Foto: Shkëlzen Gashi.
Libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, Gashi: Gjatë luftës u shënuan shkelje të rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare
Në fillim të shtatorit 2024, publicisti Shkëlzen Gashi ka botuar librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999”. Në libër janë përfshirë 83 masakra, që janë kryer nga forcat serbe kundër civilëve, kryesisht shqiptarë, nga data 28 shkurt 1998 e deri më 23 korrik 1999.
Libri është i ilustruar edhe me fotografi nga vendet ku janë kryer masakrat.
Në një intervistë për KALLXO.com, publicisti Gashi ka thënë se gjatë luftës në Kosovë u shënuan shkelje të rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare.
Gjatë asaj periudhe, sipas Gashit, pati masakra, vrasje, zhdukje, përdhunime, ndalime, torturime, plaçkitje, si dhe rrëmbime, arrestime e burgosje arbitrare. “Për më shumë pati edhe dëbime të dhunshme të popullatës civile brenda dhe jashtë Kosovës, djegie e shkatërrime të shtëpive, shkollave, ambulancave, fabrikave, objekteve fetare, kulturore, monumenteve historike, si dhe vrasje të bagëtive” – tha ai.
Për hulumtimin e dokumentimin për krimet e luftës në Kosovë, Gashi është frymëzuar nga mënyra se si Bosnjë e Hercegovina i përkujton krimet e luftës.
Gashi ka thënë gjatë intervistës se mjetet nga shitja e librit do të përdoren për krijimin e një faqeje interneti (website), në të cilën do të përfshihen masakrat në Kosovë që janë kryer në vitet 1998-1999.
KALLXO.com: Çfarë ju shtyu të nisni dokumentimin e masakrave ndaj civilëve në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999?
Shkëlzen Gashi: Jam frymëzuar nga mënyra se si Bosnjë e Hercegovina i përkujton krimet e luftës, madje me punë të jashtëzakonshme e ndonjëherë të kryer edhe në baza vullnetare. Kam vendosë që t’i identifikoj, t’i hulumtoj gjerësisht e rrënjësisht, dhe t’i përmbledh në një vëllim të vetëm të dhënat relevante për masakrat e kryera gjatë luftës në Kosovë nga data 28 shkurt 1998 e deri më 23 korrik 1999. Prej të gjitha shkeljeve të së drejtës humanitare ndërkombëtare gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999 kam zgjedhë masakrat, për shkak se ato përbëjnë shkeljen më të rëndë të së drejtës humanitare ndërkombëtare dhe për shkak se një publikim përmbledhës i tyre ka munguar.
KALLXO.com: Kur e filluat punën kërkimore dhe sa kohë ju mori dokumentimi i gjithë masakrave që ju i keni regjistruar në libër?
Shkëlzen Gashi: Punën për këtë botim e kam nisë në vitin 2019, falë mbështetjes financiare fillestare nga organizata CHwB. Projektin e vazhdova menjëherë pas përfundimit të izolimeve të pandemisë më 2020 falë ndihmës financiare të Ambasadës së Zvicrës në Kosovë. Gjithë punën në katër vitet vijuese e bëra pa asnjë pagesë, megjithëse shumë miq, por edhe të njohur e të panjohur, shprehën gatishmërinë për të më mbështetur financiarisht, për çka u jam shumë mirënjohës, ndonëse ndihmën e tyre bujare nuk mund ta pranoja, ngaqë isha i vendosur që këtë punë, po aq përmbushëse shpirtërisht e intelektualisht sa edhe rraskapitëse fizikisht e emocionalisht, ta bëja mbi baza vullnetare. Për blerjen e rreth 200 fotografive dhe shtypjen e librit më kanë ndihmuar Community Development Fund (CDF) në Kosovë, Fondacioni Rockefeller Brothers dhe Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur.
Libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999” është botuar nga “Admovere” dhe “Integra”, në shqip, serbisht e anglisht, me 200 fotografi të fotografëve më të njohur të botës dhe gjendet në librarinë ‘Dukagjini’ në Prishtinë. Mjetet nga shitja e librit do të përdoren për krijimin e website-it për masakrat në Kosovë 1998-1999. Madje libraria “Dukagjini’ përqindjen e fitimit prej shitjes së këtij libri e dhuron për krijimin e website-it për masakrat në Kosovë 1998-1999.
