Flamuri i Bashkimit Europian - Foto: REL/Shutterstock

Liderët politik që do ta formësojnë të ardhmen e Ballkanit Perëndimor gjatë 2020-ës

Viti 2019 i ka lënë shumë pyetje të pasqaruara dhe pa përgjigje. Proceset më të rëndësishme në rajon – hapja e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, reforma e procesit të zgjerimit, zgjidhja e krizave politike në rajon – janë akoma disa prej çështjeve të cilat kërkojnë një përgjigje.

Shumë njerëz do të përfshihen në to, mirëpo vetëm disa prej tyre do të marrin vendime dhe do të japin mesazhe të cilat do të jenë kyçe për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Kush janë këta njerëz? 

Pas analizimit të pikëpamjeve dhe vendimeve, potenciale, që do të mund të merreshin nga Blloku i BE-së në raport me Ballkanin Perëndimor, gjatë vitit 2020, analiza si më poshtë e bërë nga Evropean Ëestern Balkans, portal rajonal i specializuar në procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, do t’i japë përgjigjet për secilin veç e veç.

 Emanuel Macron

Presidenti i Francës tashmë është treguar si një lojtar i patejkalueshëm kur bëhet fjalë për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, fillimisht duke i dhënë disa mesazhe dekurajuese drejt atyre të cilët shpresojnë për një anëtarësim të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE e pastaj, natyrisht, edhe me kundërshtimin për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shkupin dhe Tiranën gjatë muajve qershor dhe tetor të vitit të kaluar. Vendimi i fundit, vendim ky që nuk është marrë vetëm nga Franca, ka hasur në një kritikë serioze pothuajse nga të gjitha anët e kontinentit.

Që nga atëherë, Parisi ka iniciuar reformen e zgjerimit edhepse propozimet e tij janë kritikuar. Krejt sytë do të drejtohen tek presidenti francez Emanuel Macron në muajt e parë të vitit 2020 gjatë kohës kur BE do të diskutojë në lidhje me të ardhmen dhe zgjerimin e saj dhe, ajo që është më e rëndësishmja, që të rishqyrtojë vendimin në lidhje me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë para samitit të Zagrebit që pritet të mbahet në muajin maj.

 Andrej Plenkoviç

Samiti i Zagrebit nuk mund të përmendet pa u fokusuar edhe në iniciatorin e saj, kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviç. Kroacia e ka marrë presidencën e saj me Këshillin e Evropës që nga 1 janari i këtij viti dhe pritet që takimi i liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të jetë një prej momenteve më të rëndësishme në gjysmën e parë të vitit 2020.

Andrej Plenkoviç do ta ketë rastin që të organizojë një Samit më të suksesshëm krahasuar me atë që u mbajt në Sofje në vitin 2018 dhe i cili pati përfunduar pa ndonjë progres të shënuar vetëm duke u zotuar për thellimin e bashkëpunimit dhe rritjen e stabilitetit në rajon, si parakusht për integrimin e kësaj pjese të Evropës në kuadër të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, duhet cekur se Samiti i Zagrebit po vie në një kohë në dukje më produktive për procesin e zgjerimit. Këshilli i BE-së jo vetëm që është zotuar të rishikojë vendimin për Shkupin dhe Tiranën porse deri atëherë priten edhe konkluzionet preliminare mbi debatin reformues për reformën e zgjerimit.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar, kryeministri kroat ka deklaruar se samiti i Zagrebit do ta përcaktojë dekadën e ardhshme të marrëdhënieve BE-Ballkani Perëndimor. Ai dhe qeveria e tij nuk do të lejonin që kjo mundësi t’iu ikën nga dora.

 Olivér Várhelyi

Komisioni i ri Evropian është në fazën e muajit të mjaltit, por kjo fazë pritet të mos zgjasë shumë. Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi, i ka bërë të ditura propozimet e tij për të reformuar procesin e zgjerimit për muajin janar, dhe është mëse e sigurt  se do të ngriten shumë kritika në lidhje me këtë pasi që jo të gjithë mund të pajtohen më këtë lloj procesi. Të sigurt se do të ngrenë të paktën disa kritika, pasi procesi nuk mund t’i pëlqejë të gjithëve.

Komisioni Evropian do të jetë një lojtar kryesor në këtë proces, dhe ky fakt, përveç aktiviteteve të rregullta, siç janë raportet vjetore për Ballkanin Perëndimor, çuditërisht, të paktën,  siguron pozicionin e Várhelyi. Pak para një vizite të tij të bërë në Shkup dhe Tiranë, Komisioneri Várhelyi ka dërguar një sinjal të fortë se, për Komisionin Evropian dhe për të personalisht perspektiva e Bashkimit Evropian për këtë rajon është një përparësi.

