Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Liderët grinden rreth planit për formimin e një qeverie të re

Ndërkohë që Presidenti njofton “hapa të rinj” për formimin e një qeverie të re jashtë partive aktuale parlamentare, në vend që të shpallë zgjedhje të reja, Vetëvendosje thotë se do ta luftojë këtë në çdo mënyrë.

 

Të dielën, Presidenti Hashim Thaçi njoftoi se do të merren hapa të mëtutjeshëm këtë javë për formimin e një qeverie të re – edhe pse kryeministri në largim Albin Kurti, i cili humbi votën e mosbesimit në parlament më 25 mars, ende është në kërkim të zgjedhjeve të reja pas përfundimit të pandemisë.

“Javën tjetër unë do të ndërmarr hapat e fundit kushtetues për të mundësuar formimin e një qeverie të re me legjitimitet të plotë nga parlamenti, e aftë të luftojë COVID-19 dhe t’i shërbejë popullit,” ka cicëruar Presidenti përmes llogarisë së tij në Twitter.

Duke e bërë me dije atë që ai do të dëshironte të bënte kjo qeveri e re, ai shtoi se tarifat e vendosura për importet serbe, të kritikuara aq shumë nga SH.B.A. dhe BE, “duhet të largohen në mënyrë që të forcojmë mbështetjen e SHBA dhe BE për Kosovën”.

Partia Vetëvendosje e Kurtit – e cila dëshiron zgjedhje të reja sa më shpejt që të jetë e mundur, më parë sesa një qeveri të re të formuar nga konstelacioni ekzistues i partive në parlament – e dënoi këtë njoftim nga Presidenti.

“Nuk do të ketë një qeveri të re. Plani i Thaçit shkel kushtetutën dhe ka për qëllim kthimin e [në pushtet] të partive që do t’i mundësonin atij të shtyjë përpara marrëveshjet e tij me [Presidentin serb Aleksandar] Vuçiq,” tha nënkryetarja Arbërie Nagavci.

Kurti dhe partia e tij e kanë akuzuar prej kohësh ish-partinë në pushtet Partinë Demokratike të Kosovës, PDK – të cilën Thaçi dikur e udhëhiqte – se ka dalë me një komplot bashkë me Vuçiqin për ndarjen e Kosovës në linja etnike, në këmbim që Serbia ta njohë pavarësinë e ish krahinës së saj.

Njoftimi i Thaçit vjen pas shkëmbimit të një serie letrash të tensionuara me Kurtin, partia e të cilit, pasi ka shumicën e vendeve në parlament, fillimisht mori mandatin për të formuar qeverinë e re.

Javën e kaluar, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, partneri i saj i ri në qeveri sinjalizoi gatishmërinë e saj për të formuar një qeveri të re nëse merr një mandat nga Presidenti Thaçi.

Pas nxitjes dhe më pas suksesit të një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë Kurti, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, e ka kthyer vëmendjen e tij te një varg partish më të vogla në parlament si aleatë të mundshëm të koalicionit.

Këto parti janë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, Nisma Socialdemokrate, NISMA, e udhëhequr nga Fatmir Limaj, Aleanca Kosova e Re, AKR, e udhëhequr nga ish-ministri i jashtëm Behgjet Pacolli, dhe përfaqësuesit e pakicave të ndryshme etnike.

Më pak se 40 minuta pasi Thaçi e bëri njoftimin e tij përmes llogarisë në Twitter, i dërguari amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, komentoi në njoftimin Thaçit, duke e inkurajuar atë të vazhdojë tutje me planin për të larguar tarifat.

“Sapo të largohen tarifat/reciprociteti (mbase këtë javë?), atëherë Dialogu [me Serbinë] fillon menjëherë,” tha ai.

“Kam biseduar me udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës për ta bërë të qartë se ata duhet të fillojnë së ndërtuari një mirëbesim qysh tani – dhe ata janë zotuar ta bëjnë këtë. Së shpejti do kemi lajme tjera,” shtoi Grenell.