KALLXO.com: Sa është numri i masakrave të kryera gjatë luftës ndaj civilëve në Kosovë dhe sa nga to janë përfshirë në librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999”?
Shkëlzen Gashi: Në libër janë përfshirë 83 masakra. Prej këtyre, 15 janë kry para se të fillonin bombardimet e NATO-s (28 shkurt 1998 – 24 mars 1999), 65 gjatë bombardimeve (24 mars 1999 – 10 qershor 1999), dhe dy menjëherë pas përfundimit të tyre (më 10 qershor 1999). Megjithatë, për 25 vrasje masive nuk kemi gjetur materiale nëpër burimet ku kemi kërkuar. Duhet shtuar se në këtë publikim nuk janë përfshirë as civilët e rrëmbyer, ngaqë nuk dihet se si janë vra a ekzekutuar, as nëse krimet ndaj tyre i plotësojnë kriteret për t’u kualifikuar si masakra. Njëlloj, nuk janë përfshirë as vrasjet e civilëve, të kryera si pasojë e bombardimeve të NATO-s, meqë nuk e plotësojnë njërin prej kritereve të rëndësishme – qëllimin – për t’u kualifikuar si masakra.
KALLXO.com: Cilat ishin burimet që shfrytëzuat për realizimin e librit për krimet ndaj civilëve të kryera gjatë luftës 1998-1999?
Shkëlzen Gashi: Për të përpiluar tekstet për masakrat kam marrë për bazë raportet e organizatave prestigjoze për të drejtat e njeriut, si Amnesty International (AI), Humanitarian Law Center (HLC), Human Rights Watch (HRW), International Crisis Group (ICG), Organization for Security and Cooperation in Europe (OSCE), e më rrallë edhe ndonjë tjetër. Jam bazuar edhe në vendimet e organeve të ndryshme gjyqësore në Kosovë e në Serbi, me theks të veçantë në ato të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Një tjetër burim i vlefshëm ishin raportimet nga mediet e huaja, si BBC, CNN, Associated Press, Washington Post, New York Times, Los Angeles Times, The Guardian, Independent, The Telegraph, e me radhë.
Vrasja masive e grave, fëmijëve dhe pleqve
KALLXO.com: Gjatë luftës u kryen masakra edhe ndaj disa familjeve në Kosovë, si ndaj familjes Vesja në Gjakovë, Bogujevci në Podujevë, Gërxhaliu në Vushtrri, Imeraj në Padalishtë, e me radhë, ku të vrarët ishin kryesisht gra e fëmijë. Sa e keni pasur të vështirë të mblidhni dëshmi rreth tyre?
Shkëlzen Gashi: Për masakrat që janë kryer nëpër familje, ku kryesisht janë vrarë gra, fëmijë e pleq, pra persona që nuk kanë qenë të moshës ushtarake, ka pasur jashtëzakonisht shumë materiale. Problemi qëndron te 25 masakrat, përkatësisht vrasjet masive, për të cilat nuk gjendet asnjë material nëpër burimet ku kemi hulumtuar: gazeta vendore, rajonale e ndërkombëtare, raporte të organizatave joqeveritare vendore, rajonale e ndërkombëtare, vendime të gjykatave vendore, rajonale e ndërkombëtare, e as nëpër librat e botuar në vend, rajon e botë.
KALLXO.com: Cilat ishin përmasat e këtyre krimeve që kryen forcat serbe ndaj civilëve, mënyra e vrasjeve, dhunimet dhe djegia e kufomave?
Shkëlzen Gashi: Gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999 u shënuan shkelje të rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare. Pati masakra, vrasje, zhdukje, përdhunime, ndalime, torturime, plaçkitje, si dhe rrëmbime, arrestime e burgosje arbitrare. Për më shumë, pati edhe dëbime të dhunshme të popullatës civile brenda dhe jashtë Kosovës, djegie e shkatërrime të shtëpive, shkollave, ambulancave, fabrikave, objekteve fetare, kulturore, monumenteve historike, si dhe vrasje të bagëtive.
