Kryeministri Albin Kurti - Foto: ZKM
Lidhjet e Qeverisë Kurti me ish-partneren e "Kaçës" së kontrabandës, Albin Kurti nuk pranon të përgjigjet
Pesë ditë më parë KALLXO.com zbardhi se ministri i Qeverisë Kurti 2, Nenad Rashiq, kishte rekomanduar për një pozicion udhëheqës Gordana Mihajloviqin, e njohur si ish-partnerja e njërit prej të kërkuarve për kontrabandë, Besim Zeqiri, i njohur me nofkën “Kaça”.
Mihajloviq, që është pronarja në letra e rrjetit të barnatoreve “Lilia” në veriun e Mitrovicës, është emëruar drejtoreshë e Shëndetësisë në Zubin Potok me rekomandim të ministrit Rashiq.
Kryeministri Kurti më 13.11.2024 nuk ka pranuar të sqarojë pozicionin e tij lidhur me këtë emërim.
Gjatë vizitës së tij në Podujevë, kryeministri Kurti ka injoruar pyetjet e gazetares për partneritetin e ministrit të tij me ish-partneren e “Kaçës”. Ky i fundit ishte për disa muaj në kërkim pasi u arratis pas operacioneve të vitit 2021.
KALLXO.com tentoi të marrë një përgjigje nga Kurti nëse vendosja e personave që ishin të përfshirë në rastin e datës 13.10.2021 në pozita zyrtare është lufta që Qeveria kishte zgjedhur.
Në video-materialin e publikuar nga KALLXO.com Kurti qëndroi i heshtur në pyetjet e gazetares për këtë çështje deri sa thotë se është duke shkuar në takim me delegacionin e Katarit.
Pas përfundimit të takimit, Kurti vazhdoi sërish vizitën në një pjesë tjetër të Urgjencës së re në Podujevë. Pak minuta më vonë, ekipi i KALLXO.com tenton të marrë një qëndrim nga Kurti për rekomandimin e ish-partneres së “Kaçës” por Kurti nuk ka pranuar të përgjigjet. Pamjet tregojnë që Kurti nuk përgjigjet edhe përkundër insistimit.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili ishte fotografuar me Gordana Mihajloviqin nuk ka pranuar të flasë gjatë për këtë takim. Vitia nuk komentoi gjatë çështjen e takimeve. “Pyeteni drejtoreshën. Jam takuar me strukturat komunale” – tha shkurt Vitia.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i emëruar nga kryeministri Kurti, kishte rekomanduar që në pozitën e drejtoreshës së Shëndetësisë në Zubin Potok të zgjidhej një grua e cila ishte pronare e një barnatoreje ilegale në Mitrovicën e Veriut dhe e njëjta ishte partnerja e Besim Zeqirit, i njohur si “Kaça”, person me pozitë dhe lidhje të ngushta me grupet e kontrabandës në veri.
Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u takua disa herë me të njëjtën grua, pronaren e barnatores ilegale që ishte cak hetimi dhe i bastisjes tri vite më parë.
Gordana Mihajloviq, pronarja e barnatores ‘Lilia’ në Mitrovicën e Veriut, e cila ishte cak i një bastisjeje më 13.10.2021, është emëruar drejtoreshë e Shëndetësisë në Komunën e Zubin Potokut në mars të vitit 2024. Komuna udhëhiqet nga Izmir Zeqiri i PDK-së por ky i fundit i tha KALLXO.com që rekomandimi për këtë emërim erdhi nga ministri i Qeverisë, Nenad Rashiq.
Rekomandimin për emërimin e Mihajloviqit në krye të Shëndetësisë në Zubin Potok e ka dhënë ministri i emëruar nga kryeministri Albin Kurti, Nenad Rashiq.
KALLXO.com ndonëse i ka dërguar pyetje edhe Zyrës së Kryeministrit për këtë çështje dhe propozimin që kishte dhënë ministri në Qeverinë Kurti 2, nuk kanë kthyer asnjë përgjigje ndërsa i heshtur ishte edhe sot kur ekipi tentoi të marrë përgjigje derisa i njëjti ishte në inaugurimin e Urgjencës në Podujevë.
KALLXO.com dy herë radhazi tentoi që të marrë përgjigje nga Kurti për çështjen e emërimit të Mihajloviqit në pozitën e drejtoreshës si dhe luftën e Qeverisë të cilën e kishte përmendur vetë ndaj kontrabandës.
Më 13.10.2021, kryeministri Albin Kurti në rrjetin social kishte reaguar pas ngjarjeve që kishin nisur pas fillimit të bastisjeve të disa barnatoreve ilegale në veri të vendit dhe në disa zona të tjera të Kosovës.
