Ligji Shkelet Duke Zgjedhur Mbrojtësit e Të Drejtës së Autorit

Ministria e Kulturës e udhëhequr nga Memli Krasniqi ka përzgjedhur, pa bazë ligjore, më herët gjatë këtij muaji, shtatë ndërmjetësues të cilët do të merren me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të ndërlidhura me të drejtat e autorit.

Kjo është e para herë që vendi krijon kapacitete për këtë metodë alternative jashtë gjykatës për zgjidhjen e kontesteve në fushën e të drejtës së autorit.

Tërë procesi është udhëhequr nga Zyra e të Drejtave të Autorit (ZDA) brenda Ministrisë së Kulturës me ushtrues të detyrës së drejtorit Valon Kashtanjevën.

Zgjedhja e ndërmjetësuesve duhej të kishte për bazë rregulloren 05/2013 për ndërmjetësim në fushën e të drejtës së autorit, të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Rregullorja përcakton nivelin, llojin e edukimit dhe kushtet tjera që një ndërmjetësues duhet t’i plotësojë për t’u pranuar në këtë pozitë. (shih rregulloren)

Ajo është aprovuar nga Qeveria më 30 janar 2013 dhe është nënshkruar nga Kryeministri më 12 shkurt 2013.

Mirëpo, rregullorja nuk ka hyrë në fuqi deri më 19 shkurt sepse në  dispozitat e nenit 15 thuhet “kjo rregullore hyn në fuqi shtatë (7) ditë pas nënshkrimit nga Kryeministri”.

Zyra për të Drejtat e Autorit nuk ka pritur që rregullorja të hynte në fuqi pasi që ftesa për aplikim për ndërmjetësues është bërë më 1 shkurt 2013, ose 19 ditë më herët.

Procesi është zhvilluar nën supozimin që rregulloret “dihet” që hyjnë në fuqi.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ZDA-së, Valon Kashtanjeva, i cili është me profesion jurist, thotë: “Dihet që në momentin që një akt aprovohet ose miratohet nuk ka mundësi të ndryshohet”.

Sipas tij, “në aspektin juridik, të gjitha efektet juridike janë krijuar pasi që ka hyrë në fuqi rregullorja”, ani pse veprimet e zyrës së tij janë bërë para se të hynte në fuqi kjo rregullore.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kuptuar se ftesa për aplikim në konkursin për ndërmjetësues të fushës së të Drejtës së Autorit është dërguar vetëm me e-mail tek ndërmjetësuesit e licencuar nga Ministria e Drejtësisë. (shih ftesën për aplikim)

Gazeta nuk ka mundur ta gjejë ftesën për aplikim në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës. 

 Ajo nuk përmbante formën e aplikimit për këtë pozitë, por kërkonte nga të interesuarit që të dorëzonin “kërkesë për t’u zgjedhur” në Zyrën për të Drejtën e Autorit.

Afati i aplikimit ishte nga data 4 deri më 11 shkurt 2013 ndërsa përzgjedhja e tyre, sipas njoftimit të ministrisë, është bërë më 24 shkurt 2013. (shih njoftimin)

Por pse ngutej Ministria për të përzgjedhur ndërmjetësuesit?

Sipas Kashtanjevës, arsyeja kryesore ishte angazhimi i trajnuesit ndërkombëtar Mladen Vukmir nga Kroacia, i cili nuk ka kohë të lirë të angazhohet kur i përshtatet ministrisë.

“Është dashur të përshpejtohet procedura, pasi që kemi pasur një trajnues ndërkombëtar (Mladen Vukmir), i cili është i vetmi në rajon dhe të cilin nuk ke mundësi ta marrësh kur të duash”, thotë Kashtanjeva.

Valon Kashtanjeva

Sipas njoftimit të ministrisë, trajnimi për ndërmjetësim është mbajtur nga Vukmir më 25 dhe 26 shkurt 2013.