Krimet e kryera kundër popullatës civile rrallëherë janë dokumentuar profesionalisht ose objektivisht. Pas luftës së fundit në Kosovë, në Prishtinë pati ngritje të memorialeve, të shtatoreve, vënie të pllakave përkujtimore, si dhe botime të librave, të gjitha këto kryesisht për luftëtarët. Dhe kjo përkundër faktit që rreth 90 për qind e të vrarëve gjatë luftës ishin civilë, ndërsa vetëm rreth 10 për qind ushtarë. Në të kundërt, gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë të viteve 1992-1995, afërsisht 60 për qind e të vrarëve ishin ushtarë dhe rreth 40 për qind civilë, e megjithatë në Sarajevë, memorialet, shtatoret dhe pllakat përkujtimore kryesisht i nderojnë viktimat civile. Për më tej, dy muze janë hapur në Sarajevë për të përkujtuar krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, si dhe gjenocidin në Bosnjë e Hercegovinë, ndërkohë që në Prishtinë ende nuk ka një ndërmarrje serioze në këtë drejtim. Gjithashtu, ndërkohë që Sarajeva i përkujton viktimat pa dallim etnie, Prishtina përqendrohet vetëm te ato shqiptare.
Kjo shpërfillje e civilëve të vrarë bëhet edhe më e habitshme po ta kemi parasysh se pikërisht refugjatët dhe viktimat e masakrave gjithandej në Kosovë ishin arsyeja pse NATO-ja i nisi bombardimet kundër caqeve të forcave policore e ushtarake serbe-jugosllave. Më tej, me fillimin e këtyre bombardimeve, intensifikimi i masakrave ndaj civilëve shqiptarë dhe i dëbimeve të tyre, kryesisht në Shqipëri e në Maqedoni, ndikoi që NATO-ja të urdhëronte tërheqjen e të gjitha forcave policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe e jugosllave nga Kosova në këmbim të ndërprerjes së sulmeve ajrore. Kjo sepse vetëm kështu refugjatët e zhvendosur do të ndjenin sigurinë e mjaftueshme për t’u kthyer nëpër shtëpitë e veta në Kosovë, kurse trupat tokësore të NATO-s do të vendoseshin në një ambient të sigurt e pa gjasa për ndonjë konflikt me forcat serbe-jugosllave. Për më shumë, gjendja e rëndë humanitare si dhe dhuna e represioni i ushtruar nga Republika Federale e Jugosllavisë janë gjëja e parë që përmend Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në opinionin këshillëdhënës të datës 22 korrik 2010 – të kërkuar nga vetë Serbia – në të cilin konstaton se shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare.
KALLXO.com: A janë hulumtuar të gjitha masakrat që janë kryer ndaj civilëve gjatë luftës në Kosovë?
Shkëlzen Gashi: Libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999” është botuar nga OJQ “Admovere”, në bashkëpunim me OJQ “Integra”, me mbështetje financiare nga Community Development Fund (CDF), Rockefeller Brothers Fund (RBF), Ambasada e Zvicrës në Kosovë, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), si dhe Cultural Heritage without Borders (CHwB). Ne jemi të bindur se një punë e tillë nuk meriton assesi të mbesë e botuar vetëm si libër me tirazh e qasje të kufizuar, prandaj kemi vendosur që, duke marrë për bazë këtë libër, ta krijojmë një website për masakrat në Kosovë, i cili do të jetë në tri gjuhë (shqip, serbisht e anglisht) dhe i qasshëm pa pagesë në gjithë botën. Për ta krijuar këtë website për masakrat në Kosovë, na duhet ta konceptojmë website-in; t’i plotësojmë e përmirësojmë tekstet e masakrave që janë në libër dhe t’i përshtasim ato për website ; të identifikojmë dhe blejmë fotografitë për website; ta zhvillojmë e dizajnojmë website-in; e në fund ta lansojmë atë online. Gjatë kësaj periudhe, do të hulumtojmë në terren edhe për masakrat që nuk janë përfshirë në libër, ngaqë nuk kemi gjetur materiale në burimet që i përmenda më lart. Për ta implementuar këtë projekt, do të kërkojmë mbështetje financiare nga organizatat joqeveritare vendore e ndërkombëtare dhe ambasadat e akredituara në Prishtinë, por edhe do të lansojmë një fushatë crowdfunding.