Aty dyshohej se zhvillohej kontrabandë me mallra, kryesisht me barna. Në ditën kur njësitë speciale kishin hyrë për të asistuar Doganën e Kosovës, dhjetëra persona ishin mbledhur para barnatores ‘Lilia’ e cila gjendet përballë Shkollës Teknike në Mitrovicën e Veriut, dhe aty nisën të sulmonin Policinë.
Në po të njëjtën ditë, shtatë zyrtarë policorë ishin lënduar e plagosur nga sulmi që u ishte bërë ndërsa kryeministri Kurti situatës ia kishte kushtuar edhe një postim në Facebook.
“Herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri). Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale.”-kishte shkruar Kurti më 13.10.2021.
Ai tutje thoshte se ‘krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë’.
Hulumtimi i KALLXO.com tregon rrugëtimin e partneres së kontrabandistit shqiptar në veri të Kosovës drejt pozitave zyrtare
Gordana Mihajloviq, pronarja e barnatores ‘Lilia’ në Mitrovicën e Veriut, në mars të vitit 2024 është emëruar drejtoreshë e Shëndetësisë në Komunën e Zubin Potokut ndërsa barnatorja e saj ishte cak i një bastisjeje nën dyshimet se po kryhej veprimtari ilegale, kontrabandë me mallra.
Një hetim disamujor i Doganës së Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës si dhe Prokurorinë Speciale e atë të Mitrovicës do të shtrihej në terren në një aksion kundër kontrabandës me mallra, kryesisht me barna në disa lokacione e qytete në tetor të vitit 2021.
Një nga to ishte edhe lokacioni në Mitrovicën e Veriut. Barnatorja “Lilia” ishte identifikuar si një objekt në të cilin shiteshin barna të kontrabanduara, kryesisht nga Serbia.
KALLXO.com ka arritur që të ketë qasje në dosje të hetimit e cila e nxjerr barnatoren në pronësi të Gordana Mihajloviqit, tash e disa muaj e emëruar si drejtoreshë e Shëndetësisë në Komunën e Zubin Potokut.
Ajo është zgjedhur në këtë pozitë pas rekomandimit të cilin kryetari i Komunës Izmir Zeqiri e mori nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Ky i fundit është zgjedhur në pozitën e ministrit nga kryeministri Kurti në vitin 2022.
Gordana Mihajloviq nga një grua e cila njihej se në barnatoren e saj do të kryhej një bastisje për shkak të dyshimeve për kontrabandë me barna, sot zë vend në takime me ministra të Qeverisë Kurti.
Hulumtimi i KALLXO.com zbardh se si Gordana Mihajloviq, ish-partnerja e njërit nga njerëzit e fuqishëm në veri të vendit i njohur si bosi shqiptar i kontrabandës, Besim Zeqiri, i njohur me nofkën ‘Kaça’, arriti të marrë pozitë zyrtare dhe të takohet me ministra të Qeverisë Kurti 2.
E për dhunën që u përdor, ndaj policëve të Kosovës në aksionin e doganës së vitit 2021, në të cilin shtatë zyrtarë policorë ishin lënduar e plagosur, kishin reaguar edhe kryeministri edhe ministri i Brendshëm.
Aksioni policor ishte përcjellë në atë kohë edhe me protesta nga dhjetëra qytetarë që kishin dalë kundër këtij aksioni, që nuk po zhvillohej vetëm në Mitrovicë e Veriut.
Në incidentet që u shënuan atje në po atë ditë, ishin përdorur mjete të forta kundër policëve si dhe ishin dëgjuar të shtëna armësh e shpërthime granatash.
Pamjet që ishin transmetuar në atë kohë tregonin se si zyrtarët policorë që kishin hyrë për të kryer bastisjen në barnatoren “Lilia” tentojnë të largohen nga aty por te shkallët ballafaqohen me turmën e protestuesve të cilët hodhën gjësende të ndryshme, e mjete të forta drejtë policëve.
Pas protestave, në terren mbetën dëshmi të asaj që kishte ndodhur, mes tyre edhe plumba, shok-bomba e mjete të tjera që ishin përdorur.
Barnatorja e cila do bastisej më 13.10.2021, ishte dhe është në pronësi të Gordana Mihajloviqit, e identifikuar si partnerja e Besim Zeqirit, i njohur si ‘Kaça’, i cili është person i njohur për drejtësinë në Kosovë.
Më 13.10.2021 përveç bastisjes që kishte kryer në Mitrovicë e Veriut, Policia kishte shpallur në kërkim edhe pesë persona të dyshuar si të involvuar në këtë rast. Një ndër ta ishte edhe “Kaça”, i njohur si bosi shqiptar i kontrabandës.
