Lëvizja e “Vetëvendosjes” Për Koalicione me Partitë Tjera

Afrimi i datës së zgjedhjeve po shënon një zbutje të fjalorit të Lëvizjes “Vetëvendosje” sa u përket mundësive për koalicione qeveritare paszgjedhore.

Dikur kritike e ashpër ndaj të gjitha partive tjera, tani drejtues të këtij subjekti politik po i adresojnë ato vetëm te Partia Demokratike e Kosovës e kryeministrit Hashim Thaçi.

Albin Kurti, ka thënë se subjekti i tij përjashton çdo mundësi të ndonjë koalicioni paszgjedhor me PDK-në, e cila ka drejtuar qeverinë e vendit për më shumë se gjashtë vjet. Por bashkëqeverisjen me subjektet tjera nuk e  ka përjashtuar.

“Lëvizja ‘Vetëvendosje’ nuk do të bashkëqeverisë, pa qenë subjekti i parë. Pra, vetëm kur Lëvizja ‘Vetëvendosje’ del e para në zgjedhje, do ta formojë koalicionin qeverisës, duke shikuar përputhjen programore dhe besimin e ndërsjellë”, ka thënë Kurti gjatë kësaj jave në një intervistë për “Kosovapress-in”.  

Analistët vlerësojnë se qëndrimi i “Vetëvendosjes” është duke u zbutur gjithnjë e më shumë kohëve të fundit.

“Nuk mendoj që ‘Vetëvendosje’ i braktis parimet e veta, por mendoj se bëhet më pragmatike në mënyrën si tenton t’i realizojë ato” , tha Leon Malazogu, Drejtor i Institutit “Demokraci për Zhvillim (D4D) për Gazetën Jeta në Kosovë. 

“Në sistemet proporcionale, rrallëherë ndonjë parti mund të qeverisë e vetme dhe natyrshëm çdo formim i qeverisë nënkupton një dozë të kompromisit të parimeve me partitë tjera ne koalicion”, u shpreh Malazogu.

Sipas Malazogut, deklaratat e mëparshme të “Vetëvendosjes” “ishin të pamatura”, përderisa lëvizjen në qëndrimet e këtij subjekti e vlerëson si “pjekuri të shtuar”.

“Ndëshkimi për PLDAAKR”

Por Albin Kurti para tetë muajsh në një artikull autorial të publikuar në faqen zyrtare të “Vetëvendosjes” kritikonte të gjithë subjektet politike. 

E kishte titulluar Ndëshkimi për PLDAAKR-në dhe artikulli ishte botuar më 29 tetor 2013 disa ditë para mbajtjes së balotazhit në zgjedhjet lokale. 

Përfshinte në shkurtesë PDK-në, LDK-në, AAK-në e AKR-në. Thoshte se janë të ngjashme. 

Përmendte në artikull koalicionet në nivel lokal e qendror që këto subjekte politike kanë bërë ndërmjet vete.

“Qenia dhe veprimi i VETËVENDOSJE!-s dëshmon që në esencë partitë e pushtetit janë i njëjti subjekt me disa fraksione. Po të mos ishte Lëvizja, ato njëmend do të dukeshin gabimisht të dallueshme prej njëra-tjetrës”, shkruante Kurti.

Sipas tij bashkëjetesa në pushtet mes ketyre subjekteve politike ka rrënuar jetën e qytetare e politike në Kosovë.

“Me sa duket, bashkëqeverisjet ‘e suksesshme’ të atyre që ia japin vetes gratis epitetin ‘institucionalistë’ apo ‘evropian’, e kanë bindur shqiptarin se është më mirë nën dhunën e burgjeve të Hungarisë, sesa në Kosovën e shkatërruar prej oreksit të pandalshëm e kriminal të PLDAAKR-së”, shkruante Kurti.