Vukmir më 1 mars ka postuar në llogarinë e tij në Twitter një foto ku shihet me ministrin Krasniqi, Kashtanjevën dhe këshilltarin e ministrit Genc Prelvukaj dhe shkruan: “Takim me ministrin Memli Krasniqi për të diskutuar rolin e ndërmjetësimit në të drejtat e autorit…”.

Ardhja e Vukmirit në Kosovë ka kushtuar një mijë euro, sipas Kashtanjevës. Ai tha se duhet të konsultohet me zyrën e prokurorimit për të kuptuar nëse ky çmim përfshin edhe shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit. Kjo nuk është sqaruar deri më tash.

Trajnimi është mbajtur për shtatë ndërmjetësusit edhe pse ata ende nuk janë emëruar nga Kryeministri ashtu siç kërkon pika 4 e nenit 14 të rregullores së Ministrisë së Kulturës për ndërmjetësuesit në fushën e të drejtës së autorit.

Zyrtarja për Informim në Zyrën e Kryeministrit, Albulena Sylaj-Zeqiri, në përgjigjen e saj thotë se nuk ka informacion nëse Kryeministri ka emëruar ndërmjetësit.

Ajo shtoi se për këtë duhet të pyetet MRKS-ja, ndërsa Kashtanjeva thotë se ndërmjetësuesit pritet të emërohen nga Kryeministri.

Procesi i përzgjedhjes së ndërmjetësuesve është i pavlefshëm

Juristë dhe përfaqësues të shoqërisë civile konstatojnë se Zyra për të Drejtat e Autorit e Ministrisë së Kulturës ka bërë shkelje ligjore kur ka filluar përzgjedhjen pa bazë ligjore dhe, sipas tyre, i tërë procesi duhet të përsëritet.

Avokati Kolë Ramaj thotë se nuk mund të zgjedhen ndërmjetësues pa bazën ligjore.

Prandaj, thotë Ramaj, të gjitha vendimet që janë marrë pa hyrjen në fuqi të rregullores janë të kundërligjshme dhe procesi duhet të kthehet nga fillimi.

Kjo ngutësi prej 19 ditësh, sipas Betim Musliut nga Instituti i Kosovës për Drejtës, nuk ka mundur të vijë nga padituria.

“Nëse Ministria e Kulturës e ka filluar këtë proces pa krijimin e rregullativës së nevojshme të bazuar në ligj, atëherë kemi të bëjmë me shkelje ligjore, sepse nuk lejohet një gjë e tillë dhe kjo nuk ka fare logjikë”, thotë ai.

Musliu vlerëson së personat kompetentë që kanë ndërmarrë veprime në kundërshtim me bazën ligjore duhet të japin përgjegjësi.

Kashtanjeva, i cili ka udhëhequr këtë proces, thotë se që “nga momenti i aprovimit nga Kryeministri, Ministria e Kulturës ka qenë e obliguar të marrë masa për zbatimin e kësaj rregulloreje”.

“…Në favor të krijimit të procesit të ndërmjetësimit në të drejtën e autorit, MKRS ka marrë masat për ta jetësuar këtë vendim dhe rregullore të Qeverisë së Kosovës”, thotë Kashtanjeva.

Ministria e Kulturës | Foto: Petrit Rrahmani

Kriteri i fakultetit juridik – mjet eliminimi

Procesi i përzgjedhjes së ndërmjetësuesve ka zgjuar pakënaqësi në mesin e ndërmjetësuesve lidhur me kriteret që janë përcaktuar nga komisioni. Një ndër to është pasja e diplomës së fakultetit juridik.

Ndërmjetësues për të drejtat e autorit kanë mundur të zgjedhën vëtëm ndërmjetësuesit e lincensuar nga Ministria e Drejtësisë. Kur këta ishin licencuar nga MD-ja, fakulteti juridik nuk ishte kriter për t’u bërë ndërmjetës.

Për dallim nga MD-ja, komisioni i ministrisë së kulturës që ka përpiluar rregulloren ka vendosur që kriter shtesë të ishte fakulteti juridik.