“Ne qëndrojmë pranë propozimit tonë për të hapur bisedimet e pranimit me të dy vendet dhe ne po punojmë që kjo të ndodhë shumë shpejt”, ka deklaruar Várhelyi, thuhet në një njoftim për media nga Komisioni Evropian.

Sidoqoftë, viti 2020 do të jetë gjithashtu një mundësi unike për Komisionerin e ri që të vendosë marrëdhënie të mira pune dhe kredibilitet me forcat pro-evropiane të Ballkanit Perëndimor.

 Tonino Picula

Eurodeputeti Tonino Picula, mban pozitën e raportuesit të Parlamentit Evropian për rekomandimet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor. Detyra e tij është të qartësojë qëndrimin e Parlamentit Evropian për reformimin e procesit të zgjerimit përpara Samitit të Zagrebit.

– Në dokument do të integroj propozime të reja që duhet të kontribuojnë në ritmin e ri të procesit tani të ngadaltë të zgjerimit të BE-së në dekadën e tretë të shekullit XXI – ka deklaruar Picula kohëve të fundit.

Parlamenti Evropian mbështeti fuqimisht hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë sa më shpejt që të jetë e mundur, vetëm disa ditë pasi Këshilli Evropian nuk arriti të merrte një vendim në muajin tetor, ndërsa Picula ka vënë theksin tek një vendim pozitiv si një nga qëllimet e tij kryesore para samitit të Zagrebit. Përveç këtij pozicioni, Picula është gjithashtu raportuesi i PE për Programin e Asistencës së Para-Aderimit IPA III për 2021-2027,  pastaj edhe raportues për Malin e Zi dhe Koordinator i Grupit Social Demokratik në Komisionin për Punë të Jashtme, dhe kjo e bën atë, pa dyshim, eurodeputetin më me ndikim për Ballkanin Perëndimor në vitin 2020.

 Tanja Fajon dhe Vladimír Bilčík

Pas tre raundeve të dialogut të ndërmjetësuar nga Parlamenti Evropian, PE, Kryetari i Komitetit të Stabilizim-Asociimit Serbi-BE, Tanja Fajon dhe raportuesi i PE për Serbinë, Vladimír Bilčík, kanë deklaruar se ata do të qëndrojnë të përkushtuar ndaj Serbisë teksa ajo futet në muajt e një paparashikueshmërie dhe paqëndrueshmërie të mëtejshme politike. Megjithëse opozita e mbledhur rreth Aleancës për Serbinë ka shprehur falenderimin dhe vlerësimin e saj për përpjekjet që po bëjnë të dy eurodeputetë, kjo Aleancë akoma mbetet e angazhuar që të bojkotojë zgjedhjet të cilat janë planifikuar të mbahen në fund të muajit Prill apo në fillim të muajit Maj.

Kjo, megjithatë, nuk e ka dekurajuar eurodeputeten Fajon, e cila e ka bërë të ditur se PE do të dërgojë një mision të vetin vëzhgues gjatë zgjedhje të ardhshme në Serbi. Ndërmjetësimi i PE ka rezultuar me disa reforma ligjesh zgjedhore dhe institucionale, të cilat reforma këto të cilat shumica opozitare i konsideron të pamjaftueshme. Portali European Western Balkans, na përkujton një situatë të ngjashme politike në Serbi, Mal të Zi dhe Shqipëri, për të cilën thotë se ngjan me krizën përmes së cilës ka kaluar Maqedonia Veriore gjatë viteve 2014-2016. Ky fakt i jep më shumë rëndësi eurodeputetëve Fajon dhe Bilčík dhe ndërmjetësimit të tyre ndërmjet qeverisë dhe opozitës në Serbi, sepse ajo që po ndodh në Beograd mund të ndikojë në zhvillimin e vendeve tjera në Ballkanin Perëndimor.

 Donald Tusk dhe Sergei Stanishev

Nuk duhet harruar rolin që partitë pan-Evropiane e kanë luajtur dhe do ta luajnë në Ballkanin Perëndimor – krizat e kaluara dhe ato të tanishmet kanë treguar se anëtarësimi në këto parti mund të jetë i rëndësishëm në zhvillimet politike.

Presidenti i Partisë Popullore Evropiane, EPP, Donald Tusk dhe homologu i tij nga partia e Socialistëve Evropianë, PES, Sergei Stanishev, mund të mos jenë anëtarë të këtyre partive fokusi i të cilave është më shumë në Ballkanin Perëndimor, mirëpo Tusk dhe Stanishev janë fytyrat më të famshme të dy blloqeve më të forta politike në BE.

