkëluftëtarët e tij në rastin “Kleçka”, duke e kthyer rastin në rigjykim.

Me Limajn do të rigjykoheshin edhe Naser e Nexhmi Krasniqi dhe Naser Shala.

Gjykata këtë radhë i konsideroi si të pranueshme deklaratat dhe ditarin e dëshmitarit kryesor, Agim Zogajt, i njohur si X. Zogaj u gjet i vdekur në shtator 2011, në Duisburg të Gjermanisë, derisa gëzonte statusin e dëshmitarit të mbrojtur nga EULEX-i.

Pas Fatmir Limajt dhe tre bashkëluftëtarëve të tij, Gjykata Supreme riktheu në rigjykim edhe 6 pjesëtarët e tjerë të përfshirë në rastin “Kleçka”.

Arben Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj, iu nënshtruan rigjykimit, njësoj si katër të pandehurit tjerë të “Kleçkës”, edhe pse në mars të 2012-ës ishin shpallur të pafajshëm.

Arsyetimi edhe te ky vendim ishte i njëjtë si në rastin e vendimit kundër Limajt dhe të tjerëve.

Lirimin e Limajt dhe 9 bashkëluftëtarëve  të tij e konfirmoi edhe EULEX-i, nëpërmjet një komunikate, të martën. Të mbledhurit jashtë gjykatës në mbështetje të Limajt dhe të tjerëve, vendimin e pritën me brohoritje.

Të gjitha palët kanë të drejtën e ankesës.

Lirimin e Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij, kryeministri Thaçi e quajti rikonfirmim të pastërtisë së luftës së UÇK-së, ndërsa shoqatat e dala nga lufta, e quajtën fitore të madhe.