Vetëm disa muaj më vonë pas arratisjes, ‘Kaça’ do të arrestohej nga Policia, do të qëndronte në paraburgim e më pas do të lirohej nga kjo masë e sigurisë.
Në vitin 2023, Komuna e Zubin Potokut ngjashëm sikurse edhe dy komunat e tjera, Leposaviq e Zveçan patën probleme për muaj me radhë pas zgjedhjes së kryetarëve të rinj shqiptarë për të udhëhequr komunat me shumicë serbe.
Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, disa herë kishte thënë se mirëpret qytetarët serbë në komunën që udhëheq që të bëhen pjesë e institucioneve lokale dhe të mos i bojkotojnë ato.
Vetë Zeqiri në një bisedë përmes telefonit me KALLXO.com tregon se nuk e kishte ditur se kush ishte Gordana Mihajloviq, ndërsa tek në dy-tre muajt e fundit kishte marrë informacione për të.
“Jo, s’e kemi ditur që është gruaja e tij. Kemi marrë vesh pak ma vonë por kjo i ka sjellë letrat, dokumentacionet sepse ne sigurohemi që ajo të mos ketë probleme me ligjin. Para dy-tre muajve kemi kuptuar që është në bashkëjetesë me të”- tha Izmir Zeqiri për KALLXO.com.
Ai thotë se rekomandimin për Mihailoviqin e ka marrë nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
“Por për të kemi pasur rekomandime drejtpërdrejt nga Ministria e Rashiqit, këta e kanë rekomandu. Mirëpo nuk kemi diçka për këtë, natyrisht s`mund bën asgjë, por gjithsecili që vjen ne i kërkojmë dokumentacion që nuk janë nën hetime, që nuk kanë probleme me ligjin. Në bazë të rekomandimeve dhe bashkëpunimeve që kemi pasë, ka qenë rekomandim i Ministrisë”- shton ai.
Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar edhe me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, të cilin e kishte emëruar Albin Kurti në vitin 2022.
“Unë nuk e njoh Besimin. Çka ka lidhje Gordana me veprat e Besimit? Ai e pagun çmimin e për shkelje të ligjit, çka ajo duhet me bo tani? A ka bërë ndonjë shkelje të Ligjit?”- tha Rashiq përmes telefonit për KALLXO.com.
KALLXO.com ka kërkuar edhe nga Zyra e Kryeministrit sqarime nëse kanë qenë në dijeni për emrat që janë dorëzuar nga Ministria për Komunitete dhe Kthim në komunat në veri të vendit.
Deri në publikimin e këtij shkrimi, Zyra e Kryeministrit nuk ka kthyer asnjë përgjigje.
KALLXO.com më 04.11.2024 ka tentuar që të flasë edhe me drejtoreshën e Shëndetësisë në Zubin Potok, Gordana Mihajloviq, por e njëjta nuk ka pranuar takim me ekipin duke thënë se është e angazhuar me takime.
Në ARBK, partnerja e “Kaçës” ende figuron pronare e barnatores
Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), barnatorja “Lilia” është në pronësi të Gordana Mihajloviqit.
Aksionet e barnatores në bazë të dokumentit publik në ARBK kanë kapital prej 1 mijë eurove ndërsa aktiviteti kryesor i këtij biznesi është tregtia me shumicë e mallrave farmaceutike.
KALLXO.com më 04.11.2024 shkoi në vendin ku ishte barnatorja tre vite më parë, dhe pa që ajo ishte e mbyllur dhe e njëjta hapësirë ishte duke u rinovuar dhe rregulluar për një biznes tjetër.
Biznesi në ARBK figuron ende se është aktiv ndërsa numri i telefonit i vendosur aty është i paqasshëm dhe jashtë funksionit.
Ministria e Shëndetësisë e promovoi në rrjete sociale ish-partneren e bosit shqiptar të kontrabandës
Gjatë këtij viti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kishte marrë pjesë në një takim në të cilin ishte edhe drejtoresha e Shëndetësisë në Zubin Potok, Gordana Mihajloviq.
Me anë të disa fotografive që ishin promovuar në rrjetet sociale zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë më 08.05.2024, ishte treguar se ministri Vitia ka mbajtur takim me drejtuesit e shëndetësisë në komunat në veri të vendit për të diskutuar për sfidat dhe nevojat e sistemit shëndetësor.
“Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, sot priti në takim përfaqësuesit e tre komunave veriore të Republikës së Kosovës: Kryetarin e Komunës së Leposaviqit, z. Lulzim Hetimi, Nënkryetaren e Komunës së Leposaviqit, znj. Marina Bogojeviq, Drejtoreshën për Shëndetësi në Komunën e Leposaviqit, znj. Marina Zdravkoviq, Drejtoreshën për Shëndetësi në Zubin Potok, znj. Gordana Mihajloviq, si dhe profesionistët shëndetësorë nga Zveçani, znj. Valbona Kelmendi dhe z. Xhevdet Tahiri”- thuhej në postimin e Ministrisë së Shëndetësisë të datës 08.05.2024.
Kurti e Sveçla dënonin protestat ndaj aksionit kundër kontrabandës në veri
Fundi i ditës 13.10.2021, tregonte se për shkak të aksionit të Doganës e Policisë kundër kontrabandës në Mitrovicë të Veriut, në rrugët që të dërgojnë drejt Shkollës Teknike e sheshit ‘Car Llazar’, kishte mbetje të mjeteve piroteknike, shok-bombave, vetura të dëmtuara e barrikada që ishin vendosur në mes të rrugës në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut.
Shtatë policë ishin lënduar pasi ndaj tyre u përdorën mjete të forta nga protestuesit që kundërshtonin aksionin e tetorit të 2021-tës.
Madje përveç policëve edhe ekipet e gazetarëve ishin sulmuar nga persona të ndryshëm, disa nga ta të maskuar.
Gjatë asaj dite, sulmet dhe situatën e krijuar e kishte dënuar ashpër në atë kohë edhe kryeministri Albin Kurti e edhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla.
Madje ministri i Brendshëm kishte thënë më 13.10.2021 se ‘operacioni nuk është i drejtuar kundër asnjë nacionaliteti por kundër kriminelëve që kanë kontrabanduar mallra’.
“Operacioni i sotëm nuk i është drejtuar asnjë nacionaliteti apo komuniteti që jeton në Kosovë. Ai i është drejtuar kriminelëve që janë identifikuar si kontrabandues të mallrave ilegale në territorin e Republikës sonë. Kriminelët nuk ndahen në grupe etnike”- kishte shkruar Sveçla në Facebook më 13.10.2021.
Dy vite pas ngjarjes që kishte ngritur tensione në veri të vendit, Ministria për Komunitete dhe Kthim, konkretisht Nenad Rashiq, i cili është emëruar ministër nga kryeministri Albin Kurti, pretendohet se i ka propozuar Komunës së Zubin Potokut që të caktojë si drejtoreshë të Shëndetësisë, Gordana Mihajloviqin, partneren me të cilën bashkëjetonte ‘Kaça’.
Kush është Besim Zeqiri “Kaça”?
Në korrik të vitit 2023, KALLXO.com pati raportuar për arrestimin e fundit të Besim Zeqirit.
Në dosjen e Prokurorisë thuhej se “Kaça” ka 34 incidente në të kaluarën e tij kriminale, shumica prej të cilave të natyrës së kontrabandimit.
Besim Zeqiri në tetor të vitit 2021 ishte shpallur për një kohë edhe në kërkim policor, ndonëse vetëm dy muaj më herët, në gusht të 2021 ai ishte arrestuar nga Policia.
Arrestimi i radhës i “Kaçës” kishte ndodhur gati një vit pas shpalljes në kërkim, në gusht të 2022-tës.
Ai në vitin 2018 ishte arrestuar nga Policia e Kosovës për disa vepra penale pas disa vitesh të kaluara në arrati, por më pas ishte liruar.
Ai njihet edhe për qëndrimin e tij në arrati për disa vite, para se të arrestohej më 2018, por edhe kësaj radhe ai prapë ishte liruar.
“Kaça” i kishte ikur Policisë në gusht të vitit 2021, e ndjekja e tij ishte zhvilluar si në filma.
Zeqiri kishte arritur të arratisej ndërsa gjatë arratisjes një polic kishte mbetur i lënduar.
Edhe aktualisht, Besim Zeqiri është liruar nga paraburgimi pas arrestimit të fundit që kishte pasur gjatë vitit 2023.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Gjykata e Mitrovicës ka treguar për masat e sigurisë që ka pasur ‘Kaça’ pas arrestimit në korrik të vitit 2023.
“Në lidhje me rastin e Besim Zeqiri, rasti është në shqyrtim. Masa e paraburgimit i ishte caktuar me datën 12.08.2023, kurse i është ndërprerë paraburgimi me datën 10.11.2023. Të njëjtit i është caktuar arresti shtëpiak nga data 10.11.2023 deri me datën 08.12.2023 ku më pas i është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak dhe i njëjti mbrohet në liri dhe vazhdon procesi”- thuhej në përgjigjen e zyrës për informim të Gjykatës Themelore të Mitrovicës për KALLXO.com.