Kështu, 38 nga 87 ndërmjetësues të licencuar nga MD-ja nuk e kanë plotësuar këtë kriter edhe pse ata kanë të drejtë të ndërmjetësojnë në çështje të së drejtës tregtare, familjare, të punës, raporte të tjera civile, administrative dhe penale.

Valon Kashtanjeva, kryetari i komisionit, thotë: “Ne si grup punues, gjatë diskutimeve, kemi ardhur në përfundim që sikur të ishin juristë do të ndikonin që procesi të shkonte më mirë.’

Ky kriter është konsideruar si diskriminues nga ndërmjetësuesit. Ata thonë që procesi nuk ka qenë as transparent.

Shaban Rexha, i cili ka të kryer fakultetin filozofik, thotë se ndërmjetësimi është proces ku nuk nevojiten shumë njohuri juridike. Ai ka ndërmjetësuar në shumë konteste pronësore e të tjera, të cilat thotë se i ka përfunduar me sukses.

“Palët vet e marrin vendimin, ne jemi vetëm lehtësues të procesit. Sikur të ishte i domosdoshëm fakulteti juridik, atëherë këto konteste do të mbeteshin përgjegjësi vetëm e gjykatës’, thotë Rexha.

Ali Gashi, një tjetër ndërmjetësues, thotë se s’ka aplikuar fare meqë është ekonomist, edhe pse ka qenë i interesuar.

“Nuk janë trajtuar të gjithë ndërmjetësit e licencuar njësoj dhe barabartë. Nuk e di pse ndodhë një gjë e tillë, por sigurisht qëllimi është të eliminohen njerëzit”, thotë Gashi.

Për ndërmjetësuesin tjetër që ka kryer fakultetin Filozofik, Ibrahim Arslan, ky konkurs “në parim është diskriminues, por ata [ministria] kanë kërkuar atë që  ju duhet”.

“Unë e konsideroj këtë si ekip të futbollit”, thotë Arslan. “Nëse ka nevojë për portier, e zgjedh njërin si portier”.

Por Betim Musliu nga IKD thotë që ky kriter është diskriminues pasi që nuk kërkohet me Ligjin për Ndërmjetësim dhe për të Drejtat e Autorit.

“Parimisht, bazuar në ligjin bazë, atë të ndërmjetësimit, atëherë del se ky kriter është diskriminues, pasi një gjë e tillë nuk kërkohet aty”.

Ky proces është diskutuar edhe përmes emailave nga grupi i ndërmjetësuesve.

Në shkëmbimin e-mailave të cilat i posedon Gazeta Jeta në Kosovë, ndërmjetësuesit ankohen që procesi nuk ka qenë transparent pasi që ata që kanë aplikuar nuk kanë marrë përgjigje lidhur me aplikimin e tyre dhe lista e të përzgjedhurve nuk është publikuar askund.

“Unë kam aplikuar, për tu përzgjedhur si ndërmjetësues në këtë proces dhe përkundër se është bërë përzgjedhja e ndërmjetësuesve dhe të cilët sipas mediave e kanë filluar dhe tashmë kanë përfunduar trajnimin, unë ende nuk kam marrë asnjë përgjigjje lidhur me aplikimin tim”, shkruan njëri nga ndërmjetësuesit në email.

Ndërsa një tjetër shkruan: “Ndërmjetësuesve të cilët janë përzgjedhur ju urojmë suksese dhe punë të mbarë, edhe përkundër se edhe ata do të binden se janë vënë në lajthitje në këtë proces të zhvilluar pa bazë ligjore”.

Kashtanjeva thotë që ata që i kanë marrë në intervistë u kanë treguar aty për aty që nuk do të informohen.

“Kur i kemi ftuar kandidatët nga lista e ngushtë në intervistë, çdo ndërmjetësuesi i kemi treguar që ‘nëse pranoheni ju njoftojmë, ndërsa nëse s’ju njoftojmë kemi përzgjedhur dikë tjetër’”.

