Ligjvënësit- Hetim Për Fabrikën e Blerë nga Devolli

Ligjvënësit miratuan dy rekomandime të lëvizjes Vetëvendosje në opozitë, lidhur me privatizimin e fabrikës së Amortizatorëve që gjendet në zonën industriale në Fushë Kosovë. 

Krijimi i një komisioni hetimor dhe auditimi i këtij procesi privatizimi, u përkrahën nga shumica e deputetëve. 

Ngritja e komisionit hetimor u përkrah nga 41 deputetë, u kundërshtua nga 18 dhe u abstenua nga 8 ligjvënës. Rekomandimi për auditimin e privatizimit u përkrah nga 48 deputetë, u kundërshtua nga 13 dhe u abstenua nga 10 ligjvënës. 

Por, Vetëvendosje nuk gjeti përkrahje, kur kërkoi që të pezullohet kontrata e privatizimit deri në kohën e përfundimit të auditimit. 51 deputetë votuan kundër këtij rekomandimi.

Fabrika e Amortizatorëve u ble për 2 milionë e 500 mijë euro në shtator të vitit 2010 nga kompania e fuqishme nga Peja Devolli Group.

Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar në tetor të vitit 2011 për parregullsitë në procesin e privatizimit të aseteve të ish-ndërmarrjes shoqërore Amortizatorët.

Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte thyer dy rregulla  të privatizimit, duke i shitur “Fabrikën e Amortizatorëve” korporatës “Devolli Group”. Kompania ishte nën hetime dhe blerjen e realizoi përkundër faktit që kjo ishte oferta e vetme. 

AKP-ja kishte deklaruar se procesi ishte i rregullt dhe i bazuar në ligj dhe se në këtë rast nuk është dëshmuar të ketë procedurë penale ndaj ofertuesit, prandaj edhe AKP-ja ka vazhduar me procesin e shitjes.

Po ashtu, Devolli Group u deklarua rreth kësaj çështjeje, kur Vetëvendosje nisi procedurat për debat parlamentar për privatizimin e Fabrikës së Amortizatorëve.

“Kompania Devolli Group edhe një herë thekson se blerja e fabrikës së re Amortizatorët ka qenë proces i rregullt.  Kompania është transparente dhe do të bashkëpunojë me secilin organ kompetent të Republikës së Kosovës për secilën çështje që parashihet me ligj”, thuhet në përgjigjen e Devolli Group dhënë Gazetës Jeta në Kosovë në dhjetor të vitit të kaluar.

Visar Ymeri, shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, deklaroi se AKP-ja kishte shpallur fituese kompaninë Devolli Group, pa e verifikuar mirë historikun e saj. 

Kompania, sipas tij, atëkohë ishte nën hetime, por kjo nuk e pengoi AKP-në që ta shpallte fituese në këtë proces privatizimi. 

Sipas tij AKP-ja kishte shitur fabrikën, përkundër që kishte pasur vetëm një ofertë në tenderë.

Gjatë diskutimit të kësaj çështjeje, zyrtarë të qeverisë nuk kanë qenë të pranishëm në sallën e kuvendit .

Kritikat e ligjvënësve ndaj rekomandimeve

Ardian Gjini nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se mund të shkaktohet frikë tek investitorët, nëse ngriten tema diskutimi në parlament për secilën fabrikë të privatizuar veç e veç. 

Sipas tij, AAK-ja nuk është e gatshme të marrë vendime dhe të përkrahë këto rekomandime.

“Ne do të diskutojmë për privatizimet. Ne po provojmë të zgjidhim diçka përmes kuvendit për privatizimet, po e përdorim kuvendin, sepse organet tjera nuk po funksionojnë. Ne duhet t`i bëjmë ato që të punojnë”, tha Gjini. 

“Kjo për ne është e dëmshme, mund të dukemi sikur ne po bëjmë diçka për ata punëtorë, mirëpo efekti afatgjatë do të jetë negativ”, tha Gjini.

Në emër të Grupit Parlamentar të PDK -së Zenun Pajaziti tha se rasti i ndërmarrjes së amortizatorëve duhet të ndahet në dy segmente.

“Nën 1 si proces, të diskutohet se a është i kontestueshëm privatizimi dhe nën dy, të gjitha informatat që kemi t`i deponojmë te organet përgjegjëse”, tha Pajaziti.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Arben Gashi nuk është pajtuar me të gjitha rekomandimet e Vetëvendosjes për këtë fabrikë. 

Sipas tij nuk specifikohet qartë mënyra e angazhimit të auditorit të privatizimit. 

“Auditimi që do të bëhej nga auditori i përgjithshëm në fabrikë me të gjeturat e tij t`i  drejtohej  komisionit hetimor parlamentar, kështu ka lidhje logjike”, tha Gashi. 

Myzejene Selmani nga Grupi Parlamentar i Aleancës Kosova e Re tha se çështja e privatizimit të ndërmarrjeve duhet të diskutohet në kuvend, por jo në formën që të shkohet me vendime siç është duke u bërë.

“Ne mund te themi se ne duhet te jemi në vijë me ligjin, e dimë se ka probleme në privatizim, mirëpo këto probleme duhet të kërkohen brenda AKP-së dhe ajo të vijë me rekomandime, por kuvendi nuk është vendi ku merren vendimet e organeve të drejtësisë “, tha Selmani

Ajo tha se nga Agjensioni Kosovar i  Privatizimit duhet kërkuar të tregohet një raport i procesit të privatizimit si i tillë dhe nga kjo si kuvend të nxirren formulime se çka ka ndodhur.

“Por, të mos diskutojmë sot për një ndërmarrje, nesër për një tjetër, por të merremi me një privatizim të mirëfilltë”, tha Selmani.

Ndërkaq, kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se dilema e krijuar në debati i deputetëve se po i frikësojmë investitorët nuk duhet të jetë e tillë. Sipas tij ata duhet t`i frikësojë fakti pse privatizimi është bërë paligjshëm.

“Nuk e shoh se debati i ligjshëm  në kuvend t’i frikësojë investitorët, ata që i bëjnë 100 marifete te këqija duhet të frikësohen në koordinim me ata që ua kane mundësuar këtë. Ne nuk po diskutojmë për ato që janë privatizuar në bazë të ligjit. Ne kemi material se ky dhe disa të tjerë janë privatizuar  kundërligjshëm”, tha Krasniqi.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës Fatmir Limaj për dallim nga të tjerët bëri një dallim duke thënë se duhet të krijohet komision hetimor për të gjitha ndërmarrjet e privatizuara me spin off special.

“Jam për krijimin e komisionit hetimor, të bëhet rishikimi i të gjitha atyre privatizimeve me spin off special që janë bërë deri tash dhe pastaj të shihen rekomandimet e komisionit”, tha Limaj.