Në fund të artikullit bënte një thirrje:

“Pra, në 3 nëntor, porosia ime është që secili prej jush të votojë, madje të njoftojë dhe të tjerët se duhet votuar. Përdoreni votën si ndëshkim për PLDAAKR-në, sepse vetëm kështu do t’i hapet rruga ndryshimit”, shkruante Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje që protestat në rrugë i kishte dikur një ndër aktivitetet kryesore nuk pajtohet se qëndrimet e saj janë zbutur.

“…as nuk jemi zbutur, e as nuk do të zbutemi”, thotë Erzen Vraniqi, zëdhënës në “Vetëvendosje”.

Vraniqi, njëjtë si lideri Kurti, përmend mundësinë e bërjes së koalicionit me partitë tjera duke përjashtuar vetëm PDK-në e Thaçit.

 “Lëvizja ‘Vetëvendosje’ nuk bën kurrfarë koalicioni parazgjedhor me asnjë subjekt politik, por do të garojë e vetme, me konceptin e saj politik. Koalicioni mund të vijë në shprehje me fitoren e ‘Vetëvendosjes’, me ndonjë subjekt më të cilin kemi, apo gjejmë përputhshmëri programore dhe besim të ndërsjellë, dy parime të cilat janë kyçe për ne”, thotë Vraniqi.

Megjithatë, analisti Behlul Beqaj thotë se “Vetëvendosje” ka ndryshuar konceptet e veta.

 “Ata po kuptojnë se ndryshim bëhet edhe me ata që ndoshta janë sjellë keq në të kaluarën për shkak të rrethanave në të cilat kanë vepruar, por vullnetin e kanë që ato rrethana t’i ndryshojnë në përputhje me nevojat imediate të qytetarëve”, thotë ai.

Edhe Krenar Gashi nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), thotë se Lëvizja “Vetëvendosje” ka evoluuar, krahasuar me kohën kur ajo ishte një lëvizje politike jashtinstitucionale.

“Përderisa patën filluar si lëvizje politike jashtë institucionale, më qëndrime më radikale sa i përket politikës publike, tanimë ‘Vetëvendosja’ është një forcë politike e cila është në gjendje të kapërdijë procesin e politikëbërjes dhe të kontribuojë dukshëm në të”, tha Krenar Gashi.

Por si e kanë parë partitë tjera qëndrimin e “Vetëvendosjes”?

Arben Gashi i LDK-së i tha Gazetës Jeta në Kosovë se as partia e tij nuk e përjashton koalicionin me Lëvizjen “Vetëvendosje”, sado që bëhet fjalë për parti me orientime të ndryshme programore.

“Ata janë parti e qendrës së majtë, ne jemi parti e qendrës së djathtë, por unë mendoj personalisht që mund të ketë bashkëpunim për një periudhë të caktuar për të ndodhur disa elemente kruciale që kanë të bëjnë në sundimin e ligjit, anti korrupsionin”, tha Gashi.

Ai tha se vija e kuqe duhet të jetë vetëm ndaj PDK-së.

Kurse, Ardian Gjini i AAK-së tha se është herët për të folur për koalicione parazgjedhore, por ai tha se qëllimi i Aleancës është që PDK-ja dhe AKR-ja të kalojnë në opozitë.

“Kur po them që duam me i qitë në opozitë, po nënkuptohet vetëm që ata duhet dalë në opozitë”, tha Gjini, duke lënë të kuptuar se nuk do të ketë koalicion me PDK-në.

Kundër koalicionit me PDK-në është deklaruar edhe lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Por Behar Selimi, që ka qenë deputet i PDK-së në legjislaturën e fundit të Kuvendit të Kosovës, thotë se deklarimet e partive opozitare se nuk do të bëjnë koalicion me PDK-në janë vetëm për qëllime elektorale.

“Deklaratat e subjekteve tjera, të individëve, kështu konsideroni paraelektorale dhe elektorale. Dihet që në shumicën e rasteve pas zgjedhjeve ndryshojnë shumë opinione, shumë qëndrime”, tha Selimi.

Ai tha se PDK-ja nuk ka qëndrime për asnjë subjekt politik.

“Ne nuk kemi vija të kuqe për askënd”, tha Selimi.