Trajnimi i ndërmjetësuesve të licensuar nga Ministria e Drejtësisë | Foto: md-ks.org

“E di anglishten, por ende vijoj kursin”

Përmes të drejtës për qasje në dokumente publike, Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar CV-të e të përzgjedhurve nga konkursi për ndërmjetësues në fushën e të Drejtës së Autorit.

Janë Albana Tigani, Besim Kajtazi, Destan Bujupaj, Ilir Gaxha, Isuf Jahmurataj, Faton Morina dhe Mentor Hajdaraj.

Disa prej ndërmjetësuesve janë të punësuar në institucionet e Kosovës.

Tigani-Pajaziti punon në sekretarinë e komisionit për ndërmjetësim që vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, Kajtazi është drejtor i zyrës ligjore të Kryeministrit, Jamurataj është zyrtar ligjor në Ministrinë e Drejtësisë dhe Faton Morina është këshilltar ligjor në Institucionin e Avokatit të Popullit.

Faton Morina nuk figuron në listën e ndërmjetësuesve e cila gjendet në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë e publikuar më 7 shkurt 2012.

Fillimisht, zyrtari për informim në Ministrinë e Drejtësisë, Astrit Kolaj, ka deklaruar tri herë për gazetën se Morina nuk është ndërmjetësues i licencuar.

Disa ditë më pas Kolaj ka thënë se Morina është licensuar “më vonë”, më 17 janar 2013, prandaj nuk gjendet në listën e ndërmjetësuesve.

Por, Kolaj nuk i ka ofruar gazetës listën e azhuruar me emrin e Morinës. (shih regjistrin pa emrin e Morinës)

I kontaktuar nga Gazeta, Morina ka deklaruar se është ndërmjetës i licensuar nga MD-ja.

Besim Kajtazi punon në Zyrën e Kryeministrit ndërsa rregullorja për ndërmjetësues në fushën e autorit është nënshkruar nga Kryeministri.

“Natyrisht nëse organet kompetente vlerësojnë se jam në konflikt të interesit, unë personalisht do të jem menjëherë i gatshëm që të jap dorëheqje apo të pezulloj licencën time si ndërmjetës”, është shprehur Kajtazi.

Kajtazi thotë se “që asnjë përfitim dhe asnjë cent nuk ka pasur nga pozita e ndërmjetësit”.

Gazeta i është drejtuar Agjensionit Kundër Korrupsion për të shikuar nëse ka konflikt interesi ndërsa kjo e fundit ka deklaruar se është duke u marrë me këtë rast dhe se së shpejti do ta bëjë të ditur vendimin e saj.

Isuf Jahmurataj, kandidati tjetër që punon në MD, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se është duke ndjekur kursin e anglishtes edhe pse konkursi i ministrisë së kulturës kërkon që ndërmjetësit të kenë njohuri të gjuhës angleze.

“Mund të kuptoj shumë mirë anglishten por jam edhe duke shkuar në kurs të anglishtës”, tha Jahmurataj.

Kashtanjeva thotë se gjuha angleze është testuar gjatë intervistës me një pyetje.

Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar CV-të e shtatë kandidatëve dhe bazuar në to asnjëri nga ta nuk ka përvojë në fushën e të drejtave të autorit.

“Nëse kërkojmë persona me përvojë në të Drejtën e Autorit në Kosovë, është problem të gjejmë, por në intervistë është dashur ta gjejmë personin që ka më shumë njohuri”, thotë Kashtanjeva.

“Në CV ka disa që kanë dhe disa që s’kanë”, thotë ai.

Për juristen e të drejtave të autorit, Luljeta Plakolli, “në Europë dhe botë, në përgjithësi fusha e ndërmjetësimit ka fituar rëndësi të veçantë si metodë alternative e zgjidhjes së kontesteve, e cila iu mundëson palëve që për çfarëdo kontesti civil ose komercial t’i referohen ndërmjetësimit e jo gjykatës”.