Ndërhyrja e ashpër e Grenellit i ka zemëruar edhe më shumë udhëheqësit e Vetëvendosjes, disa prej të cilëve e akuzuan të dërguarin amerikan se po tregon mospërfillje në raport me procesin demokratik në Kosovë.

“Pse po tregon mosrespekt për një vend demokratik miqësor dhe qeverinë e tij? Liderët në demokraci përcaktohen nga zgjedhjet dhe mbështetja/votat e njerëzve,” ka qenë reagimi i zv/kryeministrit, Haki Abazi.

Për Donika Eminin, drejtore ekzekutive e platformës së shoqërisë civile në Kosovë, CivKos, presioni i fundit nga SHBA ishte i pritshëm.

“Orkestrimi midis Thaçit dhe Grenellit është një tregues se përkundër kërkesave tona për një pezullim të dialogut [me Serbinë] deri sa të marrë fund kjo pandemi, dialogu do të vazhdojë, edhe pse në rrethana të panjohura sepse pala tjetër, Serbia, është parë rrallë,” tha Emini për BIRN.

Ajo thotë se me një angazhim më proaktiv në Sh.B.A., “shanset për nënshkrimin e një marrëveshje janë shumë të mëdha”.

“Por kjo nuk do të thotë se problemi i Kosovës do të zgjidhet. Kjo varet nga përmbajtja e marrëveshjes dhe implikimet e saj në funksionalitetin e brendshëm të Kosovës,” tha Emini.

Sipas Donika Eminit, paralajmërimi i Grenellit duhet të shërbejë si një alarm për udhëheqësit e Kosovës që të ndalen mospajtimet dhe të ketë një koordinimin më të mirë për çështjen e dialogut, “megjithëse kjo duket e pamundur duke pasur parasysh këtë armiqësi ekstreme midis Vetëvendosjes dhe të tjerëve, si dhe tendencat e partive politike për të bllokuar çdo proces politik”.

Beteja për “qeverinë e re kundrejt zgjedhjeve të reja” vjen në një kohë kur vendi është ende duke luftuar epideminë e COVID-19.

Kur Serbia javën e kaluar vendosi të dërgojë një donacion prej 1.000 testesh COVID-19 në Kosovë, kjo ofertë u shndërrua një fushë tjetër futbolli politik në këtë vend shumë të përçarë.

Blerta Deliu-Kodra, deputete opozitare nga PDK, të dielën që lëmë pas, e quajti “poshtëruese” këtë ofertë – dhe e fajësoi për këtë, siç e tha ajo, qeverinë e “rrëzuar” Kurti.

“Ne e dënojmë këtë sjellje poshtëruese të qeverisë së rrëzuar, e cila i ka dhënë Serbisë një mundësi, fshehur prapa një maske humanitare, të fitojë një përparësi strategjike ndaj Kosovës,” tha ajo.

Nga ana tjetër, Kurti e quajti këtë donacion një “gjest të vullnetit të mirë” nga Serbia, e cili përveç që nuk e njeh Kosovën, kontrollon në mënyrë efektive edhe sistemin shëndetësor në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

“Serbia mendonte se një qeveri nën Vetëvendosjen nuk do t’i testonte serbët e Kosovës [për virusin] dhe më pas u befasuan që ne nuk po i ndajmë qytetarët sipas prejardhjes së tyre etnike dhe shprehu gatishmërinë [për ti pranuar] rreth 1.000 teste,” tha Kurti.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar ditën e diel, krerët e misioneve të BE-së, ambasadorët e Britanisë, Zvicrës dhe Norvegjisë si dhe kreu i organit për sundim të ligjit së BE-së, EULEX, dhe Koordinatori i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara, KB, i bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të mos e politizojnë pandeminë.

“Përballë kësaj pandemie globale, politika duhet të lihet mënjanë dhe aktorët politikë duhet të punojnë së bashku për të siguruar që qytetarët, pa asnjë dallim, të marrin ndihmë mjekësore dhe mbështetje ekonomike aq të nevojshme ,” thuhet në deklaratën e përbashkët.