Partia Popullore Evropiane, PPE, është mbështetëse e fuqishme e Partisë Demokratike opozitare në Shqipëri, e cila tashmë ka bojkotuar zgjedhjet lokale të vitit 2019 në këtë vend. Në Serbi, situata nuk është edhe aq e qartë, të paktën jo publikisht, por kjo mund të ndryshojë me afrimin e zgjedhjeve. Në Maqedoninë Veriore, dy partitë më të mëdha do të garojnë përsëri formimin një qeverie gjatë zgjedhjeve që pritet të mbahen në këtë vend në muajin Prill 2020, kështu që do të jetë interesante të shihet se si do të ndikojë mbështetja e partive të mëdha evropiane në zgjedhjet që do të mbahen në këto vende të Ballkanit Perëndimor.

 Josep Borrell 

Një tjetër Komisioner Evropian që do të jetë në gjendje të krijojë marrëdhënie të mira pune me rajonin e Ballkanit Perëndimor në vitin 2020 do të jetë Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, i cili ka thënë vazhdimisht se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja Beograd-Prishtinë do të jetë një nga prioritetet e tij kryesore, si dhe do t`i vizitojë të dy kryeqytetet, Prishtinën dhe Beogradin, së shpejti.

Sidoqoftë, mundësia e emërimit të një të Dërguari të Posaçëm të BE-së, që do të jetë i ngarkuar me dialogun Kosovë-Serbi është përmendur disa herë në gjysmën e dytë të vitit 2019, në veçanti pas vendimit të Presidentit amerikan Donald Trump për ta përzgjedhur të dërguarin e tij – Ambasadorin e SHBA-ve në Gjermani, Richard Grenell. Nëse BE ndërmerr të njëjtin hap, i dërguari i Josep Borell do të ketë një nivel të lartë ndikimi në rajonin e Ballkanit Përendimor.

Normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës mbetet sfida më e madhe në Ballkanin Perëndimor. Një lloj progresi është arritur me nënshkrimin e dy marrëveshjeve në Bruksel në vitin 2013, respektivisht, vitin 2015, mirëpo qysh nga shtatori i vitit 2018 asnjë takim i nivelit të lartë nuk është mbajtur  nga këto dy vende.

 Mark Rutte

Mark Rutte mund të mos jetë personi i parë që ju bie ndërmend, megjithatë Kryeministri i Holandës do të ketë një rol të rëndësishëm që do ta luajë në vitin 2020. Arsyet qëndrojnë në atë se Rutte është pajtuar me presidentin francez Macron për çështjen e Maqedonisë Veriore, dhe aq më tepër edhe për Shqipërinë.

Sidoqoftë, vendi i tij ka diskutuar po ashtu edhe për heqjen e regjimit të vizave me Shqipërinë, dhe u pa si një nga ata që e kanë kundërshtuar vendosjen e një marrëveshje të ngjashme me Kosovën.

Nëse, rastësisht, Mark Rute ndryshon qëndrimin e tij për ndonjërën prej këtyre çështjeve, atëherë ky do të ishte një sinjal i qartë optimizmi për Ballkanin Perëndimor.

 Emrat e nderit: Angela Merkel dhe Ursula Von der Leyen

Disa vjet më parë, pothuajse do të ishte e pamundur që kancelarja gjermane Angela Merkel të mos jetë pjesë e kësaj liste. Sidoqoftë, ndikimi i saj në rajon – ndikim ky që dikur shihej si forca lëvizëse prapa dialogut Beograd-Prishtinë dhe thellimit të bashkëpunimit rajonal – ka filluar të zbehet ndërkohë që karriera e saj politike po shkon drejt fundit. Ky fakt ishte shumë më i dukshëm gjatë vitit 2019, pasi që përpjekjet e saja për të ringjallur procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe për ta bindur presidentin francez Macron të pajtohet me një vendim pozitiv, të paktën për Maqedoninë Veriore, dështuan. Gjermania, nga ana tjetër, do të mbetet e pranishme edhe në vitin 2020 falë statusit të saj të rëndësishëm si vendi më i madh anëtar i BE-së, por edhe si Kryesuese e Këshillit në gjysmën e dytë të vitit 2020, e bashkë me të edhe vetë Angela Merkel.

Kur bëhet fjalë për Ursula von der Layen, ish-Ministren e Mbrojtjes së kancelares Merkel, e cila tani është Presidente e Komisionit Evropian, është e vështirë të imagjinohet që në vitin 2020, ajo do të angazhohet për së afërmi me Ballkanin Perëndimor, duke pasur parasysh planin ambicioz të administratës së saj. Anëtarët e tjerë të Komisionit nën udhëheqjen e Von der Leyen, veçanërisht Përfaqësuesi i Lartë dhe Komisioneri i Zgjerimit, do ta kryejnë pjesën më të madhe të punës. Megjithatë, mesazhet e saj në mbështetje të zgjerimit të BE-së mbeten inkurajuese.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!