KALLXO.com: Shumë pak veta u dënuan për krimet që u kryen gjatë luftës së viteve 1998/1999. Cili është mendimi juaj, pse ka ndodhur kjo?
Shkëlzen Gashi: Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi dënoi udhëheqësit kryesorë politikë, ushtarakë e policorë serbë e jugosllavë për 10 prej 82 masakrave të prezantuara në këtë vëllim: Kotlinë, Bellacërkë, Krushë e Madhe, Izbicë, Suharekë, Podujevë, Gjakovë, Vatë, Mejë dhe Studime. Gjykata për Krime Lufte në Beograd dënoi pjesëtarë të forcave policore e ushtarake serbe e jugosllave për tri nga masakrat: Tërnje, Suharekë dhe Podujevë. Për dy të tjera, masakrat në Lubeniq dhe Qyshk, u rrëzuan vendimet nga Gjykata e Apelit në Beograd, dhe të dyja janë ende në proces të gjykimit që nga viti 2014. Qysh atëherë, në Serbi nuk ka më të arrestuar, të gjykuar e as të dënuar për këto masakra. Ndërkaq, organet gjyqësore në Kosovë dënuan një pjesëtar të forcave policore serbe për masakrën në Sllovi, kurse për masakrat në Izbicë, Reznik, Staradran dhe Dubravë, gjatë tri viteve të fundit, po zhvillohen procese gjyqësore kundër pjesëtarëve të forcave policore serbe.
Dështimi i institucioneve
KALLXO.com: Deri më tani nuk është bërë sa duhet për të pasqyruar krimet që janë kryer gjatë luftës. A e ka humbur Kosova rastin për të dokumentuar saktë atë çfarë ndodhi gjatë luftës? Çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës për zbardhjen e krimeve të luftës?
Shkëlzen Gashi: Për 20 vjet Kosova bëri shumë pak për t’i dokumentuar krimet e forcave policore e ushtarake serbo-jugosllave gjatë viteve 1998-1999. Qeveria aktuale e Kosovës tek pas tri viteve të ardhjes në pushtet nisi themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës. Qeveria e Kosovës do të duhej të angazhohej ekskluzivisht që Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës ta themelojë sa më profesionalisht, madje duke angazhuar në të ekspertë ndërkombëtarë. Qeveria e Kosovës duhet ta ketë parasysh se gjatë dekadës që lamë pas, Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, i themeluar më 2009 e i mbyllur më 2019, pothuajse dështoi në dokumentimin e krimeve të luftës 1998-1999.
Për fat të keq, në këtë mision pothuajse po njësoj nuk ia dolën as organizatat joqeveritare: Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) me monografinë “Krimet e Luftës në Kosovë 1998-1999”, duke e botuar vetëm pjesën e parë të kësaj monografie, e jo edhe të dytën (për më keq, botimi në anglisht i kësaj monografie nuk u bë asnjëherë); si dhe Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) me “Libër kujtimi i Kosovës”, duke botuar vetëm pjesën e parë të këtij libri, e asnjëherë pjesët 2, 3, 4 dhe 5.
KALLXO.com: A dihet numri i saktë i të vrarëve gjatë luftës në Kosovë. Sa është ky numër?
Shkëlzen Gashi: Viktimat civile e jocivile, nga të gjitha palët dhe etnitë, i kuantifikon projekti “Libër kujtimi i Kosovës”, i përpiluar pas një pune në terren nga Humanitarian Law Center (HLC), i udhëhequr nga Natasha Kandiq. Ky projekt gjen se nga fillimi i vitit 1998 deri në fund të vitit 2000, në Kosovë janë vrarë dhe/ose zhdukur gjithsej 10,333 civilë. Ndër këta, 8,692 shqiptarë, 1,196 serbë, 151 romë, 77 ashkalinj, 37 egjiptianë, 86 boshnjakë, nëntë turq dhe 85 të përkatësive të tjera etnike. Për 1,620 prej këtyre ende nuk dihet asgjë.